Presheva mes nënës dhe njerkës

Opinione

Presheva mes nënës dhe njerkës

Skender Berisha Nga Skender Berisha Më 16 shkurt 2020 Në ora: 11:28
Kosova Lindore

Lugina e Preshevës, kësaj nyje të pazgjidhur të trojeve etnike shqiptare, nuk po i del zot askush. Në asnjë konferencë, Lugina e Preshevës, nuk po gjen trajtim. Shqipëria ka çështjen integruese dhe problemet madhore të natyrës së fuqizimit të sundimit të ligjit, Presheva nuk trajtohet fare. Kosova ka çështjet e veta prioritare, proceset integruese, shtetndërtimin dhe marrëveshjen finale me Serbinë, ku Lugina e Preshevës nuk përmendet as si term gjeografik, ani pse shumica dërmuese e tërë energjive të Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve që jetojnë në Serbi, i kanë të koncentruara në Kosovë.

Politika lokale, është padrejtësisht e përçarë, është jo unike në prezantimin e çështjeve jetike për Luginën

Tërë kapaciteti intelektual, patriotik e njerëzor, shumica dërmuese e tij, në Luginën e Preshevës, është koncentruar në Kosovë, duke kontribuar nga Akademia e Shkencës dhe Arteve, nga Institutet, nga mjekësia, nga ekonomia, nga institucionet, duke i kontribuar fuqishëm sikur Luginës prej nga vijnë, me tërë kapacitetin moral, intelektual e patriotik. Kosova, sot, përballet me vendime të rënda, të pazgjidhura në lëmshin e konfliktit shqiptaro-serb. Konflikt, i cili filloi që nga Kryengritja e parë serbe, kur shqiptarët trajtoheshin dhe përndiqeshin si turq.

Ai konflikt, do të përshkallëzohet me krajlët serbë, nën miratimin e heshtur të Evropës, pas Kongresit të Berlinit, por gjithsesi i filluar më herët duke kryer krime dhe spastrim etnik, nga Nishi e Kraleva, nga Toplica e Sanxhaku. Tërë këtë energji mbrojtëse diplomatike, politike e morale, sot, Lugina e Preshevës e pret nga Shqipëria, nga Kosova por edhe diaspora e fuqishme e Luginës në ShBA dhe Evropë, duke e bërë çështjen e Luginës së Preshevës si çështje të pazgjidhur.

Çështje që pret të zgjidhet sa nuk është bërë vonë, sa ka ende shqiptarë në këto troje. Sot, shqiptarët në Luginë përndiqen, torturohen, ushtrohet dhunë e presion institucional, me degradim të jetës së tyre, duke i bërë qytetarë të përjashtuar nga detyrimet që çdo shtet normal i ka për shtetasit e vet. Perspektiva në jugun e Serbisë, në përgjithësi, ndërsa në Luginën e Preshevës në veçanti, është e rëndë, e zymtë. Kjo pjesë që banohet nga shqiptarët, nuk kanë as kushtet elementare për jetë. As punë, as shkollim, as mbrojtje shëndetësore, as planifikim që përmirëson jetën e qytetarëve në Luginë. Politika lokale, është padrejtësisht e përçarë, është jo unike në prezantimin e çështjeve jetike për Luginën. Është larg çdo standardi evropian.

Qytetarët e Luginës, janë më keq se në geto, por vetëm me një të drejtë, ata kanë të drejtë vetëm të shpërngulen. Qytetarëve të Luginës ju mohohen të gjitha të drejtat që bien ndesh me interesin serb. Shpopullimi, shpërngulja, largimi nga rrjeti elektrik, nga rrjeti i ujësjellësit, largimi nga libri amzë, largimi nga shtetësia dhe adresa e vendbanimit, largimi nga prona, largimi nga jeta institucionale dhe e drejta për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur.

Lugina, pret. Pret nga udhëheqësit e Shqipërisë, Kosovës por edhe të Maqedonisë së Veriut, liderët shqiptarë, të hartojnë program të qëndresës në Luginë, për shtetasit shqiptarë. Sepse, ka shumë rreziqe. Ikje, dëbim, shtypje, persekutim, për qytetarët e Luginës. Të jepen rekomandime për zgjedhjet, për jetën institucionale, për arsimin dhe të drejtat e tyre që tashmë cilësohen si tejet të zymta. Lugina, pret të ketë zë unik për çështjet ekzistenciale. Pret unifikim të faktorit politik shqiptar, përball hegjemonisë serbe që tashmë aplikohet kundër Luginës. Të përdoret reciprociteti në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Aq sa kanë të drejtë serbët në Kosovë, të kenë shqiptarët në Luginën e Preshevës, si minimum i mirëkuptimit, përball politikave kolonialiste të Serbisë kundër shqiptarëve për gati dy shekuj.

Lugina e Preshevës mund të jetojë e mbijetojë, vetëm për të kur kujdeset nëna, jo njerka. Erdhi koha që faktori shqiptar, qartë, me vendosmëri, në tryezat ndërkombëtare, ta thotë: Mjaft. Lugina është po aq me vlerë për kombin, si pjesët tjera të tokave shqiptare, të banuara e të trashëguara me shekuj e mijëvjeçar si shqiptar. Ashtu sikur deri dje, çdo gjë dha për çështjen kombëtare, bartësit e përgjegjësive të çështjes kombëtare jashtë Luginës, t’i kthehen dhe mbrojnë Luginën, si Shqipërinë, si Kosovën. Ndryshe, pas disa decenieve, as varre të shqiptarëve nuk do të gjejmë në Luginë. Në këtë rrugë, të gjithë kontribuuesit e çështjes së pazgjidhur të Luginës së Preshevës, i ndihmoftë Zoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat