Si të mbrohet Republika e Kosovës!?

Opinione

Si të mbrohet Republika e Kosovës!?

Nga: Florim Zeqa Më: 12 mars 2020 Në ora: 08:32
Florim Zeqa

Përderisa në të kaluarën Kosovës nga BE-ja i bëheshin oferta në këmbim të liberalizimit të vizave, përkatësisht në këmbim të pranimit të; fusnotës*, asociacionit, demarkacionit,...kërkesat e fundit të bashkësisë për heqjen e taksës pa asnjë kusht ndaj Serbisë, janë dëshmi se pas taksës fshihet diçka shumë më e rrezikshme për fatin e shtetit të Kosovës.

Fillimi i bisedimeve me Serbinë ishte një skenarë mashtrues

Për të qenë mashtrimi akoma më i madh për popullatën e Kosovës, këto bisedime fillimisht i quajtën "teknike", mirëpo ishte fusnota* ishte ajo që e nxori në sipërfaqe karakterin politik të bisedimeve, përmes të cilave dialogu i Brukselit e ka kthyer në pikën zero statusin e Kosovës.

Serbia ia arriti qëllimit me bisedimet e Brukselit. Fillimisht me fusnotën* na e hoqi emrin Republikë, me Zajednicën i krijojë bazat e autonomisë së serbëve brenda Kosovës dhe së fundmi me planin ndarës e rihapi nga fillimi statusin e Kosovës.

Pas (ri) shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe njohjes nga 116 shtete të kësaj pavarësie, kërkesat për korrigjim dhe shkëmbin territoresh me Serbinë, e ka vënë në lajthitje edhe faktorin ndërkombëtar, përkatesisht 116 vëndet që kishin njohur Kosovën si shtet i pavarur e jo si rezolut 1244, e cila rezultoi me tërheqjen e 18 njohjeve.

Si rezultat i kësaj situate, përveq ç'njohjeve, kemi bllokim të njohjeve të mëtutjeshme si dhe rishqyrtim të njohjeve nga ato shtete që e kanë bërë njohjen vite më parë!

Të pamundësohet ndarja e Kosovës

Nuk duhet harruar se kushtëzimet që vijnë nga ndërkombëtaret mund të jetë një sprovë për t'na mat impulsin tonë sesa jemi në të vendosur në mbrojtjen e shtetit, për arsye se është thënë në qarqe të ndryshme se shqiptarët e Kosovës nuk janë të zotët ta mbajnë shtetin e tyre.

Prandaj për të demantuar tezat e tilla, sa më parë dhe sa më shpejtë duhet unifikim i faktorit politik shqiptar. Para bashkësisë duhet të flasim me një zë, e jo me dy, tre e më shumë, për arsye se bëhemi të pakuptueshëm dhe qesharak në sytë e botës demokratike.

Liderët e tri institucioneve më të larta shtetërore, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani duhet ta njohin dhe pranojnë njëri-tjetrin si dhe të koordinojnë veprimet në përputhje me rregullimin kushtetues të vendit, e jo të veprojnë sipas egove dhe inateve personale.

Në rrethanat kur mungon konsensusi politik për gjëra më të vogla siq është taksa dhe reciprociteti, në asnjë rrethanë nuk duhet lejuar që fati i shtetit të mbetët në dorën e një lideri shtetëror, për të trajtuar pasuritë e shtetit si "pasuri e të gjithëve dhe pasuri e askujt", por ta mbrojmë në mënyrë demokratike përmes referendumit popullor.

Deputetët e kësaj legjislature duhet sa më parë të inciojnë ligjin për referendumin, si e drejtë kushtetuese e përcaktimit të sovranit (popullit) për tema madhore për vendin.

Kthimi i Referendumit popullor para marrëveshjes finale me Serbinë, përveq ndërgjegjësimit të liderëve shtetërorë dhe partiakë, do t'i zvogëlonte mundësitë e pazareve politike dhe pamundësonte ndarjen e Kosovës.

Propaganda anti-amerikane

Pranimi i kushtëzimeve të Serbisë dhe pranimi i propagandës anti-amerikane janë tepër të rrezikshme në këtë fazë nëpër të cilën po kalojmë si shtet.

Anti-amerikanzimi është pjellë dhe lojë e rrezikshme e Serbisë, e cila për qëllim të fundit ka prishjen e raporteve të mira të Kosovës me SHBA-të.

"Fake News" apo lajmet e rrejshme se gjoja "SHBA-të janë duke e shqyrtuar tërheqjen e trupave nga Kosova shkaku i mos heqjes së takses apo tarifës, po ashtu janë propagandë e pastër e Serbisë, që për fat të keq i gëlltiti edhe një pjesë e madhe e politikanëve tonë në pushtet dhe opozitë.

Investimet amerikane në Kosovë janë afatëgjatë dhe nuk kanë të bëjnë fare  me taksen. Hiqet apo nuk hiqet taksa, ka apo s'ka marrëshje mes Kosovës dhe Serbisë, forcat amerikane do të jenë këtu për interesat e tyre strategjike.

Prandaj nuk ka nevojë për asnjë lloj shqetësimi apo shpërqendrimi të vëmendjes nga veriu i vendit.

Mbrojtja e veriut, përkatësisht integritetit territorial të vendit nuk është anti-amerikanizëm por është atdhedashuri dhe obligim i së cilit prej nesh, për të cilën gjë na duan dhe respektojnë amerikanët dhe të gjithë miqt tonë.

Prandaj, nuk kemi rasye të hezitojmë në të drejtat tona kombëtare dhe qytetare, e mbi të gjitha në drejtën universale të mbrojtjes së qënjes sonë në trojet tona stërgjyshore.

Të gjithë në mbrojtje të shtetit

Të ngrihemi të gjithë në mbrojtje të shtetit pa dallim partiak apo fetar, më të gjitha mjetet demokratike duke filluar nga: protestat, demonstratat, grevat e pergjithëshme deri në një rezistencë aktive e paqësore mbarëkombëtare.

Kjo është një e drejtë natyrore të cilën nuk mund ta mohoj as komuniteti ndërkombëtar. Përderisa bashkësia ndërkombëtare serbëve ua lejon barrikadimin në veri, që tani e 21 vite më parë po e mbajnë të pushtuar, nuk mund të na pengojë as ne mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të shtetit të njohur në kufijt ekzistues.

Shteti i Kosovës duhet të mbetët unik dhe i pandarë, pra Republika e Kosovës pa fusnota*** ose ndryshe nuk mund të ekzistoj, sikurse pavarësia që duhet të jetë e plotë ose ndryshe nuk mund të quhet ashtu, për shkak se nuk ka gjysëm pavarësi, gjysëm liri dhe as gjysëm shtet.

Po ndodhë kështu për faktin se të gjitha qeveritë tona që nga paslufta deri më tani nuk e kanë bërë asnjë trysni politike ndaj faktorit  ndërkombetar, por çdo herë ngjarjeve ju kanë shkuar nga mbrapa në vend që t'ju paraprijnë atyre vetë.

Nuk është vonë as tani, që bashkësisë ndërkombëtare t'i bëhen të qarta kërkesat tona para përmbylljes së bisedimeve me Serbinë, duke u nisur nga veriu i vendit, për arritjen e suksesshme të përmbylljes së këtij misioni, në të kundertën, do të bien poshtë edhe shumë plane të ndërkombëtarëve, se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në ballkan nuk do të ket qetësi në ketë rajon e më gjerë.

Për të ardhë deri të ky shtet është derdhë shumë gjak e janë bërë sakrifica të panumërta, andaj askush nuk e ka të drejtën të luaj me atë gjak, as presidenti, kryeministri dhe askush tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat