Formimi i qeverisë, në prizmën e thënies “Faji është jetim”

Opinione

Formimi i qeverisë, në prizmën e thënies “Faji është jetim”

Nga: Lirim Begzati Më: 1 shkurt 2020 Në ora: 21:23
Lirim Begzati

Diskurset, strategjitë e zgjedhura, pretekstet politike, por jo vetëm kaq, nuk simbolizojnë, nganjëherë, asgjë më tepër se sa një tentim "arti politik", një gjoja se argumentim për me e justifikuar disfatën përballë një çështje elementare të interesit të përgjithshëm.

Sqarimet e dhëna nga "protagonistët e zvarritjeve", jo vetëm se kanë bezdisur shumë njerëz (në përjashtim të atyre që kanë nevojë për "ç'fryerje politike", apo argëtimi me këso temash!), por edhe dëshmojnë, fatkeqësisht, njëfarë paaftësie për arritjen e konsensuseve.

Termi "konsensus" ndoshta tingëllon menjëherë si një vlerë zvicerane. Jo, nuk kërkohet kjo, jo një imitim i plotë i të "pakopjueshmes", por vetëm diçka e përafërt me atë që i përngjan asaj që quhet "mbi të gjithat, interesi i gjithmbarshëm".

Vallë, sa kohë po na duhet për formimin e një qeverie të re. Sa takime duhet të mbahen, apo edhe sa kanë mbetur për me i mbajtur ? U dëgjua në ditën e sotme, se afër jemi ! Një shpresë për një rrugë të mbarë, pse jo ! Le të shohim si do të punohet më tutje...

Kjo që është duke ndodhur, hapë një fushë të rëndësishme reflektimesh, e cila i tejkalon "lojërat" që qarkullojnë në rrjetet sociale. Një vënie vërtetë në diskutabilitet e rregullave dhe parimeve tona të funksionimit. "Tona", pasi që, lehtë e kopjojmë njëri tjetrin!

Sa e madhe po n'a qenka kjo uria për pushtet ?! Është kjo një shprehje që shpesh qarkullon, këtu e aty ! Të shumtë janë ato që i përjetojnë këto lloj vlerësimesh e hamendjesh. Nuk do të dëshironim t'iu takojmë "hamendjeve", pasi që një frymë e re është duke u shpalosur në horizontin e shpresëdhënies... Megjithatë... !

Po pra, "pazarllëqet" aktuale janë, mjerisht, të pakapshme, jo plotësisht të kuptueshme. Nuk kuptohen as disa nga të ashtuquajturat "arsye" të kalkulimeve “logjike” të disa akterëve. Sidomos, në kontekstet e sqarimeve të dhëna, ku nuk mungon gati se asgjë, përveç asaj që quhet "qartësia e gjërave". Po kështu e ka politika, thotë dikush !

Po të supozonim se gjendemi përballë një tematike që ka të bëjë me vendime madhore të Kongresit amerikan, të çështjes së "Breksit-it" ose të Senatit francez, nuk përjashtohet mundësia se, ndoshta, do të ishte sadopak më lehtë me kuptuar diçka !? Siç duket, punët tona duken më komplekse se sa ato më komplekse të tjerëve!

Nëse konsensusi nuk arrihet për çështje elementare, atëherë çka me pritur si rezultat për punët tjera më të rëndësishme që n'a presin më tutje, dhe që kanë të bëjnë me perspektivat afatgjate të vendit ? Postet dhe punët qeverisëse janë diçka, por ato vijnë e shkojnë, kurse vendimet e rëndësishme për shtetin kanë një kuptim krejtësisht tjetër, qoftë kjo e panevojshme me u ritheksuar !

E përfundojmë me kaq ! Nuk e dimë kush është fajtor, pasi që ka mbetur me iu referuar thënies "fajtori është jetim".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat