Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo

Opinione

Kur do të shohim Shtetet e Bashkuara të Europës – ëndërr e të madhit Viktor Hugo

Nga: Alfred Papuçiu Më: 27 dhjetor 2019 Në ora: 21:40
Alfred Papuçiu

Herë pas here u kthehem shënimeve, mesazheve nga ana e miqve të mij të mirë që më shkruajnë lidhur me mendimet që shpreh në shtyp, sidomos për dëshirën time që edhe Shqipëria dhe Kosova, të jenë një ditë në Europën e Brukselit. Një prej tyre është dhe profesori i nderuar i gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, i cili para do kohësh më shkruante:

“Lexova ciklin e shkrimeve - mbrojtje e shkëlqyer e të drejtave të patjetërsueshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar; aktakuzë kundër grupeve dhe individëve jo thjeshtë dashakëqinj të Shqipërisë, por edhe politikanëve amoralë në Europë e Shqipëri; advokaturë mjeshtërore me dituritë e një diplomati e publiçisti për çështjet ballkanike, europiane dhe më tej.
Artikujt janë mbrujtur me fakte dhe interpretime kompetente, shprehur me retorikë racionale, por edhe emocionale. Ju nuk keni qëndruar indiferent ndaj kësaj padrejtësie të radhës të paprinciptë që i bëhet Shqipërisë dhe Ballkanit, por u ngritët si tribun i drejtësisë kombëtare e ndërkombëtare, duke u dhënë një shembull edhe politikanëve dhe diplomatëve tanë që shtrirë në plazhe rrezitën për të fituar energji që të zihen me njeri-tjetrin sa të fillojë vjeshta politike në Shqipërinë e "reformave të mëdha"; dhe ashtu mendojnë si e si të vazhdojnë mashtrimet për premtimet e përbetimet që i bënë elektoratit, pa çka se harxhuan miliona Euro e Dollarë edhe nga arka e shtetit. Ju përgëzoj edhe për stilin dinamik që përshkon artikujt tuaj; për mjeshtrinë e komunikimit, duke u servirë lexuesve të interesuar dhe të painteresuar informacione, fakte dhe argumente të pakundërshtueshme.

Me respekt të veçantë, Hamiti”
 

Ndërsa një mik tjetër, Profesor Luan Shahollari, më shkruan:

“Përshëndetje nga Tirana ,Alfred!

Më vjen mirë që menjëherë pas vizitës në Shqipëri po "ktheheni" here pas here me shkrime në shtypin shqiptar. Kjo tregon se Dheu Amë ju ka dhënë gjallëri e krijimtari...E lexova edhe shkrimin për Hugoin e Madh dhe Shtetet e Bashkuara të Europës dhe më kujton qëndrimet e tua për Europën që në vitet 90-të, kur unë kam ardhur në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën dhe me pëlqeu. Tek libri im i fundit, të kam përmendur me shumë respekt për vizionin tënd largpamës për Shqipërinë dhe Europën. Ndërkohe jam duke lexuar librin "Meditim për shqiptarët, Europën dhe Kombet e Bashkuara", i cili po më suprizon me gamën e gjërë të temave dhe personazheve që keni hasur në jetën tuaj interesane, brënda dhe jashtë shtetit, ku sundon tema e dashurisë dhe respektit për njeriun dhe Shqipërinë. Përshëndetje dhe urime! Luani”

Këto mendime të shprehura janë pasqyrimi i një mendimi origjinal dhe të lirë. Ai lidhet me mendimin e përhapur tek një pjesë e opinionit europian: Europa i përket të gjithë shteteve dhe banorëve që e përbëjnë atë, pra duke përfshirë edhe ”Europën tjetër”, ku bëjmë pjesë edhe ne, Shqipëria, Kosova, Zvicra dhe një numër shtetesh të tjerë që janë akoma jashtë saj. A do ta mendojë këtë stafi i ri, drejtues i Europës së Brukselit që është krijuar këto ditë? Këtë do ta tregojë koha, nëse vizioni i tyre për Europën pa kufi që e kanë menduar disa dekada më parë, baballarët e Europës, do të bëhet më në fund realitet.

Studimi i çështjeve europiane më ka shtyrë të gërmoj më tepër për vlerat e individit, lirinë, pluralizmin, Shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut dhe përparësinë e demokracisë. Nuk i kemi njohur më parë, apo më mirë të themi nuk na i kanë mësuar në shkollë, figurat e atyre që shkrinë energjitë për Europën, si Denis De Rougemont, Alfred Borel, Jean Monnet, De Gasperi, Robert Shuman.

Qysh nga Lufta e Dytë Botërore, pajtimi franko-gjerman ishte një nga shtyllat e integrimit europian. Përballë Lindjes që ishte nën kontrollin e ish- Bashkimit Sovjetik, Perëndimi krijoi Këshillin e Europës në Strasburg, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pastaj disa vende europiane krijuan Komunitetin Europian, i cili pak e nga pak u zgjerua dhe sot quhet Bashkimi Europian, i përbërë nga 27 vende. Që nga viti 1989, historia e Europës ka patur ndryshime të thella. Në Lindje, regjimet komuniste u ”fundosën” dhe lindën nacionalizmat. Europa, pa të lindin si kërpudhat pas shiut, Shtete- kombe, shpesh në luftë me njeri tjetrin. Tanimë, shihet një formë tjetër e bashkimit midis vendeve europiane të Lindjes dhe të Perëndimit. Shqipëria tashmë bën pjesë në institucione të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe ushtarak në Europë: në Këshillin e Europës, në Konferencën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Europë, në Aleancën e Atlantikut Verior, në organizma europiane të Kombeve të Bashkuara, si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, si dhe ka paraqitur kërkesën për integrim në Bashkimin Europian.

Qasjet gjeografike dhe gjeopolitike të kontinentit europian kanë marrë parasysh ndryshimin e shkallës së Bashkimit Europian që nga zgjerimi i madh i 2004 -2007. BE e 27 - 29 në 2012 - e ka vendosur veten si sistemin qendror të organizimit politik në kontinent. Sidoqoftë, nëse e kthejmë pikëpamjen dhe ne e konsiderojmë kontinentin në tërësi, vërejmë se BE përmbledh "vetëm" 27 shtete nga 49 që përbëjnë kontinentin në përkufizimin e tij, të mbajtur nga Këshilli i Evropës (47 shtete anëtare + Bjellorusia të pezulluara që nga viti 1997 + e njohën pjesërisht Kosovën).

Në vitin 2010, mbi një sipërfaqe prej 4,376,780 km², BE mblodhi 500.3 milion europianë, ose 42.1% të zonës së përcaktuar nga Këshilli i Europës, nga 10,392,855 km² dhe 826 milion banorët e interesuar. Në të gjithë kontinentin brenda kufijve të tij konvencionarë, BE ka 68.2% të popullsisë. Dhe të tjerët?

Europa jashtë - BE mbledh kështu 22 shtete - një numër që ka rënë në vite - të cilat janë shpërndarë shumëllojshëm në të gjithë kontinentin, me madhësi shumë të ndryshme dhe peshë ekonomike dhe demografike. Ato gjithashtu ndryshojnë në natyrën dhe intensitetin e marrëdhënieve të tyre me BE-në. Shkurt, nuk mund të flasim për një tërësi homogjene, as politikisht, as gjeografikisht. A e bën kriterin e anëtarësimit jo-BE, në një element të unitetit në një grupim të tillë? Cilat pika të përbashkëta mund të ketë ndërmjet Moldavisë, e cila ka GNP më të ulët për frymë në kontinent (1,229 € / banor) dhe Zvicrën (45,814 € / banor)? Midis Rusisë së gjerë dhe shumë të populluar (17,098,241 km² për 141 milion banorë) dhe principatës së Andorrës (468 km² për 95,000 banorë)? Sidomos pasi që është e nevojshme të shtohen në këto 22 shtete, territoret europiane që i përkasin një Shteti Anëtar, por që nuk janë pjesë e BE: Ishujt e Kanalit (Jersey, Guernsey), Man, ose Faroe, si dhe bashkitë italiane të Livigno dhe Campione d'Italia (i bllokuar në Zvicër). Këto mikro-territore mbledhin gati 250,000 banorë.

Natyra dhe intensiteti i marrëdhënieve me BE-në, vendi i shteteve ose grupimet e shteteve në arkitekturën gjeopolitike të kontinentit mund të japin një çelës të qasjes gjeografike të kësaj tërësie. Fakti është se ekzistojnë kategori të ndryshme të shteteve, të cilat është e mundur të identifikohen nga profili i tyre dhe konceptimi i tyre për marrëdhëniet e tyre me BE: mospranimet vullnetare, planifikimet që të bashkohen afatmesëm, afrimi strategjik me qëllim të ribalancimit politik dhe / ose ekonomik… kur pyetja është unanime brenda elektoratit dhe grupeve politike kombëtare!

Ne mund të identifikojmë disa grupe shtetesh të shqetësuar nga probleme të ndryshme: shtetet e EFTA-s, ato të CEFTA / CEFTA (Shoqata e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore), ato të CIS dhe mikro-shteteve. Rusia dhe Turqia janë raste të veçanta për shkak të peshës së tyre ekonomike dhe demografike. Këto dy shtete gjithashtu kanë karakteristikën e përbashkët të territorit të tyre kombëtar. Për të shkuar më tej në Europën e Re që nuk dihet kur do realizohet, duke nxitur kështu shtete dhe forca jashtë Europës të marrin, ndoshta primatin..

A mos bëhet kjo enkas për ta mbajtur përsëri një pjesë të Ballkanit dhe të Europës Jugperendimore si fuçi baruti, që popujt që e përbëjnë atë të mos jenë të qetë? Shqiptarët nuk kërkojnë ndrime kufinjsh me futjen e tyre në Europë, megjithë padrejtësitë që ju bënë atyre, disa shtete europiane, në vitin 1913, që për çudi janë krijuar si të tilla, shumë më pas Shqipërisë dhe Kosovës. Ata nuk kërkojnë as ”dhuratat” që i bëri E. H., Titos, duke i dhënë atij territore shqiptare, sikur i kishte si çifligje të veta (?!). Ata kërkojnë vetëm të kenë mundësi të lëvizin lirshëm, si paraardhësit e tyre, për të parë të afërmit që japin ndihmesën për zhvillimin e vendeve europiane.

Në një qëndrim të tillë, përveç shqiptaruqëve, që ”për inat të sime vjehrre” çirren kundër përkatësisë në Bashkimin Europian, pasi u ka nxjerrë bojën dhe Mitrua ”dështaku”(?!) futen edhe një grupim armik që për interesa meskine nuk duan ta shohin Shqipërine dhe Kosovën në Europë. A nuk duhet të mendohet mirë ky grupim se nuk u a ka fajin populli sovran për një ecuri të tillë, se nuk duhet të afishojë më “çirrjet” e tyre në kundërshtim me dëshirën e një populli të tërë shqiptar në Shqipëri dhe Diasporë, se e mira e Shqipërisë dhe e bashkëbesëlidhësve është në Europën e Brukselit, siç u realizua dhe në Aleancën e Atlantikut verior, apo me SHBA dhe vendet e tjera mike të Shqipërisë dhe Kosovës ? Nuk duhet t’i vihen më gurë, more të paudhë, udhës së nisur nga demokracia e brishtë shqiptare, pasi gjithkush që vepron kështu, fshehur apo hapur, do të mallkohet dhe dënohet edhe nga të afërmit e tyre, që po i vënë emrit të familjes një njollë të zezë zifti që nuk hiqet më kurrë. Shërbimi më i madh që i bëjmë Kombit në këto çaste, është që t’i lëmë mënjanë mërirat e kaluara, mllefet personale. E njëjta rrugë duhet të zgjidhet edhe në Kosovë, dhe ti lihet pa vonesë të fillojë punën, krahas parlamentit të ri që u krijua, edhe qeverisë së re të ligjshme të Albin Kurtit.

Edhe duke mos qënë parlamentarë, shteti i brishtë demokratik do t’u japë një punë, përveç bizneseve që keni krijuar me kohë. Kështu e ngrehim më lart, ju shqiptarë të ndershëm në Diasporë dhe Komb, figurën e shqiptarit trim, me karakter, të çiltër, mirënjohës, mikpritës, qoftë ai malësor, fshatar, intelektual, por që ka një aspiratë të madhe: futjen në Europën e Brukselit, pasi aty është para shumë kombeve që e përbëjnë atë, por në klubin e madh të përfaqësuesve zyrtarë të shteteve europiane.

Në padrejtësitë që i bëhen popullit fisnik shqiptar, kanë dorë dhe llobet e fuqishme, sado të pakta, armike të Shqipërisë dhe Kosovës, që janë të lidhura me mafian ndërkombëtare. Ata i sollën fenomenet negative në Shqipëri, thjesht për interesat e tyre që ta shtyjnë pranimin e Shqipërisë në Europën e Brukselit sa më tepër që të kenë mundësi, të marrin ata akoma pjesën e luanit, në ndarjen e ndihmave europiane. Ata që i mbajnë akoma në dorë fatet e Shqipërisë dhe Kosovës në Bruksel, duhet ta dijnë mirë se kanë qënë shqiptarët ata që i kanë mbajtur, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vatrat e tyre, pa i dorëzuar tek nazistët gjermanë, mijra italianë që kishin ardhur si pushtues. Ata u mbrojtën dhe u larguan vetëm pas mbarimit të kësaj Lufte. Janë me mijra e mijra ata grekë që kanë marrë ndihma nga shqiptarët gjatë luftës italo-greke dhe si mirënjohje breza të tjerë të këtyre njerëzve humanë shqiptarë, marrin pension nga shteti grek. A nuk duhet në këto çaste, këta miq të Shqipërisë, grekë, që për çudi mbeten më tepër miq të serbomëdhenjve, apo italianë, si edhe çifutë (të vetmit shqiptarët në Europë që nuk i dorëzuan hebrejtë tek xhelatët nazistë) të ngrejnë zërin e tyre për të vënë në vend padrejtësitë ndaj shqiptarëve. Apo tashmë ata e ”kanë kaluar lumin” dhe u intereson që edhe disa vite të përfitojnë nga puna e papaguar e atyre mijra e mijra shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që rropaten rrugëve të Greqisë, Italisë dhe Europës!?

Më kujtohet para disa vitesh, një bashkëkombas i yni, ju drejtua një ministri të jashtëm të një vendi europian, ku ishte vendosur: ”Zoti ministër, unë kërkoj nga autoritetet tuaja të departamentit të brëndëshëm të më japin lejen e qëndrimit këtu, pasi unë kam dhënë kontribut edhe për vendin tuaj duke luftuar gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Ministri qeshi me të madhe dhe u dha porosi atyre që ishin pranë tij t’i jepnin përgjigje pozitive qytetarit nga Shqipëria.

Kam një simpati të veçantë për Zvicrën . Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj dhe nuk dihet se kur mund të bëjë pjesë në të. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europėn e Brukselit, apo edhe më larg. Zvicra nuk e ndien mospraninë e saj si anëtare e Bashkimit Europian dhe ndoshta nuk ka nevojë për atë Europë “deri diku të korruptuar”. (Të më falin zyrtarët europianë, por këtë e shpreh që të mos marrin më nëpër këmbë një popull sovran, autokton, si populli shqiptar. Mjaft më me ndërhyrje dhe anatema që nuk do të harrohen nga populli europian i Shqipërisë). Zëri i Zvicrës dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipėri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit dhe jo të shkojmë në Bruksel apo në Strasburg dhe të paraqesim argumente qesharake dhe të kundërta që lidhen me çështjet madhore të kombit dhe që brezat e ardhshëm apo edhe shumica e shqiptarëve europianë nuk i “hanë më”. Po nuk deshëm njėri-tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, solidarë, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi te demokracia e brishtë, e filluar qysh para gati 30 vitesh.

Gazetari André Crettenand ka botuar një libër të bukur për vendin e tij të vogël, Zvicrën. Së shpejti ai do dalë në shqip për lexuesin tonë në Kosovë, Shqipëri, Zvicër dhe kudo në Diasporë. Në çdo faqe që përkthej, mendoj se çfarë mund të marrë edhe Kombi ynë nga ky vend i vogël si Zvicra.

"Përsosmëria është e pranishme në këtë vend". Në librin e tij të vogël, nga numri i faqeve, me titull "Zvicra. Shpikja e një kombi ", André Crettenand shkruan me plot elozhe për origjinën e tij. Ky ish gazetar i "L'Hebdo" dhe TSR, ish drejtor i informacionit në TV5 Monde në Paris, aktualisht Drejtor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Televizionin zviceran, është autori i një "deshifrimi" të Konfederatës, në koleksionin « shpirti i popujve .Në një numër të vogël faqesh, André Crettenand tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës.

Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tre dekadave të jetës sime në Zvicër që e kam përshkruar disa herë, me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por ju them të drejtën se ky libër më ka bërë të mendoj edhe për Kombin tonë që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj, dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës, apo edhe në Kosovë me njerëz liridashës dhe krenarë. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip, këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

Ai thotë se shembulli i Zvicrës është unik dhe kur i them se Rilindasit tanë donin që Shqipëria të bëhej si Zvicra, buzëqesh dhe thekson se çdo vend ka karakteristikat e veta, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, për të cilat ka lexuar dhe i njeh edhe nëpërmjet shkrimtarit të shquar, Ismail Kadaré, apo bisedave që kemi shkëmbyer bashkë. Falenderon dhe gazetën « Bota Sot » që ka botuar një shkrim dinjitoz për librin e tij.

Libri fillon me historinë e Vilhelm Tell, mitit themelues të Zvicrës, dhe përfundon me homo alpinus, një popull i begatë, shumë gjuhësh dhe i përbërë nga shumë kultura, duke përfshirë edhe rreth 200 mijë shqiptarë, që ndjek në 2016 rrugën e tij drejt përsosjes. Gjatë përshkrimit të tij, André Crettenand lëkundet mes lavdërimit dhe kritikave rreth këtij shteti pothuajse tepër të begatshëm për të qenë i sinqertë, shumë pak i njohur për të qenë i vlefshëm dhe tepër i qetë dhe i lumtur për të ekzistuar. Ai druhet pak kur flet për vendin e tij kaq bukur, sidomos, për një ndjenjë krenarie që si një zviceran i mirë na mëson të përmbahemi . Por modestia e lexuesit zhduket nga ndjenja e saktësisë së një Zvicre, të treguar nga një prej bijve të saj. Një libër për ta kuptuar zviceranët, duke u kujtuar atyre që jetojnë atje, përse ndihen aq mirë dhe ata që kanë ikur pse duan të kthehen. Ashtu si autori i librit, tek i cili ne ndjejmë një nostalgji të ëmbël për këtë vend të privilegjuar që "nuk është zvarritur në fatkeqësitë e botës". Një vend nga i cili duhet të marrë shembull edhe Kombi ynë. Po të shkosh në muzeun « Alimentarium » në Lozanë sheh me syte e tu, rrugën e vështirë të Zvicrës dhe zviceranëve, që sot janë shembull në tërë botën për përkushtimin e tyre dhe arritjet e shumta në fusha të ndryshme të jetës, në marrëdhëniet e shkëlqyera me fqinjët, edhe pa bërë pjesë në Bashkimin Europin, apo edhe më tej me vendet e tjera të botës, duke përfshirë edhe SHBA.

Pse Zvicra?, shprehet autori.

“Gjithçka fillon nga një lojë mizore. Një gjykatës, përfaqësues i Habsburgëve dënon një malësor rebel. Ky është i detyruar të qëllojë një shigjetë mbi një mollë të vendosur në kokën e të birit. Ushtrim i rrezikshëm. Ndërkaq, burri e pranon sfidën. Dhe ja del mbanë. Por ai ka fshehur një shigjetë tjetër. I detyruar të jape shpjegim mbi shigjetën e fshehur, ai pranon se ajo ishte ruajtur për gjykatësin, në rast fatkeqësie. Më vonë, malësori e vret gjykatësin e mbrapshtë.

Lind legjenda e Vilhelm Telit. Ajo do të kalojë shekuj, do të frymëzojë poetët, do të mahnitë zviceranët. Kurajo, zotësi, dëshirë për pavarësi, revoltë kundër fuqive, personazhi Tel u pajis me të gjitha cilësitë, duke i dhënë Zvicrës legjendën e praruar, për të cilën ajo u bë krenare. Një legjendë që kapërceu larminë e gjuhëve, territoreve dhe feve. Sot, historianët thonë se Vilhelm Teli nuk ka ekzistuar kurrë. Pa dyshim. Të paktën, legjenda ka patur efektet e saj : »Si koka e prerë e Orfeut, mitologjia vazhdon të flasë, edhe pas vdekjes së tij, edhe me kalimin e kohës ». Ne jemi të të njëjtit brum si dhe ëndrrat, thotë Shekspiri.

Përsosmëria ndodhet në këtë vend. Peisazhet janë të përkryer. Qytetet kanë një pastërti të habitshme, fshatrat të zbukuruar me lule, rrugët të rregullta. Dëbora çdo vit është e pranishme dhe ndriçon vendin. Banorët e saj flasin të gjitha gjuhët, ata u përkasin kulturave të ndryshme, jetojnë në një harmoni të përkryer. Një mekanizëm politik i gjetur u jep mundësi minoriteteve që të nxjerrin në pah të drejtat e tyre. Qeveria ka një stabilitet të dalluar. Populli vendos për gjithçka, në sajë të demokracisë të drejtpërdrejtë. Cilësi që hasen në fushën ekonomike. Zvicra zë vendet e para në botë për shpikjet. Me të vërtetë nuk ka papunësi. Ka pak konflikte sociale. Me përjashtim të disa grindavecëve kritikues, Zvicra është e njëzëshme. Gjendja është idilike. Ose më mirë, këtë duan të mbajnë mend për atë, sikur përsosmëria mbizotëron ndaj çdo kritike. Gjetiu, gjithmonë është më keq. Përsosmëria dhe e veçanta. Zviceranët e zonës gjermane kanë shpikur një fjalë për ta shprehur këtë : Sonderfall. Ai përmbledh si neutralitetin, sistemin politik dhe mbarëvajtjen ekonomike. Pa dyshim, asnjë vend nuk ka trumpetuar aq shumë se ai është « i veçantë », ndryshe nga të tjerët dhe për këtë arsye duhet lënë i qetë. Një rast i veçantë në botë, një model përsosmërie, por që asnjeri nuk e bën të vetin. Ndoshta është frika e një lumturie që do të dilte shqetësuese. Kështu, Orson Welles flet për Zvicrën në filmin e tij « Njeriu i Tretë » : « Gjatë 30 viteve në Itali nën Borgia, ata patën luftë, terror, vrasje dhe masakra, por gjithashtu është Mikelanxhelo, Leonadro da Vinci dhe Rilindja. Në Zvicër, ata kanë patur 500 vite të një dashurie vëllazërore, demokracie dhe paqeje, dhe çfarë solli kjo? Ja ku është.

Nuk bëhet Historia me gjykime të mira. Nuk ka stacione metrosh me emra të bujshëm betejash. Nuk ka kremtime të madhërishme, parakalime në bulevardet e mëdha. Zvicra ka shpikur orën tingëlluese në shtëpi. Ajo e mbylli orën në një kuti prej druri, e zotëroi siç ndoqi fatin e vet : në mënyrë të pandalshme.

Kështu që zviceranët ditën të tregojnë historinë e tyre të praruar. Atë të një populli të vogël të guximshëm që arrin të mbijetojë në një natyrë të vështirë, shpesh vetëm në një mjedis perandorish, dukatesh dhe mbretërimesh ziliqare. Të një vendi punëdashës, të shkathët, të shpejtë, shpikës. Atje ku të tjerët mbështeten tek një e kaluar e lavdishme, pallatesh me afreske, katedralesh gotike, gërmadhash antike, monumentesh përrallore, Zvicra ka investuar tek peisazhi dhe mirëqënia. Zviceranët janë të ndërgjegjshëm se jetojnë në një vend të dashur nga perënditë. Po ata janë modestë, disi të mjaftueshme, nga ata që e njohin sekretin. Zvicra nuk ka qënë prirur nga prozelitizmi i Francës revolucionare, e vendosur për të përhapur dritën tek i gjithë planeti. Ajo e di që është një model, ajo e di që të tjerët e dijnë, pra ajo nuk ka nevojë të mburret shumë.

Ndoshta kjo histori e mjaftueshmërisë të të ardhurave ka lindur në Marignan. Disfatë e paharruar e zviceranëve që deri atëhere terrorizonin ushtritë e të gjithë dinastive europiane. « Ndëshkuesit e mbretërve » u ndëshkuan edhe vete. Historianët hahen mbi rëndësinë e ngjarjes dhe rolin që ka luajtur kjo disfatë në përfytyrimin zviceran. Kremtimi i 500 viteve të betejës, në 2015 solli një polemikë të madhe. Njëra palë gjykonte se neutraliteti zviceran ishte frymëzuar nga ngjarjet italiane, të tjerët mendonin se kjo disfatë nuk e kishte dobësuar shpirtin luftarak të zviceranëve dhe as nuk kishte kontribuar në tërheqjen e përgjithshme të vendit.

Megjithatë unë mendoj se ngjarja ndikon në psiqikën kolektive dhe nëse atëhere nuk pati pasojat e shpresuara të një disfate absolute, ajo shërbeu më vonë si simbol. Një popull i mbyllur në vetvete, i gatshëm të eksportojë aftësinë e tij- do të jenë mercenarët- por duke zgjedhur për çdo rast- Kongresi i Vjenës i 1815- statukuonë se sa çdo zgjerim të territorit. Një popull, siç thotë Regis Debray në librin e tij Urimi i kufinjve, « është një çështje mitesh dhe formash. Kërkohen një legjendë dhe një hartë ». Legjenda, ishte Teli, harta, qe ky « vend i vogël ».

Midis Veriut të zotë dhe Jugut që kërkon të shijojë kënaqësi materiale, Zvicra mori nga pak nga të gjithë. Mund të thuhet se ajo ka « zemrën franceze dhe kokën gjermane », siç thoshte filozofi Feuerbach, që kërkonte një përkufizim të një mendimtari ideal. Por këtu mendimtari është punëtori me përvojë të madhe.

Për Zvicrën nuk është dëgjuar të flitet shumë që nga fillimi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ajo tërhiqej në kohën e duhur nga një gjendje e vështirë, por nuk përcaktonte rregullat. Ajo nuk ishte një mbretëri, ajo nuk ushqente të ishte një përfituese e famshme dhe e pangopur, ajo nuk ndërtonte një perandori. Tek « Zotërit e Greqisë », helenisti nga Lozana, Andre Bonnard thotë :” Mjerr njeriu shumë i lumtur ». Lumturia e plotë dhe pa fund është një grackë apo një vegim. Asnjë njeri nuk ka të drejtë për lumturinë absolute, privilegjin hyjnor ».

Zvicra është një vend i qetë dhe gjithmonë i mundshëm për mërgatë, që nuk ka mjerim por megjithatë e ndërlikuar, e shqetësuar. Sypatrembur, por egoistë nga kujdesi i tepruar, të aftë për më të mirën por dhe më të keqen, për arritje të shkëlqyera . Zviceranët nuk kanë patur fatkeqësitë e botës. Dhe megjithatë kanë shpikur frika bashkëkohore: një sulm i papritur atomik, pushtim i njoftuar nga Lindja, luftë kimike. Jo se këto rreziqe nuk kanë egzistuar, por zviceranët janë të përgatitur me kujdes të tepruar. Vlerësohet më mirë qetësia kur shmang katastrofën. Të Vjetërit e përcaktonin në këtë mënyrë epikurizmin –arritjen e lumturisë. : të gëzosh lumturinë e të egzistuarit në siguri në breg, kur furtuna fillon në det të hapur. Pra fillimisht Zvicra është ky vend i qetësisë. Ajo ka frymëzuar më tepër poema se sa tragjedi. Në brigjet e Lemanit janë vendosur kompozitori Paderevski në Morzhe, shkrimtari Vladimir Nabokov në Montrë. Atje, Stravinsky kompozoi Ardhja e pranverës. Çarli Shaplini u vendos në Vevei. ” Në buzë të Lemanit, Stendali, Michelet, Ruskin dhe Tolstoi e ndjenë më të butë ardhjen e Lumturisë, të Poezisë dhe të Bukurisë...”. Dhe në kohë të tjera ishin Huhuenotët të përzënë nga Franca, Germaine de Stael që iku nga Napoleoni, Lenini që përgatiti kthimin në Rusi. Pak kohë më parë, David Bowie.

Kjo i ka magjepsur romantikët. Viktor Hugo e përshkoi Zvicrën në 1839. Ai hartoi një raport të plotë lidhur me udhëtimet e tij helvetike qe e çuan nga Bazeli në Vevei. Ai përfshin në tekstin e tij vizatime, skica. Ai shënon, komenton. Në fillim, e frymëzon Rini i madhërishëm, pastaj Alpet, më në fund liqeni. “ Liqeni më guduliste këmbët. Ishte një qetësi e madhe në këtë natyrë të madhe. Ishte diçka madhështore dhe e butë. Një çerek ore më vonë, varka ishte zhdukur, afshi i liqenit ishte qetësuar, qyteti ishte në gjumë.

“Helvétia është një mit . Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, megjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo ? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon ? Që nga brigjet e liqenit Leman deri tek fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qëndrore, deri tek luginat e Valesë, të rëpira deri në kufinjtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtut. Por kujdes. Kjo lumturi e të qënit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese ».

Zvicrën unë e admiroj dhe çdo herë që shkoj tek miqtë e mij të shumtë zviceranë, si dhe bashkëkombas, apo udhëtoj diku nëpër territorin e saj, mrekullohem me ndryshimet galopante që shoh. Por në asnjë çast nuk mund ta harroj vendin nga kam ardhur, Shqipërinë. Nuk mund të harroj atë kafen e mëngjezit aty në restorantin e vogël pranë shtëpisë, ku shpesh bisedoja miqësisht dhe lirshëm me mikun e mirë të tim eti, Tunit, Xhevat Beqaraj apo me profesorin e nderuar të Historisë së Francës në fakultet, Koli Xoxi, me babain e gazetarisë Prof. Hamit Boriçi, me profesorët e nderuar dhe miq të mij të mirë Ksenofon Krisafi dhe Shaban Murati, me miqtë profesorë që mblidheshim tek Colosseum çdo mëngjez. Nuk mund të harroj ato ditët e bukura, të kaluara buzë detit Adriatik dhe Jon, si dhe Semanit, Vjosës. Nuk mund të harroj udhëtimet në rivierën shqiptare, ditët e bukura të kaluara në Sarandë, në atë mrekullinë e kafes së “Gjuetisë”, në Lezhë, në Valbonën ku u mrekulluan miqtë e mij brazilianë, në Drilon, në Korçën me ato rrugët karakteristike, në Voskopojën e paraardhësve të mij, si dhe atje buzë Gjanicës, në Fier prej nga e kam prejardhjen nga prindërit. Nuk mund të harroj Apolloninë, ku në fëmijërinë time shkoja shpesh tek të afërmit dhe takoja dhe bisedoja me xha Pilon e Muzeut, por edhe shkrimtarin Jakox Xoxa që shkruante “Lumin e Vdekur”. Nuk mund të harroj lagjen “Liri” dhe “Konferenca e Pezës”, po në Fier, ku jetonin gjyshërit e mij dhe ku kam kaluar çaste të këndshme dhe të lumtur. Ashtu si dhe për europianët, gjenealogjia është kthyer në një nga argëtimet më të preferuara, edhe për mua është kthyer në një argëtim, për të plotësuar pemën gjenealogjike, të lënë me kujdes nga im atë i paharruar, Tuni. Shpesh pyesja edhe nënën time të ndjerë, si dhe motrën time, apo edhe të afërm për emra dhe ngjarje të ndryshme. I shënoj ato me kujdes, për kënaqësinë time. Të ndërtosh pemën tënde gjenealogjike, do të thotë të studjosh gjeografinë, historinë, demografinë, të gjesh kuptimin e fjalëve që janë përdorur nga paraardhësit. Gjenealogjia jep një ndihmesë të madhe edhe për gjenetikën. Mjekët kur duan të kuptojnë marrëdhëniet midis prindërve që janë të prekur nga e njëjta sëmundje e trashëguar, i drejtohen gjenealogjisë që dëshmon në shumë raste lidhjen midis grupeve të popullsisë.

Historia e Europës, është e lidhur me atë të vendit tim, disa shekullore, Shqipërisë. Megjithë shumllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoeuropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetra dekadash, a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, Skënderbeu europian, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën, ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët meritojnë shumë më tepër se Karaburuni ku humbën jetën dhjetra njerëz të pafajshëm, vetëm se donin të shihnin diçka tjetër në Europë. Europa është edhe Shqipëria, Kosova, edhe ata popuj që ëndërrojnë të « kalojnë qoftë edhe njëherë kufirin për në Evropë », në epokën kur muri famëkeq i Berlinit është rrënuar njëherë e përgjithmonë. Europa tani përbëhet nga shtete kombe, që në të kaluarën kanë qënë në luftë me njëri tjetrin. Por tani vërehet një etapë e re e historisë europiane, ashtu siç e ëndërronte Vikor Hygoi i madh, Curçilli, De Rougemont, dhe siç e ëndërrojnë shqiptarët autoktonë europianë. Historia e Europë,s pas kohës së luftrave dhe nacionalizmave, ka si drejtim kontaktet midis popujve, komunikimin dhe kritikën e përbashkët, shkëmbimet ekonomike, sociale e kulturore.

Komuniteti Europian është një arritje e mirë e një projekti të paqes që mbështetet në përvojat e shumta të shkëmbimeve midis popujve të kontinentit. Europa në tërësi do të forcohet në mënyrë të vërtetë, vetëm në sajë të solidaritetit me të gjithë botën që e përbën atë dhe jo me një „ndërtim“ të një fortese të rremë dhe egoiste. Edhe Skënderbeu, për të cilin u flas miqve të mij europianë, është pjesë e pasurisë së përbashkët europiane. Edhe Nënë Tereza, Isa Boletini, Adem Jashari, Bubulina, Shota Galica, Zhan D’Ark, si edhe Vilhelm Teli i Zvicrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat