Proamerikanizmi i PAN-it dhe Plaku që po e mban peng Kosovën

Opinione

Proamerikanizmi i PAN-it dhe Plaku që po e mban peng Kosovën

Nga: Veli Karahoda Më: 24 mars 2020 Në ora: 17:41
Veli Karahoda

Dhe erdhi puna që një vend i vogël dhe i varfër si Kosova, në mes të pandemisë, të kthehet në një “aset” diplomatik në kampanjën elektorale të presidentit Trump. Nga Kosova “varet” e ardhmja e Amerikës. Më saktë, nga Kosova, Serbia dhe kamionët me Plazmakeksa. Ky është rrëfimi i thjeshtësuar për nevoja të orëve të mërzitshme të karantinës nga coronavirusi.

Rrëfimi i vërtetë është shumë herë më absurd. Personazhi kryesor i rrëfimit është drejtori i përkohshëm i inteligjencës amerikane, Richard Grenell, njeriu që rishtazi kishte kaluar krizën e një sëmundjeje të rëndë për të gjetur më pas prehje në ungjill, megjithëse, siç e thotë edhe vetë, akoma është një ndjekës i papërsosur i Krishtit. Këto ditë, përveç cicërimave në Twitter, Richard Grenelli po thotë uratë para ekranit të kompjuterit duke përcjellë meshën evangjeliste online. Nuk di për çfarë i lutet Zotit Richard Grenelli, por ma ha mendja se në uratën e tij nuk ka vend për optimizëm dhe zemërgjerësi.

Krejt befas u ndodh Kosova në këtë situatë absurde. I ra ndërmend administratës amerikane se zgjedhjet presidenciale po afrojnë, e sukseset në fushën e politikës së jashtme mungojnë. Kjo administratë nuk bëri asgjë për të arritur ndonjë marrëveshje të qëndrueshme paqeje në Lindjen e Mesme. E kanë për zakon administratat amerikane që të paktën brenda një mandati të bëjnë ndonjë hap diplomatik simbolik në Lindjen e Mesme, por kjo administratë, e udhëhequr ad literam nga slogani “America First”, nuk bëri asgjë substanciale në politikën e jashtme. Tani, kjo administratë ka nevojë për një narracion të suksesit. Marrëdhëniet e ngrira, të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë mund të shërbejnë si elemente të narrativës.

Detyra e vështirë për të zgjidhur kontestet politike pothuajse njëshekullore mes shqiptarëve dhe serbëve i ra hise Richard Grenellit. E shkulën me një urgjencë nervoze nga poltroni i ambasadorit të Amerikës në Berlin, ku ai tashmë kishte bërë një emër jo për t’u lakmuar në opinion publik gjerman, dhe e nisën për në Ballkan për t’i bindur tribalët për një marrëveshje të shpejtë, rapide, pa shumë hamendje, pa shumë kohë për të reflektuar, po veç për të vënë nja dy firma aprovuese në ndonjë dokument të hartuar në nxitim e sipër.

Po të qe gjallë Richard Holbrooke, Richard Grenelli do të mund t’i mësonte nja dy-tri gjëra prej tij, fjala vjen, do të mësonte se kontestet e vjetra politike me një histori të gjatë dhe shumë herë të përgjakshme s’mund të zgjidhen ashtu në nxitim e sipër. As me shantazhe e kërcënime për tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Kosova. Holbrooke do t’ia shpjegonte Grenellit gjërat me ftohtësinë dhe qetësinë racionale të njeriut që nuk ia lejon vetes të anashkalojë kontekstet e ngatërruara historike. Fjala vjen, Holbrooku mund t’ia kishte bërë Grenellit edhe një pyetje shumë të thjeshtë: “Mos mendon ti se prezenca e ushtrisë amerikane në Kosovë është shenjë e vullnetit të mirë? Dashuri e pasionuar ndaj paqes dhe popullit të Kosovës?” Nuk di çfarë do të nxirrte Grenelli nga pyetja hipotetike e Holbrooke, por e di që, mbase, do t’i shkonte mendja se mjeshtri i vjetër i diplomacisë po i thotë se në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka dashuri e sentimentalizëm, po veç interesa gjeostrategjike dhe një luftë konstante për të thelluar demokracinë dhe gypat e naftës në vendet e prapambetura.

 

Emisari Grenell është mjaft kontrovers. Politikanët e Bundestagut nuk kanë qenë fort të kënaqur me provokimet politike të Grenellit, me koketimet e tij me të djathtën ekstreme evropiane dhe autokratët e Evropës së sotme. Mjerisht, historia e  koketimeve të administratës aktuale amerikane me të djathtën ekstreme nuk fillon dhe as nuk mbaron me Grenellin. Një shembull pat qenë edhe Steve Bannon nga media e së djathtës ekstreme “Breitbart News” të cilin presidenti Trump e pati emëruar në postin e strategut kryesor në kabinetin e tij. Gjermanët janë tepër të ndjeshëm ndaj ekstremizmave dhe e dinë më së miri se ç’rrezik paraqet deliriumi i përkatësisë racore dhe i gjakut të pastër. Prandaj, Grenelli nuk është një diplomat popullor në Gjermani, por kjo gjë, me sa duket, nuk e shqetëson fare. Ai është fokusuar tashmë në çështjet e pazgjidhura në Ballkan dhe shumë media botërore me reputacion flasin haptas për një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Për ta bërë një gjë të tillë Grenellit i duhen njerëz të përshtatshëm.

 

Kosovës nuk i mungojnë tregtarët e flamujve dhe territoreve. Fjala vjen, Hashim Thaçi. Njeriu më i fuqishëm i PAN-it, fshatari i druajtur dhe i marrshëm që me kohë erdhi e u bë një gogol përralle në politikën e Kosovës. Ky njeri është në gjendje të bëjë çmos për të shpëtuar lëkurën e vet. Në Serbi ka pandanin e tij, të vetmin përkrahës me të cilin mund të ndajë hallet, presidentin e Serbisë, Vuçiqin. Edhe ky është i përdorshëm. Në njëzet vjetët e fundit, kriteri i përshtatshmërisë politike në Ballkan është vlerësuar nëpërmjet peshës së bagazheve të vjetra politike të politikanëve. Sa më e rëndë dosja, aq më mirë. E Hashim Thaçi dhe shumë të tjerë nga kori i “proamerikanëve” do të kenë patjetër dosje të rënda. Por ama, kujt do t’i shkonte mendja se Thaçi, për të cilin spekulohet se qe rekrutuar nga shërbimi sekret francez, do të shkëpuste në mënyrë kaq arrogante lidhjet e tij nëntokësore me evropianët për t’iu vënë në shërbim Grenellit? Megjithatë, s’është ndonjë befasi. Po qe nevoja, në këtë kohë të vështirë për të, Thaçi do t’i vihej në shërbim edhe Djallit. Anijembyturi e ka për zakon të kapet edhe për fijen e kashtës.

 

Herë pas here, shkaku i ndryshimeve klimatike, në Kosovë fryjnë erëra të forta. Kur e kur, si me shkopin e Moisiut që çau në dysh Detin e Kuq, këto erëra të befasishme çajnë në dysh skenën politike të Kosovës duke hedhur në një tabor proamerikanët dhe në taborin tjetër antiamerikanët. Kjo gjë tashmë është shndërruar në sport në Kosovë. Proamerikanët më të zhurmshëm dhe më të egër na dalin hajnat e dëshmuar të PAN-it. Thaçi, Veseli, Limaj dhe Haradinaj. Domethënë, njerëzit që më së paku e kuptojnë Amerikën, kulturën amerikane, politikën amerikane dhe mënyrën e jetesës amerikane. Ata që “nuk kanë lindur dje” e dinë se këta “proamerikanë” të sodit janë ata që kanë dalë prej llumit marksist-leninist të LPK-së. Këta janë xhambazët e dikurshëm të banhofeve të Gjermanisë, sajues dhe distributorë traktesh politike revolucionare, enveristë të përbetuar që më pas, duke nuhatur erën e plaçkës, të parasë publike, janë kthyer në republikanë, në konservatorë e neoliberalë. Këta nuk e duan Amerikën. Këta as nuk e kuptojnë Amerikën. Këta as gjuhën e Amerikës nuk kanë arritur ta mësojnë nga nxitimi për t’u kthyer në servilë e hyzmeqarë. Këta janë veç hajna dhe të padijshëm. I kanë luajtur lojërat politike post-kolonialiste të protektorëve me zellin dhe habinë e madhe të injorantit që nuk di pse bën atë që bën por që e di se atë që bën do t’i sjellë njëfarë dobie, plaçkën. Ndërkohë parimi i vjetër i kolonializmit, qeverisja indirekte, ua ka mundësuar që të mbushin thasët me gjërat e plaçkitura, natyrisht në shkëmbim të dëgjueshmërisë absolute. Kështu, s’është për t’u çuditur që edhe emisari Grenell ka vendosur që këta në shkëmbim të thasëve me plaçkë, të bëhen nënshkrues të ndonjë kontrate tregtare për shitjen e një pjese të Kosovës si një lloj kontributi modest për kampanjën parazgjedhore të presidentit Trump. Me sa duket, Richard Grenelli, ngaqë i ka bërë një lexim të shpejtë dhe sipërfaqësor historisë së ndërlikuar të kontesteve politike ballkanike, ka bindjen se mund të shtyjë përpara një tregti me territore, ashtu shpejt e shpejt, me ndihmën e cicërimave në Twitter.

 

Amerika nuk është vetëm Richard Grenelli, as vetëm presidenti Trump. Edhe Bernie Sanders është Amerikë, edhe Joe Biden është Amerikë. Këta, siç dihet, kanë vizione të ndryshme për Amerikën. Janë kundërshtarë, në mos edhe armiq. Shkurt fjalët, shumë gjëra e bëjnë Amerikën. Kam thënë më herët dhe do të përsëris këtu se Amerika është vend diversitetesh, një konglomerat historik, politik dhe kulturor i mahnitshëm. Amerika e simboleve, e emblemave, e sloganeve politike, e kauzave të përbotshme, e teknologjisë inovative, e mundësive që s’mund të kufizohen veçse nga fantazia njerëzore. Ëndrra materialiste e afaristëve dhe streha politike e emigrantëve. Një vend ku liria e fjalës, debati publik, kritika konstruktive e deri te parodia dhe satira politike janë disa nga mekanizmat e një demokracie dinamike që ecën përpara, e zhdërvjellët dhe e pandalshme si një perpetuum mobile. Edhe në rrafshin letrar Amerika është vendi i diversiteteve, është ajo atmosfera vegimtare e rrugëve të Yoknapatawphas të Faulknerit, edhe ajo mugëtira e frikshme gotike e Edgar Poes, edhe maskuliniteti konkurrues i Hemingwayit, edhe sensibiliteti i brishtë pothuajse feminin i Fitzgeraldit. Amerika është ajo kundërshtia e mrekullishme e Alanus de Montepessulanos: një lëkundje e përhershme mes gëzimit dhe zhgënjimit. Amerika dashurohet me Lou Reedin, me patiot gjarpëruese të Central Parkut, me mbrapshtitë dhe absurditetet e Homer Simpsonit ose me hiperrealizmin rozë të Quentin Tarantinos. Me të mbaruar muzika e mahnitjes me Amerikën, lanternat fiken mengadalë përfund drurëve të parkut dhe në gjysmëterr, si në një film noir, vezullojnë kontrastet, ajo Amerika e shpirtërave të bezdisur të David Linchit, të Cormac McCarthyt, të Oliver Stone-it, ose, në të shkuarën, ato autobusët fantazma që turfullojnë rrugëve të Mississippit, Tennesseeit, Louisianës duke evokuar historinë e viteve të errëta të segregacionit. Amerika melankolike e Billi Hollidayit si në “Strange Fruit”, Amerika si në "Mississippi Burning", me kryqe zjarri, me linçime natën, Amerika e plantazheve të pafundme të pambukut ku zhuriten në diellin e jugut skllevër me duar të përgjakura nuk mund të quhet atraktive. Nuk të magjeps si vargu i Whitmanit, si vibratoja impulsive e Hendrixit ose si Rapsodia Blu e Gershwinit. Përmendja e këtyre kontrasteve është e domosdoshme për të kuptuar se liria nuk është një formulë matematikore, por një konditë shoqërore që pason konfliktet historike, përplasjet e paragjykimeve, besimeve, botëkuptimeve dhe ideologjive. Kontrastet historike dëshmojnë se rruga drejt një shoqërie të lirë, të hapur dhe demokratike nuk është kurrë e shtruar me trëndafila. Demokracia amerikane është para së gjithash një konditë historike. Çdo njeri liridashës mund të mësojë nga shembulli i Amerikës, sidomos sesi s’duhet hequr dorë nga liria, nga fjala e lirë, nga mendimi ndryshe, nga vullneti i lirë, nga debati i hapur ose nga përgjegjësia morale dhe historike. Detyra e parë e demokracisë është sfidimi i çdo tendence dogmatike, demagogjike dhe autoritare në një shoqëri të hapur e të lirë. Qëndrimet politike që ngrihen kundër robërisë, inferioritetit, përçmimit dhe arrogancës, më parë se të shenjohen me terma anti-izmash, duhen parë si shenja të sigurta se mekanizmi i demokracisë, sado i papërkryer, po vihet në lëvizje. Pikërisht këto mund të mësohen nga demokracia amerikane: përgjegjësia, syçeltësia, mendimi kritik. Demokracia ka nevojë për gardianë civilë, për guxim qytetar, për revoltë, për refuzim politik dhe estetik, për protestë, kur fjala e lirë kërcënohet, kur mendimi ndryshe shkelet me çizmen e autoritarizmit, kur vendi zhytet kokë e këmbë në një kiç politik, kulturor, urban, etj. E këto ditë, edhe në një pandemi që kërcënon jetën e njerëzve. 

 

Kështu e shoh unë Amerikën. Dhe ky vizion i Amerikës përputhet më së miri me vizionin e Albin Kurtit. Ai është kulturalisht dhe mendërisht proamerikan. Dhe ashtu si amerikanët, edhe ai këmbëngul, reziston, revoltohet, është krenar, e do lirinë dhe nuk është i mësuar të zbatojë urdhra e të lëpijë kockat që i vihen përpara. Nuk ka strajcë për të mbushur Kurti, as territore për të shitur. Kështu të paktën e lexoj angazhimin politik të Kurtit gjer tani.

 

Me këtë lexim, me sa duket, nuk pajtohet partnerja e koalicionin qeveritar, LDK-ja, partia që e quan veten parti institucionaliste. Për paradoks, pikërisht LDK-ja i kërcënon sot institucionet e Kosovës me një mocion mosbesimi ndaj qeverisë në një kohë pandemie. Dhe sërish duhen përmendur bagazhet politike, dosjet dhe shantazhet politike. Në këtë mes, më i rënduari do të jetë komunisti i vjetër, ministri i Rrahman Morinës dhe pothuajse babai i korrupsionit në historinë më të re të politikës kosovare, Isa Mustafa. Veç në Ballkan mund të ndodhin gjëra të këtilla: Njeriu që ende nuk është përgjigjur për avullimin e milionëve nga fondi i trepërqindshit, navigon dhe mbijeton pa asnjë vështirësi në skenën politike të Kosovës. Dhe jo vetëm kaq, por sot ky kërcënon me rrëzimin e qeverisë në mes të pandemisë. Një plak, që mezi mbahet në këmbë, e mban peng një vend të tërë. Ky nuk është as rugovist, as demokrat, as proamerikan. Ashtu si PAN-i, ky ka mëkate për të larë, e deri atëherë ka edhe disa strajca për të mbushur. Me Kurtin kryeministër, hajnia dhe plaçkitjet nuk janë në rend të ditës. Prandaj, qeveria duhet të rrëzohet konform urdhrave të Hashim Thaçit, i cili, në sharrim e sipër në spiralen marramendëse të mëkateve politike, ka vendosur që të mos bjerë i vetëm në humnerë. Dhe Isa Mustafa, pa e dridhur qerpikun, është në gjendje t’ia fusë kazmën qeverisë më transparente në historinë e Kosovës. Një gjë që presidenti Ibrahim Rugova nuk do ta bënte kurrë në mes të një krize pandemie. Si intelektual dhe humanist, nxënësi i Roland Barthes, Rugova nuk do të vinte në rrezik jetën e qytetarëve të Kosovës për interesa të ngushta partiake. E një politikan më proamerikan se Rugova s’ka pasur Kosova, dhe pikërisht ky nuk përkulej dhe as bëhej servil, as ndaj amerikanëve. Për integritetin e Rugovës si politikan dhe si njeri ka dëshmuar tashmë në memoaret e saj ish-sekretarja e shtetit, Madeleine Albright. Këto ditë, edhe Doris Pack i bëri një thirrje të qartë LDK-së: “Rugova do të vepronte ndryshe”. Po. Rugova do të vepronte ndryshe. Po veprojnë ndryshe edhe dishepujt e denjë të Rugovës: Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku. Këtë gjë ndërkaq s’mund të presim nga gjysmëanalfabetët si Veliu dhe Haziri, ose profesorët e nënshtruar si Abdullah Hoti. E lëre më nga Plaku me Bastun.

 

Dhe tani që mes emrave të tjerë përmenda edhe disa emra të kontaminuar, më duhet të lajë duart. Minimum dy herë. Një herë për coronavirusin dhe një herë për hir të higjienës morale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat