Mos e braktis tokën e artë

Opinione

Mos e braktis tokën e artë

Nga: Gëzim Muçolli Më: 27 janar 2020 Në ora: 07:10
Gëzim Muçolli

Ka ditë e javë që dëgjoj dhe shikoj një fushatë marramendëse tradhëtie ndaj Republikës së Kosovës. Këtë e vërtetova edhe në biseda me miqtë e mi emigrantë të brezit të nëntëdhjetës dhe me miq e familjarë në atdhe.

Thonë se në Kosovë nuk ka jetë!!!

Mes arsyeve që dëgjoj i tmerruar nga propaganda antishqiptare është se : nuk ka punë, nuk ka kushte per të ecur përpara, nuk ka shpresë dhe e vetmja zgjidhje është migrimi.

Migrimi do të thotë shpërngulje e rinisë dhe zbrazje e Kosovës nga ata që duhej ta përparonin tash kur kanë kaluar gati 21 vjet nga çlirimi i Kosovës.

E drejta per të lëvizur dhe kërkuar jetë më të mirë nuk mund ti mohohet askujt. Por të lësh vendin tënd të artë për pasuritë e të cilit, gjatë historisë edhe princër, perandorë e sulltana lanë kockat e të shkosh në vende tjera të Evuropës pas mundësive financiare është tmerr dhe tragjedi me përmasa kombëtare.

Ti që mendon se një biletë aeroplani dhe një vizë Schengen do ta ndryshon jetën, a ke bërë ndonjëherë ndonjë lëvizje per të ndryshuar jetën tënde?

A ke kërkuar përgjegjësi nga dikush pse ëndërra jote në vendin tënd nuk u bë jetësore?!

Prindërit të lindën e të rritën dhe çmimi i kësaj rrite është i lartë. Nesër kur ti do të gjesh punë jashtë , ai që do të punësojë si krah pune është i bindur se ti je një burim me kosto zero, sepse nuk ka shpenzuar asnjë cent per ty deri sot.

Shkolla në të cilën ke mësuar a të udhëzoi se vetëm dija është ajo që e bartim pas si pronë dhe trashëgimi. Prap pyes: prindërit kur të ndihmuan të jesh ambicioz në drejtimin e studimeve dhe ta mbaroje edhe masterin a kanë menduar ndonjëherë se Kosova është e vogël per mijëra mastera, magjistratura e doktoratura edhe pse ka universitete sa të duash ku kultivohen ëndërra edhe dëshira pa pasur mundësi realizimi tjetër pos pajisjes, sipas reklamës: "me Diploma universitare të vlefshme edhe jashtë"!

Kosova ka mundësi tjera të shkollimit dhe punësimit. Puna nuk është vetëm ajo e zyrave por janë edhe zanatet. Edhe pse nuk i preferojnë aq në Kosovë, ata që po ia mësyjnë shteteve të pasura të bashkimit europjan, shumica do të jenë mjaft të kënaqur kur të futen në ndonjë fabrikë apo fermë bujqësore.

Nuk ka asgjë per tu çuditur sepse në Europën që po plaket ende përsëritet thënja e famshme latine "Pecunia non olet" e cila edhe sot iu pëlqen dhe e përmendin shpesh arabët: Parave s'iu vjen era! Asnjëhere pra.

Po a keni menduar ndonjëhere si mund të ishte përfundimi i kësaj faze të (mos) zhvillimit socio-ekonomik të Kosovës kur fshatari në vend se ta punojë token shkon në treg në qytet dhe blen perime, qumësht e djath skurse arat e papunuara mbeten djerrina. Edhe vezët i blejnë në qytet duke thënë shpesh se " nuk po e qet me e punue token!".

Ajo që është pika më e dobët e demokracisë në Kosovë është se të gjithë e gjithmonë ankohen per gjithçka por kurrë nuk marrin guximin të protestojnë. E kur dikush proteston ia mveshin kushedi sa emra e ngjyrime politike. Askush nuk pyet per milionat e asfaltit, per fabrikat që nuk hapen, e as per investitorët e huaj që pasi ua mbyllën me therra hyrjen në Kosovë, shkuan në vendet fqinje ku rehatuan me punë mijëra familje duke hapur mijëra vende pune në fabrikat që mund të hapeshin në Kosovë.

Zakonisht kur ikin nga një vend të shkolluarit duke kërkuar punë në vende të tjera, janë mësuar ta emërojnë këtë fenomen social të emigrimit post-bllokist si "Ikja e Trurit".

Kurse rasti i tashëm që pritet të ndodhë së shpejti në Republikën e Kosovës do të quhet: "Ikja e atyre që kurrë s'e përdorën trurin per ti ndryshuar gjërat dhe jetën në vendin e vet"!

Si të braktiset toka e artë e Kosovës per ta kërkuar "Eldoradon" e jetës së mërgimit që ta fshin identitetin dhe dinjitetin me gomë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat