Nuk është fitore e krenari me lyp ndihma e kredi

Opinione

Nuk është fitore e krenari me lyp ndihma e kredi

Nga: Skënder S. Kapiti Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 09:04
Skënder S. Kapiti

Do të ishte imazh dhe krenari e madhe kombëtare nëqoftëse Shqipëria do të ishte në gjëndje për të realizuar dhe eliminuar vetë  pasojat e dëmet e tërmetit, dhe jo të dalësh e të kërkosh ndihma e kredi nëpër botë. Është fatkeqësi për një shtet që të mos ketë 1 miliard euro për pasojat e dëmet e tërmetit.

Ta shkatërrosh ekonominë, ta fusësh shtetin  në krizë gjithinstuticionale, ta detyrosh rininë dhe t’i dertyrosh shqiptarët që të marrin rrugët e azilit dhe eksodit nga korrupsioni e grabitja e pasurisë dhe parasë publike, nga pasiguria juridike,ekonomike dhe nga varfëria e papunësia, dhe ta shesësh si fitore e mburrje ndihmën dhe kreditë që  u  jep bota popullit shqiptar për fatkeqësitë dhe dëmet e shkaktuara nga tërmeti kjo nuk shkon dhe as nuk të shfajëson për “tërmetet” që i kanë ardhur shqiptarëve nga keqpushteti dhe keqqeverisja e Ramës dhe Rilindjes , dhe që prej tyre edhe nuk hapen bisedimet për antarësimin e Shqipërisë në BE. Bota po të ishte për Ramën e Rilindjen nuk do jipte këtë ndihmë dhe këto kredi, por ato i dha për solidaritet dhe për Shqipërinë e shqiptarët. Politika e qeverisja ka mëkatin e madh se prej tyre Shqipëria, zhvillimi, mirëqënia, progresi dhe antarësimi në BE mbahet peng, dhe prej tyre e pësojnë shqiptarët prej 30 vitesh.

“Në vitin 2013, kur e mori pushtetin qeveria socialiste, Shqipëria kishte 5.9 miliardë euro borxh të trashëguar nga qeveria e koalicionit PD-LSI.Në 2020 do të ketë 13 miliardë. 2.2-fishin. 7.1 miliardë Euro më shumë. Po të shtohen edhe 885 milionat e marrëveshjes së fundit, do të kemi shifrën prej 7.886 miliardë euro më shumë”. https://telegraf.al/politike/skandali-me-borxhin-ps-e-mori-me-5-9-miliard-euro-sot-arrin-ne-14-miliard-euro/

Kjo është gropa e zezë ku e ka zhytur Rilindja në borxhe Shqipërinë , dhe që nuk dihet se ku ka shkuar ky borxh, pasi nuk ka as zhvillim, as rritje ekonomike, as investime, as rrugë, madje nuk pati as lekë për të dëmtuarit nga tërmeti por doli duke lypur nepër botë . Dhe të qorrollepsurit militantë e sejmenë të rilindjes  dhe intelemktualë, opinionistë e gazetarë sahanlëpirës na e shpallin hero Edi Ramën pse lyp ndihma e borxhe nëpër botë, kur per borxhet që  merren  populli me taksat e tij do t’i shlyeje ato. Për një shtet shumë të varfër e të vogël sic është Shqipëria, ky është një borxh që e paska falimentuar shtetin , dhe ky borxh vetëm sa do të rritet pasi do t’i duhet shtetit shqiptar që gjithmonë të lypi e të kërkojë borxhe të tjera shtesë për të larë e shlyer borxhet e vjetra.

Është bërë zhurmë dhe po i bëhet jehonë të madhe ndihmave dhe kredive që iu akordua Shqipërisë nga Konferenca e donatorëve 1.15 miliard euro për pasojat e tërmetit, ku peshën më të madhe të donacioneve e kredive e dhuruan shtetet muslimanëe dhe Banka Islamike, ku nga 100 donatorët e Konferences  vetëm Turqia, Katari dhe Emiratet i dhuruan falas Shqipërisë 41% të dhuratës totale të 100 shteteve të Konferencës së Donatorëve për pasojat e tërmetit në Shqipëri, tre shtetet muslimane të mësipërme dhanë falas 121 milion euro , ndërsa Franca dhuroi 1 milion, Italia dhuroi 5 milon dhe të tjerat nga 60 milion  që dha Franca e Italia ishin kredi, pra borxhe që duhet të shlyhen bashkë me kamatë. Totali i borxheve që dha Konferenca e 100 donatorëve ishte 885 milion euro. Por duhet thënë se borxhet gjithmonë janë   barrë e madhe për shtetin shqiptar. Kjo nuk duhet konsideruar si fitore e qeverisë së Rilindjes dhe as si fitore personale e Edi Ramës sic bëjnë disa gazetarë e opinionistë nëpër mediat servile e mercenare . Të kërkosh ndihma dhe kredi nuk është krenari, por do të kishte qenë mirë që Shqipëria t’i kishte pasur vetë këto euro dhe mos të kishte dalë kryeministri me strajcë për të lypur.

P. sh. Japonia u godit tmerrësisht nga cunami, e po kështu edhe Turqia me pasojat e stermëdha të termetit të para 20 viteve u godit përsëri tani së fundi nga një tjetër tjetër i fuqishëm, dhe SHBA e Britania goditen nga ciklonet e tornadot, por pasojat shkatërrimtare apokaliptike e tyre i eliminojnë  dhe rindërtimin e bëjnë vetë shtetet e tyre, pa kërkuar nga të tjerët as ndihma dhe as donacione.

Do të thotë dikush se ne nuk jemi shtete të forta si ato.

Por pikërisht kjo është edhe përgjigjja më e mirë për titullin e këtij shkrimi,. Pasi pyesim se: kush është shkaku dhe cilët janë autorët pse Shqipëria nuk është shtet i fortë dhe nuk është në gjëndje që t’i ketë  vetë as 1 miliard euro për të rindërtuar vëndin. Përgjigja është se  shkaktarët janë: politika dhe politikanët hajdutë, të korruptuar ,të papërgjegjhëm që pengojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Pra që Shqipëria është në një gjëndje të tillë financiare që jo vetëm se nuk ka 1 miliard euro për të riparuar dëmet e tërmetit, por shteti dhe qeveritë shqiptare duke përfshirë kështu edhe qeverinë aktuale gjithmonë kërkojnë nga ndërkombëtarët ndihma e donacione për të larë e shlyer borxhet e mëparshm, për rrogat e administratës dhe për të mbushur arkën e shtetit të cilën e ka boshatisur gropa e korrupsionit. Pra, ata të cilët krenohen se siguruan ndihma e donacione dhe huara e kredi janë pikërisht qeveritarët dhe kryeministri që bëjnë batërdinë me paranë publike dhe që e kanë cuar shtetin buzë falimentimit. Ndihmat  dhe kreditë donatorët i japin për Shqipërinë dhe shqiptarët, por si  borxhe do t’i kthejnë e do t’i paguajnë  po shqiptarët dhe jo qeveritarët dhe as kryeministri. Bota e ka ndihmuar Shqipërinë edhe në kohën e rënies së komunizmit, në ato vite të rënda kur pa ndihmën e Europës dhe perendimit Shqiptarët do vuanin urie; Perendimi dhe Europa e ka ndihmuar Shqipërinë edhe pas ngjarjeve katastrofike të vitit 1997 ku shteti u rrënua tërësisht, dhe kjo tani është ndihma e tretë e madhe për pasojat e tërmetit. Shqiptarët u janë mirënjohes botës për ndihmat e kreditë e tyre në kohë të vështira , por shqetësimi për shqiptarët është se mos do të vidhen dhe mos do të abuzohet me paratë e ndihmave dhe të borxheve ashtu sikurse shpërdorohet, përvetësohet dhe abuzohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, me paranë publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat