Marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut

Opinione

Marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Republikën e Maqedonisë së Veriut

Nga: Ma. Genc Mekaj Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 12:59
Ma. Genc Mekaj

Republika e Kosovës ka marrëdhënie të mira me Republikën e Maqedonisë se Veriut. Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira dhe reciproke, të cilat paraprihen nga interesa reciproke të dy-anëshme.

Sipas institutit Kipred në një raport të nxjerr thuhet se: Ndër katër vendet fqinje, Maqedonia ka marrëdhënie bilaterale shumë të mira me Kosovën, dhe kësisoj është e renditur si fqinji i dytë i Kosovës, dhe është në vendin e katërt në rajon, nga aspekti i cilësisë së marrëdhënieve bilaterale me Kosovën. Ngjashëm me marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Shqipërinë, marrëdhëniet shumë të mira me Maqedoninë përfitohen nga rezultati i tërësishëm që Maqedonia e ka në aspektet fundamentale të marrëdhënieve të veta bilaterale me Kosovën (KIPRED, 2014).

Në rrafshin politiko-diplomatik, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira reciproke të cilat paraprihen nga interesi i Shtetit të Kosovës pasi që Maqedonia e Veriut ka përbërje shqiptare duke qenë si faktorë ndikues, i cili direkt dhe indirekt dikton marrëdhëniet mes të dyja vendeve gjë e cila u dëshmua edhe përmes vijëzimit të kufirit mes të dyja vendeve në vitin 2009. Vijëzimi i kufirit mes dy vendeve përfundoi me sukses pasi që ishte kontesti i vetëm që shkaktonte stagnime. Pati trysni nga faktori shqiptar mbi zyrtarët shtetëror me qëllim të përshpejtimit të njohjes ndaj Republikës së Kosovës.

Maqedonia Shtetin e Pavarur të Kosovës e njohu 8 muaj pasi e shpalli pavarësinë, duke pas parasysh edhe presionin nga ana e Serbisë në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ish-Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq i kishte thënë Presidentit të atëhershëm të Maqedonisë, Branko Crvenkovskit që njohja e Kosovës do të thoshte “ndërhyrje në punët e brendshme [të Serbisë] dhe që kjo gjithsesi do t’i përkeqësonte marrëdhëniet [Në mes Serbisë dhe Maqedonisë] (Osservatorio balcani e caucaso transeuropa, 2008). Pasi që Maqedonia e njohu Kosovën, Serbia e dëboi Ambasadorin e Maqedonisë në Beograd si reagim për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Maqedonisë, por kjo gjë ishte avaz të cilin Serbia e përdorte zakonisht si presion ndaj shteteve që njihnin Kosovën. Për njohjen e Kosovës kishe ndikim dhe faktori i brendshëm shqiptar, 95% e shqiptarëve të Maqedonisë ishin në favor të asaj që Maqedonia ta njihte Kosovën (Zhidas Daskalovski dhe Dane Taleski, ETHzürich).

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike u bë në vitin 2009 dhe emërimi i ambasadorit të Maqedonisë në Prishtinë u bë pak më vonë në vitin 2010. Vendosja e marrëdhënive diplomatike me Prishtinën ishte në të mirë të dy vendeve, rajonit dhe në pajtushmëri me komunitetin ndërkombëtarë.

Kështu që Shteti i Maqedonisë dhe ai i Kosovës vazhdojnë të kenë raporte dhe marrëdhënie të mira. Në takimin në mes Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe homologut të tij nga Maqedonia, Nikolla Dimitrov në vitin 2018, takim i cili u cilësua si shembull i marrëdhënieve të mira mes të dyja vendeve si dhe shembull për rajonin ku theks të veqant takimi kishte; bashkëpunimin ekonomik mes të dyja vendeve, turizmin, bashkëpunimin doganor, aspektet e shëndetësisë , si dhe mundësitë e reja për zhvillimin e të dyja republikave me qëllim të forcimit të marrdhënieve mes të dyja vendeve. Ministri i Punëve të Jashtme Pacolli u deklarua: “Kosova, natyrshëm, i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë dhe vlerëson se ato janë në nivel mjaft të mirë. Konstatojmë se edhe Maqedonia natyrshëm i konsideron si mjaft të mira marrëdhëniet me ne dhe se dy palët kemi shprehur vullnet pozitiv për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ne kemi arritur të nënshkruajmë 21 Marrëveshje në mes dy vendeve. Kemi në proces 4 nisma të reja dhe disa Memorandume’’(Aktiv Press, 2018).

Katalizator i cili ndihmon në marrëdhëniet e mira në mes Kosovës dhe Maqedonisë është dhe numri i marrëveshjeve të cilat janë arritur mes të dyja vendeve gjë që ndikon në marrëdhëniet bilaterale. Natyra e këtyre marrëveshjeve është mjaft e shumëllojshme; marrëveshjet lidhur me bashkëpunimin ekonomik, si dhe ato për sigurinë dhe sundimin e ligjit, janë ato që në masën më të madhe e karakterizojnë natyrën e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Maqedonisë. Marrëveshjet në fushën e kulturës dhe të mjekësisë janë po ashtu të pranishme (KIPRED, 2014).

Në rrafshin ekonomik shteti i Kosovës dhe ai i Maqedonisë kanë të nënshkruara marrëveshje dhe kanë marrëdhënie të mira. Në vitin 2012 gjatë vizitës ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj në Maqedoni, deklaroj: “Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë”, Gjithashtu, Lidhur me marrëdhëniet ekonomike, Hoxhaj theksoi se; lehtësimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave sipas konceptit evropian do të nxisë edhe më shumë bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik (Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, 2012).

Në vitin 2016 Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Poposki gjate vizitës në Kosovë dhe nënshkrimit të marrëveshjes të posaçme për kalimin e kufirit, si dhe për hapjen e vendkalimit të ri kufitar Stançiç-Bellanoc, tha se “Maqedonia dhe Kosova gëzojnë marrëdhënie të hapura dhe të përzemërta tradicionale”. Zoti Poposki tha se pret që marrëveshjet e nënshkruara të shoqërohen me bashkëpunim edhe më intensiv në projekte të ndryshme në fushat e ekonomisë, arsimit, shkencës, sigurisë, infrastrukturës dhe kulturës dhe se do të punohet që të sigurohen fonde nga Bashkimi Evropian dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë financiar. Ministri i Jashtëm maqedonas Poposki nënvizoi se është në interes të Maqedonisë që të ketë Kosovën si një fqinj të qëndrueshëm dhe prosperues (RTSH, 2016)

Kështu në të gjitha takimet në mes krerëve të shtetit të Kosovës dhe të Maqedonisë janë bërë konsolidime të përbashkëta në lidhje me bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve dhe intensifikimin, thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve në fushën ekonomike si dhe në të gjitha fushat.

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë vazhdojnë të jenë të mira, duke u forcuar përmes bashkëpunimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të natyrave të ndryshme. Natyra e këtyre marrëveshjeve është mjaft e shumëllojshme; marrëveshjet lidhur me bashkëpunimin ekonomik, si dhe ato për sigurinë dhe sundimin e ligjit, janë ato që në masën më të madhe e karakterizojnë natyrën e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Maqedonisë. Marrëveshjet në fushën e kulturës dhe të mjekësisë janë po ashtu të pranishme. Së fundi, në mesin e vendeve fqinje, Maqedonia është investuesi i dytë më i madh në Kosovë, dhe është pas Shqipërisë, dhe është investuesi i pestë në mesin e vendeve të tjera të rajonit (KIPRED, 2014).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat