A do të tolerojnë shqiptarët që Rama ta vëjë kurorën e diktatorit

Opinione

A do të tolerojnë shqiptarët që Rama ta vëjë kurorën e diktatorit

Nga: Sherif Ramabaja Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 12:46
Sherif Ramabaja

Gjatë historisë së tyre, shqiptarët janë të njohur për luftat sistematike për të mbrojtur veten dhe territoret e tyre. Mbrojtja e tyre edhe pse ishte e organizuar dhe sinkronizuar, më tepër gjasonte të ishte sporadike se sa  reagim kombëtar për t´u mbrojtur. Ata shtriheshin në një territor të gjërë, prandaj edhe organizimi për të reaguar si etnitet kompakt, në kushtet e tilla kohore  ka qenë i vështirë. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse i kemi humbur territoret e shumta.

I vetmi prijës që i kishte mobilizuar shqiptarët për të reaguar fuqishëm dhe si  trup i vetëm ishte, Gjergj Kastrioti. Gjatë historisë më të re po ashtu është e njohur që shqiptarët kishin disa opcione për të përfituar, po ata janë edhe vetë fajtorë sepse manipuloheshin lehtë, ose merrnin drejtim të gabuar të historisë. Kjo u vërejt gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ne lehtë lejuam që serbët të manipulonin me ne, duke na premtuar se pas përfundimit të luftës, Kosova do të vendosë vetë për të ardhmen e saj. Kështu ne pa dashur ramë viktimë e premtimeve dhe u kyqëm në bllokun e lindjes, që për ne ishte baras me vetëvrasje.

 Sot kur ne me sakrifica dhe gjak arritëm që t´i kemi dy shtete shqiptare, e ta instalojmë një demokraci të brisht, kanosemi që sërish të biem pre e një diktature. Kryeministri aktual Rama, pasi vendin e ka futur në një kaos të tmerrshëm, po e shfrytëzon situatën aktuale të tensionuar ndërkombëtare për t´u bërë një mini diktator i ri i Shqipërisë.

Kryetari Meta pasi  mbeti pa ingirenca shtetërore ka thirrur tubim qytetar me 2.03.2020 në sheshin kryesor të Tiranës. Si gjithëherë ka zëra që këtë e lidhin me luftën mes Ramës dhe Metës. Dikush do të thoshte : e thefshin kokën të dytë.

 Për ne shqiptarët sërish shtrohet çështja si të rreshtohemi? Të lejojmë edhe një diktaturë kur ne më së miri e dijmë ku na shpije ajo, apo të reagojmë si komb. Rama përçarjen nuk e ka shtri vetëm në Shqipëri, po kaosin e ka zgjeruar me minishengenin edhe në Kosovë. Përkrahjen për t´u shpallur diktator, sikur dikur Hoxha, ai e ka edhe nga Serbia, Rusia dhe mentorët e tij.

Pyetja tjetër e rradhës që kërkon përgjigje do të ishte : Meta e ka vërtetë për mbrojtjen e kushtetutës apo për ta mbrojtur pozitën e vetë. Shqiptarët sërish duhet të mendojnë, vërtetë po e mbrojmë në këtë rast Shqipërinë apo Metën. Kryetari Meta mandatin e përfundon afërsisht edhe dy vite, kurse Rama po u shpall diktator mund të jetë i përjetshëm, ashtu siç po vepron Putini dhe Erdogani. Pastaj Meta nëse i thërret shqiptarët duhet ditur si t´i drejtoj, sepse në të kundërtën kaosi është i programuar. Askush nuk është për shkatërrimin e Shqipërisë po për forcimin e saj.

 Koha e revolucioneve ka kaluar, reagimet duhet të jenë të organizuara, demokratike dhe transparente që kërkojnë zgjidhje. Rama po të punonte për Shqipërinë, zgjidhjen do ta kishte ofruar me kohë, atij po i ngutet të shpallet diktator. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat