Pandemia armiku i dhunshëm i ndërgjegjësimit njërëzor

Opinione

Pandemia armiku i dhunshëm i ndërgjegjësimit njërëzor

Nga: Remzi Salihu Më: 1 prill 2020 Në ora: 17:55
Remzi Salihu

Rrënja e shpejtë dhe e pa hijshme e qeverisë  Kurti në skenën politike kosovare, mu në kohën më të padëshiruar të koronavirusit, befasoi opinionin e brendshëm dhe atë botëror, por ky tërmet i kurdisur dhe i ndodhur në këtë formë të turpshme dhe të papërmbajtur, tanimë, do të sjell te qytetarët e Kosovës edhe vetëdijesimin më madh politik. Do të sjellë ndryshim se ashtu e kërkon koha. Sipas rrethanave të krijuara politike, Albini nuk kishte forcë manovrimi për ta ndaluar apo për ta kursyer rrëzimin ekzistencës së kësaj qeverie, të sapo formuar në këto çaste emergjence të epidemisë, pasi ndërmjet kësaj intermexoje të koordinuar të punës së filluar, koha kishte ngritur në shqetësimin e vet armikun e pa dukshëm të koronavirusit. As lokalisti më urban që mban ritmin kakofonik e të çakorduar politik, të provincës së shpifjes dhe interesit, nuk mund ta ndihmonte këtë situate të krijuar dhe të sajuar në këtë formë vepruese, sepse refreni i shlagwortit politik i përgjithshëm përmban ritëm që është kompozuar rrejshëm nëpër podrumet e diturisë mediokre. Është zë province i kufizuar në rreth denigrues, që jehona e atij rrethi ritmik të vrazhdë ndihet ngushtë, bile as nuk shkon më larg se deri te ajo ndjeshmëria personale normale, e cila ndjeshmëri e kufizuar, tani për tani, përmbytet keq nëpër fushën e gjerë të dëgjimit kureshtar të përgjithshëm. Ai kompozim i vjetërsuar provincial, i urrejtjes dhe fanatizmit lokalist gjuhësor, është virusi më i keq që nuk bie në veshin e duhur dhe normal të globalizmit integrues perëndimor, pasi çdo gjë e arrirë shoqërore, sot është reformuar me përmasë dalluese të dukshme nëpër tekno ritmin aktual të politikës pragmatike kohore, ashtu siç e do jeta bashkëkohore.

Virusi tjetër i rëndësishëm është përkeqësimit i situatës politike në Kosovë, gjendet te gjeneza e çështjes apo e sëmundjes së krijuar me simtome të dukshme metastazike dhe përkeqësuese të koalicionit dhe mirëbesimit ndërpartiak. Që në realitet do të thotë sëmundja ka ekzistuar që në gjenezë të çështjes, prandaj tendencat ndarëse nuk mund të themi se nuk kanë qenë më parë të dukshme. Vendimmarrësit këtë sëmundje gjenetike nuk është dashur ta shërojnë në këtë formë e mënyrë trajtimi, por është dashur të vepronin me të gjitha preventivat dhe masat e mundshme të marrëveshjeve dhe mjeteve intervenuese, kryesisht që ta ndërpresin këtë epidemi përkeqësimi metastazik të ndarjes të trupit politik.  Mutacioni gjenetik i sëmundjes duhet kërkuar te ADN-ja e motivit, posaçërisht te grimcat elementare të trupit veprues politik. Por cila është ADN-ja kryesore e çështjes penguese të koalicionit në rrugëtimin e sotëm demokratik në Kosovë? Çështje e ngritur për diskutim, e cila sipas skenarëve dhe akteve aktëruese, tanimë, në skenë duket qartë dhe dallueshëm, me fytyrën e saj denigruese në pasqyrën vlerësuese të shoqërisë dhe të opinionit konspirativ njerëzor të drejtë. Këtu, në këtë çështje duhet të kihen parasysh dy gjëra elementare: njëra dhe kryesorja është gjeneza dhe lakmia e kulturës së formalitetit individual, e krijuar dhe zier në mënyrën më të vrazhdë dhe të gjatë në kazanin mediokritetit të shoqërisë së sotme. Tjetra është forma pragmatike ekzistuese e qytetarit me nivelit të lartë intelektual, por e kufizuar në numër, e cila ka vepruar në mënyrë individuale dhe oportune nëpër margjinat e shoqërisë kosovare. Tërë ky rrugëtim i përbashkët kulturor e politik ka shtegtuar i pa sistemuar sa duhet deri më ditët e sotme. Dhe nëpër këto dy binarë ekzistues ka mbijetuar kultura dhe politika e kësaj etape 20 vjeçare qeverisëse. Rrethanat dihen. Shteti doli nga lufta me kufizime të mëdha vepruese. Kur ka kufizime ka edhe manipulime të mëdha, liria dhe drejtësia cenohen me përmasa të ndryshme. Keqpërdoren pozicionet dhe institucionet.  Por tani Kosova nuk është më ai vend që ka qenë para luftës. Ajo ka ndryshuar shumë, nuk është më ajo infrastrukturë që ka qenë. Mundësitë i ka të mëdha për t’i rrëzuar kufijtë e kufizuar të lëvizjes së saj politike dhe është e aftë për të ndryshuar dhe vepruar në mënyrë kreative dhe me standardet e nivelizuara të botës.  Njerëzit tani kërkojnë vlera të mirëfillta, të jenë të njëjtë sikur sikurse të gjithë qytetarët e Kontinentit. Rinia e saj i sheh dhe i përcjell qartë të gjitha nivelet dhe të arriturat e mundshme në botë. Ajo donë të jetë e barabartë si gjithë të tjerët dhe bën përpjekje të krijojë vlera të reja dhe të mirëfillta në vendin e vet. Ikja nga vendi nuk është zgjidhje fatlume dhe shpresëdhënëse e përjetshme. Ajo e di shumë mirë se mund të jetohet dhe veprohet qetë dhe bukur në tokën e të parëve të tyre, me potencialin dhe mundësitë poseduese që ka vendi. Ajo kufizimet dhe lirinë e shprehjes i ka të qartë. Të shëmtuarën dhe të bukurën di ta dalloj pa imponime. Të vërtetën dhe rrenën e sheh me syçeltësi, pa shkues e intrigant përfitues. Koha e përfitimeve të rrejshme ka mbaruar. Mbi të gjitha Kosovës i duhen politikan që nuk rrejnë e vjedhin, individualistë dhe atdhetarë të vërtetë, që të veprojnë dhe ta ndërtojnë vendin siç i ka hije dhe siç duhet.

Tani fundi i hapur i kësaj politike kosovare në kohë epidemie ngërthen në vete diçka të vërtetë, diçka si vetëdijesim njerëzor në ngritje e elektoratit politik të secilës parti në vete. Rrëzimi i qeverisë  në këtë moment nuk duheshe të ndodhte, por do të ndodhte, nuk duhej të ndodhte se është kohë emergjente për mobilizim dhe shpëtim të të prekurve nga covid 19. Por pasi ndodhi ky rrëzim, rra ky shkak dhe dolën në shesh shumë gjëra të padukshme dhe të vlefshme deri më tani. Në konfrontim atakohen e reja me të vjetrën, e vërteta me të pavërtetën. Shumëkush me qasjet tyre dalin pro dhe kundër këtyre partive ekzistuese. Disa nuk janë të realë dhe nuk e thonë të vërtetën fare. Ata që kanë interesa personale japin prononcime të pa përgjegjshme, sepse duan mjegullnajë politike për t’i plotësuar orekset e tyre në mënyrë të rrejshme dhe jo të ligjshme. Militantët e pa përgjegjshëm dhe shkurtpamësit duan mjegullnajë. Nuk ia duan të mirën këtij vendi, për çdo gjë të pakuptueshme në jetë ka zgjidhje. Dallimet partiake nuk është e pëlqyeshme të tregojnë shfrenime hakmarrëse. Jetohet në pluralizëm dhe në shumëkuptimësi do të ketë përherë diverzitete idesh për vendimmarrje të shëndosh dhe të mirëfilltë. Për çdo veprim të ndërmarrë duhet të respektohet ligji dhe kushtetuta e pranuar si e tillë nga të gjithë. Për individin mund të mos ketë rrugëdalje, por për shumicën përherë ka shtigje të hapura për t’i zgjidhur dallimet për një të mirë të përgjithshme. Aq më pak raportet partiake LVV dhe LDK në këto rrethana kohore të rrezikshme nuk duhej t’i tregonin dhëmbët e mprehtë të padurimit të tyre për njëri- tjetrin, edhe pse të dyja dallohen për nga forma ideologjike e qasjes: njëra me orientim majtist tjetra me orientim djathtist, megjithatë, pasi mezi e me vështirësi të gjatë u morën veshtë të qeverisin vendin. Ato rrugëtimin e filluar nuk duhej ta nisin me akuza dhe dallime të papërgjegjshme, sepse u morën veshtë se si do të qeverisnin. Nuk u përmbajtën marrëveshjes së premtuar, shpaluan maskat e interesit personal para interesit të përgjithshëm të elektoratit të vet. Ato dolën lakuriq në Parlament për të shpaluar kundërshtitë që fshiheshin brenda satenit të brishtë karrierist të gjithsecilit, duke ngritur zërin nëpër teatrin e akuzimeve të mëdha. Aty në atë seancë të mocionit shëmbëllente një lojë teatrale tragjikomike, të personazheve të njohura nga historia e përbotshme letrare, e nisur që nga Epi i Gilgameshit e deri te autorët e kohës sonë Haruki Murakami (1949). Aty në atë shfaqe të mocionit performuan figura deputetësh të tipizuara mirë si te personazhet e Shekspirit(1564), Molieri (1622) Balzakut (1799), Dostoefskit (1821), Kundera (1929), Ramiz Kelmendit(1930), Agollit (1931), Kadarese 91936)  Qosjes (1936) etj. Aty ishte i gjallë Hamleti, Tartufi, Evgjeni Grande, Idioti, Madam Bovari, ‘’Shtat persona ndjekin autorin’’syri i Danjollit të Sherkës. Të gjithë ishin prezent aty, dramë e vërtetë në kohën e Koronavirusit. Aty ishte edhe  Sumria që humbi pa gjurmë në romanin e ‘’E dashura ime Sputnik’’, Sa për ilustrim në skenë më doli edhe Evgjeni Garande, i cili me performancën tij në agoni, para vdekjes, dëgjon sakramentet e priftit, dëgjon për hirësinë e padukshme të vendosur nga Krishti, që e bën njeriun të dashur të Zotit. Sakramentet në kishën katolike janë shtatë: (pagëzimi, krezmimi, rrëfimi, kungimi, vojimi, urdhri shenjt, kurora e martesës), janë urdhra të detyrime që duhet t’u përmbahet çdo katolik. Por Evgjeni Grande nuk i dëgjonte fjalët shenjta ( shërbesë, betim, detyrim, zotim). Janë fjalë, të cila ia thoshte prifti Grandes në aktin e fundit të vdekjes. Grande nuk i përfillte këto fjalë fare, sepse kishte humbur vetëdijen, veten në pangoshmërinë e zhvatjes së përhershme të tij, saqë kur shikonte në qafë të priftit atë kryqin e artë, që luhatej me shkëlqim para fytyrës së tij të zbehtë, donte t’ia marrë edhe atë simbol që si takonte edhe në varr. Grande vdiq i uritur për grabitje dhe për çdo gjë, ashtu siç i shihte syri dhe mendja e tij e sëmurë. E tillë m’u duk edhe shfaqja në parlament. Distancën aktorëve ua mbante Covid 19. Ngjarja e mocionit ishte tragjikomike.

Në parlament pamë dhe nuk pamë gjithçka që duheshe të shohim. Vetëm të pavarurit mund të japin vlerësime të drejta gjykime të drejta. Beteja e konfrontimit dhe dallimit politik ndodhi, tanimë pas këtij teatri mund të shihen pasojat e saj. Secili prej tyre i jepte të drejtë vetes, por e drejta bindëse qëndron tjetërkund. Qëndron aty ku respektohet ligji dhe ku nuk ka interesa personale, posaçërisht te ata që ia duan të mirën këtij vendi e populli. Kurse Qytetaret e ndërgjegjësuar dhe të kufizuar nëpër banesat, ballkonet e dhanë alarmin e pakënaqësisë së tyre. Ajo ishte zhurma më ritmike e kompozuar natyrshëm, me rropatje të tepsive, të tenxhereve dhe të fishkëllimave qytetare. Ato jepnin alarmin e demonstrimit në jehonë therëse, për të drejta e pakënaqësi të shumta qytetare. Ato binin dhe vetëm binin vrullshëm në vesh të ndërgjegjes njerëzore, por kë bien ato kambana trishtuese, o të ndriturit e kësaj bote! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat