E mbrojnë Zotin nga Albini....BE-në nga Gjermania... Skënderajin nga mielli...

Opinione

E mbrojnë Zotin nga Albini....BE-në nga Gjermania... Skënderajin nga mielli...

Nga: Kimete Berisha Më: 13 prill 2020 Në ora: 19:17
Kimete Berisha

1. Ikë prej sevapit, mos hyn n'gjynah.

Sami Lushtakut i doli idhnim, pse Ti po i ndihmon fukarenjtë me logon e PDK-së.

U dasht logoja e pakos me qenë e Presidentit Historik, ndonjë mesazh popullor ose ndonjë varg poetik, si për shembull:

- 'Digi digi don: qëlloja kush jam, emrin gjeneral e kam?

Dhe porositë shtesë për vota:

-'Çajin kur ta pish, mos e turbullo, Sami Lushtakun kurrë mos e harro'.

-'Pika pika, pikon zejtini, ne nuk jemi si Ramush Haradini'.

Nejse, më bukur ka vepruar Erdogani, popullit të tij ua ka dërguar pakot e ndihmave me vargjet optimiste të Rumit:

'Pas dëshpërimit ka shumë shpresë, pas errrësirës ka shumë diell'.

Mirë e ka Rumi, ama këto mesazhet me diell e me terr nuk po kryejnë më punë, se edhe ne si Rumi e kemi vargun e thellë: 'Pas çdo dimri vjen pranvera'.

(Plus LDK po bën problem, se Rumi, Gandi, Konfuçi, Naymari e këta nuk po i pëlqejnë Driton Selmanajt, se ky Dritoni po e akuzon Albinin si tradhtar që do të lidhet me Indinë e Gandit, Kinën e Konfuçit (Sun Tzuit, strategut tim të preferuar), dhe me Brazilin e Naymarit, se sipas tij këto janë shtete primitive dhe 'armike' prandaj Kosova hyjnore nuk bën m'u përbishtu me to).

Ama, duhet me ditë se Sami Lushtaku nuk pretendon me qenë evlia, prandaj nuk është fer me ngushtu njerin' pse Ti s'je i shejtë, qysh po kemi qejf ne.

Nëna Terezë gjithmonë ka dhënë ndihma me logon e Shoqatës 'Nëna Terezë'.

Se, duhet m'u ditë kush po jep.

E nuk japin ndihma veç shenjtorët, por edhe Robin Hudi jep ndihma.

Prandaj bereqavers prej tij, veç le t'vazhdon me këtë ritëm.

Ju po lypni ndihma e jo shenjtëri, se shenjtorë për shenjëtorë, jeni vetë!

Nuk është turp me dhënë ndihma, as nuk është turp me marrë ndihma.

Veç urdhëro gjeneral, shikoje mundësinë edhe naj pomadë (bën edhe pavlloviç) nëse ke, se bukuria popullore në rrezik.

2. Zor me marrë, edhe më zor me dhënë. Se njeriu dyshon në Zotin pa e pa hiç, lëre më kur niset prej vetes, s'i beson më askujt.

Kështu, ka shqiptarë (kryesisht poetë pa poezi) që e urrejnë Elvis Naçin, dhe e akuzojnë pse Ti 'nuk je profet'.

Hoxha i nderuar (por edhe simpatik) bën punë aq të madhe sa që duhet të jesh shumë i djallëzuar që të merresh me formën se si i jep ato, e ta mohosh madhështinë e veprës së tij.

Lum Ai për veti, lum.

Ata që e shajnë duken si 'shkrimtarët' e parealizuar, që për t'u bërë të 'mëdhenj' shkojnë e shajnë dhe e mohojnë (të parin) më të madhin, për shembull, Kadarenë.

Se është lehtë m'u bë Kadare, mjafton me sha Kadarenë dhe bëhesh edhe më i madh se Ai.

Nuk mund ta mohosh Elvis Naçin me fjalë goje, sepse Ai u krijua me vepra.

Ti mund t'ia mohosh 'sinqeritetin' të dyshosh në të, por jo veprën:

Sepse Ai, i shëron shqiptarët (pa dallim feje);

i ndihmon jetimët, të pakrahët, të vetmuarit dhe të harruarit.

Ku ka vepër më madhështore se kjo.

Pra, neve nuk na duhen shenjëtorë, por ndihmëtarë. Le të jenë edhe mëkatarë, punë për ta, veç pakot le t'i mbushin përplot.

Por, kot, disa shqiptarë (sidomos të Shqipërisë) nuk u mjafton kjo, duan që Ai të jetë Profet, duan të mos duket, që Elvisi ta fsheh veprën e Tij dhe të punojë tinëz, mundësisht të mos ekzistojë hiç 'edhe më mirë', dhe kjo urrejtje nuk ndodh për asgjë tjetër, veç pse është hoxhë.

4. Edhe Albinit i doli punë, e akuzuan pse Ti e respekton ezanin, se e ke me qëllim të keq.

Po shihet n'sy se e ke me qëllim të keq .

(E mbrojnë Zotin nga Albini, e mbrojnë humanitetin nga Elvisi, e mbrojnë Skenderajin nga mielli i Samiut, e mbrojnë Indinë nga Konfuçi, Persinë nga Rumi, ashtu siç e 'mbron' Isa Mustafa Amerikën nga populli i Vetëvendosjes).

Mos me respektu Albini ezanin, do ta kishte përsëri me qëllim të keq.

Kurrgjë s'i plotëson shqiptarët, badihava.

Kur vendos shqiptari mos me të dasht, merre minaren ose kryqin mbi shpinë e ngjitu bjeshkëve përpjetë, kot e ke-nuk të do;

e kur vendos me të dasht, bëj çka të duash kundër tij, përsëri kot e ke, nëse Ai ka marrë vendim me të dasht, u kry muhabeti.

Edhe Gëzimi mysliman po, por e akuzoi Albinin, pse Ti po e respekton ezanin i tha.

Ti duhet mos me respektu ezanin, ka vendosur Gëzimi!

5. Në anën tjetër, Presidenti ia ka shtru zullumin Albinit, kurse këshilltarëve të tij ua ka besuar një punë më të lehtë...ta shkatërrojnë BE-në.

Njëri Këshilltar i tij po e përndjekë eurodeputeten gjermane Viola von Cramon si manjakët e gjimnazeve ktyneherë, që nëse i ke refuzu prej inatit të kanë thënë 'ku.vë'.

(eurodeputetja fije m'fije i ka tregu Merkelit çka po i maron Hashimi).

Luftën ndaj saj e nisi me 'mitrën' e saj, si cak dhe epiqendër sulmi fillestar dhe si armë e përdori 'mitrën' e saj kundër saj.

E quajti 'Histerike'. .

A e di Ti more President, më i poshtri president, pse dhe në cilat raste të thërrasin meshkujt 'histerike'?

Kur mendojnë se ke probleme me mitër;

kur mendojnë se mitra është baza e tërbimit të çdo gruaje/vajze.

Kur mendojnë se je e frustruar seksualisht dhe ke probleme seksi.

...është shprehje seksiste kjo (me etimologji greke) se mashkull histerik 's'ka', nejse ka, por askush nuk u thotë meshkujve 'mitër'.

Por Europa nuk habitet me neve sepse ne jemi populli më i vjetër në Europë, ama

shkollën e kemi më të renë në Europë.

(Rexha nuk ish pajtu' me mu' në këtë pikë, se sipas tij Kosova e lë ulur Europën me heroizëm e me 'Bagëtira e bujqësira'.

Po pse bre Rexhep Qosjë nuk po flijohesh edhe ti për Kosovën e me heq merakun njëherë e mirë, m'u bë model, po gjithmonë i shfrytëzon të tjerët si modele të heroizmit, e vetë u bëre plak zotni...e nuk ke guxuar të bëhesh as kryetar i LDK-së, lëre më me mbyt veten për atdhe.

S'e kuptoj pse aq shumë ke pasur qejf të vdesësh për atdhe, e nuk ia ke plotësu vetes atë dëshirë, por je ushqy' me sakrifica të hallkut.

Mos shko me zhig...)

Pra, Presidenti nuk i mëson këshilltarët e tij (të gjinisë mashkullore) se si të luftojnë kundër eurodeputetes gjermane, sepse ata dinë vetë, por nuk po munden me ra n'razi lidhur me do karakteristika të saj, se kjo gruaja po del person kompleks.

Derisa njëri këshilltar ka konstatuar se eurodeputetja është 'mitër', tjetri këshilltar ka dal me një gjetje tjetër në karakterin e saj, ka zbuluar se gjermanja është 'letargjike'.

Pra, kur Viola qetësohet nga histeria, direkt bjen në letargji.

(Letargjia shkaktohet nga përdorimi i drogës, i rakisë, nga uria, nga depresioni, nga zia dhe nga dementia).

Por as me 'letargjinë' nuk po e ngijnë Presidentin. Një ditë i thanë Violës: 'Nuk të marrim seriozisht'.

Pra, varet nga këshilltari i Presidentit se a e merr Kosova seriozisht Europën a jo?

Ndërsa një ditë tjetër Ju tha ca deputëve europianë: 'Ju s'jeni kurrkushi' dhe ua lidhi gjuhën.

Presidentit, eksik veç edhe një llanac t'dukatit me plloçë n'formë 't'zhiletës për m'u kompletu.

Ad nauseam.

5. S'di qysh, keq u ndjeva kur e pashë Albinin duke lyp ndihma për shtetin nga diaspora që sikur edhe ne, ndodhet në karantinë.

M'u duk si n'kohë t'Rugovës, kur ia jepnim paret Isa Mustafēs me mbajtë Republikën inekzistente, de Facto.

Kurrë nuk e morëm vesh ku shkuan paret që ia dhamë Isa Mustafës.

Tash kur kemi nevojë për shtetin real, shteti po duket se është veç një eksperiment, ku nuk mund të mbështetesh.

Albini tash duhet ta mbushë me paret tuaja fondin (e zbrazur) rezervë, fondi që u shpenzua në salltanet dhe projekte fantome, tash me paret tuaja të shpenzohet nga Isa Mustafa që po përgatitet të bëhet Kryeministër 'i nderit'.

S'di çka t'ju them: Dëgjojeni zemrën dhe intuitën tuaj, nëse zemra u thotë Po, pyeteni edhe shpirtin (mendjen), se truri është ngjyrë hiri si mërzia, nuk është i kuq si zemra, që mërzia edhe e mbyt zemrën por ngjyrën nuk ia ndryshon.

6. A del dikush që i tutë shqiptarët, Zoti e pagoftë...E dinim

se na vrasin policia serbe, por dilnim. Për neve frika është përvojë e kaluar. Kujtojmë se e kemi harxhuar frikën. Ama Jo..

Frika e ruan vreshtën.

Frikohu, se të bjen më mirë.

Me të tregu 'personalisht' NASA se më 29 Prill 2020 një asterod me potencial të rrezikshëm, i madh sa 8 herë Londra po i afrohet tokës (lexo: NASA), a tutësh?

Aman, mos dil. Se askush nuk është përjashta, përveç atyre që e provokojnë vdekjen.

Ata që të duan, janë aty, me ty.

Të tjerët janë veç 't'njofshëm'.

7. E unë, ende nuk kam fillu' me vu'jt.

Si Sali Berisha në përpikëri po e respektoj karantinën, por jo si Ai, mo' Zot, që vet e dëgjon urdhërin e Edi Ramës (nuk del), kurse shkodranëve u thotë dilni' Ju, mos e dëgjoni Edi Ramën.

Unë po ec nëpër banesën time një dhomëshe mbi 10000 hapa në ditë.

Në fillim e kisha përshtypjen se hapat po i bëj në koritë, por po shkojnë gjanat tuj u zgjëru.

Kur po dal rrallë (me ble ushqim), po e vë maskën, po i lidh flokët, dhe s'po kam nevojë m'u duk' bukur.

Qenka shumë interesant mos me pas nevojë m'u duk bukur, as mos me prit me pa bukur.

P.S. Mos e mbroni Kosovën nga besimtarët dhe ndihmëtarët, por mbrojeni nga hajnat dhe kriminelët, që si kurrë më parë janë bërë bashkë për ta vazhduar hajninë dhe krimin e organizuar, aty ku e lanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat