LDK është indiferente ndaj vdekjes.

Opinione

LDK është indiferente ndaj vdekjes.

Nga: Kimete Berisha Më: 19 mars 2020 Në ora: 16:07
Kimete Berisha

1. Njoh shumë vajza e gra që janë më pak të ditura se unë por i kanë punët njëqind herë më mirë se unë.
Pse ndodh kjo?
Sepse, dija është e padobishme, dija është përvojë 'e huaj', që ty kurrë nuk të hyn në punë.

Pse s'të hyn në punë dija e 'huaj'?
Sepse, 'dy herë nuk mund të hysh në të njejtin lum', për shembull nuk mund të sillesh ti sot si Alexander Severus, perantori romak që e mbajti pushtetin 14-të vjet, deri në momentin kur populli e kuptoi se komandohet nga e nana e tij, ia mori inat dhe ushtaraku mori fund në moshën 27-të vjeçare.

Një tip i tillë, një 'djalë i nanës' sot do të ishte fenomen dhe lider simpatik.

Por, fati i askujt nuk imitohet, nuk kupjohet.
Secili fat është i veçantë.

2. Pra, nuk mjafton dija.
Mua kurrë nuk më ndihmuar në jetë literatura që kam lexuar për dashuri.
Herë pas here kam rënë aq poshtë, sa kam lexuar libra të verdhë e bestsellera, si shembull 'Meshkujt vijnë nga Marsi e femrat nga Venera', 'Rruga nëpër të cilën rrallë shkohet', 'Meshkujt që urrejnë femrat dhe femrat që dashurohen në ta'.
Ama, secila vajzë (pa përjashtim) që nuk i ka lexuar këto libra i ka punët në dashuri më mirë se unë.

Çka do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se për dashuri nuk nevojitet dije. Ashtu siç nuk nevojitet dije me marrë frymë.

3. Si e shpjegon ti që Hashim Thaçi qe njëzet vjet mbijeton në politikë, ndërsa me dije nuk i afrohet Albin Kurtit.
Sepse, mençuria është diçka tjetër.
Mund të jesh i mençur, edhe pa lexuar libra.
Politikanit i nevojitet mençuria, jo dija.

4. Prej se jam punësuar, kurrë nuk kam pranuar që asnjë pastruese ta fshijë tavolinën time. Në ormanin e zyrës e kam një dollap me të gjitha mjetet e pastrimit, dhe vet e pastroj, jo veç tavolinën, por edhe dritaret, tepihun, derën e zyrës, krejt.
Pastroj publikisht, pa asnjë kompleks.
Pse e bëj këtë?
Ta fitojë simpatinë e pastrueseve? Jo. Unë jam e prirur kah vetmia dhe më pengon shumë afërsia e madhe me njerëz.
Por e bëj sepse më pengon kur dikush më shërben (plus nuk më duket se ka pastruese më të mirë se unë), dhe po, me çdo kusht, dua të dukem 'normale'.

Muhabetin e parë në mëngjes e bëj me pastruesen, e cila më tregon hallet e saj (unë të miat kurrë-askujt), ndërsa çdo ditë mësoj nga ato dhe nga çdo njeri i palexuar diçka të re dhe shumë të dobishme.

5. Cili është dallimi mes 'të dobishmes' dhe 'të bukurës', e ka shpjeguar më mirë Kanti.
Për shembull, trëndafili është i bukur (por jo i dobishëm), kurse hudhra nuk është e bukur por është e dobishme.

Pra, që unë e di përmendësh 'Profetin' e Khalil Gibranit (që halli im e ka lexuar sdhe Spinozën, Hegelin e Hartmanin) është ndoshta diçka e bukur për mua, por e dobishme- aspak, kurrë në jetën e përditshme nuk ua kam pa hairin.

6. E pastaj, vjen më e keqja-mendjemadhësia.
Mendjemadhësia, ta shkurton ymrin.
Duhet ta fshehësh mendimin superlativ për veten, me çdo kusht të dukesh sikur ndjehesh i barabartë me të gjithë dhe të dukesh normal, edhe nëse nuk je normal, edhe nëse je i 'mbërrirë'.

Kujto Einstainin. Gjeniu dilte e hante akullore rrugëve me shokë e me njerëz të thjesht.
Kujto 'Avokatin e djallit', 'Al Pacino' na këshillonte që sa më shpesh të udhëtojmë me autobusë, që të ndjehemi si pjesë e popullit, të mos harrojmë se jemi si të gjithë të tjerët, veç njerëz.

Se veç Idea se ti je më dikushi se dikush tjetër, të çon në dështim.
Pse? Sepse, s'je më dikushi.
Askush s'është më dikushi se askush tjetër.
Të gjithë, gjithmonë, si sot, e kemi të njejtin fat: izolimin, frikën, pasigurinë...e kemi fundin e njejtë, pra, jemi të barabartë.

7. Vetëbesimi, apo 'Mendjemadhësia' e Albin Kurtit shihet me sy të lirë. Albin Kurti është 'mendjemadh' me arsye. Sepse është i ditur. Pra, sepse ka mbledhur dijen e 'huaj', por që sot nuk i ndihmoi t'i kalojë 40-të ditë në pushtet.
Kjo mendjemadhësi i bën shqiptarët të ndjehen inferiorë, dhe apriori i kthen në armiq të tij.

Ish dashur të shtiret sikur ka nevojë 'për të gjithë'.

8. Kam arritur deri këtu, sa të marrë aq shumë komplimente nga lexuesit, aq shumë letra, aq shumë urata, aq shumë ladata, sa edhe 'thiu' do t'pëlciste.
Por, jam aq rezistente ndaj komplimenteve e fjalëve të mira, sa kam kaluar në ekstrem: nuk ndjej më asgjē.
Pse nuk ndjej?
Dikush me vakt më ka mësuar që në asnjë mënyrë mos me leju me m'hy vetja n'qejf, dhe fati im i Parë ka qenë mohimi: Më kanë mohuar dhe paragjykuar.
- Kur unë kam dashur dhe kam pasur merak rinor që të ma pranojnë 'talentin e hamamit'-nuk ma kanë pranuar, kategorikisht më kanë përjashtuar.
E kur ma kanë pranuar-më ka kaluar meraku.

9. Lexuesit më ndalin në rrugë, (një ditë, njëra doli nga autobusi në semafora për të më përshëndetur dhe i iku autobusi të shkonte me kohë në shtëpi te fëmija), lexuesit më vinë në zyre...dhe më vjen t'u them: 'O nuk jam kurrkushi', veç pse 'di' t'i bëj kryq do fjalë.
Po, më së shumti më kanë bërë të lumtur 'lexueset e mia analfabete'.
Ka gra të moshuara në fshatra të thella që nuk dinë shkrim lexim, por më 'lexojnë' nëpërmjet djemëve e nipave të tyre.
Kjo është metafora më e bukur që e kam gjetur në jetën time të shkruar.
Të të lexojnë edhe ata që nuk dinë shkrim-lexim ❤️.

Kjo më ka mësuar mua, se edhe njeriu që nuk di shkrim-lexim mund të jetë më i mençur dhe më i suksesshëm se ti.
Si pleqnarët tanë, për shembull.

Prandaj, e lexoj komentin e secilit (dhe mundohem t'i përgjigjem), sepse për mua nuk mund të ketë njerëz 'dikushi' dhe 'kurrkushi'.

10. Nuk mjafton të jesh as 'njeri i mirë'. Mjafton të dukesh 'i mirë' dhe i sjellshëm.

Jo veç PDK, gati të gjitha partitë më kanë ftuar të bëhem pjesë e tyre. Por, nuk kam pranuar. Pse? Prej mendjemadhësisë?
Nuk e di. Ndoshta.
Thjesht asnjërin nuk e kam bë kabull për prijës.
E kam ditur se nuk mund të shtirem gjatë, të bëhem sikur e respektoj dikë, pa e respektuar.
Prandaj e kam zgjedhur rrugën në të cilën nuk lypset prej meje të gënjej e të shtirem.
Dhe nuk lypset të marrë urdhëra nga një 'shef' të cilin nuk e kam zgjedhur vet, por ai më ka zgjedhur mua.
Veç Albin Kurtit më ka ardh keq pse i kam thënë 'jo'.

11. Hashim Thaçi ka mbijetuar kaq gjatë në politikë sepse Hashim Thaçi është 'lojtar' i madh, atij nuk i vjen inat, e kalon rrugën veç me t'përshëndet.
Di të ndahet nga delegacioni, dhe të të shpreh 'respekt'.
Gjithmonē tregohet sikur ka nevojë për 'ty' anipse nuk ka.
Pra, Hashim Thaçi bën politikē.
Ka edhe politikanë të tjerë që nuk janë mendjemëdhenjë, dhe kahdo që shkojnë qasen pozitivisht e krijojnë shoqëri, si Lutfi Haziri, Agim Bahtiri, Vlora Dumoshi, etj. Prandaj, këture s'ke se si ua merr inat. Këta të mundin me energjinë e tyre pozitive.

12. Albin, Makiaveli të ka mësuar 'të jesh dhelpër që t'i njohësh kurthet', ndërsa 'luan, që t'i trembësh ujqit'.
'Luani nuk ruhet nga kurthi, dhelpra, nuk ruhet nga ujqit'.
Të ka mësuar se 'njeriu i mençur nuk e mban fjalën nëse fjala e dhënë shkon në dëm të tij'.

Por kot. E sheh që Librat nuk të ndihmojnë të shpëtosh nga fati.

13. Isa Mustafa është 'dhelpër'. Dhe, prandaj ka mbijetuar kaq gjatë në politikë. Askush nuk ia ka kërkuar të jetë njeri i mirë, por politikan i mirë.

Në vitin 1998, LDK ka organizuar zgjedhje parlamentare e presidenciale, pavarësisht se populli masakrohej, kidnapohej e vritej në Drenicë, Skënderaj, Drenas e gjithkah nëpër Kosovë.

Pra, LDK është 'indiferente' ndaj vdekjes, është mësuar të mbijetojë 'në rreziqe', siç jemi në rrezik sot.
Kur krejt bota luftojnë me koronavirusin, LDK lufton për hakmarrje, kurse Hashim Thaçi për pushtet.

Hashim Thaçi i gatuan fitoret tinëz, kurse Isa Mustafa nuk e fsheh karakterin e keq.

Pse ndodh kjo?
Sepse këta kanë parë vdekje me sy, kanë parë shumë vdekje, këtyre nuk u lë përshtypje vdekja e askujt, nuk u lë pëeshtypje 'vdekja e botës' dhe rreziku kozmik.

Për ironi, corona do të thotë 'kurorë', virusi edhe pse është 'i vdekur' i vdes njerëzit, ndërsa duket si kurorat e luleve të varrezave.

Isa Mustafa ka harruar të frikësohet nga 'vdekja', prej pasionit që ka për hakmarrjen, e cila është e vetmja sevda që e mban në jetë.
Është satisfaksion i madh me rrëzu Albin Kurtin. Dhe mbasi mundet, pse mos me kënaq veten.

P.S.
E unë mbrëmë para hyrjes së ish banesës në veri të Mitrovicë pash ëndërr një varr me pllakë të bardhë, dhe te koka i rrinte një gjarpër i bardhë.
Kur kalova andejpari, gjarpri e ngriti kokën dhe e hapi gojën fort.
Ibn Sirin thotë se gjarpri i bardhë simbolizon armikun më të tmerrshëm (që në këtë rast, armiku e ruan një varr, ndoshta e ruan të vdekurin që e ka helmuar vet).

E sot, më kaloi dita duke i shikuar djemtë e komunës së Prishtinës duke i krasitur degët e pemëve para banesave (pa dorëza e pa maskë).
Qe sa vite po e ruaj si sytë e ballit një pemë para dritares së ballkonit, se ia kanë mësy me pre...dhe fitova, e shpëtova hijen time në verë...
Kur hyra brenda, i thash motrës: gjithë kjo luftë pëelr me shpëtu pemën, thuajse qind për qind kam me gëzu vet.

(Më falni për gramatikën, por kështu e kam tabiat, kur dua të mbajë distancë, flas dhe shkruaj me gramatikë ?)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat