Seanca e sotme e huqi cakun?

Opinione

Seanca e sotme e huqi cakun?

Nga: Jakup Krasniqi Më: 9 mars 2020 Në ora: 19:09
Jakup Krasniqi

Pse?

Situata politike e viteve të fundit, e sidomos e këtij viti është duke e kërkuar një qasje tjetër të politikëbërësve e përfaqësuesve të popullit tonë në Kuvend e Qeveri.

Ishte momenti më shumë sesa i duhur që institucioni më i lartë i shtetit, Kuvendi, sot, më 9 mars 2020, t’i adresonte problemet e debatit të sotëm, aty ku kanë qenë e kanë mbetur përgjegjësit kryesore, aty ku janë planifikuar, aty ku janë përgatitur e ku është ushtruar, ajo formë e krimit dhe e gjenocidit mbi nderin, moralin e jetën e femrës shqiptare. Qendra e ati gjenocidi ka qenë e është në Beograd, pasi atje as sot e kësaj dite nuk është distancuar asnjë segment i shoqërisë serbe  (as shteti, Kisha serbe, Akademia e Shkencave, e as mediet), madje nuk e kanë bërë asnjë kërkimfalje formale, as sot e kësaj dite.

I kuptojë viktimat e ati gjenocidi, e kuptoj edhe mllefin e tyre për rrethin, por nuk munda t’i kuptoi krerët e institucioneve të shtetit, pse seancës se Kuvendit nuk ia dhanë orientimin e duhur. Të gjithë njerëzit, jo vetëm kombi që i jetoi ato krime të gjenocidit, por të gjithë ata që i kanë shikuar ato zhvillime në mediet elektronike e të shkruara, e sidomos njerëzit e politikës e të diplomacisë, e kanë pasur dhe e kanë të qartë se ku duhet orientuar përgjegjësinë e ati gjenocidi. Gjenocidi, nuk ka asnjë dyshim ishte i përgatitur, i planifikuar dhe i ushtruar nga Serbia dhe jo vetëm në Kosovë. Por Bota e ka mëshirëruar Serbinë e gjenocidit. Ajo e kishte mundësin që ta dënonte Serbinë për gjenocid, por përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ajo e amnistoj Serbinë e krimit e të  gjenocidit?! Dhe kështu e liroi atë nga dëmet e luftës që ajo duhet t’ua paguante vendeve që ishin viktima të saja.

Nëse dikush është dashur ta orientoi debatin, kjo i ka takuar koalicionit qeverisës, e sidomos, krerëve të institucioneve (Kuvendit e Qeverisë) dhe orientim kryesor  është dashur që ta kenë politikën e Beogradit dhe politikën e vendeve të demokracive perëndimore, të cilat ka kohë që presionin për mos normalizimin e marrëdhënieve  në mes Kosovës e  Serbisë, e kanë ashpërsuar ndaj Kosovës e jo Serbisë, e Kosova ishte kryeviktima e krimit dhe e gjenocidit serb për dekada.

Krerët e shtetit duhet ta dinë se: demagogjia, fjalamania e oratorisë pa qellim e orientim të saktë e të duhur nuk është politikë e urtë e as në shërbim të shtetit e të kombit. Është koha që politika për ndarje të kulaçit apo për vota duhet të ndërpritet sa më parë. Koha është për ndryshim e jo për mashtrim, për demagogji e fjalamani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat