Me gojëhapur mbeti Serbia: Çka thanë diplomatët e huaj për mençurinë e Kurtit?

Opinione

Me gojëhapur mbeti Serbia: Çka thanë diplomatët e huaj për mençurinë e Kurtit?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 16 shkurt 2020 Në ora: 14:20
Albin Kurti

Kryeministri ynë, Albin Kurti, po qëndron në Mynih të Gjermanisë duke përfaqësuar Kosovën para Bashkësisë Ndërkombëtare dhe më e rëndësishmja, para Serbisë.

“Para 20 vjetëve, Bashkësia Ndërkombëtare na ndihmoi neve që të çliroheshim nga Serbia. Tash është koha që Bashkësia Ndërkombëtare t’i ndihmojë Serbisë që të çlirohet nga Kosova,” tha ai dje, derisa të gjithë e këqyrnin gojëhapur nga mençuria e tij dhe nga kjo gjetje e jashtëzakonshme.

Sipas fjalëve të kryeministrit tonë, Serbia duhej të çlirohej nga obsesioni për Kosovën. Ta harronte Kosovën, që Kosova ishte pjesë e saj, të harronte mitet e moçme të së kaluarës, dhe të koncentrohej në të ardhmen. Kurti bëri një shah-mat me këtë veprim, sepse i tregoi Serbisë se sa e rëndësishme ishte Kosova për të. Kosova ishte ekuivalente me të ardhmen e saj. Me fjalë të tjera, ai iu tha që nëse donin të ardhme evropiane, të ardhme të bukur para vetes, duhej të hiqnin dorë nga Kosova, duhej të na njihnin shtetësinë dhe të ndërtonin fqinjësi të mirë me ne.

Zemra mal m’u bë mua, e zemra mal iu bë secilit  që ndër vite është ndjerë i neveritur nga propaganda agresive serbe. “Jeni duke punuar kundër vetes, o burra,” – iu tha me fjalë të tjera kryeministri ynë i dashur.

Por, zemra mal m’u bë edhe që po përfaqësoheshim nga një kryeministër si Kurti. Me siguri edhe diplomatët e huaj do të thonë vetmevete, po ku ditën qytetarët e Kosovës që ta zgjidhnin një politikan të tillë për t’i përfaqësuar. Merreni me mend, nga njerëz që na përfaqësonin me duar në xhepa, me njerëz që asnjë letër para vetes s’e kishin, nga njerëz që as shkrim lexim nuk dinin, e që belbëzonin në fjalmet që i mbanin, ne kërcyem përnjëherë në një kryeministër që të linte gojëhapur me ato që i thoshte.

Po çfarë evolucioni bre? S’ka evolucion këtu. Ka një kërcim direkt nga një periudhë mesjetare, e drejt e në periudhën bashkëkohore. Nga përfaqësues politikë mesjetarë, të padijshëm e të kompleksuar, në politikanë që kompleksonin të tjerët me dijet e tyre. Një mrekulli politike e diplomatike kjo. Një mrekulli që popullit të Kosovës i duhej dëshpërimisht.

Nuk është larg dita kur ne do të jemi anëtar të OKB-së, kur do të jemi pjesë edhe e BE-së. Do të kalojmë nga qortimet që na jepnin për korrupsion e krim të organizuar në lavdërime për përfaqësuesit tanë, për progresin tonë, për zhvillimin ekonomik, për zbutjen e papunësisë. Po, ne kemi të drejtë të ëndrrojmë sepse këto ditë të arta për mua, për ty e për secilin prej nesh po vijnë. Po vijnë shpejt sepse në krye e kemi një zot shtëpie që nuk ka të kaluar kriminale prapa vetes, që nuk belbëzon e kompleksohet nëpër takime, që e lufton korrupsionin dhe që e zhvillon ekonominë.

Ia dolëm. Këto janë ditë të arta për Kosovën dhe ditë të zeza për Serbinë. Kosova është vend i çliruar tashmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat