Ndikimi i konflikteve etnike në tranzicionin e Kosovës

Opinione

Ndikimi i konflikteve etnike në tranzicionin e Kosovës

MA. Kreshnik Aliaj Nga MA. Kreshnik Aliaj Më 28 mars 2020 Në ora: 16:41
MA. Genc Mekaj Nga MA. Genc Mekaj Më 28 mars 2020 Në ora: 16:41
Foto ilustrim

Kosova ka përjetuar një konflikt kompleks (të përgjithshëm), sidomos (me theks) konfliktin dhe mosbesimin në mes grupeve etnike dhe strukturave shtetërore. Zinxhiri i konflikteve në këtë rajon ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare. Prandaj, Kosova, pas pavarësisë së saj, është dashur të përballet me më shumë probleme të cilat u bënë edhe më të dallueshme me vendimin dhe aspiratën për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Mungesa e stabilitetit dhe strukturat e dobëta të sigurisë shtetërore kanë krijuar një vakum të sigurisë. Aktorë të shumtë ndërkombëtarë janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, përmes misioneve dhe programeve të ndryshme për të sjellë një stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë. Lufta mes viteve 1998 dhe 1999 (shpesh e referuar si konflikt i armatosur), fillimisht në mes Serbisë (strukturave të saj ushtarake dhe policore) dhe shqiptarëve etnikë (forca të armatosura), dhe më vonë në mes Serbisë dhe NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e lanë Kosovën kryesisht të shkatërruar dhe të dëmtuar. Prandaj, ndërsa vendet e tjera të rajonit po kalonin (dëmtimin dhe shkatërrimin), Kosova dhe shoqëria e saj ishin në një periudhë pas konfliktuoze. (Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, 2013).

Aspiratat e anëtarësimit dhe perspektiva e BE-së, së bashku me ndihmën e BE-së kanë krijuar bazën për bashkëpunim rajonal, politik dhe social-ekonomik të zhvillimit. Kosova po përballet me sfida serioze për sa i përket sundimit të dobët të ligjit, tensioneve ndëretnike dhe mungesës së bashkëpunimit rajonal, veçanërisht në sektorin e sigurisë. Pasja e një sektori gjithëpërfshirës të sigurisë dhe bashkëpunimi më i madh rajonal shihet si një mekanizëm stabilizues, së pari duke qenë në gjendje të sigurojë siguri për qytetarët dhe të sigurojë që rajoni nuk do të bëhet një sfidë e sigurisë për Bashkimin Europian (Komisioni Europian, 2013).

Në rastin e Kosovës, është mjaft e qartë se disa procese po zvarriten për shkak të pozicionit të caktuar ndërkombëtar. Në rrugën e saj drejt BE-së, Kosova gjithashtu sfidohet nga shtetet që nuk e njohin (pesë shtete anëtare) pavarësinë e saj. Megjithëse, mbështetja europiane në përgjithësi ishte e madhe si dhe mbuloi rindërtimin e institucioneve ose mbështetjen për sundimin e ligjit dhe sigurinë përmes misionit më të madh civil në botë, Kosova po kalon reforma që shtetet e tjera në rajon i kanë kaluar ato tashmë. Në veçanti, kjo i referohet përpjekjeve të liberalizimit të vizave, një proces i lidhur ngushtë me kontrollin e kufijve dhe menaxhimin e imigracionit të paligjshëm. (Zupančič, R., 2009)

Gjatë dekadës së kaluar, bashkësia ndërkombëtare ka investuar burime të konsiderueshme në rindërtimin dhe ruajtjen e paqes në Kosovë. Për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë, prania dhe kontributi i bashkësisë ndërkombëtare në vend është i ndarë në dy faza kryesore: periudha e parë që përfshin vitet 1999 dhe 2007 dhe periudha e dytë ndërmjet 2008-2013, që përfshin zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë. Prandaj, roli dhe përfshirja e Bashkimit Europian në Kosovë gjithashtu janë formësuar dhe reflektuar siç tham në dy fazat e lartëcekura.

Gjatë viteve 1999-2007, Kosova ka marrë donacion prej 3.5 miliardë eurosh, dy të tretat e të cilave kanë ardhur nga Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së. Në periudhën pas pavarësisë, gjatë vitit 2009-2011, Komisioni Europian ka ndarë 508 milionë euro. Në përgjithësi, Kosova konsiderohet të jetë marrësi më i madh i ndihmës së BE (për frymë) në të gjithë botën. Sidoqoftë, në periudhën e para-pavarësisë (1999-2007), BE-ja nuk ishte e përfshirë ose ishte e përfshirë fare pak në zhvillimin e sektorit të sigurisë në Kosovë. Me shpalljen e pavarësisë në 2008 dhe krijimin e Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), përfshirja dhe roli i BE-së në sektorin e sundimit të ligjit u thellua.

Me gjithë ndihmën dhe bashkëpunimin e fortë midis BE-së dhe autoriteteve lokale, përparimi në avancimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet shumë i ulët. Megjithëse EULEX-i është treguar se përballet me më pak sfida në mbikëqyrjen dhe ndihmën e sektorit të sigurisë (policia, gjyqësori dhe dogana), lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten armiqtë më të mëdhenj të Kosovës. Fakti që EULEX-i nuk ka arritur të sigurojë kapacitete të suksesshme në sektorin e drejtësisë mund të jetë arsyeja më e fortë pse qytetarët kanë humbur besimin e tyre në këtë mision. Kjo reflektohet në përceptimin e qytetarëve sipas anketës së fundit të bërë nga KCSS, ku vetëm 33% e të anketuarve ishin të kënaqur me punën e EULEX-it (Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, 2013).

Shkalla e përhapjes së proceseve integruese dhe globalizimit që ka përfshirë botën dhe të gjithë popujt në pothuajse të gjitha sferat e jetës ka bërë që kualifikimi i problemeve dhe konflikteve të llojeve të ndryshme si "punët e brendshme" të duket jo vetëm absurde, por edhe të cilësohet si jo -demokratike dhe jo -njerëzore, dhe si rezultat, veprimi dhe reagimi ndaj këtyre konflikteve ka qenë pothuajse gjithmonë një përgjigje globale. Ky veprim, i cili është i garantuar nga Karta e KB ( Kombeve të Bashkuara ), ka jo vetëm legjitimitetin moral, pasi karakterizohet nga shumë kundërshtarë të demokracisë, por edhe ligjor dhe demokratik, i mbështetur dhe i garantuar në institucionet ndërkombëtare, e që çështja e Kosovës tregon fuqimisht këtë fakt.

Edhe në Kosovën e pasluftës dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, angazhimet e Qeverive të Kosovës për integrimin Euro-Atlantik kanë qenë primare pothuajse në radhë të parë, kjo dëshmohet më së miri me aprovimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila garanton të gjitha komunitetet dhe animet Euro-Atlantike. Angazhimi në dialogun Kosovë-Serbi i iniciuar dhe ndërmjetësuar nga BE, ku pala kosovare është e angazhuar për zgjidhjen e problemeve në veri të vendit në rrugët europiane dhe integruese, dëshmon se Kosova e përjashton dhunën si një mjet të zgjidhjes së konflikteve, duke u shërbyer vetëm me metoda paqësore dhe përmes negociatave. Arritja e marrëveshjes eventuale me palën serbe edhe më tej hap rrugën e Kosovës drejt integrimeve në BE.

Shkëputur nga punimi shkencor ‘’Ethnic Dimension in Kosovo, Security and its Consequences in Transition’’

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat