Kontrolli çmimeve në treg

Opinione

Kontrolli çmimeve në treg

Nga: Mr. Sc Shpend Salihu Më: 20 mars 2020 Në ora: 20:32
Mr. Sc Shpend Salihu

Kriza ekonomike globale dhe rritja e shkallës së hiperinflacionit ishte si rrjedhojë e recesionit ekonomik-global ku kishim rënie enorme ekonomike në tregun global, për fat kriza ekonomike u tejkalua edhe përse kishte skeptik ekonomik që parashihnin krizën e depresionit ekonomik-global, dhe mungesën e parasë në tregun global, që do të ishte e ngjashme me periudhën e depresionit ekonomik-global gjatë viteve 1929-1933 në botë.

Kosova prej përfundimit të luftës e deri më tani për kundër indikatorëve dhe parametrave të zhvillimit ekonomik, kur rritja shkonte përafërsisht prej 3 deri 4 në përqind, ajo rritje buxhetore ishte refleksion i inkasimit të taksave, kontributeve dhe doganave si dhe një pjesë e mikrobiznesit. Andaj me të drejtë mund të thuhet që në Kosovë nuk kishte recesion ekonomik, por kishte stagnim ekonomik sepse kishim dhe ende kemi disparitet në eksportin e mallrave ku kemi përafërsisht 5 përqind dhe importin e mallrave 95 përqind, duke mos përmendur evazionin fiskal, ekonominë informale, shpërlarjen e parasë e shumë e shumë veprime të paligjshme që ndikuan në rënien e shkallës buxhetore në shtet. Politikat makroekonomike nuk ishin të definuara qartë në bazë të parimit kërkesë dhe ofertë në treg,si dhe fuqisë blerëse të konsumatorit, andaj shumë biznese të vogla dhe të mesme falimentuan. Shkalla e lartë kamatare edhe më tepër e rëndoi funksionimin e bizneseve dhe pamundësinë e tyre që të përmbushin prestimin financiar ndaj bankave.

Në këtë periudhë kur kemi mbi 40 përqind shkallën e papunësisë, nivel të ulët të pagave si në sektorin publik ashtu edhe atë privat, kur varfëria ekstreme po rritet, kur të rinjtë po diplomojnë e po detyrohen të ikin jashtë shteti në pamundësi të punësimit, kur kemi mbyllje të kufijve si pasojë e COVID-19, kur situata alarmante në shtet, na obligon jo vetëm si institucione por edhe si individ të përkujdesemi për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, kur kemi mungesë të Ligjit për Sigurime Shëndetësore që është esencial në trajtimin dhe rekuperimin e personave të sëmurë, çmimet në tregun Kosovar si pasojë e armës biologjike COVID-19 janë rritur në mënyrë astronomike, si ato të konsumit të përditshëm që janë elementarë për mbijetesën e qytetarëve ashtu edhe medikamentet, karburantet etj. Në këto momente krize i kisha rekomanduar Qeverisë që të kërkojë ndihmë humanitare, ndërkombëtare të artikujve ushqimorë, pajisjeve sanitare dhe medikamenteve nga bashkësia ndërkombëtare për kategoritë e rrezikuara sociale. Ajo që vlen gjithashtu të theksohet, është që të obligohen inspektorët e tregut, Administrata Tatimore, dhe të gjitha mekanizmat tjerë që bëjnë kontrollin dhe verifikimin si të prejardhjes së mallrave që futen në Kosovë ashtu edhe kontrollin e çmimeve në treg, edhe pse ekonomia liberale nuk lejon planifikimin ekonomik në shtet dhe ndërhyrjen e Qeverisë në çmime, në situatat e jashtëzakonshme siç është kjo edhe shtetet më të avancuara demokratike, i kanë kontrolluar dhe balancuar çmimet në tregu vendor, andaj urgjentisht me një apel publik Kryeministri duhet të ju drejtohet këtyre institucioneve të lartëpërmendura që urgjentisht të reagojnë tek bizneset dhe ndalojnë rritjen e çmimeve të artikujve në treg, sepse në të kundërtën ekziston rreziku që shumë qytetarë të mos mund të i përballojnë këto çmime të mallrave në tregun Kosovar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat