E ardhmja dhe disa sfida të diplomacisë moderne

Opinione

E ardhmja dhe disa sfida të diplomacisë moderne

Nga: Burim Breznica Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 17:02
Burim Breznica

Në të kaluarën, diplomatët punonin në mënyrë të qetë, shpesh në mënyrë sekrete kur kryenin punët e tyre dhe deri sa të realizonin ndonjë marrëveshje të rëndësishme. Diplomatët atëherë flisnin dhe negocionin vetem me kolegët e tyre të vendeve ose organizatave tjera nderkombëtare, ata ndiheshin të sigurtë dhe të qetë në punën e tyre dhe nuk brengoseshin shumë për opinionin publik dhe medien.

Ish diplomati britanik H. Nicolson, në librin e tij Diplomacia (1939) shkruante se në kohët e diplomacisë së vjetër, nëse një diplomat do të kërkonte përkrahje publike për një cështje ndërkombëtare, do të ishte e pazakonshme dhe vullgare.

Në ditët e diplomacisë së sotme ajo qe Nikolson e quante vullgare është bërë pjesë integrale e diplomacisë moderne. Në diplomacinë moderne, do të ishte gabim i madh nëse do të injorohej opinioni publik dhe qarqet intelektuale si dhe shoqëria civile. Diplomacia e ditëve të sotme, pervec metodave tradicionale (psh. ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, konferencave ndërkombëtare, forumeve të ndryshme, kontakteve përmes telefonit apo bisedave sy më sy etj.)  bëhet edhe përmes internetit, përmes rrjeteve sociale sic janë Facebook dhe Twitter etj. Diplomacia kështu është hapur për publikun dhe mediet, së paku në vendet demokratike, dhe njerëzit kanë më shumë qasje se si zhvillohet diplomacia sot, në krahasim me të kaluarën.

Diplomacia e ardhme do të varet nga mediet dhe rrjetet sociale si kanale praktike të komunikimit dhe të shpejta të përhapjes së mesazheve adekuate, në kohën e duhur. Psh. rreth 500 milion mesazhe dërgohen përmes twitter cdo ditë, dhe rreth 300 orë video ngarkohen cdo minutë në youtube (Diplomacia, P. Seib, f. 4).

Disa statistika tjera interesante: në vitin 2015, bota kishte rreth 7.2 miliardë banorë. Nga këta: 3 miliardë njerëz ishin përdorues aktiv të internetit, 3.6 miliardë njerëz kishin telefon mobil, dhe 2.1 miliardë njerëz kishin hapur llogari të medies (rrjete) sociale dhe prej tyre1.7 miliardë njerëz i përdornin në telefonat e tyre mobil (e njejta referencë si më lart, f. 133).

Diplomacia publike përmes së ciles qeveritë e ndryshme negociojnë me qeveritë e vendeve të tjera por edhe duhet të japin mesazhe apo përgjigje për publikun, qoftë atë ndërkombëtar apo në një vend të caktuar varësisht se për cfarë behet fjalë. Diplomacia publike nuk është vetëm një gjë/punë që duhet bërë, ajo tashme është pjesë esenciale krijimit të raporteve dhe fuqisë shtetërore të një vendi.

Gjatë “pranverës arabe” të vitit 2011, psh. në Egjipt përhapeshin lajmet shumë më shpejt përmes rrjeteve sociale sesa përmes kanaleve diplomatike dhe kjo ishtë një situatë dhe sfidë e re për diplomatët atje. As agjencitë e inteligjencës nuk mund të përcillnin ato zhvillime të reja dhe të shpejta. Ky shembull tregon se si diplomacia është zëvendësuar nga rrjetet sociale në masë të madhe dhe njëkohsisht është një sinjal që diplomacia moderne duhet të iu përshtatet sfidave dhe zhvillimeve të tilla, në mënyrë që të kryej punën sa më mirë dhe të jetë në ngjarje me zhvillimet e reja.

Kina ka investuar psh. në diplomacinë e tyre publike, duke mbështetur programet e shumta satelitore në gjuhë të ndryshme, në qendrat e tyre kulturore dhe institutet Konfuci. Programet e tyre të ndihmës në Afrikë dhe në vende tjera. Diplomatët kinezë mbështeten më pak në medie sociale, me gjasë për arsye se ata dëshirojnë të kenë diplomacë të kontrolluar më shumë se sa spontane dhe efektive.

Diplomacia që vepron si një “klub i mbyllur” ende nuk ëshë tërësisht e tejkaluar, por një qasje e tillë shihet si joefektive dhe arkaike në diplomacinë moderne. Diplomacia e së ardhmes do të ndikohet dhe transformohet nga mediet, nga publiku dhe aktorët e rinj dhe manifestimet e fuqive politike, qoftë në rajone të caktuara, qoftë në nivelin global.

Diplomati i njohur amerikan, G. F. Kenan kishte deklaruar që :”funksioni klasik i diplomacisë është që të mundësoj komunikimin efikas mes qeverisë tënde dhe qeverive apo individëve tjerë jashtë vendi dhe të bësh atë me saktësi maksimale, me imgjinatë, me takt dhe me sens të mirë” (Diplomacia, P. Seib, f. 142).

Cdo shtet që dështon të marr seriozisht fuqinë transformuese të medies së re do të kufizoj shumë diplomacinë dhe efektivitetin e vet. Në mënyrë që diplomacia e një vendi të jetë sa më e suksesshme, ajo duhet të përdor, përvec tjerash, përdorimin e forumeve të shumta sociale për të informuar opinionin, duke përdorur psh rrjetet faebook, tëitter apo youtube dhe shpërndarjen e videove dhe materialeve objektive lidhur me një ngjarje apo aktivitet, për turizëm psh apo ndonjë ngjarje tjetër speciale. Diplomacia publike në të ardhmen e diplomacisë do të ketë rol qendror dhe diplomatët e vendeve të rëndësishme apo të tjerave që duan të ngrisin ndikimin e tyre, do të iu duhet të punojnë shumë më shumë përmes rrjeteve sociale për të informuar publikun dhe për të përcuar mesazhet e tyre.

Mësimet e mundshme për diplomacinë e Kosovës dhe të Shqipërisë

Mësimi kryesor nga vendet demokratike perëndimorë për diplomacitë e Kosovës dhe të Shqipërisë do të ishte që diplomatët e rinj duhet të zgjedhen në bazë të kritereve të shkollimit, të meritave dhe përvojave profesionale, njohjes së gjuhëve të huaja, institucioneve dhe kulturës së një vendi ku ata do të shërbejnë si dhe shkathtësive kompjuterike.  

Mësime tjera do të ishin që trajnimi i diplomatëve të sotëm dhe detyrat e tyre profesionale duhet të përfshijnë shkathtësitë për komunikim me media dhe duke i tejkaluar përgjigjet tradicionale diplomatike në stilin :” nuk kam koment” ose “ me lejoni të verifikoj të dhënat dhe të të përgjgjem pataj” etj. Koha e kërkon që një përgjigje diplomatike dhe profesionale të paraqes qëndrimet e shtetit lidhur me një cështje, të jepet shpejt dhe të jetë sa më bindëse. Diplomatët duhet të trajnohen në taktikat dhe komunikimin diplomatik që të japin përgjigje bindëse dhe të sakta publikut, duke mbrojtur vendin që përfaqësojne dhe interesat e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Shfrytëzimi i medies sociale kërkon një ridisenjim të strukturave diplomatike që duhet të përfshij përcaktimin dhe ndarjen e detyrave se kush duhet të jetë përgjegjës e kush zëdhënes për medie sociale në në ministrinë e jashtme, në një ambasadë apo konsullatë dhe si duhet të përgatitet sistemi, teknologjia, informacionet dhe si të mbrohen interesat e vendit më së miri.

Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Pikepamjet e autorit janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e institucionit ku ai është i punësuar (Departmenti për Marrëdhënie me Jashtë, Agjencia Tatimore, Stokholm, Suedi).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat