“Turpërohem që i dhashë votë LDK-së”

Opinione

“Turpërohem që i dhashë votë LDK-së”

Nga: Drilon Rrahmani Më: 26 mars 2020 Në ora: 16:32
Ilustrim

Nuk është hera e parë që një qeveri e Kosovës rrëzohet përmes mocionit të mosbesimit, por është hera e parë që po e pëson mocionin, po merr një përkrahje të fuqishme nga populli, si asnjëherë më parë.

Edhe LDK-ja u rrëzua në të njëjtën mënyrë nga PDK-ja në vitin 2017, mirëpo LDK-ja nuk mori përkrahje nga populli, por veçsa u tkurr si parti në elektorat, pasi mënyra e qeverisjes ishte korruptive dhe anti-qytetare, në të njëjtën vi me PDK-në.

E ende pa u bërë 24 orë nga rrëzimi i qeverisë, shumë votues të LDK-së u deklaruan se tani ndihen të turpëruar se votuan për LDK-në. Ata e gjejnë vetën me të drejtë te Vjosa Osmani që ishte kandidate për kryeministre, por, edhe Vjosa edhe qytetarët që e votuan LDK-në, u mashtruan nga klasa e vjetër në krye me Isa Mustafën e Agim Veliun, e edhe disa mbeturina nga jashtë. Ata shkelën me dy këmbë politikën rugoviane, politikë ajo që nuk ia ktheu shpinën asnjëherë qytetarëve të Kosovës.

Albinin nuk e rrëzuat. Ju e tërhoqët atë prapa si shtizën në hark, mirëpo herët a vonë ajo do të niset sërish para, me një popull që e përkrah maksimalisht atë. Kur jemi te qytetarët, të themi të drejtën, ata që e votojnë LDK-në duken tash si budallenj dhe të paditur e shkurtpamës.

Është për të ardhur keq se persona si Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Anton Quni e Haxhi Avdyli, janë pjesë e LDK-së. Ata po vuajnë aty. Këtë e tha edhe vet Vjosa Osmani mbrëmë, duke theksuar se për shkak të parimeve të saj, po vuan shumë në LDK. Po, këtë e tha zonja që ia solli 200.000 vota LDK-së, për të vendosur më pas shokët e Hashim Thaçit për LDK-në.

Tash po na pret ndoshta koalicioni i LDK-së me PAN, mirëpo ende nuk mund të besojë se disa deputetë do ta votojnë koalicionin me PDK-në. Deputetët si Fetah Rudi, Marigona Geci, Shkëmb Manaj e disa të tjerë aty, e di që nuk do e votojnë. Historia e tyre personale e familjare nuk e lejon një gjë të tillë. Nuk e lejon ndërgjegjja e tyre para qytetarëve, ku para tyre kërkuar vota duke numëruar të bëmat e PDK-së.

Por mos u habitni që deputetët e sojit të Arban Abrashit e votojnë një koalicion me PDK-në. E dimë edhe historinë e tyre, të cilën nuk do ta harrojmë më, sepse me të drejtë historia e harruar po përsëritet.

Por, ju të pamoralshmit brenda LDK-së dhe ju jashtë saj që po e përkrahni edhe sot e nuk po turpëroheni, mos të mbeteni të befasuar kur në zgjedhjet e ardhshme do kërkoni rinumërim votash për të shpresuar se do dalin edhe dhjetëra të tilla që ta kaloni pragun.

Një gjë është pozitive: populli në Kosovë po vetëdijesohet çdo ditë dhe po e kupton se çka është drejtë e çka jo. Po e kupton kush është i miri e i keqi, mashtruesi e i dinjitetshmi, tradhtari e i respektueshmi.

Historia do ju dënojë, e vetëm emri i Ibrahim Rugovës do e mbajë gjallë këtë parti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat