Suksesi “çuf çuf” i ambasadorit amerikan - Bota Sot
Suksesi “çuf çuf” i ambasadorit amerikan

Opinione

Suksesi “çuf çuf” i ambasadorit amerikan

Nga: Kimete Berisha Më: 24 janar 2020 Në ora: 21:20
Kimete Berisha

Presidenti Hashim Thaçi e ka përshëndetur 'Trenin e Kaltër' dhe të katër lokomotivat e Titos (Neretva, Sutjeska, Kozaro dhe Llepa Brena), me këngen: 'Vijnë pampurat'.

Shumë u gëzu presidenti Thaçi që ambasadori Richard Grenell po punon vullnetarisht si i dërguar në Beograd i ministrit të transporteve të Kosovës Pal Lekaj, pa ia kërkuar 'kush.

Kësaj radhe gëzimit për trenin nuk i është bashkangjitur Ramushi, i cili për dallim nga aeroplani Prishtinë-Beograd (të cilin e mirëpriti krah-hapur), trenin e koncepton vetëm si figurë letrare, që shërben për lamtumira, por jo edhe për bashkime njerëzore.

Treni në letërsi dhe në film gjithmonë ka qenë stacioni i fundit, rruga një-drejtimëshe dhe simboli romantik i ndarjeve njerëzore, kurse mashkulli që e ka ndjekur trenin për ta zënë, që ta bind të dashurën t'i kthehet, kurrë më s'ka hipur në tren, si dhe kurrë më s'ka besuar në dashuri.

Pjesën tjetër të jetës e ka kaluar në ilixhe.

Projekti 'chuff chuff' i Richard Grenell ka për qëllim final bashkimin e shqiptarëve dhe serbëve, në tren.

Ndërkohë, derisa të vendosen shinat dhe Kosova ta blejë një tren, Grenell po punon pa pushu t'i lidh në rrjetin social dy vendet armike, për të inkurajuar Hashim Thaçin ta ndjek në Twitter Vuçiqin dhe anasjelltas.

'Treni i fundit' është shprehje që përdoret nga shqiptarët, si 'shansi i fundit', ama treni i fundit nuk dihet çfarë ngjyre ka dhe sa lokomotiva i ka, sepse kurrë askush nuk e ka pa trenin e fundit.

Grenelli nuk e ka kuptuar pse shqiptarët kur u humb shansi jetësor thonë: 'më iku treni', e nuk thonë 'më iku autobusi'.

As shqiptarët s'e kanë kuptuar pse gjithmonë u ikë autobusi, e 'faji' i mbetet 'trenit', që e simbolizon fatin shqiptar.

Pal Lekaj ndërkohë po punon në krijimin e komisionit për marrëveshjen 'e trenit' në Berlin.

Kryesues i Komisionit duhet të jetë Migjen Kelmendi, njohësi i rrethanave të trenit që të çon në Përzëren. Sepse, shqiptarët udhëtimin me tren e lidhin veç me dashni, shpalje, njoftime, nostalgji, shkëmbime mendimesh dhe idesh, dhe si mënyrë më e pakushtueshme se autobusi për t'u kthyer në shtëpi...!

Veç treni i Bllacës përjashtohet nga 'shinat', dhe nga marrëveshja, sepse është tren që simbolizon egzodin e shqiptarëve.

Prandaj, shqiptarët e kanë shkatërruar këtë tren për t'i shkatërruar kujtimet e tyre dhe krimet e shtetit serb.

Grenell nuk i përdorë politikisht trenat që s'punojnë. Prandaj, s'i intereson e kaluara që 's'punon'.

Se dikush edhe trenit i tutët.

Në një udhëtim nga Freiberg, treni kalonte nëpër Breslau, kur Sigmund Freud për herë të parë e pa buçkat e pampurit kah u dilte gazi, dhe atij iu dukën sikur 'shpirta që digjen në ferr'. Prej asaj dite, doktori u sëmurë nga 'frika e trenit' dhe kurrë më nuk u shërua nga kjo frikë.

Fillimisht trenat shqiptaro-serb do të testohen nga kafshët, nga bartja e viqave prej Serbisë në Kosovë dhe nëse kjo fazë kalohet pa incidente mes kafshëve, atëherë krijohen kushtet që të bartet edhe mielli dhe patatet serbe me tren.

Neve asgjë nuk na shpëton, përveç Drejtësia, llepoto.

Ti provo edhe Lidhjen e transportit me gomarë nga Serbia dhe Kosova, por kot e ke. Ne kemi krejt probleme tjera.

P.S. Për hir të nipave, para disa ditëve e kam luajtur lojën 'çuf çuf', për t'i mësuar ata me traditën e lojërave tona (provojeni për ta kuptuar sa shumë jeni trashur e jeni mbushur mend).. Kjo lojë (si edhe çdo lojë tjetër) e zbulon se askush nuk ndjehet i vjetër kur luan.

E Abetarja shqiptare më së miri e bën përshkrimin e trenit: 'Kur hyn treni në tunel, ty ta merr mendja se më s'del', por del.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat