Nga ditari i një ish diplomati dhe funksionari ndërkombëtar

Opinione

Nga ditari i një ish diplomati dhe funksionari ndërkombëtar

Nga: Alfred Papuçiu Më: 21 janar 2020 Në ora: 09:18
Alfred Papuçiu

21 janar. Sot ka ditëlindjen im bir, Genti. Më pëlqen se e do shumë motrën e tij dhe kujdeset pa masë për të. Përveç të tjerave e ka shumë qejf pikturën dhe dy libra të mij kanë në kopertinë pikturat e tij. Edhe Jan Martensonit, zëvëndës - sekretarit të përgjithshëm të OKB­së i dhurova një pikturë të Gentit, me valltarë shqiptarë, të cilën ai e pëlqeu shumë. Më kujtohet se në një ekspozitë pikture jashtë shtetit fitoi edhe një diplomë, kur ishte në Shqipëri. Katër vjet ishte larg nesh dhe qëndronte me nënën time, por kishte kujdesin edhe të prindërve të Rozës dhe motrës sime, krahas edhe të afërmve të tjerë.

3 mars. Takohem me shkrimtarin Besnik Mustafaj, për të cilin ruaj një respekt të veçantë, kur e kam takuar për herë të parë para rreth 15 vitesh në Friburg. Ka qënë ambasadori ynë i parë në Paris, i Shqipërisë demokratike. Megjithë detyrën e vështirë të ambasadorit në një vend të madh si Franca, gjente kohë edhe të shkruante. Shtëpia botuese „Actes Sud“ i ka botuar librat e tij „Ndërmjet krimeve dhe mirazheve, Shqipëria“, romanin „Vera pa kthim“. U botuan edhe librat e tjerë të tij, ndër të tjera „Daullja prej letre“, „Një sagë e vogël“, „Fletorja rezervat“. Për to kanë shkruar gazetat pariziane „Le Monde“, „Figaro“, ndërsa gazetari i shquar i TF-1 francez, Patrik Puavrë d’Arvor e ftoi në emisionin e tij të njohur letrar, EX-LIBRIS. Ruaj si kujtim të bukur mbrëmjen që kaluam sëbashku në Chamonix, ku Besniku foli për letërsinë shqipe dhe librat e tij, para një auditori të konsiderueshëm dhe ku darkën e kaluam bashkë me profesorët e mij të dikurshëm të Universitetit, Silvio Guindani dhe Kristof Devasu. Me ta kisha takuar Besnikun edhe më parë në Paris, lidhur me një projekt për pushtetin lokal në Shqipëri, dëshirë e dy profesorëve që kishin realizuar të tilla edhe me vende të tjerë. Edhe tani Besniku mbetet një njeri i thjeshtë, megjithëse ka një „udhë“ të gjatë e të sukseshme në jetë. Është parlamentar, por të imponon respekt, nuk flet shumë, por ka mendime pozitive edhe për ne në diasporë. Është diametralisht i kundërt me ndonjë parlamentar tjetër shqiptar që harron se diaspora shqiptare mund të bëjë shumë për vendin e vet, ashtu siç bëjnë edhe italianët, grekët, francezët, zviceranët e popuj të tjerë, kudo ku i ka shpënë rruga e jetës.

M’u bë zemra mal kur më tha se edhe ju në diasporë keni pjesën dhe fjalën tuaj, për Shqipërinë. Në kundërshtim me ndonjë që nuk na llogarit e na quan ne armatën disa qindra mij shqiptarë në Europë e kudo në botë, pa të drejta, e ndoshta që të lihemi në harresë. Përmendëm edhe Zvicrën që një vend me katër gjuhë e tradita të bukura e fisnike, me qytetarë që i përkasin partive të ndryshme politike, kur vjen puna për çështjen kombëtare bëhen njësh. Një vend ku respektohen përkatësitë politike, raca e prejardhja e banorëve që e përbëjnë atë, qofshin këta zviceranë, apo të natyralizuar sit ë tillë, si edhe funksionarë ndërkombëtarë apo punëtorë nga vende të ndryshme të Europës dhe të botës që japin ndihmesën e tyre modeste për zhvillimin galopant të Zvicrës. Asaj Zvicre që është anëtare e Kombeve të Bashkuara, por që edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Europian respektohet nga Europa, me të cilën ka marrëdhenie të shkëlqyera, por edhe nga bota.

Folëm edhe për atë brez të ri shqiptar të vendosur diku në botë që një ditë ndoshta do të asimilohet në vendet ku jetojnë për shkak të mos përdorimit të gjuhës amtare apo mos leximit të librit shqip; për dëshirën e botimit të librave dygjuhësh, sidomos për të rinjtë. Për më tepër kjo kërkesë është tepër e kohës, edhe për arsye se vitet shkojnë… Folëm për dhimbjen që shkakton tek shumë prindër të tyre: detyrimi i lënies së nënshtetësisë shqiptare, për të pasur mundësinë që të marrin atë ku janë vendosur. Një plagë që bren mijra shqiptarë që përpiqen të ruajnë përkatësinë e tyre, siç e kanë këtë të drejtë edhe ata qindra mijra europianë, latino-amerikanë, apo arabë e afrikanë që janë vendosur qoftë edhe përkohësisht në vende të tjera. Një të drejtë që dora dorës po merr formë jo vetëm në Zvicër, ku banorët e huaj me ligj kanë të drejtë të kenë dyshtetësinë, por edhe në vende të tjera europiane apo të botës.

Herë pas here bisedën tonë e ndërprisnin telefonatat e shumta që i bënin shkrimtarit miq e dashamirës të shumtë, si edhe telefonata e një mikut tonë të përbashkët nga Tirana që është përpjekur dhe përpiqet gjithmonë që emri i Shqipërisë dhe i popullit të saj të respektohet nga Europa dhe bota, duke e bërë atë palë në shumë konventa ndërkombëtare.

Me mikun tim shkrimtar folëm edhe për librat e tij të shumtë që janë botuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga shtëpi botuese me emër në Francë e gjetiu dhe që gjenden në libraritë e bibliotekat me zë, në bibliotekat e dashamirësve të librit, shqiptarë apo të huaj në Tiranë, Paris, Gjenevë, Romë, Nju Jork, Buenos Aires, e gjetiu. I kujtova se në një nga botimet e tij në Francë, botuesi ishte shprehur ndër të tjera: “në krijimtarinë e pasur të Besnik Mustafaj po sheh përherë e më shumë një shkrimtar me talent të veçantë, kompleks e me interesa mjaft të gjera, mjeshtër të të treguarit, mjeshtër të stilit…” M’u kujtuan fjalët e shkrimtarit të shquar, Fransua Nurisié për një roman të mikut tim, ku ndër të tjera ai thekson: “ Mënyra e të treguarit të shkrimtarit shqiptar është e jashtëzakonshme, simbolike. Ajo është gjithashtu therëse…” Miku im më dëgjonte dhe me modestinë që e ka karakterizuar gjithmonë më tha se gjithçka që kishte shkruar e bënte për të mirën e Atdheut. Në ato çaste kujtova librin e një shkrimtareje shqiptare të botuar diku në Europë, shkruar me ndjenjë por që ja dedikonte romanin e saj fjalës “përulësi” që sipas shkrimtares mungon në leksikun shqiptar. Një mungesë e tillë, sipas saj, i le vend fenomeneve shumë të çuditshme në fatin e një populli…Një vend ku sipas saj nuk qeshet…një vend ku shikimet e njerëzve në rrugë të depërtojnë deri tek palca e kurrizit…një vend ku njerëzit vetëm pijnë kafé e raki gjithë ditën…një vend ku njerëzit nuk vdesin kurrë, ku trupat janë prej plumbi dhe ku është e njohur një proverbë: “Jeto, që të të urrej, dhe vdis që të të qaj”.

5 maj. Miku im i mirë, erudit dhe njohës i historisë shqipe, Gjergji Biba, më dërgonte para dy ditësh, nga Nju Xhersi i Amerikës, pasi kishte lexuar shkrimin tim botuar mbi « Arbanasit » në brigjet e Dalmacisë, një mesazh në e-mailin tim : « Gaius PLinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.s), natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.s. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore të titulluar « Naturalis Historia ». Në vëllimin VII, ai shkruan : « Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët ». Të them të drejtën, kjo sentencë e një njeriu të madh si Plini Plaku dhe leximi në të njëjtën kohë në shtypin europian e një shkrimi për gjuhët indo-europiane, më shtyu të shkruaj edhe njëherë, sa m’a lejon vendi në gazetë, për gjuhën tonë shqipe. Natyrisht, në formimin tim, megjithëse kam rreth 40 vjet që merrem me gjuhën shqipe, nuk pretendoj se dij gjithçka për të. Çdo ditë mësoj diçka të re që pasurohet edhe nga botimi i fjalorëve të domosdoshëm dy gjuhësh. As nuk pretendoj të vihem njësh me ta si dhe me gjuhëtarët tanë, profesorët e shquar Eqerem Çabej, Mahir Domi (ish fqinji ynë i urtë dhe erudit), Shaban Demiraj e shumë të tjerë. As me albanologët që sa vjen e shtohen dhe dëshmojnë për lashtësinë e gjuhës shqipe. Nuk dua t’i kundërvihem as një studimi të diskutueshëm që i shkojnë për hosh metodat e teoricienëve të evolucionit, sipas të cilëve gjuha nënë e 144 gjuhëve indo-europiane flitej në Atatoli (tërësia e Turqisë aziatike), para 8 mijë vitesh. Kam respekt të veçantë për popullin dhe kombin turk që ka pritur në gjirin e tij dhjetra mijra shqiptarë, sidomos pas barbarisë serbe, ashtu siç kam respekt edhe për të gjithë kombet fqinjë të Shqipërisë që kanë pritur në tokën e tyre qysh në kohën e Skënderbeut e më vonë, shqiptarë, « arbërshë », « arvanitas », « arbanasë » që u larguan nga toka amtare e lashtë për një jetë më të mirë si rezultat i pushtimeve të huaja.

24 tetor. Dita e përkujtimit të Kombeve të Bashkuara, 24 tetori, më shtyu të shkruaj disa refleksione në gazetën tuaj “La Suisse” që e lexova kur hypa për herë të parë në aeroplanin e Swis-erit që bënte rrugën Tiranë – Zyrih - Gjenevë. Po shkoja, të merrja pjesë, bashkë me një nga kolegët e mij, në punimet e një sesioni të zakonshëm të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën. Në atë kohë, meresha me organizatat ndërkombëtare në vendin tim, por si ish gazetar, vërejta vërtetësinë e artikujve të botuar në gazetën tuaj.

Gjatë jetës sime si funksionar ndërkombëtar, vura re shumë shpejt se OKB-ja ishte një shkollë e mirë për diplomatët e rinj, në radhë të parë për frymën e hapur, për diskutimet e sinqerta, për shkëmbimin e mendimeve dhe gjithashtu një shkollë për të pasuruar njohuritë mbi të drejtat e njeriut, problemet e çarmatimit, problemet ekonomike, sociale, juridike. Ndërkaq, çdo specialist, biznesmen, jurist, diplomat, mund të gjejë një përgjigje për këto probleme nëse lexon librat dhe broshurat e botuara nga Kombet e Bashkuara mbi tema që u interesojne atyre posaçërisht. OKB-ja ka bërë shumë për të ulur shpenzimet ushtarake dhe për t'i kthyer këto shpenzime në drejtim të qëllimeve humanitare, sociale dhe ekonomike. Beretat blu të OKB-së bëjnë një përpjekje të shkëlqyer për të ulur krizat. Problemi i refugjatëve po zgjidhet në një mënyrë të kënaqëshme në sajë të përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara dhe të institucioneve të saj të specializuara në shumë vende. Nën kujdesin e OKB-së, të PNUD-it dhe organizmave si Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, UNCTAD-i, OMS-i, Komisariati i Lartë për Refugjatët, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, BIT, dhe vendeve, janë duke u ndihmuar vende të ndryshme afrikane, aziatike, të Amerikës Latine, por gjithashtu të Europës, të Ballkanit. Si edhe vendi im, Shqipëria i cili në rrugën drejt demokracisë ka shumë vështirësi. Ai është një vend i pasur me minerale, toka është e begatë, njerëzit e duan jetën, punën dhe paqen sociale. Por, pa kontributin e Kombeve të Bashkuara dhe të institucioneve të tij që ka filluar, ekonomia e tregut, ushqimi i fëmijëve, shërbimi mjekësor, industria, bujqësia dhe shkolla nuk mund të arrijnë stadin e duhur.

Në këtë ditë të përkujtimit të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të rri pa përmendur rolin që ka luajtur Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizmat e saj për të ulur vuajtjet e popujve, të qindra mijëra fëmijëve, të njerëzve të ndershëm që e duan lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe që nuk duan një Luftë të Tretë Botërore apo një Hiroshimë, por që mendojnë të jetojnë në paqe, në kohezion, miqësi dhe bollëk.

Ps: për këtë shkrim mora një letër të ngrohtë nga Jan Martenson.

Përsëri u botua tek “La Suisse”: „Transformimi i strukturave ekonomike vazhdon në Shqipëri. Kjo vjen si rezultat i ndryshimeve të thella që kanë ndodhur në politikë dhe mentalitete. Roli i organizmave ndërkombëtare është gjithashtu i efektshëm. Kështu Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tyre të specializuara dhanë mundësi të zgjidhet në mënyrë të kënaqshme problemi i refugjatëve. Karta e Kombeve të Bashkuara është botuar në shqip, si edhe dokumente të tjerë të OKB-së. Ndihma e Bashkësisë Ndërkombëtare është e konsiderueshme. Pas mbledhjes mbi ndihmën për risktrukturimin ekonomik që u mbajt në Bruksel midis grupit të 24-shes, PNUD-it, si edhe organizmave të specializuara të Kombeve të Bashkuara, u hartua programi për të dërguar menjëherë një ndihmë ushqimore prej 150 milionë dollarësh. Përveç kësaj, është parashikuar një ndihmë teknike për të krijuar strukturat e nevojshme. Ndihma ka të bëjë me këto fusha prioritare: bujqësinë, ndërmarrjet industriale, tregtinë. Kombet e Bashkuara, UNCTAD-i, Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, OMS-i, UNIDIR, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (CICR), Liga e Kryqit të Kuq dhe të Gjysmë Hënës së Kuqe, Komisariati i Lartë për Refugjatët (HCR), Organizata Ndërkombëtare e Punës, Organizata Ndërkombëtare e Migracionit, nisën ekspertët e tyre. Ato dërguan në të njëjtën kohë një ndihmë thelbësore, ilaçe, pajisje etj. Disa vende si Italia, Greqia, Gjermania, Zvicra, Austria, SHBA kanë dhënë dhe kanë premtuar të dërgojnë një ndihmë urgjente.

Ky solidaritet ndërkombëtar dhe një frymë humanitare janë të domosdoshme për ta nxjerrë këtë vend të vogël nga kriza ekonomike dhe kriza e besimit që prek shoqërinë. Solidariteti mund të sjellë frytet e veta.

8 shtator. Para disa kohësh, isha në shtëpinë e gazetarit zviceran Pjer Bardë që e ka prejardhjen nga një familje me zë të Gjenevës. Ai dhe e shoqja, arkitekte, Liza, si dhe vajza e tyre kineaste, Severina, janë të dëshiruar pas artit, letërsisë.Ishim ulur jashtë, në shtëpinë e madhe në Zhento, të trashëguar nga të parët e tij, por të transformuar me shije. Përtej dukej liqeni Leman me varkat dhe anijet e tij, si edhe pulëbardhat që kohë pas kohe e mbulonin ujin me shkumë. Pas një çasti, Pjeri na ftoi në dhomën e pritjes, ku midis të tjerash, ai ka relike të udhëtimit të tij të paharruar në Shqipëri. Pjer Bardë filloi të më tregojë botimet e fundit të shkrimtarit tonë Ismail Kadare dhe më fliste me një respekt të veçantë për figurën dhe talentin e tij të madh. Gazetari zviceran, në bibliotekën e tij të pasur, ka radhitur në një vend ballor, të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në frëngjisht, por gjithashtu edhe në gjuhë të tjera të huaja. Atje, gjenden gjithashtu, botimet në shqip që i kam dhënë unë…

Në atë çast, kur Pjer është duke më lexuar pjesët e veprës së fundit të Ismailit, m’u kujtua takimi i ngrohtë me shkrimtarin Ismail Kadare, nga fundi i vitit 1994, në Universitetin e Gjenevës, kur më dha me autograf një nga librat e tij që e mbaj me kujdes, me veprat e tjera të tij. Atje, ishte e pranishme edhe e shoqja, Helena, një grua fisnike që e ka prejardhjen nga krahina e prindërve të mij…Më kujtohen gjithashtu takimet e rralla me të, tek Panairi i Librit në Palekspo të Gjenevës dhe jam tepër i gëzuar kur shoh se në libraritë më të mëdha në Zvicër, « Payot » etj., si edhe në bibliotekat e shumta jo vetëm në Gjenevë, por edhe në qytete të tjerë, si në bibliotekat e organizatave ndërkombëtare, ku kam punuar, emri i Ismail Kadaresë zë një vend të veçantë. Në BIbliotekën madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam patur fatin të punoj në fillimet e viteve 90, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi veprat e shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe unë isha krenar që vija nga « vendi i Kadaresë ». EDhe sot, shkoj kohë pas kohe tek Biblioteka e Kombeve të Bashkuara, ku miqtë dhe ish kolegët e mij më japin disa botime lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, si edhe shkrime për kombin tonë, Kadarenë dhe shkrimtarë të tjerë…

Personalisht nuk dua të futem aspak në polemikën që ka lindur në disa organe të shtypit shqiptar, lidhur me ndonjë shkrim apo poemë të Ismail Kadaresë, të periudhës së diktaturës komuniste. Nuk arrij të kuptoj se ku është qëllimi i një sulmi të tillë pa skrupull.

Më kujtohet si sot kur takova vite më parë një ish komandantin tim të mirë dhe të përgatitur, pasi kreva shërbimin ushtarak, të pezmatuar, pasi e kishin liruar, meqënëse një kushëri i tij kishte "dashur të arratisej". Dhe ai vazhdoi: "Po të shohim Shqipërinë me dy milionë e gjysëm banorë, të gjithë do dalim kushërinj". A mendon ai dikushi që përdor për qëllimet e veta dokumenta qesharake të asaj periudhe të "ngurtë", se është më mirë që t'i fusë ato në sirtar dhe të përfitojë nga të mirat që i dha demokracia, qoftë edhe e brishtë në Shqipëri, pas viteve 90-të, pasi një ditë nipat dhe mbesat e tij ose të saj, do ta kujtojnë jo për mirë. Jam i mendimit se figura e Ismail Kadaresë, këtij shkrimtari të shquar të kombit tonë, por edhe të botës moderne, të shekullit të njëzetë, nuk duhet të përlyhet, as nuk duhet të denigrohet, pasi nëpërmjet tij dhe veprave të tij, shumë qytetarë të botës, zviceranë, amerikanë, francezë, anglezë, afrikanë, të Amerikës Latine, australianë, kanë mundur të njohin edhe Shqipërinë e vogël, me njerëz të mirë, mikpritës, me karakter, luftëtarë trima, por edhe që e kanë dashur dhe e duan paqen dhe fqinjësinë e mirë. Anatemat kundër Kadaresë godasin indirekt dhe çdo shqiptar të ndershëm kudo qoftë. Kadareja nuk i përket vetem kombit tonë, por edhe kombeve të tjerë ku ai ka fituar zemrat e miliona njerëzve me shkrimet e tij për Shqiperinë dhe shqiptarët. Nuk dua të përmend titujt që ka marrë Kadareja në Francë apo gjetiu, apo sa kryetarë shteti njohin më mirë Ismail Kadarene dhe veprën e tij se sa një president republike të cdo vendi qoftë. Duam a nuk duam ne, ai nuk ka nevojë per ne, ne kemi nevojë për të, për gjithcka ai do të shkruajë edhe tani edhe në të ardhmen për kombin e tij të lashtë, për Gjirokastrën e tij, apo për Tiranën, Shkodrën loce, Lezhën e Krujën e Skënderbeut, Fierin e myzeqarëve punëtorë e të ndershëm, Pogradecin e njerëzve mikpritës. Pra, të nderuar zonja e zotërinj, lëreni Kadarenë të qetë, të lirë të punojë e të shkruajë për të mirën e të ardhmen e Shqipërissë- që para më pak se një dhjetëvjeçari nuk njihej as nga popuj të Europës. Lëreni atë të shkruajë, siç duhet të lini të qetë të punojë tokën e tij atë fshatar që do të mbjellë grurin dhe ta korrë atë, atë bukëpjekës qe na përgatit bukën e përditshme, ata që kujdesen për shëndetin tonë, ata që duan të këndojnë, ata që falen para Zotit, ata që pikturojnë, ata që qëndisin, ata që ndërtojnë, ata që mendojnë, ata që... Duke respektuar punën e tjetrit, mijra e mijra njerëz të kësaj toke jetojnë në harmoni, respektojnë njeri tjetrin, janë solidarë! Më kujtohet se kam lexuar diku se Adami vetëm, në kopshtin e Parajsës, para se Zoti të krijonte Evën, mund të kishte bërë të gjitha marrëzitë që i kalonin në kokë. Ai do të kishte mundur të kalonte natën të gjitha shtigjet e tokës shkretëtirë, dhe të këndonte këngët më të zhurmëshme. Kjo nuk do te kishte shqetësuar asnjeri. Asnjë fëmijë nuk do të zgjohej, asnjë i sëmurë nuk do të trembej, sepse Adami ishte vetëm. Por tani në botë ka me miliona njerëz qe jetojnë pranë njerit tjetrit: pra ta respektojmë njeri tjetrin, punën e tij, pasionet e tij, pasi kështu respektojmë veten dhe njerëzit tanë të afërm apo të largët. Shkrimtarë të shquar zviceranë, si Marie-Luce Dayer, gazetari i televizionit zviceran Pierre Barde, Antoine Bordier etj etj, e kanë njohur fillimisht Shqipërine nëpërmjet veprave të Kadaresë. Di që zvicerani Marcel Cellier, një nga njohësit më të mirë në botë per muzikën popullore të kombeve të ndryshëm dhe i njohur në Francë, Zvicër, Amerikë e kudo për disqet me muzikë popullore shqiptare, bullgare etj.,në emisionet e tij të përkryera për Festivalin e Gjirokastrës, dhënë tek "Radio Suisse Romandë", përmend disa herë me respekt birin e shquar të atij qyteti: Ismail Kadarenë. Di që profesori zviceran Jean Philippe Assal, mik i shqiptarëve , i apasionuar pas profesionit të tij fisnik por edhe letersisë ka pranë tavolinës së tij të punës diskun me muzikë popullore të Laver Bariut që e dëgjon here pas here, si edhe veprat e Kadaresë, të cilat i citon në seminaret e Grimenzit, ku vijnë mjekë nga gjithë bota. Di që shkrimtarja e paharruar zvicerane Lilianë Perrin e ka pasur për nder që parathënien e librit të saj e ka nënshkruar Ismail Kadare, ku ndër të tjera shprehet: „Në rast se këto faqe të larta janë larg cdo ambicjeje apo zhargoni politik, ato shkojnë më larg se një sajim i thjeshtë, më larg se një takim pa të nesërme".
Di që emri dhe vepra e Ismail Kadaresë zënë një vend të nderuar në letersinë europiane dhe atë botërore të shekullit të XX-të, packa qe ai nuk ka marre çmimin Nobel në letersi që e ka merituar në fakt nga lexuesit e shumtë. Di që nga udhëtimet që kam pasur fat të bëj në botë, si rezultat i punës me organizatat ndërkombëtare, si në Nju Jork, Nju Xhersi, Paris, Vjenë, Kajro, Nairobi, Athinë, Limasol, Rhodes, Bazel, Budapest, Majami , Palma de Majorka etj., nuk kam gjetur asnjë libër te Kadaresë, në kioskat e shumta të librave, tashmë të lexuar e stërlexuar, pasi ato ruhen në bibliotekat e njerëzve të thjeshtë, të atyre të kulturës, të artit.
Të gjitha këto nuk janë pak për të respektuar këtë figurë.

Mars 2004. Jam i ftuar nga Klubi Ambasador në Annecy të Francës. Shkoj atje me Zhoelën dhe Frankon. Franko, arkitekti me origjinë shqiptare flet për Ballkanin dhe historinë e saj po aq bukur sa di të jape mendimin e tij në ndërtimin e lagjeve të bukura në Francë, apo rikonstruksionin e kështjellave në Angli, apo ndërtimin e pallateve të sheikëve në Arabinë Saudite. Franko përmend se banorët e parë në Ballkan janë ilirët, pastaj vijnë Thrakët e popujt e tjerë. Ai thekson se romakëve ju desh të luftonin më tepër se 200 vjet për të thyer Ilirët, megjithëse këta të fundit në ato kohë nuk kishin struktura kombëtare, por vetëm tribale. Ai flet për karakterin e shqiptarëve, si njerëz të ndershëm dhe punëtorë, për “Arbanasit” që janë vendosur në brigjet e Dalmacisë, pasi u larguan nga Shqipëria, sepse ishin në konflikt me pushtuesit otomanë. Ai thekson se edhe mbiemri i familjes së tij Marussich ishte sllavizuar, pa dëshirën e paraardhësve të tij por ishte i imponuar. Franko kujton se paraardhësit e tij e kishin mbiemrin Duka dhe Maruku… Pastaj Franko më jep fjalën mua. Nuk e di sa vështirë e kisha të flisja pas Franko eruditit, përballë një auditori me juristë, mjekë, artistë të dëgjuar. Fola për historinë plot gjallëri të Ballkanit. Për ata shqiptarë që në vitet 90-të u larguan nga Shqipëria për të parë një jetë më të mirë. Anijet plot me njerëz të cilët u shpërndanë në Europë apo Amerikë, u përfolën shumë nga shtypi i atyre viteve. Një fenomen i tillë ishte parë edhe në shekullin e XIX-të me emigracionin e dhjetra mijra evropianëve në Amerikë-tokën e premtuar. Shumë grekë, sidomos intelektualë, por gjithashtu muratorë, fshatarë janë kudo në botë. Në rast se shkoni në Floridë, ku unë isha në muajin shtator të vitit të kaluar, ju mund të shihni se ata që ndërtojnë “bildingjet” janë grekë; ka shumë restaurante greke me “buzuqi”; I njëjti fenomen ndodhi me italianët në vitet 30-të, spanjollët dhe portugezët më vonë. Si edhe me francezët që janë kudo në botë; me zviceranët që janë 580.000, jashtë kufinjve të Konfederatës Helvetike. Asnjeri në shtyp nuk ka shkruar apo nuk shkruan artikuj të çuditshëm, lidhur me lëvizjen e këtyre popullsive. Në të kundërtën, autoritetet e këtyre vendeve, ambasadorët e akredituar atje, si edhe shtypi, nxjerrin në pah cilësitë e këtyre “përfaqësuesve të denjë” të Francës, të Greqisë, të Zvicrës, të Spanjës. Dhe kjo me të drejtë. Prandaj edhe pse flitet e shkruhet për diasporën shqiptare, përsëri duhet folur më tepër për ata shqiptarë që punojnë me ndershmëri dhe ndërtojnë rrugët apo pallatet e Europës, apo të botës, apo punojnë si mjekë, inxhinjerë, mësues, piktorë, janë shkrimtarë, gazetarë dhe japin ndihmesën e tyre modeste për zhvillimin e këtyre vendeve. Këta shqiptarë kanë të drejtë të trajtohen me respekt e jo me përçmim, siç bën herë pas here shtypi i bulevardit; ata kanë të drejtë të shkojnë lirisht në Europë dhe në botë, si edhe italianët, grekët, spanjollët, bullgarët, çekët, hungarezët, rumunët e popujt e tjerë dhe të kthehen lirisht kur të duan, në tokën e tyre amtare. Mjaft më me korniza e ndarje kufinjsh për popujt e Ballkanit! Edhe ata meritojnë të shohin diçka më tepër, për vete dhe fëmijët e tyre. Shqipëria, Kosova dhe Ballkani të mos bëhen pré e keqdashësve që hedhin vetëm anatema ndaj popujve të tyre mikpritës, bujarë, punëtorë, që kanë të drejtë të lëvizin lirisht në Europën që u përket jo vetëm gjeografikisht, por edhe de juré. Mjaft më me përçarje, grindje, luftra, përleshje etnish që u shkojnë për hosh atyre që nuk e duan të mirën e ballkanasve, që në një kohë të shkuar u a kanë patur me të pabesë shqiptarëve. Shqipëria dhe shqiptarët kanë miq të mirë në Francë, Zvicër, SHBA, Austri, Gjermani, Itali, Greqi, e kudo në botë.

Për t’i shërbyer Atdheut, qoftë në diasporë apo në vendin amë, kanë qënë të shumtë ata njerëz që janë njohur me emrin e tyre të vërtetë apo pseudonime, apo edhe kanë mbetur si heronj të heshtur dhe vetëm vepra e tyre dihet. Pseudonimet apo nofkat janë përdorur shpesh në mjedisin artistik, kulturor, të kinemasë, të këngës, shkencor, si për shembull me Jean-Baptiste Poquelin, i quajtur Molière ( Molier) (1622-1673), François Marie Arouet, i quajtur Voltaire (Volter), Milosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Andon Zako i quajtur Çajupi, Aleks Stavre Drenova, i quajtur Asdreni. Dihet gjithashtu data e botimit të veprave të njerëzve të mëdhenj që i kanë shërbyer kombit të tyre, si Gjon Buzuku me « Mesharin », i 1555, i pari botim i hartuar në gjuhën shqipe. Por nuk dihet data e lindjes dhe e vdekjes së tij. Gjithashtu dihet qysh prej disa mijra vitesh që njerëzimi është mësuar të datojë historinë e vet nga figurat e tij më të shquara, Jezu Krishtin ose Muhametin. Këto janë të qarta për ne. Por pas disa dhjetra shekujsh, civilizimi njerëzor do të mbajë mend veprën e tyre, vendin nga kanë ardhur Shqipëri apo Francë, Amerikë apo Greqi, Itali apo Australi , por ndoshta nuk do të kujtojë ditën e lindjes dhe të vdekjes së tyre. Njerëzimi do të mbajë mend për mirë këto figura të shquara, siç do të mbajë për keq anonimë apo me mbiemra të vërtetë « qoftëlargë », qofshin edhe këta një minortet, midis atyre shqiptarëve që jetojnë e punojnë me nder dhe kanë fituar emër të mirë tek popullsia dhe autoritetet vendase ku janë vendosur. Këta « qoftëlargë » që numërohen me gishta, vegjetojnë akoma edhe pak, edhe në shekullin tonë në diasporë apo në vendin amë, duke njollosur emrin e mirë të shqiptarëve, gjermanëve, italianëve e popujve të kombeve të tjerë. Le t’i lëmë ata të reflektojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat