Kosova vazhdon të mbahet peng midis kurdhës serbe dhe çekanit të Edvin K. Ramës!

Opinione

Kosova vazhdon të mbahet peng midis kurdhës serbe dhe çekanit të Edvin K. Ramës!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 26 janar 2020 Në ora: 14:49
Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Pas fitores shekullore të shqiptarëve të Kosovës për t’u çliruar përfundimisht nga robëria e gjatë dhe e egër serbo-sllavo-ortodokse, duke e bërë me luftë shtetin dytë shqiptar në Ballkan, Republikën e Kosovës, por edhe me ndihmën e miqve tanë amerikanë, gjermanë, anglezë, francezë, etj., që ishte fitorja më madhore e kombit shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë londineze me 1912, mjerisht 20 vite pas luftës kjo e arritur kaq e shtrenjtë dhe historike, pra çlirimi dhe pavarësia e Kosovës nga kthetrat e Serbisë fashiste, duhet konstatuar me dhimbje, se skenari për ndarjen e Kosovës si dhe ai për formimin e “Mini-shengenit” ballkanik, që për protagonistë kryesorë kishin A. Vuçiçin, Edi Ramën dhe H. Thaçin, këtë projekt kombëtar e kanë sjellë serish para  rreziqeve serioze të zhbërjes së tij..!?

Në vend se Shqipëria londineze nën udhëheqjen e socialistëve në krye me Edvin K. Ramën, si anëtare e NATO-s, të bëhej faktor ekonomik, politik dhe ushtarak në rajonin e Ballkanit perëndimorë, duke i vënë në shërbim të interesave të shtetit shqiptar dhe gjithë kombit të gjitha resurset natyrore të cilat vendit të shqiponjave ia ka dhuruar Zoti me një bregdet fantastik prej 420 kilometrash gjatësi si dhe Alpet më të bukura në Ballkan, pra që me këto begati natyrore dhe pozitën e saj gjeografike- strategjike të bëhej faktor kryesor i ruajtjes si dhe garant i pavarësisë dhe zhvillimit të dy shteteve shqiptare në Ballkan, madje si parakusht themelor për bashkim kombëtar, për fat të keq, E. Rama dhe PS-ja, përveç degradimit dhe shkatërrimit total të resurseve natyrore, deri në ikje masive të qytetarëve nga Shqipëria, me politikat e tij antikombëtare si kryeministër dhe përgjegjësi kryesor i zhvillimit të vendit, do e kthej Shqipërinë në kohën e monizmit dhe diktaturës komuniste, për t’u shndërruar në faktor rreziku kryesor për zhbërjen e pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, aktualisht vendi i vetëm i izoluar nga Evropa..!?

Pa i përmendur këtu me dhjetëra fakte tjera që e vërtetojnë saktësinë e konstatimit tonë më lartë, mjafton të ceket roli i Edvin Ramës në forcimin e “miqësisë” së vjetër midis Tiranës dhe Beogradit zyrtar, dhe kjo duke shkelur brutalisht mbi gjakun e 15 mijë dëshmorëve të kombit, të cilët në luftën e fundit në Kosovë (1998/99) u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës!

Skenari ogurzi për këmbim territoresh, gjegjësisht për ndarjen e Kosovës, i përgatitur në Nish nga Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiçi me pajtimin e plotë të Hashim Thaçit, i cili gati sa nuk u realizua në vepër, dhe, më pas edhe plani i njohur serbomadh për formimin e një “Mini-shengeni” pa pjesëmarrjen e Kosovës, ishte pa asnjë dyshim, thika më e mprehtë e ngulitur ndonjëherë mbi shpinën e Kosovës, nga e cila ende kullon gjak shqiptarësh, eshtrat e të cilëve janë zier dhe vluar me katran asfalti në mënyrën më barbare të mundshme për ndërtimin e rrugëve në Serbi..!?

T’i mohosh me kaq lehtësi të gjitha krimet serbe të bëra mbi një shekull ndaj shqiptarëve të Kosovës, përfshirë edhe këto të luftës së fundit, të mos shfaqësh asnjë grimë dhimbje për gjitha ato vuajtje, tragjeditë dhe masakrat ndaj shqiptarëve të Kosovës, bile të mohuara nga krimineli A. Vuçiç, alias miku i Edvin K. Ramës, siç ishte mohimi i masakrës së Reçakut, pastaj të mos i shohësh mbi 240 varreza masive dhe lapidarë të mijëra heronjve dhe dëshmorëve të kombit gjithandej Kosovës, të mos ndërtosh mbase asnjë lagje apo kompleks banesorë për jetimet e luftës në Kosovë, si kryeministër i Shqipërisë, etj., etj., kurse në anën tjetër të puthesh në Beograd, Berlin, Novi Sad, Shkup, Tiranë e gjetiu me këlyshin e kasapit të Ballkanit, pinjollin e kriminelit S. Millosheviç, siç është çetniku dhe fashisti Aleksandar Vuçiçi, pa kërkuar asnjëherë nga ai që t’iu kërkojë falje shqiptarëve të Kosovës për krimet monstruoze që i ka bërë regjimi kriminal i Serbisë në Kosovë vetëm në luftën e fundit, thënë më së buti, kjo sjellje dhe abuzim me Kosovën dhe shtetësinë e saj, ia kalon çdo lloj tradhtie kombëtare, madje kjo tradhti shkon deri në krim të dyfishtë ndaj 15 shqiptarëve të vrarë dhe masakruar në mënyrë sistematike nga makineria kriminale dhe vrastare e regjimit fashist të Serbisë gjenocidiale, e cila, mbajeni mirë në mend, kurrë nuk ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat