Me dënimin e Sadri Ramabajës u tentua njollosja e Vetëvendosjes

Opinione

Me dënimin e Sadri Ramabajës u tentua njollosja e Vetëvendosjes

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 22 janar 2020 Në ora: 19:18
Sadri Ramabaja

Me shpalljen e dënimeve për “Syrin e Popullit”, u lajmërua Partia Demokratike me komunikatën e saj. Reagimi i PD insiston që grupit të të dënuarave t´i mëveshët lidhja me Lëvizjen Vetëvendosje. Komunikata në fjalë të ngjan sikur të ishte pjellë e ish PPSH. PD, po ashtu bëri përpjekje me një stil të tillë enverist ta arsyetoi denimin e “Grupit Terrorist” , me të vetmin synim, eliminimin e Vetëvendosjes. Kësaj i thonë : me një të ramë dy të vramë. I akuzuari dhe i dënuari me 5 vite, Sadri Ramabaja në mbrojtjen e tij pat deklaruar se “Syri i Popullit është pjellë e dy personave, kryetarit të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish kryetarit të Parlamentit Kadri Veselit.

 Mendimit të tillë i bashkohet sot shumë kush në Kosovë. Sadri Ramabaja që nga shkolla e mesme, ndiqej, persekutohej, torturohej dhe dënohej nga UDB-ja jugosllavë. Me fillimin e studimeve në Universitetin e Prishtinës, pikërisht më 1981 ndodhej në shërbimin ushtarak. Gjatë kësaj kohe nuk mundi të merrte pjesë në demonstratat e `81, po me t`u kthyer nga shërbimi ushtarak, Sadriu iu bashkua menjëherë Lëvizjes Studentore. UDB-ja e ndiçte hap pas hapi, e burgosi dhe e dënuan me 7 vite burg. Pas vuajtjes së dënimit Sadriu nuk lihej i qetë dhe u detyrua të largohej nga Kosova.

 Vëllezërit e tij po ashtu ishin nën vrojtimin e UDB-së dhe nuk lejoheshin të kishin pasaporta për të punuar në perëndim. Ata për pos ndjekjes ballafaqoheshin edhe me mjerimin social, si shenjë për t´i përkulur. Përkundrazi dera e tyre gjithmonë ishte e hapur, bukë krip e zemër për çdo shqiptar. Sadriu ishte i sakrificës dhe atdhetar i lartë. Ai pas çlirimit të Kosovës u kthye dhe filloi të jetoi në Kosovë.

Sot mveshja se ai i takon një grupi terrorist dhe për këtë të marr një dënim kaq të rëndë, nuk e beson askush. Më e besueshme mund të jetë teza se kryetari Thaçi dhe Kadri Veseli me metoda Envero - Staliniste, për ta njollosur dhe eliminuar Kurtin dhe Vetëvendosjen, kanë formuar “Syrin e Popullit”. Të thuhet se Sadri Ramabaja i takon një grupi terrorist është fyerje e madhe për te, po për fat të mirë, këtë nuk e kapërdinë dot kush.

 Të gjithë ata që e njohin Sadri Ramabajën nuk mund ta besojnë një gjë të tillë. Kjo që ngjau sot në Kosovë, më tepër përkon me gjykatat jugosllave kur ua lexonin aktakuzat shqiptarëve pas ngjarjeve të 81-shit. Në Aktakuza të tilla thuhej : personi X u takua me personin Y. Ata biseduan për këtë e për atë. Personi x pastaj kishte parë edhe këtë ëndërr.....

Nëse sistemi i drejtësisë është i kapur dhe vepron sipas direktivave të udhëheqësisë shtetërore, mund të kemi vendime të tilla politike. Po u vendosen strukturat demokratike, do të shihet se prokurorët dhe gjyqtarët kanë vepruar vetëm sipas direktivave urdhëruese. Njerëzit nuk mund të dënohen pse shprehin mendimin e tyre apo për bisedat e rastit. Nëse fillojmë t´i ndjekim njerëzit kështu, do t´i mbushim burgjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat