Disa fjalë për PISA-n

Opinione

Disa fjalë për PISA-n

Nga: Hysen Neziri Më: 16 janar 2020 Në ora: 22:34
Hysen Neziri

PISA edhe kësaj here na radhiti keq në raport me 78 shtete të tjera të botës. Besoj që na ka radhitur, pikërisht aty ku jemi. Krejt rrethanat dhe faktorët objektiv dhe subjektiv që ndërlidhen me arsimin e vendosin poshtë Kosovën në ranglistën e 79 shteteve pjesëmarrrëse në PISA.

Sipas mendimit tim këta janë faktorët kryesorë që na radhisin kaq poshtë në listë:

1. Tradita Kosova ka një traditë të shkurtër dhe varfër arsimore. Shkollën në gjuhën shqipe e kemi filluar gjatë viteve 1941/42, atëherë kur Ernest Koliqi ishte ministër i arsimit në Tiranë dhe vjen në Kosovë me 200 mësues, me lapsa, fletore, abetare, libra dhe i hap 50 shkolla fillore dhe dy gjimnaze, ndërsa Universiteti i Prishtinës është hapur në vitin 1970. Nëntë vjet (1990/99) kemi mësuar nëpër shtëpi private dhe 20 vjet pas luftës kemi bërë tentime për reforma, të cilat më shumë kanë shkaktuar kofuzion se sa kanë dhënë rezultate konkrete në ngritjen e cilësisë në arsim. Për mua tradita ka shumë rëndësi. Po e marr një shembull për ilustrim. Universiteti i Zagrebit është hapur më 1669, 301 vjet para Universitetit të Prishtinës. Studenti i Zagrebit kur është çelur Universiteti i Prishtinës (1970) ka pasur mundësi t'i ketë 10 breza paraardhës me kualifikim superior, e studenti i Prishtinës zero. Në Kosovë ende është në fuqi thënia antimësim dhe antidije: "Mos mëso shumë se bëhesh budallë". E bota e përparuar, lexon dhe mëson shumë, dhe nuk bëhet budallë. P.sh. japonezët mesatarisht i lexojnë nga 73 libra në vit.

2. Mësimdhënësit Tradita e shkurtër dhe e varfër nuk ka prodhuar edhe kuadro cilësore. Një numër jo i vogël i mësimdhënësve, në të gjitha nivelet, nuk e ka përgatitjen solide profesionale, as atë metodike-didaktike dhe as atë pedagogjike. Shumë prej tyre lexojnë pak ose aspak literaturë profesionale, dhe tepër pak i përcjellin zhvillimet bashkëkohore në lëminë e vet.

3. Prindërit Nja 80 deri 90% e prindërve të nxënësve në Kosovë janë me shkollim fillor dhe të mesëm. Pak prej tyre u japin edukatë të mjaftueshme fëmijëve të tyre, dhe pak janë ata të cilët janë në gjendje dhe janë të përkushtuar t'u ndihmojnë fëmijëve në procesin e ngritjes arsimore. Plot prej tyre tentojnë t'i regjistrojnë "me të njofshëm" në shkollë, t'i marrin notat pesa apo dhjeta "me të njofshëm", ta kryejnë shkollën "me të njofshëm" dhe pastaj të hyjnë në punë "me të njofshëm".

4. Pushteti dhe Institucionet arsimore Partitë politike që e kanë udhëhequr Kosovën këto 20 vjet, pas luftës, rrallëherë kanë vendosur në krye të institucioneve arsimore, nga drejtorët e shkollave, dekanët, rektorët, drejtorët komunal e deri te ministrat e arsimit njerëzit më të ditur, më të aftë, më kompetentë dhe më të përkushtuar për ta ndryshuar thelbësisht gjendjen në arsim. Investime kanë bërë kryesisht në renovimin dhe ndërtimin e shkollave të reja (aty ku ka tendera e fitim më shumë), e tepër pak në pajisjen me kabinete dhe mjete mësimore.

5. Të mësuarit mekanik (përmendësh) Në shkollat tana, qysh në kohën e komunizmit është mësuar në mënyrë mekanike apo përmendësh, shpeshherë duke mos e ditur nxënësi apo studenti çka po thotë. Zëvendësimi i të mësuarit mekanik me të mësuari logjik (duke e zhvilluar edhe mendimin kritik) ende nuk është bërë. E PISA pikërisht këtë e kërkon. Dhe këtu është dështimi më i madh në PISA. Ky transformim nuk bëhet shpejt e lehtë; kërkon angazhimin e krejt mekanizmave shtetërorë, të udhëheqësive arsimore, të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat