Konzervatorë, reformatorë dhe pylli që po digjet

Opinione

Konzervatorë, reformatorë dhe pylli që po digjet

Nga: Fadil Lepaja Më: 8 janar 2020 Në ora: 11:41
Fadil Lepaja

Në Kosovë nuk ka parti që emërtohet si konzervatore, por nuk mund të thuhet se nuk ka as konzervatorë. Politika jonë vlon prej tyre. Në fakt dominohet, sundohet prej tyre. Te ne vështirë dallohen epokat, sikur në vendet problematike afrikane apo aziatike, të cilat u zgjuan vonë, por hovshëm nga gjumi, dhe përjetuan një zhvillim të shpejtuar, industrial, post insdustrial, madje dhe post - post industrial epokë kjo të cilës ideatorët ende nuk i kanë vu emër.

 Për më tepër, ka tendenca, nga lider të rinjë, e të vjetër që merren me inovacione politike, që sërish të zbulohet rrota, dhe meritat për këtë të merren jo vetëm individualisht, partiakisht,  por edhe lokalisht, regjionalisht, e madje edhe kombëtarisht. 

Ka që zbulojnë edhe kombe, sepse rrota është rizbuluar tashmë disa herë dhe nuk sjell aq pëlqime nëpër rrjete sociale. Këta, pëlqehen sidomos ndër fqinjët, që tështijnë sa herë përmendet kombi shqiptar. E nëse nuk ka pëlqime, të porositura nga automati, apo të dërguara prej zemre, kot politika. Edhe politika si gjithçka, në trend të modernizimit të skajshëm, zhvillohet në rrjete sociale. Kryesisht në “facebook” për popull, por edhe në Twitter për elitën,  apo në tjerat, në trapazan, te rinia dhe grupet e tjera të...harruara.

E kur jemi te rrota, “rrotë” dihet kush është në politikën tonë. Rrotë traktori, ajo e pasme, madje, krejt në kuptimin e metaforës politike, rrotë historike, e madhe, e pasme, kardashiane, apo në versionin lokal, “Kallashiane. Por, edhe,  pse, kjo e fundit u zhduk, nga pista e vallëzimit dhe politika, të gjithë e dijnë se ajo është këtu, fare pranë nesh dhe ende duke e dridhë, e bashkë me të dridhet edhe pista e vallëzimit, politik dhe ekonomik. Nejse, vendi ynë ekonomi nuk ka, por politikën e kemi rrush, serial. Pra po dridhet, gjithçka po dridhet, sidomos te Qeveria…! Ai po e dridhë. Rrota!

Nejse, gjithçka që vjen pas lidhëzës “por”, është, po e dini çka?! Dikush mund të thotë se në Kosovë, nuk ka as reformatorë. Disa thonë se më shumë se reformatorë ka restaurues të lëvizjeve dhe doktrinave të vjetruara, të hedhura  në pëmasa globale, apo në rastin më të mirë, ka përzierje, recepte lokale me mish të prishur brazilian! 

Bota e ideve dhe politikës, ngjanë me dyçane me mall të përdorur. I blenë kostumet e modës së fundit, të shtrejta, të veshura vetëm disa herë, ose një super veturë,  të vozitur vetëm nga një “plak-ë”, dhe vjen këtej për pushime, krejt “firmato”. Vjen, tipi, nga një “bordelo” dhe ulet në “saf” të parë të politikës, apo të moralit publik. 

Pra, harrojeni gjithçka që u tha, para lidhëzës “por” dhe vazhdojmë me ultimatumin presidencial, 48 orësh, me listat zgjedhore të Lëvizjes “Vetvendosje” dhe atë të Lidhjes Demokratike të kosovës, parti të cilat i fituan zgjedhjet e gjashtë tetorit, me një përparësi të vogël të kësaj të parës. Tash, kjo përparësi, në bazë të interpretimit të kushtetutës, nga zgjedhjet e para parafundit, del të jetë shumë e madhe, vendimtare gati, pasi sipas disave Lëvizja “Vetvendosje” është e vetmja e cila mund të propozoj mandatarin në dy përpjekje për të formuar qeverinë dhe në rast dështimi shkohet domosdo në zgjedhje të reja. Por, interpretimi i Gjykatës kushtetuese i vitit 2014 duket se është përshtatur për “rrotën”. Ai vendosë në fund.

Këtu vimë te titulli i kolumnës së sotme. Konservatorët, po luftojnë me të gjitha forcat. Në Shtet, shoqëri dhe parti, kundër reformatorëve, të cilët shpesh duket se janë veç kopje filmash të shikuar me qindra herë nëpër faqet pa pagesë, online! Por, ka edhe risi, ka edhe sakrifica, asketizëm, histori, ka gjithçka në këtë Kosovën tonë të izoluar nga ajo që ne po e quajmë bota moderne e cila kërkon nga ne të jemi më të përsosur se ajo vet, për të na pranuar në gjirin e saj. E ku futet “gjarpëri” në gji, thotë Evropa?!

Konservatorët me që ra fjala, i ke gjithkund. Ata duan të konservojnë të vjetrën, në shoqëri, e të arriturat personale e grupore, familjare, regjionale në shtet. Pasi shteti ynë është i ri, edhe konzervatorët edhe reformatorët, ngatërrohen shpesh, sidomos kur retorika e tyre na kujton filmat bardhë e zi. 

Kështu, edhe reformatorët e kanë të vështirë të pranohen si njerëz të progresit, pasi që edhe progresi më nuk është çfarë ishte dikurë. Nëpër debate, gladiatorët bluajnë gjithçka, dhe vështirë të dallohet se cila shkollë e politikës janë. Më lehtë e ke të dallosh nga cila kafene, apo cila lagje, vijnë. 

Reformatorët dhe konzervatorët i ke edhe brenda një familje, brenda një partie, për shembull, në LDK. Reformatorët në lista zgjedhore, konzervatorët në krye të partisë. Por, konzervatorë ke edhe në lëvizjen “Vetvendosje”. Disa që duan ende të jenë revolucionarë permanent, edhe disa që duan të kapin shtetin, për të vazhduar revolucionin me mjete tjera, legale! Janë lodhur, duke qenë të rrahurit. Disa duan të ndërrojnë rolet, duan të rrahin. 

A mund të konzervohet Kosova? A mund të reformohet? Për çka ka nevojë Kosova? Për ndryshime thanë qytetarët! Për një Qeveri ndryshimesh, e cila vështirë po krijohet. Për, Qeveri, po thonë edhe mediat, vendore dhe ndërkombëtare. Por çfarë Qeverie: reformatore apo konzervatore? 

A më thotë kush çfarë do të thonë këto fjalë te ne: Mos shihni në fjalorë ndërkombëtarë, as te përkthimet. Më thuani ku duan ta qojnë Kosovën reformatorët dhe ku duan ta mbajnë konzervatorët? Kush duhet të i bëjë këto ndryshime: Udhëheqësit e LDK, konservatore apo politikanët e rinjë nga lista e tyre zgjedhore? Revolucionarët e LVV, përplot merita për fitoren,  apo politikanët e importuar, të pranushëm për “të huajtë”, të propozuar së fundmi edhe për kabinetin e ri? Kë përfaqëson Albini, dhe kë Vjosa?

Të ua them unë? Ndryshime! Të gjithë duan ndryshime. Edhe ata që ishin në opozitë edhe ata që ishin në krye. Të parët, e dimë përse. Po, të dytët, përse duan ndryshime? Sepse e kanë kuptuar që nuk shkon më kështu. Të pafuqishmit po çmenden, dhe çmenduria është fuqi, në një pyll që digjet lehtë.

Duhet kompromis për ndryshime, pa e djegur pyllin!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat