Pse duhet të hiqet taksa pa kushte?

Opinione

Pse duhet të hiqet taksa pa kushte?

Nga: Lirim Gashi Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 08:57
Lirim Gashi

Politikanët serb edhe nga veprimet e këqija kundër nesh, siç është kampanja e shfrenuar për çnjohje, e sjellin shtetin e tyre në avantazh, sepse faktori ndërkombëtar bjen në kurthin e politikës së tyre keqbërëse.

Politikanët kosovar edhe kur e ndërmarrin ndonjë veprim të duhur, të drejtë, legal, legjitim dhe të dobishem për shtetin, siç është taksa, jo vetëm që nuk e sjellin shtetin në avantazh, por bombardohen me ultimatume, shantazhe dhe kërcënime.

A e dini pse është kështu?

Sepse :

1. Shumë rrallë marrin vendime të duhura, të dobishme, të drejta, legjitime dhe legale nëpërmjet të cilave i mbrojnë interesat e shtetit. Mirëpo edhe kur e marrin ndonjë vendim të dobishëm, dorëzohen në momentin e parë që ankohet dikush nga jashtë, sepse aq shumë e kanë dobësuar paraprakisht shtetin përmes politikës së tyre shumëdimensionale keqbërëse, sa që nuk kanë as gjasa teorike për të rezistuar.

2. Edhe kur e marrin ndonjë vendim të dobishem, ai nuk është rezultat i ndonjë veprimi të mirë-menduar dhe pjekur politik, afatgjatë e strategjik, por i natyrës afektive për të dalë emrat dhe mbiemrat e përveçëm nga inferioriteti.

3. Vendimet e dobishme që i marrin liderët tanë në thojza, janë aq të rralla, sa që as populli e as faktori ndërkombëtar nuk i merr seriozisht, sepse aq shumë vendime të dëmshme marrin paraprakisht, sa që edhe nëse e marrin një vendim të vetëm të dobishem, mbahen për të, si plaku për shkopi, për të mos rënë nga pushteti.

4. Taksa nuk ishte përgjigje adekuate ndaj padrejtësive serbe, prandaj si e tillë e predestinuar për t'u kontestuar jo vetëm prej politikanëve vendor dhe popullit, por sidomos prej faktorit ndërkombëtar. Masa e reciprocitetit sikur të ishte vendosur në kohën e duhur, Kosova nuk do të ishte kurrë në këtë pozitë inferiore dhe anasjelltas pikërisht pse taksa ishte një përgjigje jo adekuate, gjysmake, si dhe e pa shoshitur dhe menduar mirë, masa e reciprocitetit në këto rrethana nuk ka më kuptim.

Sepse trysnia e Administratës së Trumpit prej të cilës jemi të varur si prej ujit dhe ajrit, (si shtet i dobësuar prej politikanëve keqbërës vendor), është aq e rrezikshme sa që nuk ia vlen barra qiranë.

Do të mundohem ta sqaroj pse kriteret që i përdor faktori ndërkombëtar ndaj nesh nuk janë të njëjta me ato që i përdor ndaj Serbisë.

Sepse ne që dy dekadat në liri dhe pavarësi ende nuk kemi arritur që t'a bindim faktorin ndërkombëtar se e meritojmë shtetin.

Përkundrazi, politikanët tanë kanë bërë dy dekada resht gjithçka që është e mundur dhe pamundur për ta mjeruar popullin dhe dobësuar shtetin për interesa personale, materialiste, karrieriste, familjare, farefisnore, partiake dhe klienteliste.

Sikur ta kishin shndërruar energjinë e tyre keqbërëse në energji mirëbërëse, j'u betohem në komb dhe flamur, që sot as nuk do të ishte Serbia kaq dominante karshi nesh, e as nuk do të ishim ne kaq inferior karshi Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Përkundrazi, do të ishim një shtet me institucione të konsoliduara, kredibile dhe serioze të cilat do të na përfaqësonin në mënyrë të denjë në arenën ndërkombëtare.

Kështu siç jemi tani, nuk i nevojitemi as vetvetes, e lërë më dikujt tjetër.

Thjeshtë, edhe ata që na kanë ndihmuar që ta krijojmë shtetin, janë lodhur, zhgënjyer dhe deshpruar prej nesh, njësoj si ne prej vetvetes.

E pra, kush na ka faj?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat