Hashim, ik n’shpi, boll më…

Opinione

Hashim, ik n’shpi, boll më…

Nga Më 17 shkurt 2020 Në ora: 17:08
Hashim Thaçi

SHBA-të, si shteti ndër më demokratik në botë, iu jep hapësirë njerëzve që, të merren me politikë, respektivisht pozita shtetërore, jo më shumë se 8 vite.

Pra, prej njerëzve që ne kërkojmë ndihmë, në poste shtetërore, rrinë 8 vite maksimumi. Jo më shumë.

Hashimi Thaçi ynë pothuajse 20 vite është në skenë. Kjo është e tepërt. E tepërt është tek ne, se në shoqëritë e emancipuara, kjo do t’ishte skandaloze.

Shteti ynë – ky që është – me të mirat e qe besa të këqijat që mbërrijnë deri në infinit, po feston 12 vjetorin e shtetësisë.

Para 12 vitesh, ne u bëmë shtet.

Pavarësia e Kosovës i lumturoi të gjithë shqiptarët, në Kosovë e kudo.. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe pas realizimit të ëndrrës shumë shekullore. Në të njëjtën masë u pikëlluan serbët (apo një pjesë e tyre?) dhe disa qarqe që mbështesin idetë shoviniste.

Pavarësia ishte kurorëzimi i përpjekjeve. Ishte vullneti i të cilëve nuk mund të shpërfillej, sidomos pas periudhës nën sundimin mizor serb. Vrasjet, torturat, përdhunimet, mohimi i të drejtave elementare, pastrimi etnik, etj.

Ajo që e bën më ndryshe 12 vjetorin e pavarësisë, është fakti që në pozitat kyçe të shtetit, nuk janë njerëz që vijnë apo dolën nga UÇK-ja, keqpërdorën emrin sublim të saj dhe u bënë sinonim i të keqes. Këtë fakt, nuk po e përbinë lehtë Hashim Thaçi.

Nuk ka Hashim – Jakup, Hashim – Kadri, Kadri – Ramush, Ramush – Hashim.

Sot kemi Vjosë – Albin. Kaq.

Por sidoqoftë, përtej kësaj, ky 17 shkurt, na gjen më të dërrmuar. Na gjen më një ekonomi për toke.

Në këtë 12 vjetor, në Kosovë, ka më shumë varfëri, më shumë papunësi, më shumë pamundësi e më shumë gjithçka të keqe.

Nuk funksionojmë si shtet.

17 shkurti është vjedhur. Shteti është vjedhur.  Shteti kërkon haraç.  Shteti jonë nuk na do.

Prandaj edhe ikim. Ose kemi dëshirë të ikim prej tij. Sepse është  jofunksional. Sepse ekzistojmë veç në qiellin e kaltër, si projekte të brishta, që të korruptuarit i bënë për vete.

Jo për shkak të ndonjë inati personal dhe për inati të asnjë lloji personal e ndër personal, por duhet thënë që, më meritori ndër më meritorët për këtë gjendje të mbrapshtë, është Hashim Thaçi.

Ai, që sot, në ceremoninë shtetërore në Kuvend, nuk ishte prezent.

Thaçi, shquhet për manipulime e për dredhi. Ai jep 1001 arsye pse s’ishte dhe pse s’mund e s’duhej apo duhej të ishte.

Jo, jo. Krejt përralla.

Hashim Thaçi, s’ishte sepse thjesht, nuk e do, nuk e duron Albin Kurtin, kaq.

Në të tilla raste, duhet thënë hapur: Hashim, ik n’shpi o burrë, ik se boll më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat