Plagjiaturat dhe falsitetet ruse që po shastisin shkencën

Opinione

Plagjiaturat dhe falsitetet ruse që po shastisin shkencën

Nga: Qerim Kryeziu Më: 18 janar 2020 Në ora: 21:04
Foto ilustrim

Tashmë nuk është fjala vetëm për aferat plot doping të sportistëve rusë, e imoralitetin sportiv të tyre që gjithë bota e kuptoi. Është bota e hulumtimeve shkencore, se fundmi që po terrorizohet nga falsitetet e plagjiaturat e shumta nga e ashtuquajtura veprimtari kërkimore shkencore ruse. Këtë marri e zbuloi vet raporti më i ri rus i kontrollit që rezultoi me tërheqjen e më shumë se 800 artikujve shkencorë nga publikimet e deritashme. Si njoftim të turpshëm, e dha edhe revista “Science”, por si raport informativ e publikoi së pari Akademia Ruse e Shkencave- RAN, më 7 janar 2020.

Raportin e lëshoi një komision i pavarur që kishte për detyrë të shqyrtojë seriozitetin e publikimeve shkencore në Rusi. Ndërkohë që shkencëtarët amerikanë u habiten dhe e gjykuan si paturpësi të madhe mënyrën e tillë hulumtuese në shkencë.

Tradita shkencore ruse dallon në disa aspekte nga tradita e shkencore perëndimore. Në Rusi qarkullojnë rreth 6 000 revista te ashtuquajtura shkencore. Shumica prej tyre botohen vetëm në rusisht dhe në këto revista shkencëtarët rusë bëjnë turr të botojnë, për dallim nga shkencëtarët e vendeve europiane, (në mesin e të cilëve edhe suedezët) që kryesisht përpiqen të botojnë në revista të njohura ndërkombëtare si bie fjala “Science” ose “Nature”. Kualiteti i revistave ruse është i dobët. Para dy viteve, rrjeti Dissernet (rrjet që ka për qëllim vërtetësinë e botimeve shkencore) shqyrtoi 150 000 artikuj shkencorë të botuar në 1 500 revista. Me këtë rast, ky rrjet gjeti jo më pak se 4 000 raste plagjiature dhe raste tjera ku autorësia vihej lehtë në pikëpyetje. Sipas Jurij Tjechovitj shef i agjencisë “Antiplagiat” hulumtuesit rusë e kanë zakon t´i ri publikojnë punimet e veta edhe ashtu të diskutuara. Në shtator të vitit 2019, kjo agjenci analizoi 4,3 milionë studime në rusisht. Në fund, arriti të vërtetojë se 70 000 artikuj ishin publikuar së paku dy herë, madje disa prej tyre edhe 17 herë. Përveç kësaj, në Rusi është e zakonshme që shkencëtarët të vejnë emrat e tyre në fund të studimeve kundrejt një pagese të mirë, paditur madje as çfarë përmbajnë ato studime. Për shkak të këtyre keqpërdorimeve, komisioni i RAN-it (Akademia e Shkencave Ruse) u detyrua të shqyrtojë publikimet ruse të kohëve të fundit në kuadër të shkencave natyrore, agronomike, psikologjike, juridike dhe mjekësore. Dhe me këtë rast, shumë të dhëna, indekse citimesh e publikimesh false u hoqën nga databasa e shkencës ruse. Bashkë me to edhe 56 kandidatë prej 1 800 personave që përbëjnë asamblenë shkencore ruse.

Rusët nuk arrijnë të fitojnë ndonjë Nobel për shkencë dhe tashmë, me këtë sharlatanizmin e tyre hulumtues vetëm sa arrijnë të bëhen gaz i botës . Në vitin 2000 ishte fizikani Zjores Alfjorov që mori një Nobel, ndërkohë që në tri dekadat e fundit janë 65 shkencëtarë amerikanë që morën Nobel në fusha të ndryshme shkencore.

Ky shkrim është mbështetur në të dhënat e agjencisë telegrafike suedeze TT dhe gazetarit të saj Johan Nilsson.

Botohet me qëllim preventiv që shkenca jonë, studiuesit tanë të injorojnë praktikën ruse të zbulimeve, shkrimeve e publikimeve. Pa dashur të aludojë në ndonjë rast të veçantë. Por duke dashur të stigmatizojë sharlatanizmin shkencor që edhe mund të jetë shfaqur diku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat