Requiem për Shqipërinë, Kosovën dhe Europën

Opinione

Requiem për Shqipërinë, Kosovën dhe Europën

Nga: Alfred Papuçiu Më: 29 dhjetor 2019 Në ora: 12:31
Alfred Papuçiu

Prej mëse 50 vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, përkthyesit, botuesit, dikur në Shqipëri dhe aktualisht në Zvicër. Kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shkrime dhe botime, në shtypin zviceran dhe në atë të organizatave ndërkombëtare. Kohët e fundit, më tepër jam i prirur të shkruaj për Europën dhe Kombin tonë. Sidomos, në këto çaste kur Veriu i industrializuar nuk është akoma i prirur të pranojë peshën në rritje dhe ndihmesën që japin fuqitë e reja të « Europës tjetër » dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër të ri midis Veriut dhe Jugut.

Vetëm Shtetet e Bashkuara, në erën e re , mund të krahasohen si Komb, ndërsa Europa e të 27-tëve, është akoma shumë larg që të cilësohet një ditë si « Shtetet e Bashkuara të Europës ». Britania e Madhe doli jashtë saj.  Kontrasti është i madh midis kontinentit të « Po, ne mundemi » dhe asaj « Ne duhej të bënim », për arsye se europianët refuzojnë të përballojnë situatën e tanishme. Nuk mund të vësh në asnjë mënyrë, siç vënë në dukje analistët, presidentin amerikan  me zyrtarët e deritanishëm të Komisionit Europian.  Europës i duhet përsëri një Zhak Delor, pasi ajo po paguan anonimatin burokratik të drejtuesve të saj, me çmim të lartë.

Përqindja e dobët e pjesëmarrjes së qytetarëve europianë në zgjedhjet e saj shpreh edhe faktin se ka më pak Bashkim në Europë dhe më pak Europë në botë. Në rast se europianët duan të fitojnë besimin e banorëve që e përbëjnë kontinentin dhe një shpresë kolektive ata duhet të pranojnë zgjerimin e saj, edhe me Shqipërinë dhe Kosovën, pasi qindra mijra qytetarë të tyre po e ndërtojnë Europën, siç dhanë kontribut të shquar në organizimin e Lojrave Olimpike në Greqi, apo në prosperitetin e shteteve që e përbëjnë atë. Në këtë shkrim nuk pretendoj të bëj një vlerësim të posaçëm dhe të hollësishëm lidhur me marrëdhëniet e Shqipërise apo Kosovës, me Europën sot, si dhe me Zvicrën.

Vetëm se si pjesëmarrës aktiv në tetë sesione të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apo edhe për çështje që kanë patur të bëjnë ndër të tjera me Europën, Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin, në Gjenevë, Paris, Vjenë, Bruksel, Nairobi, Kajro, Rhodes, Limasol, Bazel, Singapur, Dubai, etj., si dhe duke ndjekur marrëdhëniet e Europës dhe Zvicrës me Kombin tonë, mendoj të shpreh mendimet e mija modeste. Këto janë mendime personale, të cilat më angazhojnë vetëm mua, të mbledhura gjatë vitesh, por dhe të rifreskuara nga ecuria e marrëdhënieve të Shqipërisë aktuale me Europën dhe Ballkanin.

E them hapur: nuk më pëlqen tulatja e një pjese të intelektualëve të pavarur shqiptarë që diktatura e viteve 1944-1985, i ka lënë akoma në heshtje apo me gjysëm zëri, për këto probleme madhore të Kombit tonë, përkatësinë në Europë. Apo skeptiçizmi i shprehur nga kritizerë europianë të regjimit demokratik, duke u bashkuar padashur me ata të paktë që duan ”ta shtyjnë në kalendrat greke” futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Këto radhë mund t’i lexojnë edhe ata „qoftëlargë“, të pakët në numër kudo në Europë, që vegjetojnë dhe qeshin pse grinden bashkëkombasit e tij dhe fërkojnë duart, pasi duan që të kthehet një kohë e kaluar, megjithëse edhe ata po t’u ketë mbetur pak logjikë, e kuptojnë se ajo kohë tanimë ka perënduar njëherë e përgjithmonë . Ajo nuk u kthye as në kombe të tjerë në Evropë, qoftë në Lindje, Perendim, Jug apo Veri.

Duke qënë jashtë në Diasporë, më tepër kam mbajtur rolin e spektatorit dhe jo të protagonistit të ngjarjeve të këtyre viteve, sidomos pas viteve 90-të. Detyrat që kam patur si funksionar ndërkombëtar i pavarur, në disa organizma të sistemit të OKB-së, nuk më linin kohë të merresha me analiza e shkrime për shtypin shqiptar. Natyrisht, kam ndjekur në çdo hap gjendjen në Shqipëri, në Kosovë, analizat e bëra nga dashamirët e saj, por edhe të atyre dashakeqëve që sa vijnë e pakësohen.

Kam shkruar edhe me mllef, por edhe me argumenta kundër tyre, siç vazhdoj edhe tani, kur është sidomos çështja e mbrojtjes së interesave të Kombit dhe padrejtësive që i bëhen atij, nga disa qarqe vendimarrëse europiane. Kam shkruar dhe e theksoj edhe sot për domosdoshmërinë e ekuilibrit të politikës sonë të jashtme, sidomos me fqinjët tanë, qofshin të Jugut, Veriut, Lindjes apo Perëndimit.

Edhe për një politikë largpamëse me europianët. Kam shkruar edhe për Amerikën dhe qëndrimet e reja dhe pozitive të administratës së presidentit Donald Trump. Për mua mbetet vendi i parë në botë, i paarritshëm, i lirisë dhe demokracisë. Vendi ku amerikani apo shqiptari, kudo qoftë, në Nju Jork, Nju Xhersi, Las Vegas, Florida, të përshëndet : « Si jeni ? ».

Kam shkruar edhe për Zvicrën që kur shkon në fshatin zviceran, si qytete të mirëfilltë mund t’i quash pa hezituar, shikon në ballkonet e shtëpive, krahas luleve shumëngjyrëshe edhe flamurin e Kantonit dhe atë të Zvicrës. Midis Zvicrës dhe vendeve fqinje tani ka vetëm kufij fiktivë. Ato ndahen vetëm nga breza tokash me grurë apo lule dhe aty këtu ka forca lëvizëse që natyrisht kontrollojnë hyrjen e keqëbërësve të mundshëm.

Kjo më bën në këto çaste të mendoj edhe për Kombin tonë : tashmë ai nuk është më « i mbyllur hermetikisht » si dikur, por i hapur, paçka se shumë bashkëkombas të mij sidomos nga Kosova, detyrohen akoma të mbajnë radhën me orë të tëra, ditë dhe muaj, për të marrë një vizë, për të shkuar në Europën e 27-shes. Jo për turizëm, por për të punuar dhe për t’u raskapitur.

Shqiperia gjithmonë e ka patur përkatësinë në Europë! Të paktën qysh në kohën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, ajo kishte marrëdhënie të veçanta me Republikën e Venetikut dhe shtetet sovrane europiane. Ambicja ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam patur fat, dhe e them sinqerisht, siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombas dhe ish kolegë të mij, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratike, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Aty kam vazhduar edhe një universitet të dytë, duke shtuar njohuritë e mija juridike, politike, ekonomike, rajonale për Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont.

Vendimi i 29 korrik 1913 i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, përbën dokumentin themelor ndërkombëtar të krijimit të shtetit shqiptar dhe të njohjes së pavarësisë së mbikëqyrur të Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Austro-Hungaria, Italia, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Gjermania. Ky akt iu bashkëngjit aktit të brendshëm të pavarësimit të Shqipërisë, të shpallur më 28 nëntor 1912. Njohja e Shqipërisë, ishte një njohje kolektive, nga një bashkësi shtetesh. Ajo ngjasonte me njohjet kolektive që Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Turqia iu kishin akorduar Greqisë nëpërmjet Traktatit të Kostandinopolit, të vitit 1832, si dhe vendimeve që morën në Kongresin e Berlinit, të vitit 1878, ku u akorduan pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët u shkëputën nga Perandoria Otomane. Me këtë vendim Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, ndryshoi vendimin saj të 17 dhjetorit 1912, ku Shqipërisë i njihej “Autonomi e garantuar dhe e kontrolluar ekskluzivisht nga të gjashtë fuqitë në sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit” dhe vendosi të formonte Shqipërinë “si një principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë fuqive..”.
Megjithëse ky vendim i kësaj konference nuk njohu shtetin e pavarur shqiptar të shpallur në Kuvendin e Vlorës, nga etërit e kombit modern shqiptar, por një shtet të tkurrur në gati gjysmën e territoreve të tij; ai përsëri ka rëndësi se hapi rrugën e parë drejt njohjes së të drejtave të kombit shqiptar. Megjithëse në jurisprudencë njohja ‘de jure’, ka kuptimin e një njohje të qëndrueshme, të plotë dhe përfundimtare, Fuqitë e Mëdha, kishin rezerva përsa i takonte të ardhmes së statusit të shtetit shqiptar. E njohën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, e pranuan në bashkësinë e shteteve të kohës dhe vendosën marrëdhënie diplomatike, por i imponuan atij një varg detyrimesh dhe kushtesh, jo vetëm për t’u siguruar rreth aftësive të tij për të ecur drejt të ardhmes politike, por edhe për ta mbajtur nën një kontroll e mbikëqyrje institucionale juridiko-ndërkombëtare.

Ishin këto padrejtësi historike, siç dëshmojnë analistët largpamës, që do të sillnin ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, që detyruan Imzot Gjergj Fishtën të akuzoj: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”.
Në fundin e shekullit të XX, situata gjeopolitike e Europës Juglindore ka ndryshuar. Demokratizimi i kësaj pjesë të Europës ka mundësuar jo vetëm çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste, por është krijuar një entitet i ri në Ballkan. Republika e Kosovës, vend sovran, i lirë dhe i demokratizuar, në cilin shqiptarëve ua lanë jashtë në Londrën e vitit 1913, po përpiqen aktualisht të përparojnë në liri, demokratizim dhe evropianizim. Problemi çam nga “tabu” është kthyer në temë e ditës në bisedimet ndërkombëtare dhe rezoluta të Parlamentit. Sot pas mbi 100 viteve ndarjeje, shqiptarët janë një faktor i pranuar nga Europa, në procesin e njohjes së vlerave perëndimore të lirisë, demokratizimit . Kombit i janë hapur mundësitë për të shfrytëzuar këtë rast për ta bashkuar atdheun e tyre në një Evropë të të njëjtave vlera.

Kam punuar në organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në OMS, me kolegë të vendeve të Ballkanit, bullgarë, turq, grekë dhe të vendeve europiane, gjermanë, francezë, spanjollë, britanikë, hebrej, amerikanë, rusë dhe nuk kishim asnjë kompleks për njeri tjetrin. Punonim si vëllezër dhe ndihmonim njeri tjetrin, ashtu siç më kujtohet kur isha gazetar në Shqipëri, ndihmonim njeri tjetrin, me Otin kompozitor, me Shabanin analist të zotin, Ladin, Arshiun, Ilirjanën, Maksin, Marikën dhe Bujarin…

E përsëris. Unë kam patur fat, dhe e them sinqerisht,siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombas dhe ish kolegë të mi, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratik, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Por ju them të drejtën, kur para disa kohësh bisedova me profesor Photis Beris, shef i hematologjisë në UNILAB të Gjenevës, përsëri rashë në mendime. Ai profesor fisnik, flokëbardhë, i përkushtuar për gjetjen e teknikave të reja për kurimin e Talasemisë, më theksoi se mund të ndihmojmë mjekë shqiptarë që të vijnë të formohen për mjekësinë bashkëkohore, për metodat e reja të mjekimit të Talasemisë dhe hemoglobinopative në përgjithësi. Por, theksoi ai, me ta duhet të bëjmë një kontratë që të kthehen përsëri në Shqipëri, që të ndihmojnë sidomos ata të sëmurë kronikë në zonat e fshatit që nuk e dijnë që kanë këtë sëmundje. Deduksion nga ato që shpreh profesori që drejton një fondacion të fuqishëm : shumë nga shqiptarët kanë patur fatin, pas viteve 90-të, të vendosen në Europë, apo SHBA, Kanada e Australi. Por për arsye objektive dhe subjektive, për arsye të arsimimit të fëmijëve, të sistemit shëndetësor të përkryer, duke qënë në një shtet ku respektohen e drejta, ku ka pastërti, siguri, mirësi, ku « qoftëlargëve », sherxhinjve, sehirxhinjve, atyre që duan ta shtyjnë futjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Europë, po u lëviz toka nëpër këmbë , shumica kanë vendosur të qëndrojnë aty. Kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ish presidenten e Konfederatës Zvicerane, Micheline Calmy- Rey, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e respektojnë edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit. Po nuk deshëm njeri tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi tek demokracia e brishtë e filluar qysh para gati 35 vitesh.

Po a janë të gjithë parlamentarët apo qeveritarët e viteve të fundit në lartësinë e duhur ? Ndonjë parlamentar që e njoh dhe dikur na ka thënë se « ju të Diasporës jeni jashtë loje dhe nuk duhet të jepni mendime për Kombin », tani mund të pëtypet. Atij i kujtoj se Zvicra i quan bashkëkombasit e saj të vendosur jashtë territorit helvetik, në Europë, Argjentinë, Amerikë, Kanada, Tailandë, Sinpapor e gjetiu, si « ambasadorë të nderuar » të Zvicrës. Janë rreth 700 nijë zviceranë që jetojnë jashtë shtetit. Popullsia zvicerane tanimë ka arritur rreth 8 million banorë, midis të cilëve 20 përqind janë të huaj. Dhe është interesant fakti se në disa rajone të Amerikës së Veriut dhe të Jugut, zviceranët sapo u vendosën themeluan koloni të tyre. Për shembull, në SHBA, 16 qytete dhe fshatra kanë emrin e qytetit dhe të kantonit zviceran të Lucernës. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me Arbanasit që u larguan nga malet e Dukagjinit, si fisi i mikut tim, arkitektit Franko dhe u vendosën në Zara të Kroacisë, ku akoma sot ka lagje me emra rrugësh shqip dhe flitet po shqip. Apo me Arvanitasit, Arbëreshët, me Nubianët, me kolonitë e shqiptarëve në ish republikat ruse, në Argjentinë, Australi…

Do të kisha dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe Misioneve tona : se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme, për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani kur na bëhen padrejtësi, për mosdhënien e vizave për bashkëatdhetarët tanë nga  Kosova? Për ndihmesën që duhet të japin ata 8000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjenevë dhe ata rreth 200.000 në Zvicër; apo ata mijra e mijra në SHBA, Kanada, Britani e Madhe, Francë, Gjermani e gjetiu. Nga Zvicra kohët e fundit, pas rënies se tërmetit në Shqipëri u dërguan ndihma të konsiderueshme moentare dhe në veshmbathje etj. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara të Europës, pa Shqipërinë dhe Kosovën? Jo, duhet të veprojmë sëbashku, sa nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhëshëm shqiptarë, duke na cilësuar si “të mefshët”, që kemi pare vetëm interest vetiake. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Instituti i Diasporës për të tërhequr rreth vetes mendimin e pjekur të atyre mijra ekonomistëve, arsimtarëve, profesorëve, universitarëve, gazetarëve, punëtorëve, ndërtuesve, arkitektëve, artistëve që japin një ndihmesë të çmuar për Europën e të 27-tëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat