20 Shkurti dhe loja e ish-komunistëve!

Opinione

20 Shkurti dhe loja e ish-komunistëve!

Nga: Qamil Gjyrezi Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 09:04
Qamil Gjyrezi

20 Shkurt 1991 u hoq busti i ish-diktatorit Ener Hoxha. Kjo ishte një ngjarje e madhe reale dhe simbolike për të gjithë shqiptarët të burgosur në kampe dhe internime dhe atyre që jetonin jashtë “telave me gjëmba” në burgun e madh shqiptar.

Po a u rrëzua a u zhduk enverizmi nga shpirti i atyre që e predikuan dhe e ushtruan në Shqipëri për 50 vite?! Në ditët e para të demokracisë kam dëgjuar njerëz të “mencur” që e kishin përjetuar fizikisht dhe shpirtërisht se komunizmit i duhen 50 vite për tu larguar nga mendjet e njerëzve në Shqipëri . Më duket se paskan patur të drejtë dhe e kanë parashikuar qw sistemet mund të ndryshojnë politikisht, por mendja dhe strukturat e fshehura të enverizmit nuk kanë ndryshuar,  akoma ekzistojnë. Enverizmi vetëm ka ndryshuar metoda dhe strategji nëpërmjet mënyrave të tjera, pasurimit, narkotarfikut etj, etj.

Edhe neve që kemi qënë dhe jemi kundër kësaj ideologjie, nganjëherë mund kemi gabuar duke vlerësuar disa zhvillime të ish-diktaturës që nuk kanë patur asnjë vlerë  politike dhe njerëzore.

Njerëzit e zakonshëm bien shpesh në lojën  këtyre ideologjive si pasojë e kapitalizmit dhe kujtojnë disa “arritje boshe” të diktaturës në planin ekonomik dhe shoqëror. Kësaj shtrese edhe i falet! Por kur e mbrojnë këtë ideologji të shpifur të diturit, ndihe keq dhe të bën pak pesimist se si  mund të kujtohet një diktaturë që shkatërroi me mijëra dhe miliona jetë njerëzore.

Enver Hoxha e shiti ceshtjen e Kosovës dhe Shqipërisë tek Titoja dhe ish-komunistët jugosllavë. Është e pafalshme që edhe në Kosovë pat gjetur terren kjo ideologji, dhe njerëzit atje mendonin se Enveri mbronte interesat kombëtare. Ky ishte vetëm një “iluzion i gabuar” që e vertetoi historia e Shqipërisë dhe Kosovës.

Edhe sot Rilindasit, të kryesuar nga Edi Rama me ish-nipërit dhe mbesat e ish-byrosë politike mbas 80 vitesh, deshën ta shisnin Kosovën tek Beogradi dhe të ndryshonin kufijtë për interesant e tyre klienteliste dhe materiale

Përsëri sot mbas 30 vitesh në Shqipëri mbështetësit dhe ideologët e Enver Hoxhës përpiqen të manipulojnë opinionin, se gjoja rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha ishte skenar i “mirëmenduar” i Ramiz Alisë, që bashkëpunoi me P.D.-ne, duke liruar në fshehtësi bulonat .

Ose idenë se Enveri në 1978 nxiste luftën mes Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut  dhe po pregatiste fronin e Ramiz Alisë.

Në realitet këta “ngjarje” mund të jenë të vërteta, por Shqipëria nuk mund të priste politikë më të mirë nga një grup ish-kriminelësh që projektonin dhe ideonin vetëm për këto skenare në kurriz të Shqipërisë dhe Kosovës.

Sot mbas gadi 30 vitesh në Shqipëri drejtojnë ish-enveristët me liderin e tyre Edi Rama. Në Kosovë sot qeveris fatmirësisht ka një klasë politike që nuk ka të bëjë me ish-enverizmin dhe ish-titizmin.

Por struktura të caktuara në Shqipëri dhe Kosovë përpiqen të punojnë me forma të ndryshme për keto ideologji, që i ka bërë dëm të dy shteteve.

Në këtë 30 vjetor të rrëzimit të bustit të ish-diktatorit  Enver Hoxha duhet të i’u tregohet e vërteta kryesisht të rinjve për dëmet që  ka sjellë  Enveri të gjithëve. Me të vërtetë busti është rrëzuar, por pjedestali është akoma dhe duhet të shkatërrohet, kryesisht në mendjet e të rinjve.

Nëse duam që shekulli i XXI-të të jetë shekulli i shqiptarëve dhe enverizmi të largohet nga Shqipëria dhe Kosova, më shpejt së e kanë parashikuar, duhet që në këtë 10 vjecar Shqipëria dhe Kosova të jenë të integruara në BE dhe të zhvilluara ekonomikisht dhe kulturalisht dhe të jenë bashkë ashtu sic i ka krijuar Zoti dhe Natyra.

Jam optimist, por duhet shumë punë dhe të jemi të matur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat