Duhet VETTING edhe për listat të veteranëve të UÇK-së

Opinione

Duhet VETTING edhe për listat të veteranëve të UÇK-së

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 8 shkurt 2020 Në ora: 13:03
Skënder S. Kapiti

Kjo si një porosi për Kryeministrin Z. Albin  Kurti dhe për Kryetaren e Parlamentit Znj. Vjosa Osmani.

VETING është bërë  fjala më e përdorshme sot në Shqipëri dhe në Kosovë.

Kjo erdhi si pasojë e domosdoshmërisë absolute për pastrimin e politikës dhe të gjyqësorit në Shqipëri prej individëve me rekorde kriminale, papërgjergjshmërie, amorale, mosdinjiteti, papersonaliteti, pamerite  dhe korrupsioni të cilët kanë kapur politikën, pushtetin, drejtësinë, shoqërinë, mediat, intelektualizmin, akademinë, patriotizmin dhe gjithçka tjetër. VETING-u në Shqipëri u miratua vetëm si pasojë e presionit dhe imponimit që  u bënë SHBA-të  politikës dhe politikanëve shqiptarë.

Kjo gjëndje realisht si e tillë është edhe në Kosovë, që do të thotë se edhe Kosovës i duhet një reformë radikale politike, juridike, shoqërore, arsimore etj.,pra i duhet  VETING-u.

 Por problemi dhe shqetësim i madh publik dhe kombëtar në Kosovë por edhe ndërkombëtar nuk është vetëm politika dhe drejtësia  por  është bërë   edhe me listat e veteranëve të UÇK-së  për të cilën ka vite që flitet, shkruhet, akuzohet dhe denoncohet  masivisht, publikisht dhe mediatikisht për  një numër jashtëzakonisht të madh, një listë e manipuluar në mënyre abuzive dhe spekulative  e dhënies së dëshmive veteran  individëve  me lidhje nepotike, familjare, korruptive dhe politike të cilët nuk kanë lidhje dhe që nuk kanë  dhënë asnjë kontribut  për luftën, gjë e cila përbën vepër të rëndë penale për mashtruesit dhe manipulatorët të cilët kanë bërë me listat e ishluftëtarëve të UÇK-së.  Këta veteranë të rrejshëm ndryshe quhen dhe do të  shkruhen në histori  si veteranët e  votave  për “politikën dhe për qeveritë”.

Ky fakt ka demoralizuar dhe zhvlerësuar vlerat e luftës dhe sakrificat, vuajtjet e meritat e luftëtarëve të vërtetë vepra e lartë e të cilëve barazohet me ata të cilët as kurrë nuk kanë qënë në luftë, as të mobilizuar  dhe  që  nuk  kanë asnjë lloj merite e kontributi për luftën.  Dhe a mos vallë edhe për kontrollin  apo monitorimin e rishikimin e listave të veteranëve të UÇK-së, a mos vallë duhet një organ apo strukturë monitorimi ndërkombëtare?!

A nuk  do të ishte kjo  një notë  negative për politikën dhe shtetin e Kosovës.

Këtë nuk ia kanë borxh politikës, drejtësisë dhe shtetit të Kosovës  as veteranët, as invalidët, as familjet e dëshmorëve dhe të herojve të UÇK-së, si dhe as populli dhe as taksapaguesit kosovarë prej taksave të të cilëve paguhen pensionet  dhe marrin përfitime te tjera edhe veteranët  e  rrejshëm, pra grabitet e shpërdorohet buxheti  i shtetit. Fryrja e listës së veteranëve me vetaranë të rrejshëm ka bërë të mundur që veteranët e vertetë dhe meritorët të mos marrin një pension modest  në masën më të mirë të mundshme që u takon, por si pasojë e kësaj fryrje me pseudoveteranë pensioni që marrin veteranët është 170 euro aq sa marrin edhe ata të  cilët tashmë quhen  dhe njihen si veteranë të rrejshëm.

Falsifikimet ,mashtrimet,fabrikimi , trafikimi  e  lëshimi i certifikatave për  veteranët   e rremë në masën rreth 30% të tyre,kur ato kundërshtohen prej qytetarëve, prej ishluftëtarëve dhe individëve me role, kontribute dhe  pozita  kryesore  të cilët kanë pasur në UÇK , si pra  dhe sidomos nga dëshmitë e ishluftëtarëve  të vërtetë e kanë nxjerrë zbuluar këtë skandal të rëndë sa ordiner dhe politik të kryer nga politika; skandal i cili i ka bërë një dëm jashtëzakonisht të madh vlerave heroike  dhe patriotiko-kombëtare të luftës së UÇK-së  si dhe dëm jo të vogël financiar shtetit të Kosovës  për të cilat duhet të përgjigjen penalisht  mashtruesit,autorët e mashtrimeve dhe të spekulimit  të komisionerëve certifikatlëshues me vlerat e luftës. 

Për njeriun i cili nuk  nuk ka turp  edhe kur turpi i del sheshit në Shqipëri përdoret një fjalë e tillë : “mos ia vë re atij se  e ka hëngër turpin me bukë”. Pra edhe kjo puna e veteranëve të rrejshëm është turp e marre  që e kanë hëngër me bukë si për ata që e kanë pranuar statusin e veteranit por edhe për ata të cilët kanë nënshkruar e vulosur këtë turp, madje për këta të fundit turpi e marrja rëndon më shumë edhe si mëkat  i dyfishtë: edhe si mashtrim, por edhe si krim e korrupsion pasi ata kanë  dëmtuar edhe imazhin e vlerës kombëtare të luftës por edhe të shtetit e të ligjit. Këtyre u është   besuar dhe autorizuar  e drejta për  të kryer detyrën dhe përgjegjësinë institucionale, publike e shtetërore  dhe jo për të mashtruar, spekuluar dhe abuzuar e trafikuar me dëshmitë e veteranit . Merre me mend se çfarë bëjnë individë të tillë kur atyre u bie në dorë posti i lartë  politik e shtetëror , se çfarë spekuilimi, matrapazllëku e trafikimi  mund të bëjnë këta të tillët me postin, detyrën, ligjin, shtetin, me drejtësinë, me paranë publike dhe me pasuritë shtetërore e kombëtare, që  edhe i kanë bërë realisht në Kosovë .

Përderisa korrupsioni në Kosovë  është montuar në  tërë sistemin politiko-juridik,  qeveritaro-administrativ, ekonomik, arsimor, shendetsor dhe universitaro-akademik  nuk kishte se si t’i shpëtonte edhe rasti i spekulimit, korrupsionit  dhe abuzimit me listat e veteranëve të luftës.

Ka korrupsion në çdo vënd dhe kudo, por të spekulohet kështu dhe kaq shumë , të abuzohet dhe të korruptohet edhe heroizmi, patriotizmi dhe  sakrificat e dëshmorëve, të heronjve dhe të veteranëve të luftës kjo përbën kulmin e korrupsionit dhe të amoralitetit për politikën dhe pushtetin e një vëndi si një politikë korruptive, abuzive, spekulative dhe e një injorance e papërgjegjshmërie të pashëmbullt e cila i ka bërë  dëm  të madh publik dhe ndërkombëtar imazhit  jo vetëm të luftës por edhe të  shtetit  të së drejtës, atij ligjor dhe  demokratik  të Kosovës.

Ky mashtrim dhe ky  manipulim për interesa politike dhe përfitimi e korrupsioni me listat e veteranëve  ka goditur rëndë psikoligjikisht dhe moralisht luftëtarët, invalidët dhe veteranët e vërtetë të UÇK-së. Kjo  u ka  dhënë mundësinë që të spekulojnë ,të hipokrizojnë, të hajgaren  e të shpifin kundër vlerave të luftës ishshërbëtorët e regjimit serb,  nostalgjikët e komunizmo-titizmit, UDB-shëve  si dhe të shumë shqipfolësve egoistë, frikacakë e nihilistë  të cilët  urrejnë luftëtarët dhe luftën. 

Pra, a e kuptojnë mashtruesit  dhe manipulatorët e listave të veteranëve se çfarë dëmi kanë bërë edhe me veprën e heronjve dhe të dëshmorëve të Kosovës, kur atyre me këto mashtrime e falsifikime   kanë krijuar një “armatë” veteranësh  të rremë si “pasues “ të rrejshëm të veprës, amanetit dhe të veprës së  atyre të cilët  dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për Çlirimin e Kosovës.Prandaj duhet ngrituar nga parlamenti ose nga drejtësia një komision VETING-u për pastrimin e listave të Veteranëve të UÇK-së prej njollosjes me  veteranë  të rremë  dhe për ta çuar në vënd  vlerën  dhe dinjitetin e Luftës  më të lavdishme të shqiptarëve , atë  të UÇK-së  dhe të luftëtarëve të  saj.Është mirë që veteranët e pameritruar dhe të rrejshëm që të vetëlargohen dhe ta dorëzojnë certifikatën e  veteranit, në të kundërt ligji të veprojë e të ndëshkojë penalisht mashtruesit e gënjeshtarët si dhe ata të cilët kanë manipuluar dhe trafikuar me lëshimin e cetifikatës së veteranit. Prandaj i takon Parlamentit të Ri dhe Qeverisë së Re të ndërmarrë nismën për VETING edhe për listat e veteranëve.

Po kështu është vepruar edhe me dekoratat e larta shtetërore dhe presidenciale akorduar njerëzve të pamerituar por edhe të atyre me të kaluar të dyshimtë për veprimtari krimi dhe shërbimi ndaj regjimit serb, si dhe të atyre të afërmëve familjarë, të miqve dhe të atyre me lidhje partiako-politike për meritën siç mund të thuhet :”Të bërjes së asgjëje për Kosovën”.  Këto janë edhe arsyet që shumë personalitete meritore edhe  i kanë refuzuar dekoratat e mirënjohjet të cilat përdeisa janë akorduar sipas kësaj procedure tregon se ato u jipen individëve  të pamerituar prej personaliteteve  të larta shtetërore po të pamerituar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat