Me Vjosa Osmanin po vjen LDK e Ibrahim Rugovës

Opinione

Me Vjosa Osmanin po vjen LDK e Ibrahim Rugovës

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 19:25
Vjosa Osmani

Është meritë e Vjosa Osmanit dhe e mbështetësve të saj; e antarëve dhe simpatizanëve besnik të rugovizmit arësyeja që LDK arriti që të marrë atë rezultat në zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, si rezultati elektoral më i mirë pas Rugovës. Është meritë e madhe fakti edhe i kontributit të madh që pati Vjosa në arritjen e Kualicionit qeverisës LDK-LVV pa parë dhe pa marrë në kondsideratë interesin personal të saj, përkundër edhe përpjekjeve hipokrite, djallëzore e diversioniste të të dështuarve të ishpushtetit të PAN-it dhe të segmenteve e zgjatimeve të tyre brënda LDK-së si p.sh. edhe si rasti më i fundit  i atyre “kritikëve” të cilët kritikojnë Znj. Vjosa për zhvendosjen e fotografisë së Presidentit Thaci.  Nëse Vjosa do të kishte qenë kryetare e LDK-së me siguri që rezultati i LDK-së  në zgjedhjet e fundit do të kishte qenë akoma më i madh. Kjo për faktin se sot shikohet një rikthim i besimit të shqiptarëve te LDK, pasi me Vjosën ata konstatojnë një ringritje e ripërtëritje të vlerave të LDK-së  dhe ato të ishliderit historik të saj,Rugova.

LDK-ja, partia e parë shqiptare  antikomuniste  dhe demokratike; partia gjithshqiptare e Kosovës e cila i dha leksion edhe demokracisë shqiptare në ato vite të para të pluralizmit në Shqipëri.

LDK grumbulloi dhe unifikoi shqiptarët e Kosovës  politikisht, patriotikisht, demokratikisht dhe sidomos kombëtarisht si kurrë ndonjëherë më parë.

Ibrahim Rugova, ky strateg dhe lider unikal në historinë shqiptare  de fakto  formoi shtetin shqiptar të Kosovës, strukturoi  dhe ngriti shtetin paralel shqiptar, Republikën e Kosovës në kushtet e një reprezaljeje dhe terrori të paparë ku askush tjetër në atë kohë nuk pati kurajon dhe as guximin për t’iu kundërvënë regjimit kriminal serbo-sllav  të makinerisë barbare të Millosheviçit, kundër regjimit të atyre viteve, gjë e cila bëri të mundur  ndërkombëtarizimin  jo vetëm në Europë por edhe botërisht të ekzistencës së kombit shqiptar në trojet e veta  në ishJugosllavi, pra e ndërkombëtarizoi   problemin e pazgjidhur shqiptar në Ballkan, çështjen shqiptare.

Vizioni dhe përkushtimi i tij   e bëri problemin e Kosovës shqiptare agjendë ndërkombëtare që kërkonte  zgjidhje.

Rugova ka meritën se me politikën dhe vizionin e tij të urtësisë, diplomacisë dhe të politikës paqësore shmangu gjakderdhjen dhe kasaphanën e tmerrshme që mund ta kishte shkaktuar regjimi kriminal-genocidist serb mbi shqiptarët e Kosovës, pasi Kosova ishte e okupuar  dhe nuk kishte kapacitete ushtarake që të përballej me makinerinë militariste dhe ushtarake Jugosllave.

Në ato vite,  Shqipëria ishte shumë e dobët si shtet,  dhe Shqipëria e vetizoluar për 50 vite nuk ishte në gjëndje që ta ndihmonte Kosovën pasi regjimi komunist e la atë në gjëndje falimentimi shtetëror: politikisht, ushtarakisht e ekonomikisht.

Shqipëria vetë, në vitet 1990 e kishte problem mbijetesën sepse kërcënohej madje edhe nga uria po të mos kishin ndërhyrë urgjentisht BE-ja dhe Perendimi.

Në ato vite Shqipëria ishte problem i madh ndërvete dhe nuk mund të bënte asgjë për Kosovën siç dhe nuk ka bërë pothuajse asnjëherë ndonjë gjë serioze në mbrojtje të lirive dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, pasi politikës së Tiranës gjithmonë i ka interesuar vetëm interesi personal për pushtet, ashtu sikurse edhe sot Shqipëria është në gjëndje krize shtetërore dhe aspak në një linjë me politikën shqiptare të Kosovës, por me politikën e kryeministrit Rama për ndarjen e Kosovës dhe me atë të minishengenit neojugosllav politika e qeverisë së Tiranës po e dëmton rëndë Kosovën.

Edhe ne, shqiptarët e Kosovës që jetonim në Shqipëri e pritëm me mjaft entuziazëm, besim dhe shpresë të madhe formimin e LDK-së, të këtij akti patriotik dhe mjaft të guximshëm të themeluesve të LDK -së dhe të kryetarit të saj Ibrahim Rugova, me shpresën e madhe se do të fitonte Kosova dhe ne do të ktheheshim në atdheun tonë,në tokën tonë,  në Kosovën tonë.

Dhe një vit pas formimit të LDK-së në Kosovë  në një masë mjaft të konsiderueshme nën ndikimin dhe shëmbullin e saj  edhe në Shqipëri ra komunizmi dhe iu hap rruga heqjes së perdes së vetëizolimit të Shqipërisë, dhe u hap rruga e komunikimit e takimit  edhe mes vëllezërve  shqiptarë  të Shqipërisë e të Kosovës, gjë e cila  ishte një ëndërr deri atëhere.

Pra, LDK-ja dhe Rugova shkruajtën dhe bënë historinë në kohët më të vështira si aktorët dhe faktorët  politik, kombëtar dhe demokratik më të rëndësishëm , gjë  të cilën tashmë e kanë kuptuar dhe po e vlerësojnë edhe ata të cilët kanë qenë kudërshtarë të tij. 

Dhe prandaj edhe shkrimin e titullova se: “Me Vjosa Osmanin po vjen LDK e Rugovës”, misionin dhe vizionin e të cilit  e mishëron politikisht dhe patriotikisht sot më së miri kandidatja e merituar për kryeministre të Kosovës, dhe aktualisht Kryetare e Parlamentit të saj znj. Vjosa Osmani.

Sot, pas 20 vitesh lirie të Kosovës, politika në Kosovë dhe populli i Kosovës ka nevojë për vizionin dhe politikën e Rugovës, kjo sepse: korrupsioni, krimi, hajnija, mosperspektiva dhe pabesia e papërgjegjshmëria politike e elitës së sotme politike po e mban Kosovën peng dhe në një gjëndje permanente prapambetjeje demokratike, juridike, ekonomike e moszhvillimi  edhe social, pasi  nga dështimi i politikës dhe të shtetit ligjor e demokratik, nga varfëria e papunësia shqiptarët e Kosovës po e braktisin atdheun edhe sot ashtu si dikur të përndjekur nga regjimet serbo-sllave.

Po e braktis Kosovën rinia në kërkim të një jetë më të mirë, të lumtur e të mirëqënë; në kerkim të punësimit dhe të sigurisë ekonomike dhe të mirëarsimimit. Pra, edhe unë , edhe   ne, që kishim ëndërr kthimin në trojet e baballarëve tanë, kthimin në Kosovën e lirë e të pavarur jemi të zhgënjyer kur shohim se si po largohen edhe sot bashkëatdhetarët tanë nga Kosova për në Perendim për një jetë më të mirë e më të sigurtë.Por fitorja LDK-LVV na jep shpresë dhe besim se do të kthehemi e të jetojmë në Kosovë.

Në këto kushte shqiptarët tashmë të ndërgjegjsuar për gjëndjen aktuale si dhe për faktorët, aktorët dhe shkaktarët e saj si alternativën më të besueshme dhe më të mirë  zgjodhën dhe  votuan alternativën e Vjosa Osmanit, e cila me vizionin e saj po ripërtërinë edhe LDK-në e I. Rugovës, vizionin,përkushtimin, perspektivën e nevojën e domosdoshme që ka sot Kosova për ringritje; për zhvillim ekonomik, në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë; në  drejtësi, në ngritjen dhe funksionimin e shtetit ligjor; në betejën  antikrim, antikorrupsion dhe për integrimin e  brëndshëm demokratik dhe në atë euroatlantik. Prandaj me Vjosa Osmanin po vjen e po rikthehet LDK-ja e Ibrahim Rugovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat