Letër drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit

Opinione

Letër drejtuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit

Metë Mavraj Nga Metë Mavraj Më 14 prill 2020 Në ora: 17:44
Albin Kurti

I nderuari z. Albin, kryeministër në detyrë,

Ju përshëndet bashkatdhetari juaj që jeton dhe vepron në Zvicër, Metë Mavraj, dhe me këtë rast dëshiroj t’iu drejtohem lidhur me kërkesën tuaj drejtuar diasporës për ndihma financiare për ta luftuar pandeminë e Korona virusit;

Parmbrëmë iu pash në media kur iu drejtuat bashkatdhetarëve tanë duke kërkuar nga ata që ta ndihmojnë kapërcimin e krizës së pandemisë në Kosovë, gjë që nuk më erdhi fare mirë, sepse mendoj se si qeveri e keni tepruar duke kërkue mjete financiare nga mërgimtarët tanë, sepse sa kush që po vjen në pushtet po vrapon ta mbush arkën e shtetit të Kosovës me të holla të mërgimtarëve, të cilat ata i fitojnë me djers dhe gjak të syve!

I nderuari kryeministër, është dashur që paratë e mbetura të 3%-shit t’ia kërkonit ish partnerit të koalicionit, Isa Mustafës, i cili para pak ditëve iu rrëzoi nga qeveria, dhe nëse nuk gaboj nga Fondi e 3%-shit të qeverisë në exil kanë tepruar diku 125 milion marka, plus çekat me vlerë prej 2000 markave që i kanë paguar me mijëra bashkatdhetarë për aksionin “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës” në vitin 1996, dhe që asnjëherë ajo qeveri nuk e ka paguar asnjë obligim, por as nuk e ka realizuar kushtin e dhënë nga Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa, që mjetet e marra si hua t’iu kthehen mërgimtarëve tanë pasi që ta bëjmë shtetin tonë..!?

Ju lutëm, pyetni Isa Mustafën se për çfarë qëllimesh i kemi dhënë ato para asokohe në fondin e 3%-shit, për të cilat asnjëherë nuk iu kanë dhënë llogari mërgimtarëve se ku janë harxhuar gjitha ato miliona markash, frankash dhe dollarësh, se kanë mbetur dhe se ku kanë shkuar. Ju e dini, se kur i kemi dhënë ato miliona marka për çlirimin e Kosovës, nuk kemi qenë shtet i pavarur, ndërsa tash e 12 vite jemi shtet në vete, dhe Isa Mustafa me B. Bukoshin është dashur të japin llogari para Kuvendit të Kosovës dhe jo t’i përvetësojnë ato për interesa të tyre personale dhe grupore!

Kryeministër, dua t’ua përkujtoj se bëre gabim fatal që lidhe koalicion me hajna të 3%-shit, dhe këtë është dashur ta kishe ditur me kohë, se “me hajna nuk ka shtet..”, por që pasojat e këtij gabimi të rënd ke zënë t’i paguash shtrenjtë, gjë të cilën nuk ta kam dëshiruar asnjëherë, por gabove po ashtu rënd që nuk i dëgjove dhe nuk i more këshillat e miqve tu të sinqertë, në mesin e të cilëve isha edhe unë..!?

Prandaj, kërkesa jote për ndihmë drejtuar mërgimtarëve tanë, tani po tingëllon mjaft keq, sepse Kosova është shtet dhe ajo duhet të ketë mjete të mjaftueshme në buxhetin e saj, por edhe në atë të rezervave për raste emergjente si dhe të fatkeqësive natyrore, e jo të kërkohet shpëtim nga fondet familjare të mërgimtarëve tanë!

Pastaj, çka do bëni me 160 milion euro që BE-ja ia ka dhënë Kosovës, po ashtu, Franca, Gjermania dhe Anglia kanë ofruar me miliona euro ndihma financiare Kosovës për ta kaluar pandeminë e Korona virusit, e që nuk janë shuma të vogla për përballimin me sukses të pandemisë, dhe jo të kërkoni lëmoshë nga mërgimtarët tanë, të cilëve malli për vendlindjen ua rëndon edhe ashtu jetën e tyre të vështirë në dhe të huaj!?

Është dashur, që para se t’i drejtoheni mërgatës për ndihmë,  t’iu drejtoheni edhe bizneseve të shumta në Kosovë, të cilat gjithmonë kanë marrë nga qeveritë e deritanishme tenderë në vlerë prej qindra miliona eurosh, andaj edhe ka qenë e udhës që ata kësaj radhe ta mbushin arkën e shtetit tonë, sepse është kaluar çdo kufi me plaçkitjen e mërgimtarëve tanë në tri dekadat e fundit, për t’i mjelë, madje edhe tash kur jemi shtet i pavarur..!?

Prandaj, i nderuar kryeministër në detyrë, Albin Kurti, konsideroj se u treguat i papërgatitur për ta udhëhequr qeverinë, duke i besuar oponentëve tuaj politik, gjë e cila u solli në pozitën deri aty, sa t’i kërkoni ndihmë financiare diasporës, dhe ky ishte gabimi yt i radhës, që në asnjë mënyrë nuk duhej ta bënit.

Kryeministër, besoni se mërgimtarët janë lodhur nga kërkesat që u vijnë nga qeveritarët tanë, sepse kanë dhënë maksimumin e sakrificave për popull dhe atdhe, ata kanë shpresuar se shteti i tyre, së paku pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës nuk do iu troket më në kuletat e tyre familjare, por si duket avazi e qeverive tona të papërgjegjshme do vazhdon edhe për shumë vite, duke mos bërë vetë asgjë konkrete për popull, bile nuk ishin në gjendje as për 12 vite qeverisje, së paku ta arrinin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës të izoluar padrejtësisht!  

Mirë mbetshi kryeministër, Kurti!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat