Rezervat ushqimore

Opinione

Rezervat ushqimore

Hysen Neziri Nga Hysen Neziri Më 22 mars 2020 Në ora: 11:17
Foto ilustrim

Në Kosovë, në vitet '60, '70, '80 dhe '90, shumica e popullsisë kanë jetuar në fshatra. Fshatarët shtëpitë i kanë pasur të vogla, të vjetra dhe të shëmtuara, gjithashtu infrastruktura ka qenë kurrfare. Rrugët kanë qenë të zhytura në baltë, s'ka pasur ujësjellësa e kanalizime, mirëpo çdo pëllëmbë e tokës është punuar. Njerëzit janë marrë kryesisht me bagëti, bujqësi dhe gurbet.

Në disa zona një pjesë e fshatarëve kanë punuar edhe në punë të derzhavës (të shtetit). Fshatari i Kosovës intimisht nuk i ka besuar shtetit të Serbisë dhe Jugosllavisë ( me ndonjë përjashtim të rrallë).

Gjithherë ka besuar se mund të vie ndonjë krizë ekonomike, ndonjë katastrofë natyrore apo ndonjë luftë dhe mund t'i rrezikohet ekzistenca, mund të mbetet pa bukë. Nuk ka besuar se do t'i dalë në ndihmë dora e shtetit, prandaj ushqimin për vete dhe për kafshë e ka siguruar me forca të veta. Varfëri ka pasur shumë më shumë se tash, por rezerva ushqimore kanë pasur pjesa dërrmuese e popullsisë për gjashtë muaj, po një pjesë e madhe për një vjet e më tepër. Fshatari shqiptar i ka siguruar, po edhe rezervuar me njëmijë vështirësi ushqimet bazë: miellin, kripen, sheqerin, vajin (tëlyenin), djathin, turshitë dhe në anën tjetër drutë apo qymyrin për ngrohje. Plot me drith i ka pasur koshat dhe hambarët (tash shumicën prej tyre i kanë qitë fare).

Të paktën për gjashtë muaj a një vit s'ka ndi për derzhavë, çfardo krize dhe çfardo lufte le të shfaqet. Po si është gjendja sot në fshatra të Kosovës (përjashto ato malore që janë shpërngulur), 20 vjet pas luftës. Shtëpi të bukura e të mëdha, rrugë të asfaltuara, trotuare e ndriçim, ujësjellësa e kanalizime, shkolla e shtëpi shëndetësore të reja e të bukura.

Oborret e rregulluara me gjelbrim e lule, me t'u kënaq syri. Vërtet fshatra moderne. Po, ku është e keqja këtu?! Rreth gjysma e tokës është e papunuar. Një pjesë e madhe është zënë me shtëpi apo objekte tjera.

Është zvogëluar rreth 70 apo 80% fondi i bagëtive dhe shpezëve (pulave, rosave, patave, bibave etj). Kjo ka ndodhë si pasojë e politikava të gabuara të shtetit për bujqësi dhe blegtori, e rënies së çmimeve të prodhimeve bujqësore, e dembelisë së njerëzve dhe e jetës moderne.

Tash, shumica e njerëzve në fshatra nuk kanë rezerva ushqimore as për një javë. Në qytete gjendja është edhe më e keqe. Po të zgjasë kjo pandemi 3-4 muaj; 5-6 muaj apo një vit?! Dhashtë Zoti nuk ndalet furnizimi nga jashtë! Edhe pse kjo pandemi e ka kapluar gjithë globin. Ja ku na kanë sjellë politikat e gabuara, dembelia, "moderniteti" dhe filozofia e tē jetuarit - sot për nesër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat