Ju bë jeta nyje dikujt, shih tek nyjet!

Opinione

Ju bë jeta nyje dikujt, shih tek nyjet!

Nga: Msc. Doruntina Grulaj Më: 4 prill 2020 Në ora: 17:10
Msc. Doruntina Grulaj

Dëgjoj pothuaj për çdo ditë një shumicë njerëzish që thonë kjo koha e tanishme që po e jetojmë dhe mënyra si e kalojmë na është bërë shumë e rëndë, për të vetmin fakt që janë të mbyllur në shtëpi, nuk shkojnë në punë dhe nuk po mund të lëvizim. Besoj që secili nga ne e dimë që gjithçka ndodh më së paku për një arsye! E tani ju lutem të shohim një këndvështrim tjetër dhe të jemi falënderues për krejt çfarë kemi dhe jemi.

- A keni menduar ndonjëherë se do jetojmë këto ditë ? E di sigurisht se Jo.

- A keni menduar se këto ditë disa i shohin si jetë të "pajetuar " po e quajnë disa , do e thoja ata që jetojnë të mbyllur si ne siç jetojmë po tani. Eh! Ata po aq habi bëjnë me ne, pse e quajmë si të tillë këtë periudhë.

Ne brengosemi se mbetëm brenda të izoluar por, i sëmuri që nuk mund të lëviz e ka muaj i shtrirë në spital, po invalidët që nuk mund të lëvizin e qëndrojnë pothuaj shumicën e kohës jo vetëm në shtëpi (brenda vetëm në një dhomë), të burgosurit me o pa faj e që përveç një hapësire të kufizuar nuk mund të lëvizin më shumë, po të vetmuarit që nuk kanë njeri tjetër në shtëpi, po ata që vuajnë nga depresioni që edhe ditët me diell ndonjëherë nuk i duan, edhe momentet e lumtura ndodh nuk din ti gëzojnë, e të verbërit që duan të shohin natyrën si ndryshon me stinët...

Fundja edhe ne që punojmë jemi të mbyllur në objektet e vendet e punës, ndoshta me më shumë se 8 -10 orë, të duket e rëndë kjo, s’do mend se është e rëndë por vlenë se duhet punuar dhe jetuar, e këtë #rrinështëpi mos e merr si të rëndë se do bësh çfarë të dojë qejfi ( brenda mundësive shtëpiake ), mjafton se do pushosh e do flesh më shumë se kurrë më parë, dhe s’do kesh alarm të paktën për pak ditë ose javë, me shpresën se gjithmonë do gëzosh edhe një mëngjes, e ndihuni të lumtur për çdo ditë që hapni sytë...

Kjo kohë që jemi duke jetuar duhet vërtet ta ushqejmë mendjen dhe zemrën me gjëra tjera e jo me ankesa, ta jetojmë të tashmen, mos të ia lejojmë vetes mërzinë e të ftojmë stresin, ankthin, frikën veç pse janë falas (gratis), nuk kemi nevojë as s'do na duhen kurrë, edhe sikur të ishin me pagesë e të kishim mundësinë për ti blerë. Tani duhet të fokusohemi të mos mendojmë negativisht thellë e gjatë dhe të lodhim mendjen, sepse në ditët që do i kthehemi rutinës që kemi bërë secili prej nesh jemi të bindur se po atë dinamikë do kemi, po at stres e lodhje do na ofroj jeta, mos më shumë, prandaj mundohuni të shijoni këto ditë, të relaksoheni sepse ata që tani më së shumti po lodhen e nuk po ankohen kurrë, e aq më pak përkundrazi po mundohen të na bëjnë qefin janë prindërit tanë, motrat, vëllezërit, që ndoshta edhe po i bezdisim me kërkesa e preferenca tona dhe ata nuk po ngurrojnë, për çudi asnjëherë nuk u lodhën. Prandaj nëse dikush thotë ;

* Ju bë jeta burg dikujt, dil shih te burgu !

* Ju bë jeta nyje dikujt, shih tek nyjet !

* Ju bë jeta e mërzitur brenda dil e shih dikënd që nuk ka strehim, s'ka vend ku të ha, ku të pi, as ku të fle as ku të rri, e ndoshta edhe në pamundësi që të ushqehet.

Nëse të mundojnë këto ditë izolimi, më beso do e kuptosh më vonë sa të domosdoshme i ke pasur, e sa punë të janë lehtësuar, e sa të këqija do i kesh larg, e sa sfida tjera do jesh i/e përgatitur ti kalosh.

Ndoshta kjo se çfarë po i ndodh tani i gjithë globit disa teoricienë mund ta quajnë e gjitha kjo situate kjo pandemi Covid 19, është çështje politike, përfituese, shpërqendrim i mendjes së qytetarit të globit, kurse në aspektin fetar është sinjal nga Zoti, se bota ka marrë rrjedhë tjetër njerëzimi po shkon drejtë shkatërrimit...

E them qoftë nga dora e njeriut padyshim Zoti ka për të na ruajtur e të keqen ka për të ndaluar, kurse qoftë nga Zoti prapë nuk kam as dyshimin më të vogël se Ai ka për të na ndihmuar, sikur jemi sprovuar e na ka ndihmuar në momente që kemi menduar se më vështirë s'bëhet.

Prandaj ti gëzohemi këtyre ditëve që kemi të bekuara qofshin, dhe mos ta harrojmë se e keqja nuk ka fund, ashtu sikurse e mira. Gëzojeni çdo ditë të jetës dhe mos harroni përmbajuni thënies së bukur “ Duajeni dhe ruajeni veten mos pritni nga askush që ta bëj për ju” dhe ” duajeni dhe ruajeni veten që të ju duan e ju ruajnë të tjerët!” Të jemi sa më shumë pozitiv thellë brenda vetes,të kemi besimin se gjithçka çfarë kalojmë janë vetëm momente kalimtare, që na sjell jeta, e ne duhet gjithmonë të buzëqeshim, kështu edhe momentet qofshin nga më të vështirat bëhen fare të lehta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat