Shuj, se ta lëshoj ushtrinë!

Opinione

Shuj, se ta lëshoj ushtrinë!

Nga: Kimete Berisha Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 12:25
Kimete Berisha

Deshta me mbrojtë Kollçakun, por nuk i paska plotësu kushtet, se s'ma paska pas bë as Like në Facebook (a s'paska pas lënë kujt pa ja bë Like, madje edhe faqes 'Bakllava dhe tespishte').

Nuk është burrni me mobilizu Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për një grua të penduar që e ka fshirë 'postimin' e saj të pamatur, por të shkruar pa qëllim të keq, por kjo le t'i lutet Zotit që nuk po i mobilizojnë kundër saj edhe 'rezervistat'.

Është mirë me fol pak, shumë pak, nëse nuk je i njohur për urtësi, pleqni apo 'kopili'.

Se, nuk mjafton shkolla me qenë i mençur as nuk ka nevojë me kry shkollë për me dasht dikë.

Albini nuk ka nevojë me dasht, me mbrojtë, m'u bë avokate e tij, ai ka nevojë për shembull për heshtjen tënde.

Pak kush shkruan e nuk gabon sepse shkrimi është arti më i zorshëm, m'i disiplinu mendimet dhe m'i shpreh ato të zjarrta por pa e 'djegur' askënd me flakën e tyre, e me bë dallimin midis fyerjes
dhe sharjes, e shumë e shumë nuanca tjera....larg është Dielli.

Rrallë gjen koment pa gabime morale dhe humane, sepse duke dashur ta refuzojnë të 'keqen', shkruesit bëhen vet të 'këqij'...:se shkrimi është i vetmi 'art' që mund t'ia shohësh sherrin.

Pse s'po i këqyrni do kontrata të ish qeverisë, ministrive e kryeministrisë, që i kanë me portale e gazeta, ku paguhen gazetat muaj për muaj marrin rrogë si me qenë shërbyese civile, po çohesh mirresh ti me tema 'të mëdha'.

Albini është duke e kaluar atë fazën kur të gjithë janë 'kundër tij', e kalon këtë fazë edhe pa ndihmën tënde, qetësohu, se atij tash i duhet ndihma e atyre që 'nuk e duan', ai duhet t'i bëjë për vete ata që 'e urrejnë', e jo juve që e 'ngulfatni' me dashni.

Hesht.

Se Vetëvendosja më nuk i mjafton Albinit. Tash Albini duhet të jetë 'i mirë' me të gjithë, e mirësinë nuk e tërheq me krahasime, me superlativa, me mohime e citate të gazetarëve serbë, por e tërheq me mirësi dhe me njerëzi.

Albini është 'i mirë' edhe pa e licencuar si të 'tillë' gazetari serb.

Pse po gëzohesh ti për një kompliment serbomadh!

Ju kam tregu, një herë e pata marrë një kompliment nga një zyrtare serbe e një ministrie të Kosovës, më ka pas thënë: 'bravo Kimeta, sa bukur po shkruan kundër Hashim Thaçit dhe Edi Ramës', dhe flaka më ka pas dal, prej inatit s'di sa kohë s'pata ardh në vete.

P.S. Megjithatë, jam e bindur se zemra nuk t'lë me gabu, po du me thënë dashnia nuk t'lë me gabu.

Gabimet i bëjmë veç ndaj atyre që nuk i duam.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat