Me rastin e 100 vjetorit të lindjes: Gjeneza historike e familjes të Anton Çettës

Opinione

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes: Gjeneza historike e familjes të Anton Çettës

Nga: Lush Culaj Më: 10 janar 2020 Në ora: 12:54
Anton Çetta

Dëshmitë arkeologjike të kulturës së mesjetës së her­shme tregojnë se në Mirditë kishte shumë vendbanime dhe varreza të mëdha. Këto të dhëna janë një pasqyrë e qartë e zhvillimit dhe trashëgimisë së pasur kulturore të kësaj kra­hi­ne. Po, natyrisht, brenda këtij kuadri, ka pasur edhe lëvi­z­je migruese të kësaj popullsie dhe lëvizje të shpeshta.

Mirdita është një bashkësi e gjerë krahinore e dallue­sh­me nga simotrat e saj fqinje, jo vetëm nga emri, nga shtri­rja gjeografike, nga ndërgjegjja e përkatësisë së banorëve të saj, por edhe nga mëvetësia e dukurive në etnokulturën e saj. Kompleksi i traditave e dokeve, po kështu edhe ngjyri­met në elementë të veçantë kulturorë dallojnë si të mëvetë­si­shëm për Mirditën, që i japin asaj një identitet kulturor, du­ke i marrë ata në tërësinë e tyre të dallueshme.

Në aspektin fiziko-gjeografik, Fani si njësi etno-kul­tu­rore përfaqëson njërin nga 12 bajraqet e Mirditës dhe zë pjesën më të madhe të pellgut ujëmbledhës të Fanit të Vo­gël, në gjysmën veriore të tij. Një vend që shtrihet në të dy anët e luginës, e cila ndodhet mes Malit të Zepës në Lindje e malit tjetër të lartë të Munellës në Perëndim. Në pjesën veriore krahina nuk e ka të vështirë të lidhet me pellgun ujë­mble­dhës të Drinit dhe përkatësisht me njësinë etnokul­tu­rore të Lumës, të Hasit dhe më gjerë. Këtë lehtësi e krijon ekzistenca e Qafë Kumbullës dhe e Qafës së Komit pranë malit në Thirrë. Është një zonë kodrinoro-malore, që fillon nga shpatet e maleve që përmendem, duke zbritur gradu­a­lisht deri në pjesën e poshtme pranë lumit Fan me një reliev të butë (taracë lumore), që është krijuar, ndër të tjera, edhe nga veprimtaria lumore.

Mirdita kufizohet me gjashtë rrethe. Në pjesën verio­re kufizohet me rrethin e Pukës, në verilindje me rrethin e Kukësit, në lindje me rrethin e Dibrës, në perëndim me rrethin e Lezhës, në jug dhe juglindje me rrethin e Matit dhe në jugperëndim me rrethin e Kurbinit.

Shikuar nga aspekti etno-kulturor, Fani është pjesë e Mirditës (Bajraku i katërt), duke zënë pjesën më veriore të saj dhe duke u kufizuar me tej me krahinën e Lumës e më në veriperëndim me “7 bajraqet e Pukës”. Në kuptimin e për­katësisë rezulton se emigrimi i popullsisë nga Rrafshi i Dukagjinit në Fan dhe nga Fani në Gjakovë, Pejë, Klinë, De­çan etj. ka qenë një fenomen shumë i zakonshëm që Edit’h Durham, u habit nga vazhdimësia dhe përmasat e këtij fenomeni dhe konkludoi se – gjithmonë sipas saj - “Pa dyshim mëmëdheu i mirditorëve është Pashtriku i Gjakovës dhe fushat përreth”. Në fakt këto lëvizje kanë prekur të 5 bajraqet e Mirditës, por veçanërisht krahinën e Fanit. Këtij argumenti i vjen në ndihmë fakti se edhe sot ka me qindra e me shumë raste, ku mund të evidentohen familje në Kosovë që e quajnë veten mirditas, bile fanë, ndërsa në të gjitha familjet e fiset e Fanit e kanë një lidhje me vende, prona (toka) apo fise të ndryshme në Rrafshin e Dukagjinit etj.

Më 18 qershor 1878 i dërguan Kongresit të Berlinit kër­kesën për të njohur një principatë të Shqipërisë së Ve­riut, krerët e Mirditës, Kthellës, Malësisë së Lezhës, Pukës dhe Lurës ku kryetar të ishte Preng Bib Doda. Kongresi i Berlinit njohu autonominë e Mirditës në bazë të përkrahjes që i dhanë kësaj ideje Franca dhe Austro-Hungaria.  Me­gji­thatë, mirditorët nuk ishin të kënaqur pa e shijuar lirinë të plotë. Ata bënin sulme të befasishme kundër reparteve ush­ta­rake turke. Hakmerreshin kundër pushtuesit për dhunën e ushtruar ndaj tyre. Kreu i çdo fisi, sipas Edit Durhamit, është flamurmbajtës i trashëguar, bajraktar. Fiset kanë një flamur turk dhe vetëm në Mirditë kanë një flamur të ve­çantë me një diell me rreze mbi të. Edhe kjo është një dë­shmi për mospërfilljen dhe rezistencën shekullore të mir­di­torëve kundër pushtuesit turk.

Fiset shqiptare janë histori e pashkruar e popullit shqiptar me zanafillë nga ilirët, si njomza të fundit të një dru­ri vigan të lidhur me një të parë të fisit.

Ndërkaq, profesor Mark Krasniqi mendon se fiset janë organizata me kompaktësi të madhe, me shpirt luf­ta­rak, për të mbrojtur lirinë, traditën, pronat e kullosat  nga çdo sulm i jashtëm.

Teza mbi ardhjen e popullit nga Mirdita në Kosovë do të jetë favorizuese për qarqet ekstremiste dhe pseudo-shkencore serbe, duke mbrojtur qëndrimin se trojet shqip­ta­re në Kosovë e në viset tjera të ish-Jugosllavisë paskan qenë vise të banuara nga sllavët dhe më pas duke i dëbuar ata u popullzuan me shqiptarë, ose se aty paska pasur popullsi sllave të shqiptarizuar. Po qe se serbet mendojnë se Kosova është "zemra" dhe "djepi" i shtetit serb duhet të kuptojnë se "transplantimi" është bërë në trup të huaj, sikurse edhe fëmija që përkundet në djep është fëmijë i huaj. Këto teza antishkencore i demanton studiuesi mirditor dr. sc. Mark Tirta në punimin e tij shkencor "Dëshmi migrimesh në she­ku­llin XV-XV nga Kosova në Mirditë”, ku, përmes argu­me­nteve shkencore, paraqet lëvizjet e popullsisë shqiptare nga Kosova në Mirditë dhe rikthimin e tyre në Kosovë. Pra, ata nuk e popullzuan Kosovën me shqiptarë, por u rikthyen në trevat e veta. Migrimet e tilla janë të njohura  gjatë histo­risë dhe ato janë më se normale.

Mirdita ishte ndarë në pesë bajraqe. Bajraku ishte një­si administrative me funksione ushtarake e pleqnare (gjy­qësore) në thelb në të cilat qëndronte organizimi i vjetër shoqëror. Brenda bajrakut në përgjithësi mbeti e paprekur struktura e shoqërisë së lirë malësore dhe mbijetuan institu­cio­net më karakteristike të saj.

Krahina e Mirditës në vilajetin e Shkodrës, sipas të dhënave zyrtare të vitit 1892:

Bajraku i Oroshit

Bajraku i Fandit

Bajraku i Spaçit

Bajraku i Kushnenit

Bajraku i Dibrrit

 

Xhuxha-vendlindja e gjyshit të Anton Çettës

Xhuxha është fshat nga më të hershmit i populluar. Konsiderohet se “banorët e mëvonshëm që kanë ardhur në fshatin Xhuxhë janë me prejardhje nga fisi Xhuxholli i rre­thit të Pejës. Ata u vendosën në Kodër-Xhuxhë. Konside­ro­het se kur këta kanë arritur dhe janë vendosur në ketë vend kanë gjetur të vendosur në këtë vendbanim familjen Çetta  që nuk dihet se nga ka ardhur, por flitet se është familja më e vjetër në Fan”.

Natyrisht që familja Çetta i përket Bajrakut të Fanit.

Përveç këtyre fiseve janë këto fise e barqe kryesore: Dedaj, Micaj, Gjonaj, Gjinaj, Mena, Karaci, Vocaj, Kocaj, Bu­ci etj.

Prof. Mark Tirta, duke folur për familjen e tij Tirtajt e Oroshit, shpjegon se ata janë dy degësh njëra vendase e tjetra e ardhur nga Fandi (Shëngjin), si nip bije e mbështetur në degën e parë. Ai dëshmon që janë farefis i Çetajve të Fa­ndit. “Në vendbanimin e ri ruhen toponimet e emrit të vjetër që e patën kur erdhën si: Kodra e Çetës, Laku i Çetës, Prro­s­ka e Çetës etj.

Ka indikacione sipas të cilave familja Çetta kohë më parë të ketë qenë quajtur “Hala”, emër që ekziston edhe sot, ndoshta si i rikthyer dhjetëra vjet më parë, diku pas Luftës së Dytë. Sipas gojëdhënës dhe disa dëshmive thuhet se në vitin 1862, kur në Mirditë kishte kryengritje që udhëhiqej nga princi i saj Bibë Doda, pas saj turqit bënë reprezalje në shenjë hakmarrjeje kundër mirditasve. Gjatë përleshjeve të përgjakshme me burrat dhe djemtë e Kodër Xhuxhës u vra­në shumë turq. Me t’u kthyer trupat në Shkodër i raportuan Valiut se kishin zhvilluar një betejë me një çetë kryen­gritësish në Fanë. Në fakt thuhet se ata burra e djem ishin të gjithë të një familje të madhe, por nuk ishte një çetë siç e kishin pandehur turqit. Që nga ajo kohë ajo shtëpi (familje), e mori emrin familja “Çetta”.

 

Mark  Çetta

Po kush ishte gjyshi i Anton Çettës?

Pa dyshim se ishte një nga burrat më me zë të kësaj familjeje të dëgjuar atdhetare.

Mark Çetta kishte lindur në vitin 1860, në Xhuxhë të Fanit. Ai u rrit dhe u edukua me frymën atdhetare dhe me urrej­tjen kundër pushtuesit turk që me pushtimin e egër vazhdonte ta ngulfaste Mirditën dhe gjitha territoret shqip­tare. Kur u rrit Marku binte në sy si një djalë trim, i shkathët dhe me një autoritet të madh në krahinë.

Në vitin 1884, në moshën 24-vjeçare, Marku largohet nga vendlindja dhe vendoset në Prizren, duke punuar si adjutant i konsullit austriak në Prizren. Pikërisht në Pri­zren, pas një periudhe të shkurtër kohore, ai martohet me Gjysten, bijën e një familje të njohur të Prizrenit.

Nga martesa e tyre Marku dhe Gjystja kishin pesë fë­mijë, përkatësisht dy djem e tre vajza. Djali i parë ishte Ko­la, ndërsa i dyti Lazri (i ati i Anton Çettës).

Gjatë katërmbëdhjetë viteve sa ka punuar në Konsu­llatën e Austrisë në Prizren, gjegjësisht gjer në vitin 1898, Mark Çetta nuk pushoi asnjëherë veprimtarinë atdhetare duke i dalë zot popullit shqiptar të Kosovës në format më të ndryshme. Ai me tërë qenien e tij përpiqej ta pasqyronte sa më fuqishëm dhunën dhe terrorin e pushtetit turk mbi shqi­p­tarët, por edhe luftën për autonominë e shqiptarëve nga Tur­qia.

Image
Mark Çetta

Interesimi i Austro-Hungarisë për shqiptarët përcak­tohej nga arsye gjeografike dhe politike. Me gjithë synimet për mbikëqyrje të plotë mbi shqiptarët, Qeveria austro-hungareze, nga ana e tjetër nxiste aspiratat për autonomi të shqiptarëve dhe inkurajonte pa kursyer mjete dhe ndihma ata njerëz që do të ishin mirënjohës ndaj mbështetjes së saj e do t’i qëndronin besnikë politikës austro-hungareze. Po­litika e Vjenës gjithashtu mendonte që ishte detyrë e tyre të zhvillonte lidhjet me udhëheqësit e lëvizjes kombëtare shqi­ptare dhe të ndihmonte në çdo mënyrë zhvillimin inte­le­­ktual si dhe mirëqenien materiale të popullit shqiptar. Pi­kë­risht mbi këtë bazë ishte edhe kontributi i Mark Çettës për çështjen kombëtare.

Pra, gjatë viteve 1884-1898, ai dallohej për veprimtari bashkëpunuese me austriakët, sidomos kur bëhej fjalë për çështje që lidheshin me interesat e lëvizjes dhe të kombit shqiptar. U lidh shumë shpejt me eksponentë të Lëvizjes tonë për liri kombëtare.

Pas vitit 1898 Mark Çetta u transferua me detyrë nga konsullata austro-hungareze e Prizrenit në atë të Selanikut. Aty qëndroi për pesë vjet, përkatësisht deri në vitin 1903. Ai me familje ka punuar e jetuar në Selanik, po në Konsu­lla­tën austriake atje.

Aktiviteti i Mark Çettës ka qenë interesant dhe gjatë kohës së shërbimit të tij në Konsullatën Austriake në Se­la­nik. Në Selanik ai do të shfrytëzonte rastin që t’i shkollonte  edhe dy djemtë e tij Kolën dhe Lazrin, pranë Liceut Fra­n­cez.

Në këtë vit e në vazhdim, Marku, njihet dhe bashkë­pu­non me patriotë dhe figura të rendit të parë të kombit shqiptar. Kështu, më 1898 Marku njihet me Shahin Kolo­njën, një nga veprimtarët me të shquar të lëvizjes kulturore e patriotike shqiptare. Shahin Kolonja ishte botuesi i njërës ndër gazetat më të njohura shqiptare në Sofje, e cila ndikoi mjaft në frymëzimin e Mark Çettës për përgatitjen e lëvizjes për pavarësi nga Turqia. Gjatë aktivitetit patriotik të vazh­due­shëm ai arriti të kishte letërkëmbim me Aladro Kastrio­tin nga Italia e Jugut, i cili punonte për Lëvizjen Naciona­lis­te Shqiptare. Në vitin 1902 me anë të z. Visko Babatasit, Aladro Kastrioti i dërgoi për Mark Çettën flamurët e parë shqiptarë si dhe dokumente që bënin fjalë për parinë shqip­ta­re, e cila duhej të shpallte kryengritjen kundër Turqisë, në dy vilajete shqiptare: të Kosovës dhe atë të Shkodrës. Këtë e dëshmon edhe shtypi i kohës: “Mark Çetta në rrezik të jetës se vet e tue sakrifikue grue e fëmij, vajti në Nish (Ser­bi) muer në dorëzim flamur e dokumenta, e si trim e besnik që ish, nuk u tremb aspak nga spiunet e regjimit të Sulltan Hamidit, por i suell në Shqipni, msheftas e i shpërndau”.

Veprimtarinë patriotike të Mark Çettës e njohu dhe e vlerësoi Princi Albert Gjika, i cili kryesonte Komitetin Na­cio­nalist Shqiptar në Rumani, Faik Konica - botuesi i revi­stës Albania etj.

Ishte periudha kohore kur shqiptarët ishin të ndarë në dy parti sado që në programin e tyre kishin pavarësinë e Shqipërisë: Anëtarët e Aladro Kastriotit dhe anëtarët e Princ Albert Gjikës. Për Mark Çettën nuk kishte rëndësi se kush do të merrte kurorën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, nga­se e rëndësishme ishte liria e Shqipërisë. “Por tue dhanun një shembull të çuditshëm karakteri e disipline atyre qe e pyetshin se për cilin kandidat e dëshironte fronin e Skender­beut, Mark Çetta përgjigjej “dishiri i jem asht qi të lirohet Shqipnia, pa sa për fron të saj e din vet ajo se cilit ka me ja dhanë”.

Në kryengritjet e viteve 1910-1912, kryengritje të cilat i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe fqinjëve grabitqarë, Mark Çetta ka qenë mjaft aktiv. Veprimtaria e tij në këtë kohë përqe­n­dro­het në pjesëmarrjen dhe organizimin e kryengritjes së vitit 1910 në Kosovë.   Këto kryengritje dhe sakrifica e shqip­ta­rë­ve sollën shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë me mbë­shtetjen kryesore të Austro-Hungarisë.

Megjithatë, me shpalljen e pavarësisë nuk u zgjidh çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar të të gjitha tre­vave shqiptare, formimi i shtetit të pavarur përbën ngjarjen më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar gjatë këtij shekulli. Fillimi i dhjetorit të vitit 1912 i gjen tërë Koso­vën, Shqipërinë Veriore, Lindore dhe të Mesme, deri të lu­mi Shkumbin të pushtuara nga ushtritë serbe e malazeze. Vetëm Shkodra vazhdonte rezistencën, por gjendej e rrethu­ar. Në jug trupat greke kishin rrethuar Janinën, kishin pu­shtuar Çamërinë dhe po vërshonin drejt viseve të tjera të Shqipë­risë së Jugut. Edhe në këtë periudhë kohore, por edhe në vijimësi aktiviteti kombëtar i Mark Çettës ishte i vazh­dueshëm.

Merr pjesë përkrah forcave qeveritare shqiptare në luftën kundër kryengritjes antishqiptare-sulltaniste, të udhë­hequr nga Haxhi Qamili, në vitin 1914.

Urrente dhe vepronte edhe kundër forcave esadiste. Mark Çettën do ta gjejmë edhe si pjesëmarrës në luftimet që bëjnë shqiptarët kundër pushtimit sllavo-malazez të Shko­drës.

Ky aktivitet i madh patriotik e bëri shumë të njohur Mark Çettën në rrethet patriotike të kohës. Përveç kësaj, ky angazhim, jo vetëm e bëri të njohur, por edhe e rreshtoi atë duke bashkëpunuar me personalitete të tjera madhore kom­bë­tare si: Ismail Qemalin, Nikollë Kaçorrin, Shahin Ko­lo­njën, Murat Toptanin, Abdyl Ypin, Dervish Himën, Hilë Mo­sin, Faik Konicën, Mati Logoreci, Mithat Frashërin, Kristo Luarasin, Mihal Gramenon etj.

Mark Çetta vdiq pas një sëmundje të rëndë, më 13 tetor të vitit 1928, në Tiranë. Të gjitha këto përpjekje atdhe­ta­re nuk i sollën asnjë dobi materiale këtij patrioti të vye­shëm. Në fakt edhe veprimtaria e tij nuk e kishte këtë synim. Ai nuk tentoi kurrë të pasurohej në dëm të popullit të vet të shumëvuajtur. Në moshën 65 vjeçe, i plakur e i lo­dhur, për të mos iu rënduar kujt e për ta fituar me nderë bukën e vet, po punonte për shërimin e sëmundjes së lisë në qytete e në katunde, në fusha e në male, ku u sëmur rëndë e prej së cilës sëmundje edhe vdiq. Pra, edhe vdekja e gjeti duke i shërbyer atdheut të vet deri në minutën e fundit.

Kështu, Mark Çetta e kreu misionin e vet patriotik tue duke lenë mbas vedit namin e nji shqiptari të vërtetë, nji malësori kreshnik.

Vdekja e patriotit Mark Çetta pati një jehonë të ma­dhe. Dhimbja për vdekjen e tij u pasqyrua dhe në shtypin e kohës. Në Arkivin e Shtetit Shqiptar ne veçuam artikullin e Gazetës Shekulli i ri, e dt. 26 tetor 1928, me titull: “Ushta­ri i idhesë, patriot i dëgjuar- Mark Çetta vdiq”.

Në këtë artikull pasqyrohet përmbledhtazi, jo vetëm jehona e vdekjes dhe humbja e patriotit, por dhe momente mjaft interesante nga veprimtaria e tij patriotike.

Ky artikull përfundon me nderimin edhe ndaj dy djemve të tij dhe ruajtjen e kujtimit të përjetshëm jo vetëm ndaj një prindi të tillë, por edhe ndaj një atdhetari të çmuar. “Dy djemve të tij të paharueshem i heqim kapelen tonë e i thomi fjalët e Poetit tonë Kombëtar: Letë i qoftë mbi vorr ledina, akulli, bora e serotina”.

 

Image
Lazër Çetta

Falë përkushtimit të babait Mark Çettës fëmijët e tij qenë të edukuar dhe të arsimuar shumë mirë. U shkolluan edhe në  kolegje franceze. Megjithatë, më i përparuari, jo ve­tëm në fushën e dijes, por edhe në fusha të tjera, ndër fë­mijët e Mark Çettës ka qenë Lazër Çetta. Ai lindi në Mir­ditë, më 1 shkurt të vitit 1895.

Kjo na rezulton edhe në një kopje të pasaportës të tij, që e posedonte i biri i tij, Beniamini në Durrës. Arsimin fillor (5-vjeçar) Lazri e kreu në Prizren në vitin 1908. Arsi­min e mesëm e nisi në Shkup (gjimnazin e ulët) dhe më vo­në përfundoi College des Freres të Selanikut në vitin 1912.

Roli i familjes në edukim patriotik dhe intelektual të Lazër Çettës, por edhe arsimin e tij në shkollat e kolegjet më të mira të kohës, përbëjnë një premisë shumë përcak­tuese për një aktivitet të shquar intelektual dhe atdhetar të Lazër Çettës.

Në periudhën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Lazri si 17-vjeçar kishte filluar të burrërohej dhe i rrinte përkrah të atit duke i ndihmuar në punët dhe aktivit­e­tet në dobi të atdheut. Atij tashmë, pasi e kishte mbaruar edhe kolegjin, nuk i mungonte jo vetëm guximi dhe vrulli rinor, por as arsimimi dhe dija të cilat i vuri pa ngurrim në shërbim të atdheut.

Lazër Çetta

Lazër Çetta u martua në vitin 1917 me Agen nga Gja­kova, njohje kjo e bërë në kohën kur Lazri ishte sekretar i Komandës së xhandarmërisë në Gjakovë. Fatkeqësisht ba­sh­kë­shortja e tij Ageja vdiq e re, por la dy fëmijë, Antonin dhe një vajzë. Në vitin 1936, i detyruar nga rrethanat mar­to­het për së dyti, me një bijë të familjës të Vlashajve nga Durrësi, Katrinën, me të cilën kishte një djalë, Beniaminin në vitin 1937. Lazër Çetta ka vdekur në moshën 45-vjeçare, në vitin 1940, nga një traumë aksidentale.

Kontributi i Lazër Çettës  në administratën shtetërore

Lazër Çetta është ndër shqiptarët e rrallë që ka kon­tribuar në administratën e shtetit shqiptar që kur ky shtet lindi më 28 nëntor 1912 e deri në vitin 1940, kur ky patriot dhe intelektual i shquar ndërroi jetë. Ky personalitet i shqu­ar kontribuoi në administratën e pothuajse të të gjithë qeve­rive, duke filluar nga Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali e deri te Qeveria e Zogut, pavarësisht prej rrymave e partive politike prej të cilave formoheshin e rrëzoheshin këto qe­veri. Në këtë kuptim Lazër Çetta, siç do ta shohim edhe më poshtë, ishte pjesë profesionaliste e Administratës Shtetë­ro­re Shqiptare, si pjesa më substanciale dhe kontinuitive e shtetit të ri shqiptar.

- Në vitet 1913-1918 u emërua dhe shërbeu si sek­re­tar i komandës së xhandarmërisë, përkatësisht i Shkodrës, i Lezhës dhe Gjakovës.

- Sapo u formua qeveria e Lushnjës e kryesuar nga Sulejman Delvina, nga tetori i vitit 1920 e deri në gusht të vitit 1921 (kur selia e Qeverisë ishte transferuar në Tiranë), Lazër Çetta emërohet sekretar i Gjyqit Politik të Tiranës.

- Nga gushti i vitit 1921 e deri në dhjetor të vitit 1923 (më shumë se dy vjet), Lazër Çetta emërohet si sekretar i për­gjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

- Nga 20 dhjetori i vitit 1923 e deri në fund të dhje­to­rit 1925 Lazër Çetta ka kryer disa detyra pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, si më poshtë:

Më 20 dhjetor 1923 emërohet sekretar i dytë në Drej­torinë administrative-konsullore të MPJ.

Lazër Çetta, nga 24 dhjetori i vitit 1924 e deri më 21 shkurt 1925, punoi në Drejtorinë e Financave. Më 21 shkurt të vitit 1925 dekretohet Sekretar I i Legatës Shqiptare në Beo­­grad. Në dhjetor të këtij viti pushohet nga puna për mo­tive politike, pasi siç informohemi Lazër Çetta përkrahte dhe ndihmonte emigrantët antizogistë.

Pas më shumë se 2 vjetësh pa punë, Lazër Çetta fto­het për të kontribuar dhe emërohet më 18 qershor 1928 sek­retar i përgjithshëm i Ministrisë Arsimit, derisa hapet Gjim­nazi i Shtetit në Tiranë, ku emërohet dhe punon për më shu­më se 1 vit profesor.

Më 26 shtator të vitit 1931 dekretohet dhe emërohet shef i Sektorit të bursave pranë Ministrisë së Arsimit, detyrë të cilën e mban deri në shkurt të vitit 1934.

Në shkurt të këtij viti Lazër Çetta emërohet drejtor i arsimit fillor e normal pedagogjik, në Ministrinë e Arsimit. Nga nëntori i vitit 1935 e deri në vitin 1940 Lazër Çetta e ka kryer me sukses detyrën e Sekretarit I të Ministrisë Arsi­mit.

Nga sa përshkruam më sipër duket qartë se, në radhë të parë, kontributi i Lazër Çettës, ishte jo vetëm i pandër­prerë, që kur lindin institucionet e para të shtetit shqiptar e deri në fillimet e Luftës se Dytë. Ai kontribut ishte jo vetëm cilësor, por edhe shumë i madh dhe i gjithanshëm i tij.

Lazër Çetta kishte dhënë ndihmesë shumë të madhe në ngritjen dhe funksionimin e xhandarmërisë, veçanërisht në Shkodër, Lezhë e Gjakovë në periudhën e sundimit të Aus­tro-Hungarisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ishte periudha kur në vjeshtë të vitit 1916 Shqipëria ndodhej e pushtuar nga forcat ushtarake të tri fuqive: të Austro-Hungarisë që e mbante pjesën më të madhe të ve­ndit, Shqipërinë Veriore e të Mesme deri në krahun e djath­të të derdhjes së Vjosës. Këtu u vendos vija e frontit me ush­­tri­në italiane, e cila pasi i dëboi forcat greke nga Shqipë­ria e Jugut e pushtoj plotësisht Shqipërinë e Jugut. Në anën tjetër forcat ushtarake franceze e pushtuan krahinën e Kor­çës.

Për ndryshim nga zona pushtuese bullgare, sundi­m­tarët austro-hungarezë në Kosovë udhëhiqnin një politikë krejt të ndryshme për t’i përfituar masat popullore.

Keqtrajtimet dhe reprezaljet mbi popullin shqiptar që ishin ushtruar nga Serbia gjatë viteve 1912-1915 tani morën fund. Austro-Hungaria filloi që të përfillë të drejtat kombë­tare që për atë kohë për shqiptarët kishte vlerë të madhe.  Populli shqiptar ato të drejta i kërkoi shekuj me radhë në lufta kundër pushtuesve të ndryshëm. Në fillim të vitit 1916 u bënë përpjekje për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë. Hapja e këtyre shkollave për shqiptarët kishte rëndësi të veçantë historike. Shkollat shqipe në zonën pushtuese aus­tro-hungareze kanë punuar deri në fillim të tetorit 1918, kur Kosova pushtohet sërish nga forcat serbe. Pushteti austro-hungarez lejoi në Kosovë edhe përdorimin e flamurit kom­bë­tar, vetadministrimin lokal, zhvillimin e kulturës kom­bë­tare dhe disa të drejta tjera. Pra, ishte pikërisht kjo periudhë kohore kur shqiptarët filluan të frymonin më lirshëm dhe pikërisht këtë frymim më të lirshëm intelektuali Lazër Çetta u përpoq që ta shfrytëzonte me tërë qenien në dobi të inte­resave kombëtare shqiptare.

Duhet potencuar se nuk ka pushtues të mirë dhe se secili pushtues i ka qëllimet e veta, pretendimet territoriale dhe eksploatuese. E tillë ishte edhe Austro-Hungaria, por prej të gjithë pushtuesve kishte qenë pushtuesi më i mirë deri në atë periudhë kohore.

Natyrisht që Lazër Çetta iu gëzua rinjohjes së shtetit shqiptar nga Konferenca e Paqes e Versajës, ndonëse dihej në çfarë kufijsh u njoh shteti shqiptar. Në rrethanat e jash­tme dhe të brendshme të krijuara në fillim të vitit 1920 pozitat e Shqipërisë ishin bërë tejet kritike. Shqipëria mbeti si shtet i ndarë pa pjesët më vitale, sepse u morën për bazë argumentet politike, por të paktën u arrit të rifitohej pava­rë­sia e vendit dhe sidomos të mënjanoheshin padrejtësi të reja territoriale që do të ishin tragjedi e dyfishtë për të ardhmen e kombit.

Lazër Çetta iu gëzua Qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1920 dhe po atë vit u rikthye nga Kosova për të dhënë kontributin për shtetin e ri shqiptar.

Në kuadrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ndi­h­moi mjaft dhe për ngritjen dhe funksionimin e sistemit gjy­qësor etj. Gjithashtu, është shumë evidente edhe veprim­ta­ria e tij si diplomat, duke kryer shumë detyra pranë Mi­ni­strisë së Punëve të Jashtme.

Mirëpo, kontributi kryesor i Lazër Çettës duket se ka qenë në vitet 30 të shek. XX në fushën e arsimit, si në drej­tim të përhapjes, por veçanërisht në drejtim të modernizimit të tij. Kuadro të talentuara si Lazër Çetta jo vetëm ndikuan në kooperimin gjithnjë e më shumë me vendet e përparuara evropiane, por gjatë këtij kooperimi ndodhte gjithnjë e më shumë evropianizimi i shtetit shqiptar dhe shkëputja sado­pak nga mentaliteti dhe mënyra anadollake e jetesës.

Kishte jetë të pasur intelektuale duke shkruar shumë libra me tematikë shoqërore dhe edukative. Megjithatë, vep­ra më e spikatur e tij i përket fushës së historisë dhe titu­llo­het “Përmbledhje e Historisë Ushtarake Botërore e Shqip­tare”, e cila u botua në vitin 1931.

Gjatë veprimtarisë së tij, Lazër Çetta është vlerësuar nga institucionet e shtetit shqiptar, nga bashkëkohës dhe intelektualë të ndryshëm. Bie në sy veçanërisht dekorimi i tij nga presidenti francez me medaljen “Oficier d’Aca­de­mie”, dekoratë e akorduar në vitin 1928.

Sërish në vitin 1934 Lazër Çetta dekorohet për herë të dytë nga shteti francez me medaljen “Kryqi i Kalorësit të Legjionit të Nderit” etj.

Image
Anton Çetta

Siç e kemi thënë më përpara, Lazër Çetta u martua në vitin 1917 me Agen nga Gjakova, njohje kjo e bërë në ko­hën kur Lazri ishte sekretar i Komandës së Xhandarmërisë në Gjakovë. Pas tre vjetësh lindi në këtë qytet djali i parë i Lazër Çettës, Antoni. Ai lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Vetëm pas disa muajsh, Lazër Çetta transferohet në Tiranë duke u emëruar (në kohën kur selia e Qeverisë së Sylejman Delvinës transferohet nga Lushnja në Tiranë) sekretar i Gjy­qit Politik (tetor 1920). Në këto kushte fëmijërinë e her­shme dhe mësimet e para i mori në Tiranë, tashmë krye­qyteti i shtetit të cunguar shqiptar.

Shkollën e mesme e nisi në Tiranë, e vazhdoi në Li­ce­­un Francez të Korçës dhe tre katër vitet e fundit të Liceut - drejtimi klasik - në Milano të Italisë. Për një kohë të shkurtër punësohet në “ Posttelegraf” të Tiranës.

Me dhimbje në zemër dhe mall për  Kosovën, Anton Çetta do të qëndrojë në Shqipërinë politike gjer në vitin 1941. Kthimi i mëhershëm ishte i pamundur, sepse patrio­ti­zmi i tij dhe i familjes së tij nuk kishte si të mos ngjallte urre­jtjen tek okupatori serb. Gjatë qëndrimit në Shqipëri va­zh­­­dimisht fliste me të atin e tij rreth mundësisë së çlirimit të Kosovës dhe rikthimit atje. E ardhmja e vërtetoi qëndri­min e Anton Çettës, ngase vërtet u kthye në Kosovë në vitin 1941, në periudhën e sundimit italian. Shqiptarët nacio­na­li­s­të, ata që shpëtimin e kombit e kanë mbështetur mbi të vër­te­ta parimore të padiskutueshme mbi bashkimin e gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm, nuk gëzoheshin se Koso­va ndërroi dorë, se shpëtoi nga thonjtë e serbëve e ra në do­rë të italianëve, por se me shpartallimin e veprimeve të pa­drej­ta u krye hapi themelor për përmbushjen e ëndrrës she­ku­llore, u bë bashkimi kombëtar, në saje të të cilit edhe fati më i keq do të përballohej ashtu siç i përket popullit të bash­kuar në përpjekje të përbashkëta.

Këtë mendim e ndante me shqiptarët nacionalistë edhe Anton Çetta. Pra, një vit pas vdekjes të atit, Lazrit, ndër­sa nëna e tij Ageja e kishte lënë vite më parë, Antoni bashkë me motrën e tij, largohen përgjithmonë nga Shqi­pë­ria, për t’u vendosur te dajat  në Kosovë. Ndërkaq, vëllai i vogël, Beniamini, me nënën tjetër (Katrinën nga Durrësi) largohen edhe këta nga Tirana për në Durrës.

I pajisur me dije në Prizren, Tiranë, Korçë dhe Mi­l­a­no, në vitin 1945 Anton Çetta me hapa të sigurt nis karrier­ën e tij pedagogjike si profesor në Gjimnazin e Prizrenit, për të regjistruar një vit më vonë studimet në Grupin e Ro­manistikës - Dega e Gjuhës Frënge, në Fakultetin Filolo­gjik të Universitetit të Beogradit, të cilat i mbaroi në afatin re­kord brenda katër vitesh. Meqë ishte shquar në studime, pas diplomimit, pedagogët e tij e emërojnë asistent në Se­mi­narin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik të Beo­gr­a­dit, ku punoi rreth dhjetë vjet.

Anton Çetta

Anton Çetta ishte studiues i kulturës popullore, por dhe i kulturës sonë kombëtare në përgjithësi.

Ai ishte  njëri ndër inte­lektualët, etnografët dhe folkloristët më të shquar të kohës tonë.

Kontributin më të madh si intelektual ai e dha kur ishte profesor në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Pri­shtinës dhe punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në vitin 1961 nga Beogradi kthehet në Prishtinë dhe emërohet ligjërues në Degën e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik, ku ligjëroi mbi shtatë vjet Letërsinë e Rilindjes dhe Letërsinë e vjetër shqipe. Njohuritë e tij të thella klasike dhe moderne për letërsinë dhe gjuhën bënë që prof. Anton Çetta në Fakultetin Filozofik të krijojë emër si njëri ndër profesorët më me autoritet të kohës.

Profesor Çetta, që në fillet e organizimit të arsimit shqip, në vitet 50 merret edhe me hartimin dhe përpilimin e teksteve shkollore për letërsi dhe gjuhë shqipe si dhe të doracakëve të ndryshëm si koautor me Idriz Ajetin, Gani Lubotenin, Mark Krasniqin, Rexhep Hoxhën etj.

Karrierën shumëvjeçare, të nisur në Prizren, të vazh­duar në Fakultetin Filologjik të Beogradit dhe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, nga viti 1967 e vazhdoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku kaloi si studiues në Degën e Folklorit. Tani e tutje me tërë qenien e tij intelektuale ai do t’i përkushtohet krijimtarisë folklorike, mbledhjes, botimit dhe studimit të saj. Në Institut, si përgjegjës kryesor i Degës së Folklorit, profesor Çetta përgatit strategjinë dhe projektin e madh të regjistrimit të krijimtarisë gojore. Fillimisht në mungesë të kuadrove të brendshme për gjurmime në terren, mbledhjen e lëndës folklorike në të gjitha trevat shqiptare në ish-Jugosllavi e nis me bashkëpunëtorët e jashtëm, të ci­lët kryesisht ishin studentë, mësues dhe arsimtarë. Anton Çetta ishte jo vetëm organizatori kryesor i kësaj pune ko­lo­sale, por edhe mësues i kuadrove për folklor. Pjesën më të rëndësishme të këtyre materialeve folklorike arriti t’i bo­to­nte Instituti Albanologjik, kurse një pjesë e konsiderueshme e materialeve të pabotuara gjendet në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, themelues i të cilit ishte ai vetë.

Krahas materialit folklorik, ai na la në trashëgim edhe një lëndë të pasur etnografike nga fusha e pleqnive, apo tre­gi­meve juridike popullore (pleqnive), dromcave dhe tregi­meve etnografike etj.

Një tjetër punë e rëndësishme e prof. Anton Çettës, që është rezultat i njohjes së traditave, dokeve, zakoneve, kodit kanunor dhe krijimtarisë folklorike, është pajtimi i gjaqeve, ngatërresave dhe hasmërive në popull. Në moshë të shtyrë, duke e njohur në thelb shpirtin e popullit, ai e nisi këtë mi­sion sa human, po aq të rëndësishëm për momentin historik në të cilin ndodheshin shqiptarët në ish-Jugosllavi. Duke pasur njohuri mbi kuvendet e mëparshme historike për ta falur njëri-tjetrin si parakusht i pajtimit dhe bashkimit kom­bë­tar, për kundërvënie të suksesshme ndaj okupatorit, së bashku me intelektualë të tjerë i prinë këtij misioni që para­lajmëronte fitoren dhe lirinë tonë të afërt. Me ndihmën e qytetareve shqiptarë ai arriti të organizonte tubime të mëdha që në atë periudhë kohore konsideroheshin format më të suksesshme të manifestimit të pakënaqësisë me gjendjen e rëndë okupuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat