Amerikë mos thuaj kurrë hoqa dorë, apo me shqiptarët jam lodhë!

Opinione

Amerikë mos thuaj kurrë hoqa dorë, apo me shqiptarët jam lodhë!

Dedë Preqi Nga Dedë Preqi Më 11 mars 2020 Në ora: 13:15
Richard Grenell

Populli shqiptar si me asnjë popull tjetër në botë nuk është më i lidhur dhe i miqësuar se me popullin amerikan, dhe kjo miqësi duhet të jetë e përhershme, sikur asgjë nuk mund ta fshijë dhe evitoj nga kjo hapësirë e shoqërisë njerëzore.

Në këto rrethana ku qëndron vendi jonë, ajo që po bëhët gjithnjë e më shumë si një lëmsh i diskutueshëm për shkak të taksës ndaj mallrave të Serbisë, nuk nënkupton edhe plasaritjen e marrëdhënieve dhe miqësinë e Kosovës, me SHBA-të, megjithatë duhet të jemi të matur ndaj këshillave dhe vendimeve të këtij vendi mik.

Politika e Serbisë, si gjithnjë do bëhët pengesë e projekteve të demokracisë së Kosovës, politika e sëcilës ende ecën tutje në vazhdën e koncepteve që e mohojnë shtetësinë e Kosovës, por sot në vendin tonë qëndron shansi i madh, duke iu falenderuar SHBA-ve, dhe aleatëve të saj, që Kosova të depërtojë në realitetin e vet dhe të vazhdojë ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të vet sovran dhe të pavarur.

Sëcili qytetar i Kosovës, do të ishte i brengosur kur dëgjon sot mënyra të ndryshme të interpretimeve nga mediumet dhe opinionet e vendit dhe jashta vendit, se marrëdhëniet me SHBA-të, po përkeqësohen përshkak të mospajtimeve të qeverisë Kurti, për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, aq sa edhe trupat e veta mund ti largojë nga Kosova ?

Përmes këtyre rrethanave hapet ndoshta ndonjë shteg për domethënjën e një keqkuptimi nga ana e opinionit të shqiptarëve dhe më gjerë, mirëpo, për sa kohë që Amerika dhe Kosova, mbetën miqë të vërtetë, ky përkufizim është i pafavorshëm ndaj atyre që japin sot lajme dhe opinione të rrejshme, sepse SHBA-të, janë vetë ata që e krijuan shtetin e Kosovës.

Shkrimet e vërshuara në mediume dhe politikat ditore të vendit e më gjerë, se kryeministri Albin Kurtin, vepron në kundërshtim të SHBA-ve, janë edhe zhurma të mediumeve, sidomos nga mediat serbe, që kanë për qëllim të fusin një lloj «virusi « antiamerikan ndaj shqiptarëve dhe krijimin e një antipatie ndaj kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij.

Mesazhet e ambasadorit Grenel, si përfaqësues special z.Tramp, duhet të mirren parasysh dhe t’a kuptojmë më mirë thelbin e tyre, kur ato burojnë nga politikat e Shtëpisë së Bardhë, deshtëm apo nuk deshtëm, porosia e tyre duhet të shkojë në vend, duke ditur se Kosova, pa ndihmën e Amerikës, do mbetët e vetmuar dhe e pa mbrojtur gjatë rrugëtimit të vet.

Kosova dhe çdo qeveri e saj, nuk mund të zbulojnë dhe formojnë modele të tjera që e ndërtojnë dhe e ruajnë stabilitetin e këtij vendi përveq atyre që rrjedhin nga politikat e SHBA-ve. Ne nuk mund ta pranojmë atë që ka bërë Serbia ndaj popullit të Kosovës, sepse ka diçka shumë të dhimbshme në shpirtin e këtij populli, që do ta mundojë përherë, me siguri një gjë të tillë e di edhe Amerika.

Dhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, sikur gjindet në vijën e parë të frontit politik, i cili nuk e ka lehtë, por para se gjithash duhet të dalë sa më parë jashtë kësaj mjegullire, të cilën e krijoi « taksa » ndaj mallrave të Serbisë. Fatkeqësisht, Serbisë gjithherë ia kemi pa « sherrin », por Kosova dhe udheheqja e saj, duhet të ketë kujdes të veqantë ndaj vlerave dhe miqësisë së pa zavendësuseshme me SHBA-të, poashtu dhe me miqtë evropian.

Prandaj, Amerikë mos thuaj kurrë heqa dorë, apo me shqiptarët jam lodhë, sepse në esencë shqiptarët janë popull fisnikë dhe liridashës, i cili ka përjetuar çdo keqtrajtim dhe golgotë në jetën dhe historinë e vet njerëzore, por këtu harrohet të shikohet tipari i parë dhe i rëndësishëm i këtij njeriu, dhe ai popull që ekziston si i tillë në botë për ta kuptuar dhe për ta shpëtuar ishte vetë populli amerikan dhe Amerika, sikur të ishte e thirrur vetë nga zoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat