Kosovë, e gëzofsh pavarësinë! - Bota Sot
Kosovë, e gëzofsh pavarësinë!

Opinione

Kosovë, e gëzofsh pavarësinë!

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 07:12
Kadri Tarelli

Pavarësi! Fjalë e magjishme, hyjnore dhe ngazëlluese për çdo popull e komb, që kërkon të jetojë i lirë dhe i pavarur. Pavarësi! Më e madhja ditë për shqiptarët e Kosovës, që kanë mbi një shekull që e ëndërruan, e kërkuan, luftuan, e merituan dhe më së fundi, më 17, të Shkurtit, 2008, e fituan. Ditë e lumtur, e bekuar edhe për të gjithë arbnorët kudo që janë e jetojnë. Më së fundi arritën të shikojnë, të prekin, të ndjejnë me gjithë fuqitë e shpirtit, se u zgjidh një pjesë e padrejtësive, që u bënë ndaj kombit tonë, në atë fillim të shekullit të XX-të. Dita e 17 Shkurtit, grisi historinë e përgjakur njëshekullore të Kosovës nën Serbi, duke i hapur udhë lirisë, mëvetësis dhe përparimit.

Sa e madhe është kjo ditë? - E dinë mirë ata, që vunë jetën në rrënjët e lirisë, dhe sot prehen të qetë, sepse u bënë të pavdekshëm në kujtesën e kombit, pasi amaneti u kye. E dimë mirë ne të gjithë që jetuam, ndihmuam, prekëm dhe po këndojmë lavdinë. Do ta dinë po kaq mire, edhe brezat që do të vinë, pasi do ta mësojnë historinë, nga unë, nga ti, nga të gjithë ne, nga ninullat që u këndohen fëmijëve në agimin e jetës, në djep, apo në biseda burrash nëpër oda rreth vatrës. Ca më mirë do ta mësojnë nxënësit nëpër shkolla, nga mësuesit tanë të urtë e gojëmjaltë.

Me madhështi u festua kjo ditë e shënuar në Prishtinë, Shkup e Tetovë, Tiranë, Vlorë, Korçë e Durrës, me një fjalë në të gjithë trojet ku banojnë shqiptarë. Bukur! Shumë bukur! Po kaq madhërishëm, u festua edhe në shkollën 9-vjeçare “Rilindja” në Sallmone, fshat i vogël pranë Shijakut në rrethin e Durrësit. Ka një të vërtetë në këtë mes, secili sipas 342 aftësive dhe forcave që ka, mundëson atë që ndjen në shpirt e në zemër. E gjithë shkolla ishte zbukuruar për këtë ditë të shenjt. Plot flamuj kombëtar rrethonin mjedisin dhe oborrin e shkolls. Po fëmijët!? – Edhe më bukur. Të bukur nga raca, të qeshur nga mosha, të gëzuar nga festa, veshur e ngjeshur si asnjë herë tjetër.

Krenar dhe i emocionuar përshëndeti të gjithë pjesmarrësit, drejtori i shkollës z. Idriz Dyrmishi. Nuk ka faj. Është i zoti i shtëpisë dhe kërkon të nderohet “Dasma e madhe”, të nderohen miqt e të ftuarit e shumtë, të kënaqen të gjithë, mësues, prindër dhe nxënës. Të ndjeshëm edhe mësuesit, që kujdeseshin që gjithçka të shkonte mirë e bukur. E siç ndodh në raste të tilla, më të shpenguar ishin fëmijët, të cilët recituan, kënduan e vallzuan plot hare, plot gaz e shpirt të tejmbushur me liri e dritë. Është festa e tyre, festa e tërë kombit. Janë ata që thurrin ëndrra, ndezin diellin, hënën dhe yjet, falin mirënjohje, shpalosin vlera njerëzore e atdhetare.

Është rast i rrallë, për këtë shkollë e për këtë fshat, që të presë kaq shumë miq e të ftuar. Do të kujtohet gjatë kjo festë. Me duartrokitje u përcoll përshëndetja që bëri z. Osman Metalla, deputet i Shijakut, në Kuvendin e Shqipërisë. Ai përgëzoi kolektivin e shkollës për organizimin e kësaj feste, uroi nxënësit për arritje e suksese në mësime, për t’u bërë qytetarë të zot në shrbim të vendit dhe kombit, përshëndeti prindërit dhe të gjithë të pranishmit në këtë ngjarje kaq të bukur. Me duartrokitje u prit fjala e z. Vaso Papaj, drejtor i DAR-it, Durrës, i cili shprehu kënaqësinë, se edhe një shkollë e vogël, realizon veprimtari kaq të bukura e njëherazi të dobishme në edukimin e brezit të ri me virtute e ndjenja kombtarie. Në këtë gëzim feste, uroi edhe kryetari komunës z. Agim Hoxha, i cili premtoi se do t’u qëndrojë më pranë shkollave dhe mësuesve, në zgjidhjen e problemeve e halleve që ata kanë.

Për të nderuar këtë festë, e përsëris të rrallë, kishin ardhur drejtorë shkollash, mësues dhe nxënës, përfaqsues 342 të shkollave të Durrësit, përmendim, Murat Dashi, drejtor dhe Merita Thartori nëndrejtore për shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori”, Kadri Tarelli drejtor për shkollën 9-vjeçare dhe të Mesmen e Përgjithshme jopublike “Kasa”, bashkë me ta edhe Bajram Gashi, drejtor i shkollës së Shënavlashit, Mehmet Berisha, drejtor i shkollës “Tre vëllezrit Haradinaj” në Rrashbull, më tej Safet Bajari, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Stacioni zooteknik” Xhafzotaj, Jak Lala, drejtor i shkollës 9-vjeçare Zhafzotaj fshat (Katër rrugët e Shijakut), etj. Përshëndetjet, këngët, recitimet vallet ia shtuan lezetin festës. Është vërtet bukur kur gëzojmë së bashku. Secili solli një copëz të veçantë gëzimi, jete, vlere dhe krenarie të merituar.

Para mikrofonit doli Nuredin Maloku, shqiptar kosove nga Istogu, i cil ka 17 vjet që banon këtu në Sallmone, me të tre çunat e tij, të cilët mësojnë në këtë shkollë. Ai mezi po priste, që të përshëndeste festën dhe të falënderonte organizatorët dhe pjesmarrësit: “Ju uroj të gjithëve për këtë nder që po i bani Kosovës! Gëzimin që kam në shpirt, dua ta ndaj sot me ju të gjithë”. Sa bukur! Gëzimi mes miqve rritet e shumfishohet.

Mbyllja e festës ishte fantastike. Një voglushe, Klea Kotaj, nxënëse e shkollës, e bukur si zanë përrallash, veshur me kostum kombëtar, me një shportë në dorë, u shpërndau të gjithë pjesmarrësve çokollata e ëmbëlsira, duke uruar:

“E bukur Kosova. E ëmbël pavarësia e saj!”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat