Genc Cakaj, erdhi sot në Kosovë, jo si ministër, por si port-paroll personal i Edi Ramës..!?

Opinione

Genc Cakaj, erdhi sot në Kosovë, jo si ministër, por si port-paroll personal i Edi Ramës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 19:23
Rexhep Elezaj

Vizita e kosovarit Genc Cakaj, i katapultuar në postin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nga ana e kryeministri Edi Rama, siç dihet me preferencë të Baton Haxhiut, është pa dyshim, një emërim dubioz dhe artificial politik që nuk ka ndodhur në historinë shqiptare, që nga koha e qeverisë së Ismajl Qemalit (4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914) e deri më sot, që një kosovarë të ketë pasur një post kaq të lartë në qeverinë e Shqipërisë londineze!

Ky hap “vëllazëror” i kryeministrit Rama, që në qeverinë e tij të emëron njerëz nga Kosova, siç bëri me emërimin në postin e ministres për Arsim, Rini dhe Sporte, të Besa Shahinit dhe Genc Cakaj, ministër në detyrë për punë të jashtme, do kishte qenë një vepër madhore për afrimin e dy pjesëve të ndara të një kombi, posikur ky vetë, pra Edi Rama, të mos kishte bërë veprime në dëm të Kosovës, dhe atë qëkur ka ardhur në krye të qeverisë së Shqipërisë e deri më sot. Mbase, për t’i numëruar sjelljet e tij anti-kosovare, qëndrimet dhe vendimet absurde ndaj Kosovës dhe kosovarëve, na duhet shumë kohë, siç janë barrierat, pengesat dhe sanksionet e ndryshme në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe atij tregtarë me Kosovën, pastaj vënia e taksës prej 5 eurove në hyrje të rrugës së “Kombit” tek tuneli i Kalimashit ku mbi 60%  e udhëtarëve janë nga Kosova, pastaj mos funksionalizimi i doganave të përbashkëta në portin e Durrësit, mos dhënia në shfrytëzim të portit të Shingjinit, i dhënë dhuratë Kosovës nga ana e qeverisë “Berisha” para shumë viteve, etj. etj., i bënë këto dy emërime jo vetëm simbolike, thjesht për nevoja të tij politike, por edhe aspak në funksion të heqjes së kufirit midis dy shteteve tona, siç proklamoi sot në Prishtinë, port-parolli i tij, Cakaj, se “kufijtë midis nesh duhet të hiqen”..!?

Pastaj, duhet cekur medoemos involvimin e kryeministrit E. Rama në projektin serbomadh për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, siç njihet “këmbim i territoreve”, duke ia dhënë asaj veriun e Kosovës për t’ia bashkëngjitur Preshevën me disa fshatra Kosovës, në proporcion diku 3/1 në favor të Serbisë. Po ashtu, duhet cekur edhe sjelljen e tij arrogante si dhe padinë që e ka ngritur kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, duke futur kështu pyka dhe përçarje institucionale midis dy qeverive dhe vendeve tona, deri tek miqësia e tij e pashembullt me armikun më të madh të Kosovës dhe shqiptarëve, kriminelin Aleksandar Vuçiç, për t’iu bërë edhe argat i fuqishëm në realizimi e planit antishqiptar të Serbisë me lidhjen e aleancës së vjetër sllavo-ruso-serbe në Ballkan përmes njëfarë projekti ogurzi i ashtuquajtur “Mini-shengen”, në esencë projekt për formimin e Jugosllavisë së katërt, që të gjitha këto veprime E. Rama i ka bërë në dëm të pavarësisë dhe shtetit sovran të Kosovës!

Këtij orkestrimi të kryeministrit shqiptar, Edi Ramës, duhet shtuar dhe cekur vizitën vëllazërore, të parën jashtë shtetit, që Shqipërisë ia bëri kryeministri i ri i Kosovës, z. Albin Kurti, si një akt kombëtar dhe sinjal i qartë politik për fqinjët tanë, se kryeqendra e kombit shqiptar është Tirana, e jo Beogradi. Vizitë të cilën E. Rama duhej t’ia kthente personalisht kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, e jo ta dërgonte sot në Prishtinë nuncin e tij prej Lulit vocërr, G. Cakaj, i cili në Prishtinë kishte ardhur në rolin e port-parollit dhe jo të ministrit të tij, duke iu drejtuar udhëheqësve shtetërorë kosovarë vetëm disa falënderime kurtoazije, në vend se sot si kryeministër i shtetit amë t’i drejtohej deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalim vëllazëror, duke i numëruar para tyre sukseset e mëdha të arritura midis dy shteteve shqiptare në Ballkan..!?                 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat