Opozita e bashkuar, pa kauzë, me në qendër alternativën osmane – tregues i mjerimit politik të shqiptarëve në ish IRJM - Bota Sot
Opozita e bashkuar, pa kauzë, me në qendër alternativën osmane – tregues i mjerimit politik të shqiptarëve në ish IRJM

Opinione

Opozita e bashkuar, pa kauzë, me në qendër alternativën osmane – tregues i mjerimit politik të shqiptarëve në ish IRJM

Nga: Afrim Fanda Më: 24 janar 2020 Në ora: 09:10
Afrim Fanda

“E gjetëm formulën e suksesit”, klithën të kënaqur osmanlinjtë e Stambollit dhe nostalgjikët e tyre  në ish IRJM –  do të themelojmë parti që për doktrinë do të ketë fenë tonë, por të mbështjellur me ambalazhim të bukur  “patriotik”.  Ndaj për emër të partisë, uzurpuan emrin e institucionit të shenjtë të shqiptarëve – Besën. Lekët u erdhën me bollëk nga Katari, e nuk u mungoi as përkrahja e miqve “të pafe” në pushtetin e ish IRJM. Fondacioni i tyre, “Qendra e civilizimit islam” me shtëpinë botuese Logos A, me në krye “abinë” e famshëm, ofruan  “doktor profersorë”, redaktorë, libra dhe para për të rritur “cilësinë” dhe komoditetin e kryesisë, … dhe pothuajse ia arritën ta realizojnë ëndrën. Derisa, një ditë, paratë e Katarit bënë atë që bën paraja – nxiti lakminë, grykësinë, konfliktin dhe në fund përçarjen.  Ata më të zellshmit, më meritorët, u ndanë, por nuk arritën të mbanin emrin. Por ç’e duan… me rëndësi e kishin “abinë” në anën e tyre, sepse paratë e “abisë” ua dhanë “Alternativën”.

Miqtë e “pafe” të Alternativës, u dhanë zemërgjerësisht pjesë të pushtetit dhe me ndihmen e pushtetit dhe miratimin e kryeministrit bujar, ata filluan të shpërndajnë “kulturë” shqiptarëve të lënë në mëshirën e fatit nga institucionet e tyre kulturore në Tiranë.  Ndaj dhe u organizuan qindra udhëtime me autobuzë për arsimtarët e shkollave shqipe, për të vizituar monumentet kulturo historike të Stambollit. “Abija” i Logosit, u kujdes që të shtypen mijëra libra fetarë, në mënyrë që të plotësohet boshllëku arsimor dhe kulturor tek shqiptarët.

Dhe erdhën zgjedhjet. Shqiptarët e shkretë, të gjendur në situate “hip se të vrava, zbrit se të vrava”, të dëshpëruar dhe me shpresë të fundit, bënë thrijen për bashkim të opozitës për të rrëzuar BDI-në e kriminalizuar dhe koruptuar, që tanimë kishte lëshuar rrënjë në pushtet. Por për fat të keq, për të kaluar “nga shiu, në breshër”.   Në këtë situate, falë parave të “abisë”, erdhën “5 minutat” e osmanëlinjve pozitë/opozitë të Alternativës.  Vërshuan ftesat për koalicion duke filluar që nga LSDM e deri te “ish kolegët besatarë” të cilët i ranë pishmanit për konfliktin dhe ndarjen.

Lideri i ASH, me gojën që i rridhnin jargë për leket e “abisë”, e ndau mendjen që në fillim.  Sa për të kënaqur thirjen e shqiptarëve për bashkim të opozitës, deklaroi preferencën e tij për koalicion, me të dy, Alternativën dhe Besën, por duke u kujdesur që të rendiste Alternativën të parën. Edhe Alternativa e ndau më në fund mendjen për ASH, pas një hezitimi në mes të opsionit PDSH-se që po perëndonte, dhe ASH-se “që premtonte”. Por, njëkohësisht shprehu publikisht qëndrimin këmbëngulës për të mos bërë koalicion me asnje kusht me Lëvizjen Besa.  Lidershipi i LB, pothuajse ranë në gjunjë para lidershipit të Alternativës, gjë që dëshmoi mungesën e një identiteti politik që i dallon nga lidershipi i Alternatives, por kjo nuk ndryshoi qëndrimin e Alternativës.  Kështu që LB vendosi të garojë e vetme në zgjedhjet e 12 prillit, dhe e vetme t’a rëzojë BDI-në nga pushteti. 

Më i prekuri në gjithe  këtë situate të krijuar, duket se është lideri I PDSH, i cili, i zemëruar për tradhtinë që i bëri “abija”, duke zgjedhur armikun e tij për bashkëpunim, bëri disa denoncime të forta me prova, për financime të dyshimta nga shtete të treta, dhe veprimtari  të paligjshme financiare, si dhe aktivitete të dyshimta të udhëheqsisë së Alternativës për llogari të shteteve të huaja. Por e gjitha kjo hasi në vesh të shurdhër tek miqtë “e pafe” të osmanlinjve në pushtetin e ish IRJM.

A do të mundet “opozita e bashkuar”, pa nje kauzë kombëtare, por duke e zëvëndësuar atë me dogma fetare dhe agjenda të huaja, pa ngritur çështjet esenciale që prekin të drejtat kolektive të shqiptarëve në këtë shtet, pa ofruar asgje ndryshe, të mobilizojë votuesit shqiptarë, thjesht për ta zëvendësuar në pushtet BDI-në e kriminalizuar dhe shërbëtore besnike e partive sllave në pushet?  E vështirë, por sidoqoftë, mbetet për të pare, nëse shqiptarët do të duhet përsëri, pas disa vitesh, të bahkojne një opozitë tjetër, për t’a rëzuar nga pushteti, opozitën e sotme!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat