Veprimi flet më shumë se fjalët

Opinione

Veprimi flet më shumë se fjalët

Nga: Nasho Bakalli Më: 2 prill 2020 Në ora: 16:45
Nasho Bakalli

Njerëz të ndryshëm thonë e shkruajnë në gazeta online, rrjete sociale, se vajtja e 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali, së fundi, për të ndihmuar në vijën e parë të frontit të luftës, atje, kundër coronavirusit, na qënka një spektakël me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare - i thurrur prej Edi Ramës - ngase i vlen përmirësimit të imazhit të vet politik te votuesit shqiptarë. Mendoj se nuk e kanë keq. Eshtë normale që politikani, me këtë ose një tjetër vepër paqësore, të punojë për ta paraqitur sa më njerëzor edhe imazhin vetiak - veçanërisht në një situatë solidariteti dhe emergjenc humanitare.

Nga ana tjetër, po në këto gazeta e rrjete sociale, ka ide dhe komente që na kumtojnë se sjellja e Edi Ramës, më sipër shënuar, i bën më shumë nder Shqipërisë sesa kryeministrit. Edhe këta lajmëtarë janë në të drejtën e tyre.

Po pse që të dyja palët mësipër shënuara kanë të drejtë në qëndrimet e tyre, do mund të pyesë ndonjëri prej lexuesve të këtyre rradhëve?

Koncepti spektakël, në kuptimin më të thjeshtë të tij, nuk është tjetër gjë veçse një lloj sjellje. Sjelljet janë ekonomike, artistike, kulturore, ushtarake, mjedisore, familjare... dhe politike. Për shembull; kur Lulzim Basha doli në pazar për të blerë domate, me trajsën në dorë, dhe në kthim për në shtëpinë e vet i dolën përpara apo fshehurazi disa paparacë, të paguar ose vullnetarë, që fiksuan në aparatet e tyre Lulzimin, domatet, trajsën, dhe disa kalimtarë të rastit - a nuk ishte ky rast një spektakël i Lulzim Bashës? A nuk synoi kjo sjellje të krijojë në publik përqasjen se kryetari i PD është një njeri i thjeshtë, punëtor, familjar; masovik me një fjalë? Padyshim që po. A i shërbeu spektakli ngritjes të imazhit të Lulzim Bashës? Mbase po. E çfarë e keqe u erdhi qytetarëve nga ky spektakël, apo nga komentet e kundërta? Kurrëfarëgjëje. Pse? Sepse spektakli qe civil, paqësor.

Ju kujtoj se spektakli nuk është një gjetje shqiptare, po është një sjellje të cilën e shohim te politikanët italianë, francezë, gjermanë ... të cilët janë shumë më të rafinuar se Lulzim Basha, ngaqë në spektaklet e tyre ka edhe puthje, lot, përqafime, betime, gjunjëzime, e rrokje të ngrohta duarsh. Edhe mbretërit e mbretëreshat e të gjitha racave të dynjasë i kemi parë të jenë bamirës me turmat e tyre; pa nënvleftësuar aspak, në këtë mesele, edhe liderët ekstremistë të Europës. Asnjë e keqe nuk i ka ardhur njerëzimi nga kësisoj spektaklesh.

Po cilat janë ato spektakle që i bëjnë dëm njerëzimit, A ka patur të tilla në Bruksel, Berlin, Paris, Romë ... mbas rënies të Murit të Berlinit? Nuk kemi parë politikanë europianë të vrasin protestues paqësorë; sikurse ndodhi në mes të Bulevardit, në Tiranë, më 21 janar 2011. Vrasja është një spektakl gjakatar. Të vrasësh apo të mos vrasësh? Kjo është çështja. Vrasja, na ndan. Humanizmi, na bashkon. Vrasjen nuk e kemi parë deri tani të shpërfaqet nga Edi Rama në raportet e shumta që ai ka patur si kryeministër me protestuesit, edhe kur këta shtruan gosti me spektakle shpeshherë të dhunshëm në Bulevard, para Parlamentit e gjetkë në Tiranë, apo në qytetet Durrës, Vlorë, Korçë, Himarë, Tropojë... . Dhe kurrë nuk presim të shohim. Kjo ka rëndësi për të gjithë, sot, e mot.

i takon spektaklit në fjalë të Edi Ramës, kjo sjellje e tij e bëri punën e vet të mirë. Ishte një sjellje shqiptare, as e majtë dhe as e djathtë. "Nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre ka macja, rëndësi ka të kapë minjtë." Prandaj të dyja palët - që i përmend në krye të këtij shkrimi - kanë të drejtë. Kështu mund të rrimë sëbashku, të ndryshëm, edhe në "kohë lufte". Nasho Bakalli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat