Zvicër: Të drejtat e të huajve për të votuar; shembulli i fundit i qytetit të Cyrihut

Opinione

Zvicër: Të drejtat e të huajve për të votuar; shembulli i fundit i qytetit të Cyrihut

Nga: Lirim Begzati Më: 8 janar 2020 Në ora: 10:09
Lirim Begzati

Ditëve të fundit, metropoli më i madh industrial në Zvicër, qyteti i Cyrihut, duket se hapi një perspektivë për akordimin e të drejtës, në dobi të huajve, që të votojnë në nivelin komunal. Projekti përkatës parashikon që t’iu lejohet komunave të saj, të cilat e rrethojnë, t’a aplikojnë këtë mundësi për të huajt që banojnë së paku prej dy vitesh në një komunë.

Kjo iniciativë e ka marrë përkrahjen e Parlamentit kantonal, por nëse në këtë nivel arrihet deri në një miratim definitiv, populli do të ketë pastaj fjalën e tij të fundit. Një karakteristikë kjo e federalizmit zviceran.

Siç duket, kjo nismë e gëzon më tepër kureshtjen tek qarqet politike të cilat shumë përkrahës të tyre të denjë i gjejnë në mjediset e pjesëtarëve të popullatave të huaja.

Pa asnjë befasi, teksti i propozuar gëzoi pra mbështetjen e partive të majta (siç janë ajo socialiste, e të gjelbërve dhe disa të tjera). Nuk diskutohet as ajo se edhe interesat elektoraliste e bëjnë të veten!

Kurse ato të djathtat (posaçërisht e djathta ekstreme, ajo liberale-radikale, etj.) nuk treguan ndonjë entuziazëm përballë këtij vullneti politik të qytetit të Cyrihut. Sipas shumë anëtareve të këtyre partive, vetëm pas fitimit të shtetësisë zvicerane, të huajt mund të tregojnë njëfarë përgatitje për me e kuptuar, ashtu siç duket, sistemin politik zviceran.

Disa analistë janë të mendimit se, fakti se duhet pritur një kohë të gjatë për me e fituar shtetësinë zvicerane paraqet një barrierë të rëndësishme për me iu mundësuar të huajve të integrohen në jetën politike. Sipas tyre, duhet përshpejtuar disa procese, sidomos marrë parasysh atë se numri i të huajve është shtuar dukshëm.  

Ajo që duhet kuptuar për iniciativat e kësaj natyre, siç është ajo e Cyrihut, duhet ditur atë se ajo parashikon vetëm të drejtën e votës (për me votuar, për me zgjedhur dikë), por jo edhe të drejtën e një të huaj për me u zgjedhur (për me qenë kandidatë në një zgjedhje, për shembull).

Dallime këto të mëdha, njëra me tjetrën, pasi që një e drejtë më kuptimplotë është vetëm atëherë kur dikujt, përveç se i jepet mundësia për me votuar, i lejohet gjithashtu që t’a gëzojë edhe të drejtën për me qenë i zgjedhur. Me siguri se, për këtë, një kohë e gjatë iu duhet disa kantoneve.

Historikisht, në Zvicrën frankofone, e drejtë e votës për të huajt është shfaqur më herët se sa në kantonet e Zvicrës gjermanofone. Në disa kantone frankofone, i hasim, si të drejtën për me votuar ashtu edhe të drejtën për me u zgjedhur (për shembull, në nivel komunal). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat