Etnografja angleze Miss Durham dhe At Anastasi 

Opinione

Etnografja angleze Miss Durham dhe At Anastasi 

Nga: Nuri PLAKU Më: 24 mars 2020 Në ora: 14:00
Nuri PLAKU

Kisha e Shën Gjergjit të Fierit ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore të banorëve të këtij qyteti. Gjatë kryerjes së këtij misioni fisnik, në administratën e saj, kan spikatur emra të ndryshëm priftërinjsh, sjellja dhe figura e të cilëve e kan ngritur dinjitetin e saj në nivele mjaft të larta. Njëri prej tyre ka qenë edhe At Polizoi Ikonomi, emri i të cilit vazhdon të kujtohet edhe sot, me respekt e nderim të veçantë nga të gjithë ata që e kan njohur, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare.
At Polizoi u lind në fshatin Sop të rrethit të Fierit, më 11 mars të vitit 1894 nga prindërit: At Anastasi dhe Parashqevija. I ati ka shërbyer famulltar në Manastirin e Shën Mërisë në Apolloni dhe ka patur gradën Ikonom. Në vitin 1904 kur aty ka bujtur një natë etnografja angleze Miss Durham, At Anastasi e priti dhe e përcolli me nderime të veçanta zonjën e huaj. Pikërisht nga ky takim anglezja e përshkruan atë “një shqiptar i gjatë kryelartë”që dukej si,“një farë pashai klerik.” Një nga gjurmët e At Anastasit në Manastirin e Shën Mërisë në Apolloni, është gdhendja nën kujdesin e tij e ikonostasit dhe ndërtimi i kambanares së këtij manastiri. Në një mbishkrim që gjendet edhe sot mbi ikonostas, thuhet se ai, “… u dëmtua gjatë Luftës Europiane nga Austrohungarezët në vitin 1917 dhe u rindreq më 1927 në kohën e Mitropolitit të Beratit Kristoforit, nën kujdesin e Ikonom At Anastasit … prej mjeshtërve… Xhufka nga Elbasani.”
At Anastasi kishte dy djem: Polizoin dhe Likon. Nga të dy vëllezërit, Polizoi ndoqi gjurmët e të atit në udhën e përkushtimit fetar.
Në vitin 1901 në moshën 7 vjeçare Polizoi u fut në shkollën qytetëse të Ardenicës të cilën e mbaroi në vitin 1908. Mbas mbarimit të shkollës u punësua pas të atit më detyrën e psaltësit në manastirin e Apollonisë, ku vazhdoi deri në vitin 1915. Këtë vit u shkëput nga Apollonia dhe punoi në Vlorë si rrobaqepës deri në vitin 1918. Ende pa mbaruar Lufta e Parë Botërore Polizoi emigroi në SHBA dhe punoi atje për tre vjet në një fabrikë gjilpërash. Atje, myzeqari  Polizoi ndiqte rregullisht të gjitha meshimet që bëheshin në kishën e Shën Gjergjit në Boston, e ngritur qysh më 22 mars 1908 nga Fan Noli.
Ai u bë nxënës i rregullt i tij dhe e ndoqi atë hap pas hapi në meshimet që bënte në gjuhën shqipe.
Aty, Polizoi ra në sy të Fan Nolit edhe për zërin e tij të bukur prej tenori kur psallte në këtë kishë. Fan Noli i futi Polizoit në zemër që kasha shqiptare duhet të falej vetëm në gjuhën shqipe. Atje Polizoi punoi shumë për ngritjen e vet kulturore, duke përvetësuar mire dy gjuhë të huaja, anglishten dhe italishten.
Atje Polizoit i nisi dhe ëndrra që të bëhej prift si i jati dhe të punonte që kishat edhe në Shqipëri të meshoheshin në gjuhën shqipe.
Në verën e vitit 1921 u kthye përsëri në atdhe. Ishte koha kur pas Kongresit të Lushnjes Shqipëria po ndërtonte shtetin e saj dhe një nga prioritetet politike të tij, ishte arsimimi i popullsisë. Normalja e Elbasanit kishte hapur kurse të shkurtër mësuesie për të shuar sado pak urinë e kuadrit arsimor në vend. Polizoi u rregjistrua në një kurs të tillë dy mujor, të cilin e filloi më 1 shtator 1921 dhe e mbaroi më 31 tetor të po këtij viti. Mbas mbarimit të kursit u emërua mësues në Peshtan të Fierit.
Nga fundi i vitit 1923 u largua nga arsimi për t’ju dedikuar karrierës fetare dhe vajti në Berat për tu hirotonisur prift. “ Aty meshoi 40 ditë në kishën e kalasë, – kujton njëri prej kushërinjve të tij, mësuesi i Merituar Vasil Prifti, – dhe u dorëzua prift.”Në faqen e parë të rregjistrit të pagëzimeve të Kishës së Shën Gjergjit të Fierit që ndodhet në arkivin e Muzeut Historik të këtij qyteti, vet At Polizoi ka lën një shënim interesant shkruar me laps kopjativ dhe me një kaligrafi befasuese. Sipas këtij shënimi ai është dorëzuar prift për në Fier më 31 janar 1924 nga ish Mitropoliti i Beratit Kristofor Kisi. “Kur erdhi nga Berati, – tregon Vasili, – priftëreshë Parashqevija e priti të birin me një kazmë e lopatë, simbole të “portës së dheut.”Kjo e dhënë është mjaft interesante, pasi dëshmon një rudiment të ritit zakonor antik e mesjetar të popullsisë së kësaj treve.
Kuptimi simbolikë i tyre, lidhet me lehtësimin e vdekjes, me rëndësinë e botës së përtejme dhe lumturinë e të ikurit që shkon pranë Zotit. Midis objekteve antike që ndodhen në pavjonin arkeologjik të Muzeut të Fierit ka disa syresh që trasmetojnë pikërish këtë mesazh. Në njërin nga këto objekte jan gdhendur figura njerzish të botës së përtejme që i zgjasin dorën njeriut të porsa vdekur. Riti është 24 orë. Nëse do ti rrudhnim mbishkrimet e këtyre gurëve dhe tu japim një kuptim të koncentruar ato kan domethënien: “Bëhu i lumtur o njeri që vjen midis nesh!”Tek priftëresha Parashqevi e Sopit duket sikur kryerja e këtij riti, mbart ende në vetvete jehonën e hyjnive antike. Janë vrragat mitike të këtij riti që burojnë nga një vetëdije e lashtë etnie që të sjellin në kujtesë, nimfat e Orakullit të Frakullës që këndojnë rreth zjarrit ritualet e jetës e të vdekjes.
Sapo filloi meshimet e para prifti i ri tërhoqi vëmendjen e besimtarëve fierak për dy element shumë të rëndësishëm; zërin tingëllues dhe kulturën e komunikimit.
Ai kishte “zë të bukur tenor”si e quanin ata, e të joshte me një lloj magjie të fshehtë e të panjohur më parë. Në meshim, zëri i tij afrohej me muzikën dhe besimtarët përshkoheshin vetishëm nga një ndjenjë e thellë hyjnore. Ata e thithnin të etur çdo tingull të tij, aq sa ju dukej sikur ardhja e këtij prifti, kishte krijuar një raport të ri midis tyre dhe kishës.
Element i dytë i tij, ishte gjithashtu befasues. Të njohurit e tij e kujtojnë atë një burrë të kulturuar e me njohuri të shumta në fusha të ndryshme të jetës. Kishte fjalor të pasur dhe gjithfarësh ku përzieheshin interesa pasioni dhe ato të detyrës. Shtat lartë dhe me tipare simpatike, At Polizoi të imponohej me karizmën e tij të rrallë. Dukej se ai “shqiptari i gjatë kryelartë”, “pashai klerik” i Apollonisë, e kishte të birin sozinë e vetë të padiskutueshëm. Ndërkohë, me fillimin e shërbimit në kishën e Fierit ai solli edhe familjen e tij nga Sopi në qytet.

Duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve që në vitet e para të shërbimit fetar, kariera e At Polizoit pati ecuri intensive. Më 23 shkurt të vitit 1928, ai mori gradën Ikonom prej Mitropolitit të Beratit, Kristofot Kisit.
Më 16 qershor të vitit 1929 Ikonom At Polizoi mori pjesë si delegatë në Kongresin e Dytë të KOASH-it zhvilluar në qytetin e Korçës së bashku me Jovan Xoxën. Është interesante se në këtë kongres ai ka marr pjesë dhe ka firmosur statutin e 1929-ës si përfaqësues i krahinës së Mallakastrës. Nga hierarkia kishtare e krahinës së Myzeqesë në këtë kongres ka marr pjesë gjithashtu edhe At Isaia nga fshati Shën Pjetër por, si përfaqësues i Vlorës.
Më 31 dhjetor të vitit 1929 At Polizoit ju dha prej Episkopit të Beratit imzot Agathangjelit grada Stenafor. Tashmë ai firmos me dy tituj: At Stenafor Ikonom Polizoi, ndërsa në gjoks mban simbolin e Stenaforit, medalionin e argjendë me kryqin ortodoks të gdhendur mbi të.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, At Polizoi u emërua “zëvendës i Mitropolitit i qytetit edhe rrethit të Fierit.”Emërimin ja komunikoi Visarion Xhuvani nëpërmjet kësaj letre:“Të përndershmit Stanofor Ikonom At Polizoi Ikonomi, famulltar i qytetit të Fierit. Prej ditës së sotme jeni emëruar dhe porositeni të filloni detyrat e zëvendësit tonë si zavendës i Mitropilitit i qytetit edhe rrethit të Fierit, në bazë të këtij urdhëri detyra e juaj fillon qysh sot, me kompetencën dhe të drejtat e parashikueme sipas Kanoneve dhe Rregullores e Statutit të Kishës.
Hiri dhe Bekimi i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë ndihmës mbi ju për detyrën e sipërshënuar, të cilën ju urojmë ta kryeni me sukses dhe ndërgjegje, për të mirën dhe mbarëvajtjen e besimit tonë të shenjtë të krishterë ortodoks dhe për interesin e punëve të komunitetit të bekuem të Fierit dhe të rrethit.
Mitropoliti i Beratit dhe Vlorës Vissarion”
Mbas çlirimit të vendit, Kisha e Fierit ashtu si kudo u vunë nën vëzhgimin e sigurimit të shtetit. Ndikimi politik i shtriu kthetrat në të gjithë aktivitetin e saj fetar. Gjatë Luftës, fashizmi manipuloi simbolet zyrtare duke mbivendosur në stemën e Mbretërisë shqiptare sopatat e Liktorit. Ndërsa dokumentat e institucioneve fetare nuk i preku. Përkundër këtij fakti, sistemi komunist ushtroi ndikim të fuqishëm represiv e diskreditues mbi to. Ashtu si institucionet e tjera të shtetit edhe këtu, çdo dokument zyrtar që qarkullonte mbartëte siglën e trakteve të luftës VF-LP. Nën këtë ndikim, një pjesë e funksionarëve të fesë u pan me syrin e njerkës. Ky vështrim ndikoi veçanërisht në gjendjen e tyre sociale dhe ekonomike. Favorizohej vetëm ajo pjesë që kishte dhënë kontribut në Luftën Antifashiste.
Fill mbas çlirimit të vendit At Polizoi u zëvendësua në postin e zëvendës Mitropolitit nga Petraq Xhokaxhiu.
At Polizoi kishte 9 persona për tu ushqyer vetëm me rrogën e tij. I vëllai Likua ishte pa punë dhe gjithë familja përjetonte ditë të vështira varfërie.
Në vitin 1946 martoi të bijën e vetme, Kaliopin. Dhëndërr i tij u bë njëri nga figurat e njohura fierake, gazetari dhe shkrimtari i ri, Tuni Papuçiu. Dasmën e bëri sipas zakoneve të kohës por ju desh të futej borxh. Në një letër që i dërgon Pleqësisë Kishtare të Shën Gjergjit përshkruan në mënyrë të sinqertë e të dhimbshme gjendjen e tij ekonomike dhe lutet që kjo pleqësi të ndikoj për shtimin e rrogës së tij. “Martova çupën, – shkruan ai, – dhe simbas kohës sotshme nga shtrenjtësia mbeta pak borxh, ashtu dhe vet siç më shikoni që dal në treg me rroba të vjetra që më vjen turp. Im vëlla më mbeti pa punë dhe kam 9 persona që ushqej. Ju lutem shumë nxehtësisht që si persona familjar që jeni, vini dorën në zemër dhe të më epni nji shtesë rroge që të mund të përballem nevojave të mia mbasi jam një prift i vjetër 23 vjet, i njohur prej të gjithëve, më vjen turp të dal me rraso të grisura.”
Fier më 10/8/1946.
Kjo përvuajtje është një tjetër “gradë” morale që ndrin në figurën e këtij kleriku të mirënjohur, të ndershëm e të çiltër si drita hyjnore e ungjijve që predikonte në ambientet e kishës.
At Polizoi kishte vetëm një vajzë dhe ishte i dhënë aq shumë pas saj, sa dukej sikur e kishte Shën Mërinë e tij shpirtërore. Kur vajza ishte e vogël, ai e merrte me vete në kishë dhe e linte të bënte “rrëmujën” e çapkënllëkut fëminor. Vajza fshihej prapa ikonostasit, prekte ikonat, librat, shandanët, kandilet, flamujtë e argjend të ritualit,teksa ai e ndiqte me sy të lumtur e i dukej sikur çdo objekt i prekur prej duarve të saj të vogla, e shenjtëronte të bijën. Ndërsa në verën e vitit 1947, pati një ngjarje tjetër. Vajza lindi djal. I dehur nga lumturia e të ndierit gjysh, At Polizoi e imitoi të bijën në çapkënllëqet e saj të dikurshme. Atë ditë, i mbrekulluar prej lajmit, ai bëri “rrëmujën”e parë e të vetme në kishën e Shën Gjergjit të Fierit. Në bllokun e pagëzimeve të kishës, në faqen e mbushur të qershorit, ai bëri tërthor këtë shënim:“Kaliopi im lindi djalë në Tiranë më 26 qershor 1947 ditë e enjte, 11-20 ora paradreke. St. Ikonom Polizoi.”
Ndërkohë, si kleriku më në zë i qytetit të Fierit dhe gjithë krahinës së Myzeqesënë, At Polizoi u vu nën vëzhgimin e sigurimit të shtetit dhe në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit ju hap dosja e fshehtë. Ish operativi i sigurimit të atyre viteve H.G.tregon se si i kërkohej të ndiqte At Polizoin hap pas hapi në aktivitetin e tij të përditshëm dhe të rregjistronte çdo dyshim për të. Por figura dhe personaliteti i Atit të frenonin e të impononin respekt.
Personaliteti dhe kultura e gjerë e At Polizoit kishte bër jehonë edhe në nivelet më të larta të hierarkisë kishtare. Ata e mbanin atë një“njeri të ditur.”Në vitin 1947 në Fier ndodhi një rast i rrallë. Një djal nga feja muhamedane dashuronte një vajzë ortodokse por prindërit e saj nuk e lejonin të vinte kurorë pa u pagëzuar. Në këto kushte djali kërkonte të konvertohej dhe paraqiti lutjen pranë kishës së qytetit. Zv. Episkopal i Fierit Spiro Papa i drejtohet me një letër Kryetarit të Kishës Ortodokse Autoqefale, Kryepiskop i gjithë Shqipërisë, Kristoforit ku i spiegon rastin dhe kërkon të orientohet për zgjidhje.Në janar të vitit 1948 Kryepiskop Kristofori, i përgjigjet Papës me një letër porosi për kryerjen e veprimeve të mëterjshme. “ Paraprakisht, – shkruan Kryepiskopi, – kandidati duhet të pranojë të katehizohet prej një famulltari të atij qyteti, (për referim prej Ikonom At Polizoit), në mënyrë që ky, si i ditur që është, t’i mësojë para pagëzimit elementët më kryesorë e të domosdoshëm të besimit ortodoks.”
Kultura e gjerë e At Polizoit e bënte atë të nderohej jo vetëm nga hierarkët e niveleve më të larta, po edhe nga klerikët e feve të tjera. Në një nga rrëfimet e tij pikante, shkrimtari i mirënjohur Përparim Hysi, jep përshtypjet e Efendi Yzeir Sallatës nga Margëlliçi i Çamërisë i cili ka shërbyer si hoxhë në xhaminë e Petovës.“E pata parë Efendinë, – shkruan Hysi, – me Irenea Banushin, “rektorin” e madh të Manastirit të Ardenicës dhe me Imzot Atë Polizoi Ikonomi, prelatin e kishës së Fierit. I pata thënë: -A e lejon Kuh’rani miqësinë e një prelati mysliman me të një feje tjetër? Dhe ai, si burrë i ditur që ishte, më tha: – Edhe Imzot Irenea edhe At Polizoi janë si Universitete më vete. Të ditur si ata. Po të kishte sinodi i krishterë nga këta prelatë edhe besimi i njerëzve do të qe më i madh.”
Në vitin 1949 At Polizoi u emërua sërish në postin e mëparshëm të zëvendës mitropolitit ku vashdoi për disa vjet deri më 1960 kur u zëvendësua nga At Irakli Mitrushi.
At Polizoi shërbeu 43 vjet në kishën e Shën Gjergjit të Fierit, pa u transferuar asnjëherë në asnjë kishë tjetër. Gjatë kësaj periudhe, ai ka dhënë një kontribut të shquar në forcimin e kishës ortodokse në Myzeqe, veçanërisht mbas çlirimit të vendit kur kisha u vu në rrethin e hekurt të diktaturës. Një përpjekje të madhe ka bërë ai për mirëmbajtjen e kishave dhe riparimin e tyre. Në vitin 1949 me inisiativën e tij shtroi me pllaka dyshemenë e kishës Shën Gjergji Fier, në vitin 1951, udhëhoqi ndërtimin e kishës Shën Spiridhonit në Marinëz dhe riparimet e kishës së Shën Mërisë në Ndërnënas. Në vitin 1956 ndërtoi çezmën e shën Ilias në Shtyllas, meremetoi Shën Kollin në Vanaj, Shën Mërinë e Brostarit, riparoi tavanin e kishës Shën Gjergjit Libofshë etj. Po këtë vit i vuri rëndësi gjelbërimit të oborreve të kishave dhe varrezave. Vetëm në Kishën e Shën Gjergjit në Fier u mbollën 300 rrënjë selvi.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë sidomos për ruajtjen e pronave të kishës nga abuzimi prej individëve, kooperativave dhe ndërmarrjeve bujqësore. Mjafton të kujtojmë se në kishën e Shën Mëhillit në Dukas kujdestarët e saj nuk lejoheshin të vilnin 20 rrënjë ullinj që ishin në oborr dhe pronë ligjore e kësaj kishe. Një situatë e vështirë u krijua në Marinëz ku komunistët prishën në mënyrë arbitrare shtëpinë e At Ilia Priftit, famulltarit të kishës së Shën Spiridhonit në këtë fshat dhe hedhjen e tij mes katër rrugëve.
Më 5 – 10 shkurt 1950 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi III i KOASH-it. Në këtë kongres At Polizoi mori pjesë si delegat i Fierit së bashku me Marie Bakallin.
At Polizoi nuk reshti së shërbyeri në kishën e Shën Gjergjit deri në fund të jetës së tij.Më  1 dhjetor 1966 At Polizoi u emërua sërish në postin e zëvendës Mitropolitit. Këtë herë emërimi i tij u bë nga Episkopi Beratit Spiridhoni i cili shkarkoi At Irakli Mitrushin, “për arësye që i di vet Mitrushi” dhe emëron Ikonom Polizoin. Tashmë Ati ishte 72 vjeç por ishte mjaft aktiv dhe energjik.
Më 21 janar të vitit 1967, ai bëri shërbesën e fundit në kishën e Shën Gjergjit të Fierit. Ishte rituali i një të vdekuri. Ndërsa më 5 shkurt të po këtij viti, një ditë para fillimit të uraganit ateist, në moshën 73 vjeçare, Ikonom At Polizoi, fjeti në amëshim.
“Gjithë qyteti e përcolli Ikonomin në banesën e fundit, – shkruan në kujtimet e veta Alfred Papuçiu, nipi i tij. Të nesërmen gjithkush thoshte: “Paska qenë më fat, Zoti e mori atje lart, për të mos parë rrokullimën e kobshme të prishjes të ikonave të shtëpisë së tij…”
Le të jenë këto radhë të thjeshta një kujtesë e ringjallur në udhën e harrimit për emrin dhe shembullin e atij burri që i dha aq shumë Kishës Ortodokse, besimtarëve ortodoksë të qytetit të Fierit dhe gjithë krahinës së Myzeqesë. Dhe le të jetë ringjallja e kësaj kujtese një “Amen” për shpirtin fisnik të atij burri, emri i të cilit përflitet me nderim të veçantë nga gjithë ata që e kan njohur, pavarësisht besimit dhe përkatësisë së tyre fetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat