Bashkoni shqiptarët me idealet më të mira

Opinione

Bashkoni shqiptarët me idealet më të mira

Nga: Ëngjëll Veshi Më: 20 janar 2020 Në ora: 17:47
Ëngjëll Veshi

*Engjëll Veshi ka qënë mjek dermatolog dhe ka punuar 35 vjet në Spitalin e Tiranës. Qysh nga viti 1988 deri sa vdiq, më 22 janar 2012 ishte vendosur në Gjenevë, bashkë me bashkëshorten Drita Veshi, profesoreshë, anëtare e seksionit të migrimit të departamentit të arsimit në Gjenevë. Ka qënë i apasionuar pas profesionit të tij, por edhe pas letërsisë. Herë pas here ka shkruar poezi, tregime, skica letrare dhe ka përkthyer autorë zviceranë në shqip. Engjëlli ka patur një bibliotekë të pasur. Kemi diskutuar për letërsinë dhe ai ka shprehur në veçanti një simpati për letërsinë shqipe, në Shqipëri dhe Kosovë. Problemet shëndetësore ai i përballoi një kohë me optimizëm, duke u shprehur se na kanë mbetur edhe dekada të tjera, për të shkruar dhe për të gëzuar jetën në Zvicër. Por sëmundja e mposhti, më 22 janar 2012, duke lënë në dhimbje të thellë bashkëshorten, fëmijët, Endrin dhe Irisin, nusen e djalit Kozin, nipat dhe mbesën Gael, Lois dhe Ema, si dhe miqtë e shumtë. Ishte i apasionuar pas fotografive dhe në arkivin e tij gjenden qindra e qindra pamje nga Gjeneva, Shqipëria dhe Kosova, ku ai kishte shumë miq. Shkrimi që po ju paraqesim është shkruar disa muaj para se të largohej nga kjo jetë, megjithatë ai mbetet aktual.

Shkrimi i Engjëllit

Nuk dua te zgjatem me historira pa bukë, sikunder bëni ju, të nderuar analistë, por po futem drejtpërdrejt në temë.

Po ju dëgjojmë në të gjitha kanalet televizive dhe po ju lexojmë në të gjitha llojet e shtypit të shkruar, aq sa jeni bërë shpesh herë të mërzitshëm për ata që kanë dëshirë të kënaqin kërshërinë e tyre për analizë të mbarëvajtjes shoqërore në sfera të ndryshme të ekonomisë, të kulturës, të artit, të sportit, të problemeve të ndryshme që shqetësojnë jetën e përditëshme në vendin tonë.

Mirëpo kemi gjithë këto vite që dëgjojmë të njëjtën pllakë analitike, nga të gjithë analistët e çdo krahu qofshin. Duhet apo nuk duhet Saliu, në krye të shtetit. Duhet apo nuk duhet Edi të drejtojë partinë socialiste dhe në krye të saj shtetin shqiptar.

         Eshtë krejtësisht e kuptueshme që komente të kësaj natyre të bëhen gjatë fushatave elektorale, bile me tone dhe ngjyra nga më të ndryshmet. Por që në çastin që fushata nxjerr produktin e saj, i pëlqen ose jo analistit, këto komente ndërpriten. Them komente, sepse analizat nuk mund të paramendohen. Ato bëhen pas përfundimit të një procesi.

Kemi mëse dy vjet që dëgjojmë në çdo analize mediatike, të shkruar apo të pare, shprehjen "qeveria e Gërdecit", e cila është kryefjala e të gjitha diskutimeve politike, ekonomike apo kulturore, qofshin. Rasti është nga më tragjiket. Nga pësimi duhet nxjerrë mësim, por jo të bëhet leitmotiv i çdo diskutimi, sepse ajo tregon shterpësi faktesh për problemin që diskutohet. Ajo që u bë nuk zhbëhet më. Këto janë ngjarje që për fat të keq ndodhin. Kujtoni pak vitet e diktaturës, periudhë që nostalgjikët na flasin me superlativa për sigurimin teknik në punë. Këta analistë harrojnë sa minatorë kanë dhënë jetën poshtë gurëve . Sa të tjerë që kane vdekur e vazhdojnë të vdesin, si rezultat i thithjes të silicit nga mushkëritë e tyre, ndërkohë që mjekët dhe personeli i shkëlqyer inxhinjeroteknik rekomandonin me forcë që çpimet dhe punimet të bëheshin si në gjithë botën, me sistem të lagur. Këta komentatorë ekranesh dhe gazetash harrojnë se sa ushtarë të reparteve të punës kanë zënë brënda tunelet dhe kupolat ekonomigëryese që ndërtonte ushtria e popullit ushtar. Sa të tjerë kanë lënë jetën në stërvitjet ushtarake.Sa zboristë i ka zënë shtrati i topit dhe i ka lënë pa jetë për kapriçon e një komandanti, të dehur ose psikopat. Si nuk dëgjuam njëherë se sa pilotë të shkëlqyer plasën në ajër apo u përplasën me tokën, si rezultet i mos sigurimit teknik në punë. Dhe këta nuk janë dhjetë e njëzetë, por qindra, të marrë së bashku. Çdokush që i lexon këto rradhë do të shtonte shembuj që i ka parë me sytë e tij apo i ka vuajtur në shpirtin e tij.

Mirëpo, populli e sidomos të afërmit e viktimave i kanë quajtur aksidente dhe i kanë lënë prapa historitë e dhimbshme dhe kanë menduar për një të ardhme të mirë.

Sot jemi në një shtet demokratik dhe falë kësaj demokracie sejcili do marë pozicionin që i do zemra dhe pse mos të themi në mënyrë banale që i do qejfi. Ky qejf është shprehur me përkrahjen ose mbështetjen që i jep njërës apo tjetër partie, me anë të votës. Partia nxjerr në krye të saj atë që do, apo nuk do, por që i përshtaten më mirë për të realizuar synimet e saj. Atëhere unë bëj pyetjen: Zotërinj analistë, kush jeni ju që më ofendoni mua si qytetar i thjeshtë, si votues i thjeshtë që kam qejf të udhëheqë shtetin Edi Rama? Kush jeni ju që më ofendoni votën time që e kam dhënë që të udhëheqë shtetin, Sali Berisha?

Edhe njëherë, do t’u lutem, ju poetë e shkrimtarë, ju gazetarë, ju historianë e matematikanë, ju avoketër dhe njerëz që era ju kthen sa në një anë, aq në anën tjetër, mllefet e cmirën, lërini për në fushatat elektorale. Shpalosni fjalorët tuaj në ato fushata. Mos e mbani për katër vjet të ndezur zjarrin e luftës kundër njeri tjetrit. Bashkoni shqiptarët me idealet më të mira, për të dalë nga prapambetja. Veproni si gjithë bota e qytetëruar dhe demokratike. Lerini qeveritë të vazhdojnë punën e tyre, të çdo krahu qofshin. Komentoni dhe analizoni çfarë është bërë mirë e çfarë nuk është bërë mirë. Jepni mendime se si mund dhe duhet bërë më mirë. Dhe mos harroni. KUSH JENI JU?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat