Loja komuniste e Isa Mustafës me Pro dhe anti-amerikanizmin..!?

Opinione

Loja komuniste e Isa Mustafës me Pro dhe anti-amerikanizmin..!?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 28 mars 2020 Në ora: 20:35
Isa Mustafa

Isa komunisti erdhi në krye të LDK-së me metoda dinake, iu afrua Fatmir Sejdiut si këshilltar i tij, ndonëse kur e kishte thirr presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2002 me u aktivizua, i kishte thënë, jo, nuk do merrem me politikë, do i kthehem mësimdhënies. Mirëpo, po ky Isa Mustafa pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, do ngjitet me shpejtësi në politikë, së pari në nivel komunal e më pas edhe në krye të LDK-së!

Këto ditë e vërtetoi vetë, se Isa Mustafa, përveç politikës tinëzare, nuk njeh tjetër kod sjelljesh, kështu përmes puçit politik e braktisi dhe e legalizoi me votëbesim prishjen e qeverisë në kohën më kritike nëpër të cilën po kalon Kosova!

Deklarata e tij e djeshme, ku veç tjerave thotë; ''Beteja politike e zhvilluar, sidomos kohët e fundit në Kosovë, nuk duhet të vazhdojë më'', e vërteton karakterin e tij prej komunisti ordiner, që, pasi i zhbëri institucionet ekzekutive, tash del e thotë me paturpësi; “tani nuk duhet ta vazhdojmë luftën më..”!?

E them me bindje të plotë, se Isa Mustafa është “Lëdëkëist” dhe “Rugovist”, po aq sa i tillë është Hashim Thaçi ose ata që kurrë nuk kanë qenë pjesë e LDK-së!?
Isa Mustafën, derisa ka qenë për 10 vite ministër për financa në qeverinë “Bukoshi” në Exil, përkatësisht në Gjermani, nuk e kam takuar asnjëherë, por as nuk e kam parë në asnjë tubim dhe demonstratë të organizuar nga Dega e LDK-së në Gjermani, në të cilat unë kam marrë pjesë aktive. Dhe, shumëçka është folur për këtë ministër të Bukoshit gjatë 10 viteve, mirë e keq, varësisht nga cili tabor politik jepeshin vlerësimet për punën e tij.

Ka shumë momente dhe aktivitete me rëndësi për historinë atdhetare, patriotike dhe sakrifikuese të Mërgatës shqiptare në Gjermani si dhe asaj në gjithë botën perëndimore, për të cilat do flas dhe shkruajnë një ditë aktivistët që kanë qenë pjesë aktive e saj, por për Isa Mustafën ka vite që opinioni dhe historia ka zënë të flasin, duke nxjerr fakte të pa thëna deri më tash për të, kryesisht në kontekstin më negativ të mundshëm. Isa Mustafa, i cili si ministër për financa pranë qeverisë “Bukoshi” ishte zgjedhur nga konjukturat e atëhershme politike në vitin 1991/92, ishte ai i cili disa vite më vonë do ia ndërpres pagesat financiare, pikërisht njeriut i cili e bëri ministër në qeverinë “Bukoshi”, pra presidenti Ibrahim Rugova, duke e lënë Presidencën pa mjete financiare për punë dhe mbijetesë në kushte të një okupimi barbarë.

Isa Mustafa, ishte mbështetësi kryesor i veprimeve politike të Bujar Bukoshit në konfliktin e tij me presidentin Ibrahim Rugova, pastaj disa herë presidentin Rugova e sabotoi në heshtje, siç i nxiste Bukoshin dhe kundërshtarët e Rugovës kundër tij, financonte grupe kundër Rugovës, kurse presidentit dhe QIK-ut të Enver Malokut ia ndaloi ndihmat, dhe siç dihet nuk ia paguante as biletat e udhëtimit për në SHBA, duke e lënë të pres nëpër aeroportet e Evropës, por edhe shumë rrallë takohej me të kur ai vinte për vizita në Gjermani, etj.

Është Isa Mustafa, ai i cili kurrë nuk e ka paguar obligimin e 3%-shit nga të ardhurat e tij mujore, por nuk paguante asgjë as për aksionet tjera të shumta që organizoheshin për t’i dalë në ndihmë popullit në Kosovë, e më vonë as ushtrinë çlirimtare në Kosovë. Është po ky Isa Mustafa i cili bashkë me B. Bukoshin i kishin strehuar në lokalet e qeverisë në Bonn, grevistët e urisë, Ibrahim Kelmendin dhe disa tjerë nga LPK-ja, të cilët bënin grevë urie, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Rugova, është Isa Mustafa, ai i cili gjithmonë ka pasur bashkëpunim të afërt me disa anëtarë të degës së LPK-së në Gjermani, dhe kështu me radhë.

Ishte Isa Mustafa, ai i cili pas përfundimit të luftës ka refuzuar kategorikisht t’i paguaj shpenzimet për telefonin satelitor të cilin gjatë luftës e ka përdorur kol. Tahir Zemaj, ndërsa pasi që e uzurpoi LDK-në në vitin 2010, do shkon për homazhe tek varri i tij në Strellc të Deçanit për të derdhur lot krokodili, kurse faturën e telefonit në shumë prej 114.000 markave gjermane, nuk e ka paguar kurrë, sepse e vlerësonte si diçka që nuk i intereson! Ndërsa, për fatin e 50 milion markave të mbetura nga Fondi i Republikës për tre përqindëshin (3%) të cilat i ka deklaruar vetë I. Mustafa në një emision televiziv në vitin 2000, si dhe për kapitalin financiar të “Dardania” Bankës në Tiranë, e shitur për 10 milion marka, sot e kësaj dite ky dhe B. Bukoshi nuk kanë dhënë kurrë llogari..!?

Përveç asaj që dihet se ai me B. Bukoshin, themeluan njëfarë fondacioni privat (UFORK) për të cilin askush nuk dinë dhe nuk ka informata për fatin e tij, për çka një grup themeluesish të Fondit të Republikës së Kosovës kanë ngritur aktpadi tek organet e drejtësisë gjermane për ta mësuar të vërtetën e (keq)përdorimit të këtyre mjeteve, por Prokuroria speciale e Kosovës këtu e 8 vjet po e shtyn lëndën duke mos e nxjerr për shqyrtim!?

I solla këto fakte me qëllim që opinioni ynë të njoftohet mbi të vërtetën e veprimeve të Isa Mustafës, derisa ishte ministër në Gjermani, i cili edhe sot me paturpësi po e manipulon opinionin shqiptar, se gjoja po i mbron marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën nga “anti-amerikanizmi” i Albin Kurtit, kur vetë ky e ka luftuar për së gjalli presidentin Ibrahim Rugova, i cili ishte dhe do mbetet lideri shqiptar, qoftë si kryetar i LDK-së, qoftë si president i Kosovës, i cili na ka miqësuar me Amerikën. Unë iu garantoj se sa për Isa Mustafën, B. Bukoshin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halitin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn, etj., Kosova kurrë nuk do ishte bërë mike me amerikanët dhe as që do ishte çliruar pa ndihmën e SHBA-ve dhe miqve tanë gjermanë, francezë, anglezë dhe italianë.

Prandaj, të dalësh sot në emër të disa kauzave të rrejshme, të një politike gllabëruese, uzurpuese, siç bëri I. M., duke e marrë me puç postin e kryetarit të LDK-së, pa qenë dhe pa e paguar kurrë anëtarësinë e saj, përkatësisht në emër të një patriotizmi të rremë dhe të një pro-amerikanizmi të sofistikuar me ngjyra prej karboni, madje sot del edhe si mbrojtës i “Rugovizmit”, duke e cituar presidentin Rugova në një status të tij në Facebook, në një përgjigje dhënë disa kritikuesve të tij; “Jezu Krishti do të thoshte: Fali o Zot. Nuk janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre. E Ibrahim Rugova sigurisht do të shtonte: Mos të merremi me ta. Të rinj janë. Kanë kohë të piqen..”, thënë më së buti, është kjo imoraliteti dhe pafytyrësia më e vrazhdë nga një njeri i cili veten e quan akademik dhe profesor universiteti..!?

Si mund të thirresh në Ibrahim Rugovën dhe Rugovizmin, derisa të njëjtin nuk e ke njohur kurrë për president tëndin, të cilit ia ke lënë pa mjete financiare, në kohën kur ai po qëndronte me popullin i cili po masakrohej, vritej dhe dëbohej nga shtëpitë e tij nga makineria vrastare serbe, derisa I. M. në Gjermani po bënte një jetë luksoze me paratë e mërgimtarëve të shumë vuajtur shqiptarë!

Si mund të thirresh në mbrojtje të miqësisë me Amerikën, derisa presidentin Rugova me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, heroin Enver Malokun, ia ka ndaluar ndihmat financiare Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), instrumentit të vetëm informativ të asaj kohe, duke e sabotuar Rugovën për të mos arritur me kohë në takimet që i kishte në Washington me miqtë tanë amerikan, me Bob Dollin, Dom Lantoshin, Medeline Allbracht, presidentin B. Klinton, Wesli Klarkun, J. Diogardin si dhe shumë të tjerë..!?

Për fund dhe jo përfundimisht, Isa Mustafa që kur unë e njoh dhe deri më sot, asnjë të mirë nuk ia ka sjellë Kosovës dhe popullit shqiptar, gjithmonë i ka mjelë dhe vjelë të mirat e saja buxhetore dhe kapitale, as edhe një cent nuk e ka paguar nga gjepi e tij në ndonjë fond humanitar apo aksion financiar për ta ndihmuar Kosovën, duke vazhduar për dekada që ta zhvatë atë pa u ngopur kurrë, ndërsa politikisht kurrë nuk ka qenë në shërbim të interesave të Kosovës. Me një fjalë, Isa Mustafa është e keqja më e madhe politike dhe kombëtare që e ka goditur Kosovën në 40/50 vitet e fundit. Mjerë Kosova që e pati dhe e ka këtë njeri dinak, dhelparak, manipulues, uzurpues dhe në palcë, anti-Rugovist i përbetuar i cili e rrënoi LDK-në rugoviane..!?

Për të bëmat tjera të tij, nesër me siguri do shkruan historia e popullit shqiptar, e që jam i sigurt se do i jep vlerësime shumë negative, për të cilat do ndjehen të turpëruar pasardhësit e tij si dhe ata të cilët e mbështetën me servilizëm të verbuar një njeri, i cili për 50 vite ishte në shërbim të djallit komunist dhe serbo-jugosllav..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat