Virusi dhe Zgjedhjet / Ku janë shtetet me të cilat kemi Traktate Miqësie?

Opinione

Virusi dhe Zgjedhjet / Ku janë shtetet me të cilat kemi Traktate Miqësie?

Nga: Shaban Murati Më: 1 prill 2020 Në ora: 14:32
Shaban Murati

Pandemia e coronavirusit, që e ka mbyllur botën si asnjëherë më parë në histori, kërkon përveç terapisë mjekësore edhe terapinë e saj politike, që shoqëritë nacionale të jenë në gjendje të kapërxejnë këtë fatkeqësi kombëtare dhe botërore.

Aplikimi i terapisë politike është po aq i vështirë sa ajo mjekësore, sidomos në rajone si Ballkani, më i varfri në nivel ekonomik dhe më i vonuari në nivel demokratik në Europë. Por është një efekt pozitiv në kohën e kësaj pandemie që shtetet e Ballkanit arritën të kuptojnë domosdoshmërinë e një terapie politike, e cila fillon me ngrirjen e zgjedhjeve parlamentare apo lokale qofshin.

Virusi e detyroi Ballkanin të zbulojë dhe të pranojë se pandemia nuk përputhet as me zgjedhjet dhe as me dëshirat apo endrrat për zgjedhje dhe pushtet të partive politike apo politikanëve në vende të ndryshme. Dhe jo rastësisht në kohën e pandemisë së koronavirusit disa shtete ballkanike u ndjenë nën dallgën e zgjedhjeve.

Me të drejtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 29 mars përcaktoi rendin e prioriteteve dhe theksoi se “porsa të mbarojë pandemia Covid- 19 ne duhet të zbresim te populli për zgjedhje të reja”. Kosova, e përfshirë në oqeanin rajonal dhe ndërkombëtar të epidemisë së përgjithshme dhe e mbytur në kriza artificale bizantine politike, nuk mund të mos lerë mënjanë çdo lojë apo aventurë elektorale në një kohë të tillë. Kosova e kupton prioritetin e momentit.

Në Serbi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në datën 16 mars vendosi shtyrjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për në 26 prill 2020, për shkak të koronavirusit, deri në heqjen e gjendjes së emergjencës, që shpalli parlamenti serb. Në komunikatën e këtij komisioni theksohet se të gjitha afatet lidhur me procesin zgjedhor do të caktohen pas mbarimit të gjendjes së emergjencave.

Në Maqedoninë e Veriut në takimin e jashtëzakonshëm midis presidentit dhe kryetarëve të partive politike parlamentare u ra dakord dhe qeveria vendosi në 22 mars që të shtyhen zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, që do të mbaheshin në datën 12 prill 2020.

Në Malin e Zi presidenti Milo Gjukanovic në 17 mars anuloi zgjedhjet për asamblenë lokale të Tivarit, që do të mbaheshin në datën 5 prill 2020. Ato do të zhvillohen 90 ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonëshme të vendosur për shkak të epidemisë së koronavirusit.

E përbashkëta pozitive e këtyre vendimeve të drejta politike është se jo vetëm shtyhen e ngrijnë zgjedhjet, por ato do të zhvillohen pasi të kapërxehen masat e jashtëzakonëshme dhe gjendja e jashtëzakonëshme e pandemisë së koronavirusit. Ngrirja e zgjedhjeve parlamentare apo lokale është një terapi e drejtë në situatat serioze, që po kalojnë shtetet e Ballkanit dhe të Europës për shkak të epidemisë.

Udhëheqësit seriozë të shteteve i drejtojnë shtetet në bazë të prioriteteve strategjike të aktualitetit dhe të perspektivës. Aktualiteti dramatik epidemisë i jep prioritetin numur një luftës dhe kapërcimit të epidemisë si fatkeqësi kombëtare. Beteja e madhe, (singulare do të thonte Noli) e shtetit me epideminë e koronavirusit kërkon kohezionin dhe konsensusin e të gjitha forcave politike dhe të gjithë grupeve të popullsisë.

Virusi po u mëson edhe shteteve ballkanike ligjin e hekurt të prioriteteve. Është një zhvillim pozitiv që shtetet e Ballkanit kuptuan seriozitetin e gjendjes dhe po shmangin kurthin e prioritetit zgjedhor. Kushdo e kupton se organizimi i çdo lloj zgjedhje parlamentare apo lokale në një shtet ballkanik në situatën e jashtëzakonëshme të krijuar nga koronavirusi do të ishte vetëvrasje shëndetësore, shtetërore dhe kombëtare. Do të demostronte cinizmin dhe etjen kriminale për pushtet të forcave të caktuara, të cilat janë gati të sakrifikojnë edhe shëndetin, edhe jetën e popullit, për ambicjet vampireske për pushtet.

Në çdo shtet ballkanik ka politikanë të instikteve kriminale, të cilët janë gati të përdorin fatkeqësitë kombëtare natyrale për të krijuar trazira dhe për të marrë pushtetin. Në çdo shtet ballkanik ka politikanë, të cilët edhe pandeminë e koronavirusit e shohin si rast i artë për të marrë pushtetin me çdo kusht.

Përveç aspektit të brendshëm, etja dhe ambicja për të marrë pushtetin në kohë pandemie vdekjeprurëse, me aventurën e zgjedhjeve në shtetet e dobta të Ballkanit, duhet parë edhe si një rrymë politike e sponsorizuar nga forca ballkanike dhe jashtëballkanike, të cilat pandeminë e konsiderojnë edhe si mundësi e rritjes së influencës në shtetet dhe popujt e gjunjëzuar nga epidemia.

Nuk janë të rastit as tronditjet, që po konstatohen tani në Ballkan lidhur me rrugën e orientimit strategjik të këtyre vendeve. Është e vërtetë që BE në kohën e koronavirusit nuk u tregua në lartësinë e duhur të solidaritetit si ndaj vendeve anëtare, ashtu dhe ndaj shteteve kandidate, por kjo nuk don të thotë se vendet e Ballkanit duhet të heqin dorë nga orientimi strategjik euroatlantik.

Nuk mund të konsiderohet i drejtë konkluzioni i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në datën 30 mars, duke sulmuar Europën, deklaroi: “Serbia kishte shpresa të mëdha te Europa, por tani serbët mbështeten më shumë te vetja e vet”. Pas kërkesës që qeveria serbe, duke u mbështetur tek Traktati strategjik nënshkruar midis Serbisë dhe Rusisë, i kërkoi Rusisë në 27 mars ndihma për epideminë e koronavirusit, Dmitri Peskov, sekretari i shtypit i presidentit rus, deklaroi: “ Një kërkesë nga një shtet i rëndësishëm, aleat dhe vëlla si Serbia, nuk do të qendrojë pa përgjigje”.

Në rastin e marrëdhënieve Serbi-Rusi nuk është çeshtje thjesht tek solidariteti, por situata e epidemisë po përdoret nga Serbia për të forcuar më shumë aleancën dhe orientimin e saj strategjik te Rusia. Në këtë tematikë janë për t’u parë edhe raportet midis shteteve të Ballkanit.

Është e drejtë pakënaqësia e shprehur nga disa shtete të Ballkanit ndaj disa shteteve të BE, të cilat ndaluan eksportin e produkteve dhe pajisjeve mjekësore në periudhën e epidemisë së koronavirusit. U kritikua me të drejtë në vendet e Ballkanit qendrimi BE ndaj Italisë, të cilës iu mohua ndihma europiane në pikun e epidemisë, kur po i vdisnin qidra vetë në ditë nga koronavirusi.

Por kritika ndaj mungesës së solidaritetit europian nxorri në dritë një tipar tjetër të marrëdhënieve ndërballkanike: atë të mungesës së solidaritetit ballkanik. Dhe kampioni i kësaj mungese solidariteti është Serbia, presidenti i së cilës nuk ka lënë ditë pa sulmuar Europën për ndalim eksporti.

Në datën 28 mars portali “startribune.com” njoftonte se Serbia ka ndaluar eksportin e produkteve ushqimore. Në datën 16 mars kryeministrja serbe, Ana Bernabiç, deklaroi se qeveria serbe do të ndalojë eksportin e gjithë llojeve të ilaçeve për 30 ditë. Pra Serbia bën vetë pikërisht atë gjë për të cilën kritikon shtetet e BE, që ndalojnë eksportin e ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore.

Serbia ka shkuar edhe më tej, duke ndaluar edhe eksportin e mallrave ushqimore. Ky është një tregues domethënës, që duhet të mbahet i shënuar fort në kalendarin e kryeministrave dhe presidentëve të shteteve ballkanike dhe sidomos atyre të të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor, që janë dalldisur pas dashurisë ballkanike të Serbisë me projektin e quajtur “minishengen”. Serbia nuk bëri asnjë përjashtim për shtetet e Ballkanit të “minishengenit” në ndalimin e saj të eksporteve të ilaçeve dhe të ushqimeve në kohën e epidemisë, duke demostruar një mungesë të plotë të solidaritetit ballkanik dhe fqinjësor.

Retorika dhe projektet fosforeshente për “unione ballkaniko-perëndimore” shkrihen si krypa në ujë në provat e rralla tragjike si kjo e epidemisë se koronavirusit.

Një dilemë e re strategjike, që i del përpara Shqipërsë, qeverisë dhe diplomacisë së saj, është pyetja serioze se ku janë shtetet, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie e Bashkëpunimi strategjik për të ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër koronavirusit. Përveç Turqisë, SHBA dhe Italisë, asnjë shtet tjetër me të cilët kemi nënshkruar Traktate strategjike miqësie e bashkëpunimi nuk është bërë i gjallë.

Mos harroni se janë katër shtete ballkanike, me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie e Bashkëpunimi dhe asnjeri nuk ka lëvizur gishtin deri tani për të dërguar maska, tampone, respiratorë apo ambulanca. Pandemitë janë teste për të provuar marrëveshjet dhe traktatet strategjike, të nënshkruara midis shteteve në periudha të ndryshme kohore. Pandemitë janë luftra dhe kjo e koronavirusit është përkufizuar si luftë nga shumë kryetarë shtetesh të rëndësishme të Europës dhe të botës.

Nëse një Traktat strategjik nuk funksionon në periudha lufte apo nevoja lufte, nuk mund të mos lindë dyshimi se çfarë vlere mund të ketë.
Jo gjithmonë Shqipëria ka mbajtur parasysh kriteret rigoroze, që ndiqen për të zgjedhur shtetet me të cilët nënshkruan Traktate Miqësie, për të mos thënë që Shqipëria ka nënshkruar Traktate strategjike dhe ka shpallur aleatë strategjikë shtete, që i dilnin rrugës ndonjë ministri të jashtëm megalloman shqiptar.

Terapia politike në kohën e koronavirusit synon sigurimin e atyre rrethanave politike e sociale brenda vendit, që krijojnë klimën e nevojshme për suksesin e prioritetit numur një në kohë epidemie dhe pandemie, që është sigurimi i shëndetit dhe i jetës së qytetarëve.

Në këtë situatë të jashtëzakonëshme, që po kalojnë shtetet e Ballkanit, do të ishte e mirëpritur arritja e një moratoriumi kombëtar nga partitë dhe forcat politike të çdo shteti për të sanksionuar uljen poshtë të armëve dhe të ambicjeve për të marrë pushtetin, deri sa të mbarojë lufta me koronavirusin.

E para mbi të gjitha për çdo popull dhe çdo shtet është ekzistenca, dhe pastaj vijnë të tjerat, që janë forma të ekzistencës, siç është pushteti politik./Dita

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat