A duhet inteligjenca e LDK-së të jetë më kritike rreth politikës së udhëheqjes së saj?

Opinione

A duhet inteligjenca e LDK-së të jetë më kritike rreth politikës së udhëheqjes së saj?

Nga: Jakup Azemi Më: 1 prill 2020 Në ora: 13:50
Jakup Azemi

Dr Hamiti një intelektual serioz, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish Ambsador i parë i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, dhe po ashtu bashkëpunëtor e këshilltar i Presidentit Rugova i cili krijoi paradigmën e “miqësisë së përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” është në pozitë shumë të mirë të bëj një ri-kapitullim të marrëdhenjeve të Kosovës me SHBA-t. Dhe ai ka e ka bërë atë “anatomi” siq e quan vet, shumë mire. Por, njëkohësisht teksti i tij është një platformë e mirë për ta quar debatin më tej.

Po i shkoqis disa pjesë nga teksti i tij për të pasë mundësi t’i arsyetoj komentet e mia më poshtë.

Artikulli i tij lexohet leht dhe s’ ka çka i shtohet sa i përket faktimit zhvillimit dhe mbarëvajtjes së marrëdhënjeve të Kosovës me SHBAt deri më tani (në këta muajt e fundit). Dr Hamiti po ashtu është qartësisht korrekt kur shton: “Kosova duhet të jetë edhe me Evropën edhe me Amerikën. Të punojë me të dyja palët. Të punojë me vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe me ato që s’e kanë njohur. Fundja, si do të sigurojmë njohjen e tyre nëse s’punojmë me to?” Ai po ashtu, sygjeron me plot të drejtë që Kosova duhet të vazhdoj të punoj me të dy krahët në SHBA – Republikanët e Presidentit Trump, dhe Demokratët (potencialisht) kandidatin për President Baiden.

Hamiti, me të drejtë poashtu ngre një tezë tashmë mirë të argumentuar nga ai edhe në media televizive, se kriza institucionle në Kosovë është si rezultat i luftës për pushtet midis Presidentit Thaqi dhe Kryeminstrit (tashmë) në detyrë Albin Kurti. Ndonëse jam i bindur se konflikti i tyre është edhe i kësaj natyre, jam poashtu i prirur të mendoj, që megjithatë Kurti duket në një pozitë më të pranueshme, politikisht dhe moralisht se sa Thaqi. Por, për këtë duhet argumentuar një here tjetër.

Por, janë disa teza të artikullit të Dr Hamitit, që mbesin disi nën hijen e pjesës së parë të tij, dhe disi ia zbehin karakterin “udhërrëfyes” për klasën politike në Kosovë që do duhej ndjekur, që ky tekst i tij do të dëshiroja ta kishte. Po i nënvizoj disa nga këto:

Rënjen e qeverisë ia atribuon provokimit të VV, gjë e cila nuk do ti ketë lënë derë LDK-s pos ta ngriste mocionin për mosbesim.

Më duket se reduktimi i problemit në fajësi të VVs është i pa-drejtë kur kemi parasyshë që partneri i saj –LDK-ja (partia e Dr Hamitit, por edhe e imja) kishin dalë haptas kundër vijës që kryeminstri Kurti filloi ta ndiqte, krahas një politike autentike vendore – një politikë edhe pro-amerikane, por edhe pro-europiane, të cilën Dr Hamiti vet e sygjeron. Kjo më sjell tek teza tjetër e tij;

Ai shton (parafrazoj) se Presidenti Trump ka caktuar një emisar special për dialogun Kosovë – Serbi, Grenell-in, pasi BE-ja me lehtësimet e saj për një kohë të gjatë do të ketë mbërritur në qorrsokak, dhe ndër të tjera, pse BE-ja nuk e ka trajtuar Kosovën barabarësisht me Serbinë. …”Po ashtu, faji është edhe i udhëheqjes së keqe të dialogut nga Kosova prej Thaçit në pjesën më të madhe, si Kryeministër e President. I përfshirë në dialog një kohë ka qenë edhe ish-Kryeministri Isa Mustafa.”

Ky paragraf përbën thelbin e pjesës së dytë të artikullit të Dr Hamitit, do të thosha. Sepse, së pari ai më duket rrëshqet disi nga një e vërtetë më komplekse duke reduktuar realitetin në atë se gjoja administrata e Presidentit Trump ia ka marrë dialogun nga dora BE-s sepse ajo (BE-ja) nuk e ka trajtuar Kosovën barabarësisht me Serbinë. Duhet përkujtuar se pala Kosovare, dhe shumë miq të saj, përfshirë përfaqësuesin Demokrat në SHBA, mikun e njohur të Kosovës dhe shqiptarëve Eliot Engel, analistë e intelektualë nga të gjitha anët shqiptarë, amerikanë e europianë kanë ngritur dronë se nga kjo lëvizje e adminsitatës së Presidentit Trump, dhe bulizmit të emisarit të tij Grenell, një marrëveshje potencialisht e keqe e pret Kosovën. Energjizmi i administrates së Presidentit Trump rreth kësaj marrëveshjeje poteniciale është i prirur nga fushata paraelektorale presidenciale në SHBA se sa nga arsyet e supozuara më lart. Propagandës dhe tendencave të Presidentit Thaqi për ta realizuar atë marrëveshje i kemi dalë ballë shumica e nesh, përfshirë edhe Dr Hamitin.

Hamiti po ashtu me të drejtë e fajëson Thaqin si president tani, dhe si ish-Kryeminstër për degradimin e pozitës së Kosovës në negociatat e deri tanishme me Serbinë. Por, ajo që bie në sy në fund të këtij paragrafi (teza nr 2) është relativizimi tepër i madh i rolit të LDK-s dhe Isa Mustafës si bashkqeverisës të Thaqit dhe partisë së tij për gati gjithë kohën sa ky degradim i pozitës së Kosovës ka ndodhë. Theksimi tepër i izoluar “I përfshirë në dialog një kohë ka qenë edhe ish-Kryeminstri Isa Mustafa”, e redukton rolin fundamentalisht dëmtues që LDK-ja me Isa Mustafën kanë pasë në këto procese. Jo rastësisht LDK-ja edhe e fitoi ofiqin “patericë e Thaqit” gjatë këtyre viteve.

‘If it walks like a duck and talks like a duck, then it probably is a duck”

– Nëse ecë si një rosë, këndon si një rosë, atëhere me siguri është rosë”. Kjo është një thënje e famshme Angleze e cila ju atribuohet situatave probabilistike, dhe e cila më sjell tek teza e tretë që nxora nga artikulli i Dr Hamitit.

Deklaratat e treshes amerikane (parafrazim) që janë përgjegjës edhe rreth politikës së SHBA-ve në raport me Kosovën, Grenell, Palmer e Kossnett e cila ri-koonfirmoi qëndrimin tashmë shumëherë të ndëgjuar se bisedimet imanente me Serbinë kanë për qëllim njohjen reciproke midis dyja vendeve.

Për të i shtuar peshë akoma më të madhe deklaratës së zyrtarëve amerikan, u përdor edhe një intervistë e Z. Grenell për T7 me datën 27 Mars, (duhet theksuar se ky ishte një intervistim profesionalisht shumë i varfër) i cili kishte theksuar ndër të tjera se, citoj: “s’kishte plan që e kishte parë ai – dhe ai është emisari/ndërmjetësi – për shkëmbime territoriale, dhe se ai vetë është kundër kësaj ideje.”

Natyrisht, se deklarata e këtyre zyrtarëve si dhe theksimet e Z. Grenell në intervistë janë gjithësesi për tu përshëndetur dhe duhen marrë si të vërteta. Por një pyetje fundamentale në këtë kontekst nuk mundë të mos shtrohet: a ishte e domosdoshme rënja e qeverisë VV-LDK nëse do të nisemi nga deklaratat e mësipërme të zyrtarëve amerikan? Vështirë për tu besuar! Reagimet brenda në Kosovë dhe jasht kundër rrëzimit të qeverisë e cila po funksiononte shumë mire, sipas të gjitha kualifikimeve në një kohë të një krize të jashtëzakonshme, ka ekspozuar të gjithë akterët në këtë skenar, duke ulur besueshmërinë e klasës politike rreth Thaqit, Mustafës etj, por edhe amoralitetin e bulizmit (totalisht të njëanshëm të Grenell-it. Këto deklarata prandaj duken më shumë një përpjekje për të rikuperue të dyja palët, se sa një qëndrim të sinqert të administatës amerikane rreth dialogut Kosovë-Serbi. Pyetjes se a ka një një marrëveshje të gatshme apo jo, të cilën Grenell-i “nuk e ka pa”, është disi vështirë për ta besuar, përderisa aq shumë është folë për te, e madje herë – pas here as nuk është refuzuar ekzistimi i saj. Prandaj, thënja Angleze “If it walks like a duck and talks like a duck, then it probably is a duck” – “nëse ecë si një rosë, këndon si një rosë, atëhere me siguri është rosë”, tingëllon më e vërtetë.

Artikulli i Dr Hamitit, me një mesazh implicit që edhe përkundër rolit lojal të LDK-s nën drejtimin e Isa Mustafës, ndaj politikave degradues të Thaqit, të vazhdohet edhe në këto momente - më të ndieshmet në 21 vitet e pas-luftës së Kosovës, në një masë është zhgënjyes. Nuk dij se si mendohet të implementohet mesazhi i tij që rezulton nga fjalia e tij konkluduese: “Duhet me marrë mësime prej pësimeve. Me dalë prej paralizës shoqërore, politike e morale në të cilën është mbërthyer Kosova.” Sakt, por a me të njëjtët aktorë?! Më duket se inteligjenca e LDK-s, në këtë rast Dr Hamiti e kursen së tepërmi kamxhikun ndaj lidershipit të LDK-s për hir të luajalitetit ndaj partisë. Kjo qasje, dyshoj, i dëmton të dyja, LDK-n dhe Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat