Megjithatë, një elegancë juridike e Gjykatës Kushtetuese!

Opinione

Megjithatë, një elegancë juridike e Gjykatës Kushtetuese!

Nga: Lirim Begzati Më: 1 prill 2020 Në ora: 07:06
Lirim Begzati

Nuk ka nevojë me kryer studime të thelluara juridike për me kuptuar se çka na thotë një dispozitë aq e përfolur sot e Kushtetutës së Kosovës. Por aq më tepër, nuk duhet me pasur një shkallë të lartë mençurie për me e kuptuar atë se çfarë kërkohet si prioritet në ditën e sotme.

Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara me shpalljen e pandemisë, si datë e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit të saj, pas kërkesës që iu drejtua për vlerësimin e kushtetutshmërisë së një vendimi të Qeverisë, Gjykata kushtetuese e pa të arsyeshme që ta përcaktojë datën 13 prill 2020. Kjo mund të interpretohet, në mes tjerash, si një dëshirë e Gjykatës që të mos i konsiderojë aq të çuditshme masat e domosdoshme të Qeverisë.

Në njëfarë kuptimi, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata tregoi një vigjilencë të ngritur profesionale. Edhe pse mbetet e hapur, me plotë arsye, edhe pyetja se a ka mundur të veprohet ndryshe. Jo, do të ishte përgjigja nëse flasim për një gjendje “normale” dhe nëse i mbetemi jo kushtimisht besnik parimit rigoroz të ndarjes së pushtetit. Por, nga ana tjetër, nuk do të bënte keq edhe një gjurmim i thuktë juridik që do të mund të çonte eventualisht në konkludime të tjera.

Flasim për rrethana të jashtëzakonshme, të vlefshme këto për me pasur një ndikim të mjaftueshme në reflektimet tona, gjithashtu të jashtëzakonshme, qofshin ato politike apo juridike.

Fundja, nuk diskutohet se Gjykata u gjend përballë një dispozite absurde kushtetuese, për të cilën nuk dihet se nga e ka origjinën e saj apo nga është kopjuar ajo.

Shtetet modele të së drejtës, në Kushtetutat e tyre ngërthejnë dispozita, sipas së cilave, për kufizimin e lirisë së lëvizjes, mjaftojnë arsyet e mbështetura në mbrojtjen e interesit të gjithmbarshëm të popullatës së tyre.

Te na dëgjojmë se para se të kufizohet një liri e qarkullimit, duhet paraprakisht të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme. Një absurditet i një shkalle të lartë.

Këtë konstatim e dëshmon qartazi edhe gjendja e tanishme, ku për me pruar disa vendime për mbrojtjen e interesave të përgjithshme dhe në përputhje me gjendjen e krijuar, nuk mund të pritej aspak shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Duhej gjithsesi të merren disa masa urgjente, e jo domosdoshmërish të shkohet menjëherë në ekstremin e quajtur “gjendje e jashtëzakonshme”.

Shtojmë edhe diçka për me i freskuar kujtesat me shembujt e atyre që veprojnë ndryshe: në shembullin e Zvicrës, nuk dyshohet aspak se, me situatën e krijuar, rregullat themelore të federalizmit të cilat paraqesin një bazament të parimeve kushtetuese të këtij shteti, shkelen gati se çdo ditë. Disa kantone janë të detyruara të marrin disa vendimi që nuk janë në shijen e kantoneve të tjera apo të konfederatës.

Por gati se askush nuk iu kushton ndonjë rëndësi aspekteve ligjore mbi këto çështje. Njerëzit janë të fokusuar në prioritete të tjera. Nuk dëgjuam deri sot të iniciohen procedura për analizën e pajtueshmërisë së vendimeve të tilla me dispozitat e Kushtetutës federale. Po, aq e kuptueshme kjo. Kurse te na, u pa e arsyeshëm të futet në lëvizje puna e Gjykatës kushtetuese, ndoshta para se të mendohet diçka tjetër, konformë nevojave të kohës dhe të interesit të gjithmbarshëm!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat