Janarët,muajt e dhembjeve,por edhe krenarive e i lavdive tona!

Opinione

Janarët,muajt e dhembjeve,por edhe krenarive e i lavdive tona!

Nga: Bejtullah Sokoli Më: 21 janar 2020 Në ora: 10:52
Ibrahim Rugova

 Është një fat i çuditshëm,një e vërtetë e përçudshme,proevidente e ka përcjellë kombin shqiptar në ravën e historisë së tij përbindëshe:atë që kurr nuk ia bëri shqiptari,gjithmonë ia bënë të tjerët.Miqtë e paktë dhe armiqtë e shumtë përherë e shkelën fjalën,i dolën beset,e tradhtuan,e prenë pas shpine duke i shkaktuar vërtet tundullime e dhembje të mëdha.Pikërisht për këtë arsye ndoshta shqiponja e zezë me flamurin tonë duket aq kryelartë,meqë simbolizon kobin dhe fatkeqësinë historike ,por edhe krenarinë e pathyeshmërinë kombëtare.

    Muaji janar për shqiptarët mund të konsiderohet muaji i zisë kombëtare,muaji i dhembjes dhe krenarisë,të cilit edhe këngëtari popullor i këndon me një zë të drithshëm,të hidhur,por lavdiplotë.

     Pikërisht në një ditë të këtij muaji,thonë, vdiq i madhi Skënderbe.Po në një ditë të tillë,si koincidencë e çuditshme,ranë edhe Isa Boletini,vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka,Nuhi Berisha e Rexhep Mala,pastaj  Enver Maloku,etj.Njashtu në janar ndodhi masakra e Reçakut ndaj 45 shqiptarëve.Në janar ndërruan jetë Ismail Qemali,Ibrahim Rugova,Ali Pashë Tepelena,Zekirja Cana,e të tjerë.Por,në janar lindën edhe figura të ndritshme dhe me peshë historike,si: Fan Noli,Anton Çetta,Ismail Kadare,etj.Po ashtu në janar u mbajt Konferenca e Bujanit,Kongresi i Lushnjës,Lidhja Shqiptare e Pejës,etj.

     Ky janar ndërkaq ka vazhduar me ftesat nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale në Hagë për ish-ushtarët e UÇK-së,ku vetëm për dy javë janë dorëzuar 8 ftesa për të dyshuar dhe dëshmitarë të luftës së fundit.

     Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka i vrau pabesisht nga pusia dora e zgjatur e UDB-së serbe-jugosllave.Vrasja e tyre shkaktoi indinjatë të thellë ,jo vetëm te popoulli shqiptar,por edhe në opinionin ndërkombëtar.Veptimtaria patriotike,politike dhe revolucionare e këtyre tre anëtarëve është e gjerë dhe intensive dhe ajo mbështetet kryesisht në kërkesën e drejtë të popullut të Kosovës t'i jepej statusi i republikës.Këtë kërkesë ata e shprehën  dhe e propaganduan me mjete paqësore në mënyrë të arsyeshme e humaniste:nëpërmjet mendimit të lirë,nëpërmjet shtypit e demonstratave paqësore.Edhe pse nuk i shkaktuan dhembje e krime askujt,ata u detyruan të emigronin ilegalisht në Gjermaninë Perëndinore dhe prej andej vijuan me intensitet edhe më të madh aktivitetin patriotik.

   Idetë e tyre dhe kërkesat e drejta politike i shprehën,përveç tjerash, edhe në organet e shtypit revolucionar si "Lajmëtari i lirisë","Zëri i Kosovës","Liria","Bashkimi" e të tjera.

   Vrasja e tyre,sado e dhimbshme,jo vetëm nuk e demoralizoi popullin dhe forcat patriotike,por i nxiti edhe më tepër që,të bashkuar,të ecin drejt qëllimit të lartë.Gjaku i tyre u bë balsam i fitoreve të reja:nëpërmjet tij u betonua bashkimi i të gjitha forcave patriotike,të cilët me energji të pasosshme,me vrull të ri e me vullnet të pathyeshëm po e çojnë përpara amanetin e këtyre tre bijve dhe shumë të tjerëve të shtrenjtë të popullit tonë.

     Nga ana tjetër,ajo që arriti kulmin e vetëdijes patriotike,që dëshmoi me forcë e vendosmëri bindjen e pathyeshme për fitoren,që tregoi se Lëvizja po hyn në një fazë të rëndësishme ,ishte edhe rezistenca trimërore që,edhe dy heronj tjerë,Rexhep Mala e Nuhi Berisha,u bënë forcave rrethuese të armikut shovinist serb në mes të Prishtinës.Ishte prapë muaji janar ,muaj i zezonave,i dhembjeve,por edhe i krenarive e i lavdive tona.Viti 1984.Ndërrimi i moteve.Por,nuk ka ndërrim formal e esencial motesh për patriotët,nëse nuk ndërron situata dhe gjendja e popullit.

    Lavdi e përjetshme këtyre dhe trimave tjerë,dëshmorëve e heronjve kombëtarë,që nuk kursyen jetën e tyre për një të ardhme të lumtur e të ndritshme,dinjitoze e njerëzore,të fëmijëve e të pasardhësve tanë.Do të rrojë përjetë e jetëve dhe do të shërbejē si flakadan  udhërrëfyes kujtimi i Skënderbeut,Ismail Qemali,Isa Boletini,Fan Nolit,Ibrahim Rugovës...vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka,Rexhep Malajt e Nuhi Berisha dhe shumë e shumë figurave tjera të ndritshme historike të kombit tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat