Funksionimi i demokracisë në Kosovë, i mirë apo i keq?

Opinione

Funksionimi i demokracisë në Kosovë, i mirë apo i keq?

Nga: Isa Shala Më: 3 prill 2020 Në ora: 16:50
Ilustrim

Ta rrëzosh një qeveri është legjitime kudo në botë. Mirpo të ndodhë kjo në një situatë pandemie që ka përfshirë jo vetëm vendin por mbarë globin, kjo të shti të mendosh thellë pse ndodhin këto gjëra ! Pa dashur të hy për shkaqet dhe faktorët e brendshëm apo të jashtëm që po shkaktojnë këso erupcione politike në Kosovë, po mundohem pak ta shtjelloj këtë dukuri.  Kjo çka po ndodhë me funksionimin e sistemit tonë kosovar të demokracisë, sigurishtë se kjo nuk është vetëm fenomen kosovar por mbarë shqiptar kudo ku jetojnë e veprojnë shqiptarët në trojet e veta në gadishullin Ballkanik (apo Illyricum). Ka shum shkaqe. Mirpo thelbin e këtyre dukurive nuk e kemi kuptuar ne akoma, kujtoj !? Ne gjendemi në një pandemi politike. Ne shqiptarët nuk e kemi kuptuar akoma mirëfilli funksionimin e demokracisë. Në botë kemi disa lloje demokracishë: demokraci parlamentare (si tek ne); demokraci liberale (SHBA); demokraci monarkiste (Britani, Australi); demokraci totalitare (Korea e Veriut) etj. Të gjitha këto kan sisteme të ndryshme zgjedhore nga ato presidenciale e deri tek ato përfaqësuese. Po ne ? Çfarë sistemi kemi ne ? Ne kemi sistem partiak parlamentarë por jo përfaqësues. Na u bënë 20 vjet nga fitimi i lirisë aq të kërkuar nga ne shqiptarët që më në fund të funksionojmë si komb e si vend demokratik, por JO ! Të gjithë pothuajse e dijmë se, që nga zgjedhjet e para „demokratike“ të vitit 2001 në Kosovë  asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e vet të plotë deri me tash, 25 mars 2020 ! Janë mbajtur shtat (7) legjislatura dhe asnjëra nuk ka përfunduar deri në fund mandatin. Po, pse ky sistem zgjedhorë tek ne në Kosovë nuk funksionon ? Mendoj se tek ne dominon akoma vetëdija komuniste e menagjimit partiak. Sistemi i përfaqësimit tek ne nuk ka peshë dhe nuk ka vlera sepse duhet dëgjuar partinë dhe vendimet e saja të cilat merren në „formë demokratike“ me shumicë ngritje dore (!) në forumet e partisë; kryesia, këshilli i përgjithshëm apo ndryshe të quajtura ! S´ka rëndësi. Tani shtrohet pyetja, po këta deputet të zgjedhur në zgjedhje me votën e „lirë“ të popullit, qytetarit (votuesit) çfar funksioni kan në parlament, kuvend? Kukulla !? Kështu po i bie. Sepse këtyre (deputetëve) nuk ju lejohet lirshëm të shprehen e të veprojnë në kuvend, por me direktiva nga oligarkët partiak. Kujtojmë këtu votimin e gjykatës speciale si u bë. Mandej, votimin e demarkacionit etj. Kryesia e partisë në krye me kryetarin dhe këshilli i përgjithshëm e partisë vendosin për politikat e partisë dhe të „mirën e vendit“ dhe këta zotëri e zonja deputet/e të zgjedhur duhet vetëm të ngrisin dorën ose të shtypni butonin për miratimin e vendimeve të partisë sepse janë bërë deputet nga partia. Sepse partia i nominoj për deputet. Sepse, po mos të ishte partia e cila këta i nominoj për deputet, nuk do ishin aty ku janë tash, pra deputet. Andaj vendimet e partisë duhet zbatuar. Qofshin mirë apo qofshin keq ! Vendimet e shumicës në parti duhet respektuar e zbatuar. Kështu deklarohen disa oligark dinosaur të partive politike ! I kemi dëgjuar këto ne vet. Absurditet. Kështu ishte në kohën e ish jugosllavisë. Tito-ja, në atë kohë të sundimit të tij, merrte vendime me CK (Centralni komitet ) KPJ dhe të tjerët në kuvendet krahinore, republikane e federative, diskutonin e diskutonin, gjithmonë në vijen e partisë dhe në frymën e atyre vendimeve të presednikit e të CK-as dhe, në fund aprovonin vendimin nga lartë me ngritje dore, 99 % . Kjo po ndodhë edhe tek ne në Kosovë me partit politike tona, vetëm se tani është zbutur pak, pra ka ra të themi në 85% dhe, çka i thonë kësaj? Hajde le t´i themi çalim e demokracisë pasi jemi në demokraci. Se sa do të zgjas kjo pandemi politike nuk e di askush, sepse interesat individuale e klanore nuk e tolerojnë  ndryshimin, shkaku i humbjeve të privilegjeve të tyre. Andaj jemi këtu ku jemi. E, edhe sa do të zgjas kjo (?) akoma askush nuk e di ! Një e dijmë dhe një po e shohim se ne, populli, qytetari (votuesit) po mbesim gjithnjë gojë hapur. Për të mos them ndonjë fjalë tjetër (!) se thjeshtë nuk po më pelqen. Por, si t´ja bëjmë ? Thjeshtë duhet shpresuar se do të rritet numri i atyre deputetëve që dijnë ta kundërshtojnë partinë me vendimet e veta në të mirë të interesit të votuesëve, popullit e vendit në kuvendin e Kosovës. Ose, të ngrihemi e të protestojmë qetë e me mjete demokratike gjithnjë duke kërkuar që një ditë kjo të ndryshoj. Thjeshtë sistemin tonë organizativ partiak e kemi aq të keq sa s´bënë. E në kuadër të kësaj edhe sistemin zgjedhor parlamentar. Pra, këtu duhet një reformë e gjërë në të gjitha segmentet, edhe ate shpejtë. Ose, do ecim ngadalë. Sigurisht se në këto rrethana na nevojiten ndoshta edhe shum dekada për të ardhë aty ku duhet me sundimin e ligjit dhe të demokracisë.  Por, a mund të presin qytetarët e Kosovës aqë gjatë duke e ditur që ky virus po vazhdon që nga përfundimi i luftës së dytë botrore !? Është virus marksist komunist. Nëse nuk ndërmerret diçka shpejtë për të rregulluar e përmirësuar këtë sistem zgjedhorë atëhere rezikojmë që edhe gjeneratat e reja t´i infektojmë me po këtë virus zhagitës pothuajse njëshekullor. Çka mund të bëjm; thjeshtë, shpejtë e mirë ? Mendoj se në sistemin tonë zgjedhorë menjihere duhet të eliminohen listat e partive. Votimi i partisë duhet të hiqet fare. Listat zgjedhore duhet të jenë vetëm me kandidat garues për deputet të cilat pas emrave të tyre (të kandidatit) në kllapa duhet të kenë vetëm inicialet e partisë të së cilës i takon kandidati. Në këtë formë, në bazë të votave të fituara të kandidatëve, numrohet edhe vota partiake. Ndryshe votuesi është i detyruar të votoj në mënyrë jodemokratike sepse së pari duhet (imponohet) të votoj partin e mëpastaj (një ose deri në pesë) kandidatët e preferuar të listës partiake. Por asnjihere nuk ka mundësi të zgjedhë pesë kandidatët e tij të preferuar, qofshin ata edhe të partive të ndryshme. Ndryshe fleta zgjedhore del e pavlefëshme. Për këtë arësye dalin edhe aq shum vletvotime të pavlefëshme. Natyrisht, i mbetet kjo parlamentit (kuvendit të kosovës) t´i propozohet e të votohet si ligj, gjithnjë me ekspertizen e specialistëve ligjor. Të shpresojmë se diçka do të ndryshoj sepse kështu më nuk shkon. Nuk shkon. Sepse po shkelet demokracia me të dyja këmbët. Nëse dojmë vërtetë të bëjm shtet atëhere duhet të veprohet dhe të realizohet kjo. Duhet të mbështetemi tek gjenerata e re e shkolluar. Përndryshe, edhe në 100 vjetët e ardhshëm do të rropatemi kështu, e ndoshta, edhe do të fundosemi si shtet. Tani, në këte fundosje do të shpëtoj një pakicë manipulantësh që janë bërë multimilioner por, shumica e qytetarëve (populli) dhe vendi do ta pësoj keq. Ta mbështesim rinin e shkolluar për të ecur përpara, jo dinosaurët oligark politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat